Announcing: BahaiPrayers.net


More Books by Bahá'u'lláh

Fjalët e fshehura
Kitáb-i-Aqdas - Questions And Answers
Kitáb-i-Aqdas - Shënimet
Kitáb-i-Aqdas
Qitapi Ikan
Qëmtime nga Shkrimet e Bahá'u'lláh-ut
Tabela të Bahá'u'lláh-ut
Free Interfaith Software

Web - Windows - iPhone








Bahá'u'lláh : Qëmtime nga Shkrimet e Bahá'u'lláh-ut
Qëmtime nga Shkrimet e Bahá'u'lláh-ut

I. I lavdëruar e i lartësuar qofsh Ti, O Zot, Perëndia im! E si mundem Unë të të përmend Ty, kur jam i sigurt se nuk ka gjuhë, sado e thellë qoftë urtia e saj, që të mundë të lartësojë denjësisht emrin Tënd, dhe as zog të zemrës njerëzore, sado e madhe qoftë dëshira e saj, që të mundë të shpresojë të ngjitet në qiellin e madhështisë Sate e të dijes Sate.

Në qoftë se Unë të përshkruaj Ty, O Perëndia im, si Ai Që dallon gjithçka, jam i detyruar të pranoj se Ata që janë Mishërimet më të larta të dallimit janë krijuar në saje të urdhërit Tënd. Dhe në qoftë se unë të lartësoj Ty si Ai Që është Urti¬ploti, po kështu jam i detyruar të pranoj se vetë Burimet e urtisë janë krijuar nëpërmjet veprimit të Vullnetit Tënd. Dhe në qoftë se Unë të shpall Ty si të Pakrahasue¬sh¬min, shpejt zbuloj se Ata Që janë thelbi më i thellë i njëshmërisë janë dërguar prej Teje dhe nuk janë veçse krijesa të veprës Sate. Dhe në qoftë se Unë të lëvdoj Ty si Njohësin e të gjitha gjërave, duhet ta pranoj se Ata që janë Kuintesenca e dijes, nuk janë veçse krijesa e instrumenta të Qëllimit Tënd.

I lartësuar, i lartësuar pa¬masë je Ti, tej çdo përpjekjeje të njerëzve të vdekshëm për të zbuluar misterin Tënd, për të përshkruar lavdinë Tënde ose edhe vetëm për të aluduar për natyrën e Thelbit Tënd. Sepse çfarëdo përpjekjesh që të bëjnë, kurrë nuk mund të shpresojnë të kapërcejnë kufizimet që u janë imponuar krijesave të Tua, duke qenë se të gjitha këto përpjekje bëhen me urdhërin Tënd dhe janë pjellë e shpikjes Sate. Ndjenjat më të larta që shenjtorët më të shenjtë mund të shprehin për të të thurur ty lavdi dhe mençuria më e madhe që më të diturit e njerëzve mund të përdorin në përpjekjet e tyre për të kuptuar natyrën Tënde, sillet e gjitha rreth asaj Qendre Që i nënshtrohet tërësisht sovranitetit Tënd, Që adhuron Bukurinë Tënde dhe Që merr shtytje nga lëvizja e Pendës Sate.

Madje mos lejo, O Perën¬dia im, që unë të mund të them fjalë të tilla që të nën¬kuptojnë medoemos ekzisten-cën e ndonjë lidhjeje të drejt¬për¬drejtë ndërmjet Pendës së Revela¬cionit Tënd dhe thelbit të të gjitha gjërave të krijuara. Larg, sa larg qëndrojnë Ata që janë të lidhur me Ty përmbi konceptimin e një marrëdhënieje të tillë! Të gjitha krahasimet e përngjasimet janë të pafuqishme për t’i dhënë vlerën e vërtetë Pemës së Revela¬cionit Tënd dhe çdo rrugë është e mbyllur për të kuptuar Mani¬festimin e Vetes Sate dhe Agimin e Bukurisë Sate.

Larg, shumë larg lavdisë Sate qoftë ajo që njeriu i vdekshëm mund të pohojë për Ty ose të të atribuojë Ty, ose lavdërimi me të cilin ai mund të të lartësojë Ty! Çdo detyrë që Ti u ke caktuar shërbë¬to¬rëve të Tu për të lartësuar sa më shumë madhështinë dhe lavdinë Tënde s’është veçse një shenjë e hirit Tënd mbi ta, që ata të mund të ngjiten në rangun që i është dhuruar vetë qenies së tyre intime, në rangun e njohjes së vetes së tyre.

Askush tjetër veç Teje nuk ka mundur, në asnjë epokë, të thellohet në misterin Tënd ose të lartësojë ashtu si duhet madhë¬shtinë Tënde. I pakapshëm e mbi lavdërimin e njerëzve do të mbetesh Ti përgjithmonë. Nuk ka tjetër Perëndi veç Teje, që je i Paarritshmi, Fuqiploti, i Gjithë¬dijshmi, i Shenjti i të Shenjtëve.

-~-

II. Fillimi i të gjitha gjërave është njohja e Perëndisë dhe fundi i të gjitha gjërave është zbatimi rigoroz i gjithçkaje që është dërguar nga lartësia qiellore e Vullnetit Hyjnor, që përshkon çdo gjë që ndodhet në qiell e mbi tokë.

-~-

III. Revelacioni, i cili që prej kohësh që s’mbahen mend është për¬shënde¬tur si Qëllimi e Premtimi i të gjithë Profetëve të Perëndisë dhe si Dëshira më e madhe e Lajmë-ta¬rëve të Tij, u është reveluar tani njerëzve në saje të Vullnetit depërtues të të Fuqiplotit dhe me urdhërin e Tij të pandalshëm. Ardhja e këtij Revela¬cioni është shpallur në të gjitha Shkrimet e shenjta. Shikoni ndër¬kaq sesi, megjithë këtë lajmërim, njerëzimi është larguar nga shtegu i tij dhe e ka privuar veten nga lavdia e tij.

Thuaj: O ju të dashur Të Të vetmit Perëndi të vërtetë! Përpiquni ta pranoni e ta njihni Atë me të vërtetë dhe të zbatoni porositë e Tij. Ky është një Revelacion që, sikur një njeri të derdhë për hir të tij një pikë gjaku, mijëra e mijëra oqeane do të jenë shpërblimi i tij. Kini mendjen, o miq, se mos e humbisni këtë përfitim kaq të çmuar, ose se mos nuk e vlerësoni karakterin sublim të tij. Shikoni sa shumë jetë janë sakrifikuar, dhe ende sakrifikohen, në një botë të mashtruar thjesht nga një fantazmë që imagjinata e kotë e popujve të saj ka krijuar. Falënderoni Perën¬dinë që keni plotësuar Dëshirën e zemrës suaj e që jeni bashkuar me Atë Që është Premtimi i të gjitha kombeve. Ruani në tërësinë e saj, me ndihmën e të vetmit Perëndi të vërtetë – lartësuar qoftë lavdia e Tij, – pozitën që keni arritur dhe për¬mbajuni fort asaj që do të çojë përpara Kauzën e Tij. Ai, me të vërtetë, ju urdhëron atë që është e drejtë dhe që çon në lartësimin e pozitës njerëzore. Lëvduar qoftë Mëshirë-ploti, Reveluesi i kësaj Tabele të mrekullueshme.

-~-

IV. Kjo është Dita në të cilën favoret më të çmuara të Perën¬disë janë derdhur mbi njerëzit, Dita në të cilën hiri më i fuqishëm i Tij është futur në gjithë gjërat e krijuara. U bie për detyrë të gjithë popujve të botës të pajtojnë të gjitha mos¬marrëveshjet e tyre dhe, në bashkim e paqe të përsosur, të qëndrojnë nën hijen e Pemës së kujdesit e të dasha-mirësisë së Tij. Ata duhet të kapen pas gjithçkaje që, në këtë Ditë, çon në lartësimin e pozitës së tyre dhe u shërben interesave të tyre më të mira. Të lumtur janë ata që Penda lavdi¬plote lëvizi për t’i kujtuar dhe të bekuar janë ata njerëz, emrat e të cilëve, në saje të vendimit Tonë të padepër¬tueshëm, Ne preferuam t’i mbajmë të fshehur.

Lutjuni të vetmit Perëndi të vërtetë të lejojë që të gjithë njerëzit të ndihmohen me mirësi për të përmbushur atë që është e pranueshme në sytë Tanë. Së shpejti rendi i sotëm do të paloset dhe një rend i ri do të shpaloset në vend të tij. Me të vërtetë Zoti yt thotë të vërtetën dhe është Njohësi i gjërave të padukshme.

-~-

V. Kjo është Dita kur Oqeani i mëshirës së Perëndisë iu shfaq njerëzve, Dita në të cilën Dielli i dashamirësisë së Tij ka derdhur mbi ta shkëlqimin e vet, Dita në të cilën retë e favoreve të Tij bujare kanë mbuluar gjithë njerëzimin. Tani ka ardhur koha për të përtërirë e ngazëllyer të dëshpë¬ru¬a¬rit me flladin gjallërues të dashurisë e të miqësisë dhe me ujërat e gjalla të miqësisë e të bamirësisë.

Ata që janë të shumë¬dashurit e Perëndisë, kudo që të mblidhen e këdo që të takojnë, duhet të tregojnë, në qëndrimin e tyre ndaj Perëndisë dhe në mënyrën sesi e lartësojnë e i thurin lavdi Atij, një përunjësi e nënshtrim të tillë saqë çdo grimcë e pluhurit nën këmbët e tyre të dëshmojë për thellësinë e devo¬cinit të tyre. Biseda e këtyre shpirtrave të shenjtë duhet të për¬shkohet nga një fuqi e tillë, saqë vetë këto grimca pluhuri të drithërohen nga ndikimi i tyre. Ata duhet të sillen në mënyrë të tillë, saqë toka që shkelin të mos mundë kurrë t’u thotë atyre fjalë si këto: “Unë duhet të preferohem ndaj jush. Sepse shikoni sa e duruar jam unë duke mbajtur barrën që hedh mbi mua bujku. Unë jam instru¬menti që u shpërndan vazhdimisht të gjitha qenieve bekimet që më ka besuar Ai që është Burimi i çdo mirësie. Me gjithë nderin që më është dhënë dhe dëshmitë e panumërta të pasurisë sime – një pasuri që plotëson nevojat e gjithë krijimit – shikoni sa e përunjur jam unë dhe me çfarë nënshtrimi të plotë lejoj të më shkelin këmbët e njerëzve….”

Tregoni durim, dasha¬mirësi e dashuri për njëri-tjetrin. Sikur ndonjëri prej jush të mos jetë i aftë të kapë ndonjë të vërtetë, ose i duhet të bëjë përpjekje për ta kuptuar atë, duke biseduar me të tregoni një frymë mirësie të pakufishme e vullneti të mirë. Ndihmojeni atë ta kuptojë e ta njohë të vërtetën, pa e vlerësuar aspak veten superior ndaj tij ose se zotëroni dhunti më të mëdha.

Gjithë detyra e njeriut në këtë Ditë është të fitojë atë pjesë të vërshimit të mirësisë që Perëndia ka caktuar për të. Askush të mos shikojë sa e madhe ose e vogël është masa e saj. Pjesa e disave mund të jetë sa të mbahet në pëllëmbën e dorës, pjesa e disa të tjerëve mund të mbushë një kupë, ndërsa ajo e disa të tjerëve madje edhe një fuçi.

Çdo sy, në këtë ditë, duhet të kërkojë atë që çon sa më mirë përpara Kauzën e Perëndisë. Ai Që është e Vërteta e Përjetshme Më është dëshmitar! Asgjë në këtë Ditë nuk mund t’i shkaktojë kësaj Kauze më shumë dëm sesa mosmarrë¬veshja e grindja, konflikt, ftohtësia e apatia midis të dashurve të Perëndisë. Shmangiuni atyre me fuqinë e Perëndisë e me ndihmën e Tij sovrane, dhe përpiquni t’i bashkoni zemrat e njerëzve në emër të Tij, që është Bashkuesi, i Gjithëdijshmi, Urtiploti.

Lutjuni përunjësisht të vetmit Perëndi të vërtetë që t’ju lejojë të provoni shijen e atyre veprave që kryhen në shtegun e Tij dhe të merrni pjesë në ëmbëlsinë e asaj përunjësie e të atij nënshtrimi që tregohen për hir të Tij. Harro¬jeni veten tuaj dhe kthejini sytë nga i afërmi juaj. Drejtojini energjitë tuaja në çdo gjë që mund të stimulojë edukimin e njerëzve. Asgjë nuk është, dhe kurrë nuk mund të jetë, e fshehur nga Perën¬dia. Në qoftë se ndiqni rrugën e Tij, bekimet e Tij të panumërta e të pavdekshme do të derdhen mbi ju. Kjo është Tabela e ndritshme, vargjet e së cilës kanë buruar nga lëvizja e Pendës së Atij që është Zoti i të gjitha botëve. Peshojeni këtë në zemrat tuaja dhe jini ndër ata që i zbatojnë porositë e Tij.

-~-

VI. Shikoni sesi popujt e fiset e ndryshme të botës kanë qenë në pritje të të Premtuarit. Por, sapo Ai që është Dielli i së Vërtetës është shfaqur, menjëherë të gjithë janë larguar prej Tij, me përjashtim të atyre që Perëndia kishte dëshirë t’i udhëhiqte. Ne nuk guxojmë, në këtë Ditë, të ngrejmë perden që fsheh pozitën sublime që mund të arrijë çdo besimtar i vërtetë, sepse gëzimi që do të shkaktonte një revelim i tillë mund të bënte që disa të humbnin ndjenjat e të vdisnin.

Ai që është Zemra dhe Qendra e Bayán·it ka shkruar: “Fara që bart brenda vetes poten¬cialet e Revela-cionit që do të vijë është e pajisur me një fuqi më të madhe se forcat e bashkuara të të gjithë atyre që më pasojnë Mua.” Dhe Ai, gjithashtu, thotë: “Nga të gjitha homazhet që i kam kushtuar Atij Që do të vijë pas Meje, më i madhi është pohimi Im i shkruar, se cilatdo fjalë të Miat nuk mund ta përshkruajnë si duhet Atë dhe se çfarëdo referencë për Të në Librin Tim, Bayán·in, nuk i jep dot vlerën e vërtetë Kauzës së Tij.”

Cilido që ka kërkuar në thellësitë e oqeaneve që fshihen brenda këtyre fjalëve të larta dhe ka depërtuar në rëndësinë e tyre, mund të thuhet se ka zbuluar një shkëndijë të lavdisë së patreguesh¬me që ka ky Revela¬cion i fuqishëm, sublim e më i shenjtë. Nga përsosuria e një Revelacioni kaq të madh, mund të merret fare mirë me mend nderi që u takon pasuesve të tij besnikë. Për drejtë-sinë e të vetmit Perëndi të vërtetë! Vetë frymëmarrja e këtyre shpir¬trave është në vetvete një pasuri më e madhe se të gjitha thesaret e tokës. Lum njeriu që ka mbërritur deri atje, dhe mjerë mos¬kokë¬çarësit.

-~-

VII. Me të vërtetë, Unë them, kjo është dita në të cilën njerë¬zimi mund të sodisë Fytyrën dhe të dëgjojë Zërin e të Prem¬tuarit. Thirrja e Perëndisë është shpallur dhe drita e shëmbëlltyrës së Tij është ngritur mbi njerëzit. Çdo njeri duhet të fshijë çdo gjurmë fjale të kotë nga tabela e zemrës së vet dhe të shohë me mendje të hapur e të paanshme shenjat e Revelacionit të Tij, provat e Misionit të Tij dhe treguesit e lavdisë së Tij.

E madhe është me të vërtetë kjo Ditë! Aluzionet që janë bërë për të në të gjitha Shkrimet e shenjta si Dita e Perëndisë vërte¬tojnë madhë¬shtinë e saj. Shpirti i çdo profeti të Perëndisë, i çdo Lajmëtari Hyjnor ka qenë i etur për këtë Ditë të mahnitshme. Edhe të gjitha fiset e ndryshme të tokës gjith¬ashtu digjeshin nga dëshira për t’ia arritur kësaj Dite. Megjithatë, sapo Dielli i Manifestimit të Tij u shfaq në qiellin e Vullnetit të Perëndisë, të gjithë mbetën pa gojë e të shkuj¬desur, me përjashtim të atyre që Fuqiploti kishte dashur t’i udhëheqë.

O ti që më ke kujtuar Mua! Perdja më e dhimbshme i ka mbaj¬tur popujt e tokës larg Lavdisë së Tij dhe i ka penguar ata të dëgjojnë thirrjen e Tij. Dhëntë Zoti që drita e unitetit të mbë¬shtjellë gjithë tokën dhe që vula “Mbretëria është e Perëndisë” të stampohet në ballin e të gjithë popujve të Tij.

-~-

VIII. Për drejtësinë e Perëndisë! Këto janë ditët në të cilat Perëndia ka provuar zemrat e gjithë grupit të Lajmëtarëve e të Profetëve të Tij dhe, më tej, të atyre që ruajnë Altarin e Tij të shenjtë e të padhunueshëm, të banorëve të Shatorres qiellore e të Faltores së Lavdisë. Prandaj ç’prove të rëndë duhet t’i nënshtrohen ata që e vënë veten në një radhë me Perëndinë!

-~-

IX. O Ḥusayn! Shiko dëshirën e zjarrtë me të cilën disa popuj e kombe e kanë pritur kthimin e Imám Ḥusayn·it, ardhja e të cilit, pas shfaqjes së Qá’im·it, është para¬shikuar në kohët e shkuara nga të zgjedhurit e Perëndisë, lartësuar qoftë lavdia e Tij. Këta shenjtorë, për më tepër, kanë shpallur se, kur të shfaqet Ai që është Agimi i mirësive të shumta të Perëndisë, të gjithë Profetët dhe Lajmëtarët, duke përfshirë Qá’im·in, do të mblidhen së bashku nën hijen e Flamurit të shenjtë që do të ngrejë i Premtuari. Kjo orë tashmë ka ardhur. Bota është ndriçuar me lavdinë e shndritshme të shëmbëll¬tyrës së Tij. E megjithatë, shikoni sa shumë janë larguar njerëzit nga rruga e Tij! Askush nuk ka besuar tek Ai, veç atyre që, nëpërmjet fuqisë së Zotit të Emrave, i kanë copëtuar idhujt e fantazive të tyre të kota e të dëshirave të zvetënuara dhe kanë hyrë në qytetin e sigurisë. Në këtë Ditë e në emër të Atij që është i Vetmjaftueshmi, Vula e Verës së zgjedhur të Revelacionit të Tij është thyer. Mirësia e Tij po derdhet mbi njerëzit. Mbushe kupën tënde dhe pi në emër të Atij, që është Më i Shenjti, i Gjith¬lëvduari.

-~-

X. Koha e paracaktuar për njerëzit dhe fiset e botës ka ardhur. Premtimet e Perëndisë, që për¬mbahen në Shkrimet e shenjta, janë plotësuar. Prej Sionit ka dalë Ligji i Perëndisë dhe Jeruzalemi, kodrat e toka rreth e qark janë mbushur me lavdinë e Revelacionit të Tij. Lum njeriu që në zemrën e tij peshon ato që janë reveluar në Librat e Perëndisë, që është Ndihma në Rrezik, i Vetqenëshmi. Meditoni për këtë, o ju të shumëdashurit e Perëndisë dhe vërini veshin Fjalës së Tij, në mënyrë që, nëpërmjet hirit e mëshirës së Tij, të mund të pini pa kursim nga ujërat e kristalta të besnikërisë dhe të bëheni të qëndrueshëm e të patundur si mali në Kauzën e Tij.

Në Librin e Isaisë është shkruar: “Hyr në shkëmb dhe fshihu në pluhur nga frika e Zotit dhe para lavdisë e madhështisë së Tij.” Cilido që mediton për këtë varg nuk mund të mos e njohë madhështinë e kësaj Kauze, ose të vërë në dyshim karakterin e lartë të kësaj Dite – të Ditës së Vetë Perëndisë. I njëjti varg pasohet prej këtyre fjalëve: “Dhe vetëm Zoti do të lartësohet atë Ditë.” Kjo është Dita, së cilës Penda e Më të Lartit i ka thurur lavdi në të gjitha Shkrimet e shenjta. Nuk ka në to asnjë varg që nuk shpall lavdinë e Emrit të Tij të shenjtë dhe asnjë Libër që nuk dëshmon për lartësinë e kësaj teme kaq sublime. Sikur të Na duhej të përmendnim të gjitha ato që janë reveluar në këta Libra qiellorë e Shkrime të shenjta lidhur me këtë Revelacion, kjo Tabelë do të merrte përpjesëtime të padëgjuara. Në këtë Ditë, çdo njeriu i bie detyra ta mbështesë gjithë besimin e tij në mirësitë e shumta të Perëndisë dhe të ngrihet për të përhapur me urtinë më të madhe të vërtetat e Kauzës së Tij. Atëherë dhe vetëm atëherë, gjithë toka do të mbështillet nga drita mëngjezore e Revelacionit të Tij.

-~-

XI. Lavdi i qoftë kësaj Dite, Ditës në të cilën aromat e mëshirës janë përhapur mbi të gjitha gjërat e krijuara, një Ditë kaq e bekuar saqë epokat e shekujt e shkuar nuk mund të shpresojnë kurrë ta konkurrojnë, një Ditë në të cilën fytyra e të Lashtit të Kohëve është kthyer ndaj selisë së Tij të shenjtë. Pastaj, zërat e të gjitha gjërave të krijuara dhe, tej tyre, ato të Tubimit të Epërm, u dëgjuan të thërrisnin: ‘Nxito, o Karmel, sepse ja, drita e fytyrës së Perëndisë, Sundues i Mbretërisë së Emrave dhe Artues i qiejve, është ngritur mbi ty’.

I rrëmbyer nga vrulli i ngazëllimit dhe duke ngritur lart zërin, ai thirri: ‘U flijoftë jeta ime për Ty, sepse Ti ke mbërthyer mbi mua vështrimin Tënd, më dhurove bujarinë Tënde dhe i drejtove për tek unë hapat e Tu. Ndarja prej Teje, o Ti Burim i jetës së pasosur, pothuajse më ka tretur dhe largësia prej pranisë Sate më ka djegur shpirtin. Lëvduar qofsh që më dhe mundësinë të dëgjoj thirrjen Tënde, që më nderove me hapat e Tu dhe që e zgjove shpirtin tim me aromën jetëdhënëse të Ditës Sate e me zërin tingëllues të Penës Sate, zë që Ti e caktove të buçasë si kushtrimi Yt midis njerëzve të Tu. Dhe kur ra ora në të cilën Besimi Yt i papërballueshëm duhej të shfaqej, Ti dhe frymë nga fryma e shpirtit Tënd në Penën Tënde, dhe ja, gjithë krijimi u tund nga themelet, duke i zbuluar njerëzimit misteret e fshehura në thesaret e Atij Që është Zotëruesi i të gjitha gjërave të krijuara’.

Sapo zëri i tij arriti atë Vend të lartë, Ne u përgjigjëm: ‘Falëndero Zotin tënd, o Karmel. Zjarri i ndarjes sate prej Meje po të treste me shpejtësi, kur oqeani i pranisë Sime gufoi para fytyrës sate, duke gëzuar sytë e tu dhe sytë e gjithë krijimit e duke mbushur me kënaqësi të gjitha gjërat e duk¬shme e të padukshme. Ngazëllehu, sepse në këtë Ditë Perëndia e ka vendosur mbi ty fronin e Tij, të ka bërë ty vendagimin e shenjave të Tij dhe agun e provave të Revelacionit të Tij. Lum ai që sillet rreth teje, që shpall revelimin e lavdisë sate dhe rrëfen për atë që bujaria e Zotit, Perëndisë tënd, ka derdhur mbi ty. Rrëmbe Kupën e Pavdekësisë në emër të Zotit tënd, Lavdiplotit, dhe falënderoje Atë, sepse Ai, si shenjë e mëshirës së Tij për ty, ta ka kthyer brengën në gëzim dhe ta ka shndërruar dhimbjen në shend e hare. Ai, me të vërtetë, e do vendin që është bërë selia e fronit të Tij, që e kanë shkelur hapat e Tij, që e ka nderuar me praninë e Tij, nga ku ka lëshuar thirrjen e Tij dhe mbi të cilin ka derdhur lotët e Tij.

“Thirri Sionit, o Karmel, dhe shpall lajmin e gëzuar: Ai që ishte i fshehur prej syve të vdekshëm ka ardhur! Sovraniteti i Tij që gjithçka pushton u shfaq; shkëlqimi i Tij gjithëpërfshirës u revelua. Hap sytë të mos ngurrosh ose ndalesh. Nxito dhe sillu rreth Qytetit të Perëndisë që ka zbritur nga qielli, Qabesë qiellore rreth së cilës janë sjellur në adhurim të preferuarit e Perëndisë, të dëlirët në zemër, dhe aradha e engjëjve më të lartë. Oh, sa dëshiroj të shpall në çdo vend mbi sipërfaqen e tokës dhe të çoj në secilin prej qyteteve të saj lajmin e gëzuar të këtij Revelacioni – një Revelacion që ka tërhequr zemrën e Sinait dhe në emër të të cilit Driza e Përflakur po thërret: ‘Perëndisë, Zotit të Zotërve, i përkasin mbretëritë e tokës e të qiellit’. Me të vërtetë kjo është Dita në të cilën toka dhe deti ngazëllehen për këtë kumt, Dita për të cilën janë ruajtur gjërat që Perëndia, me një bujari që mendja ose zemra e vdekshme s’e kapin dot, i ka caktuar t’i revelojë. Së shpejti Perëndia do të verë në lundrim Arkën e Tij mbi ty dhe do të shfaqë njerëzit e Bahá·it që janë përmendur në Librin e Emrave”.

Shenjtëruar qoftë Zoti i gjithë njerëzimit, përmendja e emrit të të Cilit ka bërë që të gjitha atomet e tokës të vibrojnë dhe Gjuha e Madhështisë të lëvizë për të zbuluar atë që ishte e mbështjellur në dijen e Tij dhe qëndronte e fshehur në thesarin e fuqisë së Tij. Ai, me të vërtetë, me fuqinë e Emrit të Tij, të Pushtetshmit, Fuqiplotit, Më të Lartit, është sundimtari i gjithçkaje që ndodhet në qiejt e mbi tokë.

-~-

XII. Zgjohuni, o njerëz, në pritje të ditëve të drejtë-sisë Hyjnore, sepse ora e premtuar tashmë ka ardhur. Kujdes se mos nuk kuptoni rëndësinë e saj dhe renditeni mes të gabuarve.

-~-

XIII. Shihni të kaluarën. Sa njerëz, të fuqishëm e të përvuajtur, kanë pritur me dëshirë të zjarrtë në të gjitha kohët ardhjen e Manifes¬timeve të Perëndisë në personat e bekuar të të Zgjedhurve të Tij. Sa shpesh kanë pritur ata ardhjen e Tij, sa dendur janë lutur që flladi i mëshirës hyjnore të frynte dhe Bukuria e premtuar të dilte nga prapa perdes që e fshihte e të shfaqej para gjithë botës. Dhe sa herë që portat e mirësisë u hapën dhe retë e bujarisë hyjnore u zbrazën mbi njerëzimin, dhe drita e të Padukshmit shkëlqeu mbi horizontin e fuqisë qiellore, ata të gjithë e mohuan Atë dhe u larguan nga fytyra e Tij – fytyra e Vetë Perëndisë…

Mendoni, cili mund të ketë qenë motivi i veprimeve të tilla? Çfarë mund ta ketë shkaktuar një qëndrim të tillë ndaj Reveluesve të bukurisë së Lavdiplotit? Cilido që të ketë qenë në të kaluarën shkaku i mohimit e i kundërvënies nga ana e atyre njerëzve, ai ka çuar tani në mbrapshtinë e njerëzve të kohës së sotme. Të thuash se dëshmia e Providencës ishte jo e plotë, se ky, pra, ka qenë shkaku i mohimit të njerëzve, s’është veçse një blasfemi e hapur. Sa larg është nga hiri i Bujariplotit, nga provania e Tij plot dashuri dhe nga mëshira e Tij e dhembshur të zgjedhë një shpirt të vetëm midis të gjithë njerëzve për të udhëhequr krijesat e Tij dhe, nga njëra anë, të mos i japë Atij dëshminë e plotë hyjnore të Tij, kurse nga ana tjetër, t’i ngarkojë njerëzit e Vet me një shpagë të rreptë sepse i kanë kthyer shpinën të Zgjedhurit të Tij! Përkundrazi, bujaritë e shumta të Zotit të të gjitha qenieve kanë përfshirë, në çdo kohë, përmes Manifestimeve të Thelbit të Tij hyjnor, tokën e gjithçka gjendet në të. Për asnjë çast nuk është mohuar bujaria e Tij, dhe as kanë pushuar së rëni mbi njerëzimin reshjet e dasha¬mirësisë së Tij. Për rrjedhojë, një sjellje e tillë s’mund t’i atribuohet veçse shpirtvogëlsisë së atyre që enden në luginat e arrogancës e të kryelartësisë, që kanë humbur në shkretëtirat e largësisë, që ecin në rrugët e fantazisë së vet boshe dhe shkojnë pas asaj që u diktojnë krerët e besimit të tyre. Meraku kryesor i tyre është thjesht të kundërvihen; dëshira e tyre e vetme është të injorojnë të vërte¬tën. Për çdo vëzhgues mendje¬mprehtë është evidente dhe e qartë që, sikur këta njerëz, në ditët e secilit prej Manifestimeve të Diellit të së Vërtetës, të kishin dëlirur sytë e tyre, veshët e tyre dhe zemrat e tyre nga çdo gjë që kishin parë, dëgjuar e ndjerë, ata nuk do të ishin privuar nga soditja e bukurisë së Perëndisë dhe as do të ishin mënjanuar nga banesat e lavdisë. Por duke e peshuar dëshminë e Perëndisë me masën e dijes së tyre, të nxjerrë nga mësimet e krerëve të besimit të tyre, dhe duke e gjetur atë në kundërshtim me kuptimin e vet të kufizuar, ata u ngritën për të kryer veprime të tilla të pahijshme.

Mendoni Moisiun! I arma¬tosur me shkopin e sundimit qiellor, i stolisur me dorën e bardhë të dijes hyjnore, duke ardhur nga Párán·i i dashurisë së Perëndisë dhe duke tundur gjarprin e fuqisë e të madhështinë së përjetshme, Ai shkëlqeu nga Sinai i dritës mbi botë. Ai i thirri të gjithë popujt dhe fiset e tokës në mbretërinë e përjetësisë dhe i ftoi ata të shijojnë frytin e pemës së besës. Ju, sigurisht, jeni në dijeni për kundërvënien e egër të Faraonit e të njerëzve të tij, si dhe për gurët e fantazisë boshe, që duart e të pabesëve hodhën mbi atë Pemë të bekuar. Derisa më në fund Faraoni dhe njerëzit e tij u ngritën dhe bënë të gjitha përpjekjet për të shuar zjarrin e asaj Peme të shenjtë me ujërat e gënjeshtrës e të mohimit, duke harruar të vërtetën se s’ka ujë tokësor që të shuajë zjarrin e urtisë hyjnore, as erëra të vdekshme që të fikin llambën e sundimit të përjetshëm. Madje, po ta shihnit me syrin e gjykimit dhe të ecnit në rrugën e vullnetit e të pëlqimit të shenjtë të Perëndisë, një ujë i tillë s’bën tjetër veçse shton djegien e flakës, dhe erëra të tilla s’bëjnë tjetër veçse sigurojnë ruajtjen e kësaj llambe. ...

E kur ditët e Moisiut mbaruan dhe drita e Jesuit, që shkëlqeu nga Agimi i Shpirtit, përfshiu botën, gjithë njerëzit e Izraelit u ngritën për të protestuar kundër tij. Ata ngritën zërin se Ai që Bibla kishte paralajmëruar se do të vinte, duhej të shpallte e të vinte në jetë ligjet e Moisiut, ndërsa i riu Nazaren, që pretendonte pozitën e Mesisë hyjnor, anuloi ligjet e divorcit e të ditës së Sabathit – ligjet më të rëndësishme të Moisiut. Për më tepër, ku ishin shenjat e Manifes¬timit që do të vinte? Këta njerëz të Izraelit edhe sot e kësaj dite ende presin Manifestimin që ka paralajmëruar Bibla! Sa Manifes¬time të Shenjtë¬risë, sa Revelues të dritës së përjetshme kanë dalë që nga koha e Moisiut, e megjithatë Izraeli, i mbështjellë me perdet më të dendura të fantazisë djallëzore e të imagjinatës së rreme, është ende në pritje që idhulli i krijuar prej duarve të atij vetë të shfaqet me ato shenja që ai vetë kishte konceptuar! Kështu Perëndia i ka mbërthyer ata për mëkatet e tyre, ka shuar tek ata shpirtin e besimit dhe i ka torturuar me flakët e zjarrit më djegës. Dhe kjo për arsyen e vetme që Izraeli refuzoi të kuptonte domethënien e fjalëve të reveluara në Bibël lidhur me shenjat e Revelacionit të ardh¬shëm. Meqenëse Izraeli nuk e kuptoi kurrë domethënien e tyre të vërtetë, dhe në pamje të jashtme ngjarje të tilla nuk ndodhën kurrë, ai mbeti i privuar nga njohja e bukurisë së Jesuit dhe nga soditja e Fytyrës së Perëndisë. Dhe ata ende presin ardhjen e Tij! Që nga kohë që s’mbahen mend e deri në ditët e sotme, të gjitha fiset dhe popujt e tokës janë kapur pas mendimesh të tilla imagjinare e të padenja dhe kështu i kanë mohuar vetes ujërat e kulluara që rrjedhin nga krojet e pastërtisë e të shenjtërisë. ...

Për ata që kanë dhuntinë e të kuptuarit është e qartë dhe evi¬dente se, kur zjarri i dashurisë së Jesuit dogji perdet e kufizimeve të hebrenjve dhe autoriteti i Tij u bë i dukshëm e pjesërisht u pranua, Ai, Reveluesi i Bukurisë së paparë, duke iu drejtuar një ditë dishepujve të Vet, iu referua largimit së Tij nga kjo jetë dhe, duke ndezur në zemrat e tyre zjarrin e ndarjes, u tha: “Unë po shkoj, por do të vij përsëri tek ju”. Dhe në një vend tjetër tha: “Unë po shkoj, por një tjetër do të vijë, i Cili do t’ju thotë ato që Unë nuk jua kam thënë dhe do të përmbushë të gjitha ato që kam thënë”. Të dyja këto thënie kanë një kuptim të vetëm, po qe se thelloheni me intuitë hyjnore në Manifestimet e unitetit të Perën¬disë.

Çdo vëzhgues i mprehtë do ta kuptojë se në Dispensacionin edhe Libri edhe Kauza e Jesuit u konfirmuan. Përsa u përket emrave, vetë Muhameti ka dekla¬ruar: “Unë jam Jesui”. Ai e njohu të vërtetën e shenjave, të profecive e të fjalëve të Jesuit dhe dëshmoi se të gjitha ato ishin nga Perëndia. Në këtë kuptim, as personi i Jesuit as Shkrimet e Tij nuk ndryshojnë nga ato të Muhametit e të Librit të Tij të shenjtë, sepse që të dy kanë mbrojtur Kauzën e Perëndisë, kanë kënduar lavdinë e Tij dhe kanë reveluar porositë e Tij. Kështu, Vetë Jesui deklaroi: “Unë po shkoj, por do të vij përsëri tek ju”. Shikoni diellin. Nëse ai do të thoshte: “Unë jam dielli i djeshëm”, ai do të thoshte të vërtetën. E nëse, duke mbajtur parasysh rrjedhën e kohës, do të pretendonte se është diell tjetër, përsëri do të thoshte të vërtetën. Po kështu, në qoftë se thuhet se të gjitha ditët janë e njëjta ditë, kjo është e drejtë dhe e vërtetë. E në qoftë se, duke pasur parasysh emrat e veçoritë e ndryshme të tyre, do të thuhej se ato ndry¬shojnë nga njëra-tjetra, edhe kjo do të ishte e vërtetë. Sepse, megjithëse janë të njëjta, njeriu përsëri sheh në secilën prej tyre diçka të posaçme, një atribut specifik, një karakter të veçantë. Koncepto në të njëjtën mënyrë dallimin, ndryshimin dhe karakte¬ristikën e përbashkët të Manifes¬timeve të ndryshme të shenjtërisë, që të mund të kuptosh aluzionet e bëra nga Krijuesi i të gjithë emrave e atributeve për misteret e dallimit e të unitetit dhe që të mund të zbulosh përgjigjen për pyetjen përse ajo Bukuri e përjetshme në kohë të ndryshme e ka thirrur ve¬ten me emra e tituj të ndryshëm. ...

Kur i Padukshmi, i Për¬jetshmi, Thelbi hyjnor, bëri që Ylli i ditës i Muhametit të ngrihej mbi horizontin e dijes, midis yçklave që teologët hebrenj nxorën kundër Tij ishte se pas Moisiut Perëndia nuk do të dërgonte asnjë Profet tjetër. Por në shkrimet flitet për një Shpirt i Cili duhet të manifestohet dhe i Cili do ta çojë përpara Besimin e Moisiut e do të përkrahë interesat e pasuesve të Tij, në mënyrë që ligji i Dispensacionit të Moisiut të përhapet në mbarë botën. Kështu u referrohet në Librin e Tij Mbreti i lavdisë së përjetshme fjalëve të shqiptuara prej atyre që enden në luginën e largësisë e të gabimit: “‘Dora e Perëndisë’, thonë hebrenjtë, ‘është e lidhur me pranga’. Të lidhura me pranga qofshin duart e tyre! Dhe për atë që kanë thënë, ata janë mallkuar. Jo, të dy duart e Tij janë të hapura!” “Dora e Perëndisë është mbi duart e tyre.” Edhe pse komentuesit e Kuranit i kanë dhënë në versione të ndryshme rrethanat që kanë shoqëruar reve¬limin e këtij vargu, ti, megjithatë, duhet të përpiqesh ta kuptosh domethënien e tij. Ai thotë: Sa e gabuar është ajo që kanë imagji¬nuar hebrenjtë! Si mundet dora e Atij Që në të vërtetë është Mbreti, Që bëri të shfaqej shëmbëlltyra e Moisiut dhe i dha Atij rrobën e Profetërisë, – si mundet dora e Një Qenieje të tillë të lidhet me pranga e zinxhirë? Si mund të mendohet Ai i pafuqishëm për të nxitur një Lajmëtar tjetër pas Moisiut? Shiko absurditetin e thënies së tyre; sa i është larguar ajo shtegut të dijes e të të kuptuarit! Shih sesi edhe sot e kësaj dite të gjithë këta njerëz merren me të tilla absurditete të trasha. Për më se njëmijë vjet ata e kanë recituar këtë varg dhe në mënyrë të pavetëdijshme kanë qortuar hebrenjtë, pa e kuptuar se ata vetë, hapur e brenda për brenda, përhapin ndjenjat dhe besimin e hebrenjve! Ti me siguri ke dëgjuar për këmbënguljen e tyre të kotë se të gjitha Revelacionet kanë marrë fund, se portat e mëshirës Hyjnore janë mbyllur, se nga agimet e Shenjtërisë së amshuar nuk do të ngrihet më tjetër Diell, se Oqeani i bujarisë së përjetshme është qetësuar përgjith-monë dhe se nga Tenda e lavdisë së lashtë nuk shfaqen më Lajmëtarë të Perëndisë. Kaq dinë të kuptojnë këta njerëz mendje¬ngushtë e të përçmuar. Këta njerëz kanë imagjinuar se rrjedha e miresisë gjithpërfshirëse dhe e mëshirës së madhe të Perëndisë, mbarimin e së cilës asnjë mendje s’mund ta konceptojë, është ndalur. Ata janë ngritur nga çdo anë, kanë ngjeshur brezin e tiranisë dhe kanë bërë të gjitha përpjekjet për të shuar me ujërat e hidhura të fantazisë së tyre boshe Drizën e Përflakur të Perëndisë, duke harruar se globi i pushtetit do të ruante brenda kështjellës së vet të fuqishme Llambën e Perëndisë. ...

Shikoni sesi sovraniteti i Muhametit – i Lajmë-tarit të Perën¬disë, sot është i dukshëm e shfaqet në mes të njerëzve. Ju e dini mirë se ç’i ndodhi Besimit të Tij në ditët e hershme të Dispensacionit të Tij. Ç’vuajtje të tmerrshme i solli atij Thelbi shpirtëror, asaj Qenieje aq të pastër e të shenjtë, dora e të pabesit, e të zvetënuarit, e teolo¬gëve të asaj epoke dhe e bashkë¬punëtorëve të tyre! Sa shumë gjemba e ferra hodhën ata në shtegun e Tij! Është e qartë se ajo gjeneratë e fëlliqur, me imagjinatën e saj të pabesë e satanike, e kon¬sideronte çdo goditje kundër kësaj Qenieje të pavdekshme si një mjet për të arritur një lumturi të qëndrueshme; sepse teologët e njohur të asaj epoke, si ‘Abdu’lláh-i-Ubayy, Abú ‘Ámir·i, oshënari, Ka‘b-ibn-i-Ashraf·i dhe Naḍr-ibn-i-Ḥárith·i, të gjithë e trajtuan Atë si mashtrues dhe e shpallën të çmendur e gënjeshtar. Ata ngritën kundër Tij akuza të tilla të rënda, saqë po t’i përmendja Perëndia do ta ndalte bojën të rrjedhë, pendën Tonë të lëvizë ose fletën t’i mbajë ato. Këto shpifje keqdashëse i nxitën njerëzit të ngrihen e ta mundojnë Atë. Dhe sa të mëdha janë ato mundime, duke parë që teologët e asaj kohe janë nxitësit kryesorë, janë ata që e denoncojnë Atë te pasuesit e tyre, e dëbojnë nga rrethi i tyre dhe e shpallin keqbërës! A nuk i ka ndodhur e njëjta gjë këtij Shërbëtori, siç e kanë parë të gjithë?

Ja përse Muhameti thirri: “Asnjë Profet i Perëndisë nuk ka vuajtur atë që kam vuajtur unë.” Dhe në Kuran janë regjistruar të gjitha shpifjet e qortimet e thëna kundër Atij, si dhe fatkeqësitë që vuajti Ai. Referojuni atyre, që të mund të informoheni për atë që i ka ndodhur Revelacionit të Tij. Kaq e rëndë ishte gjendja e Tij, saqë për njëfarë kohe të gjithë i ndërprenë lidhjet me Të e me shokët e Tij. Kushdo që shoqërohej me Të binte viktimë e egërsisë së pamëshirshme të armiqve të Tij…

Mendo, ç’ndryshim të madh ka sot! Shiko, sa shumë Sovranë bien në gjunjë para emrit të Tij! Sa shumë kombe e mbretëri kanë kërkuar strehë në hijen e Tij, kanë shprehur besnikërinë ndaj Besimit të Tij dhe janë krenarë për këtë! Që nga katedrat zbresin sot fjalë lavdërimi, të cilat me përulësi të thellë lartësojnë emrin e Tij të bekuar; dhe nga majat e minareve dëgjohet thirrja që fton turmat e njerëzve të Tij që Ta adhurojnë. Madje edhe ata mbretër të tokës që kanë refuzuar të përqafojnë Besimin e Tij dhe të heqin rrobën e mosbesimit, e pranojnë dhe e njohin, megjithatë, madhë¬shtinë dhe madhërinë e parezistueshme të Atij Ylli të Ditës të dashamirësisë. I tillë është Sovraniteti i Tij tokësor, dëshmitë e të cilit mund t’i shohësh në çdo anë. Ky sovranitet duhet të revelohet e të afirmohet ose gjatë jetës së çdo Manifestimi të Perëndisë, ose pas ngjitjes së Tij në banesën e Tij të vërtetë në mbretërinë e epërme. ...

Shihet qartë se ndryshimet e kryera në çdo Dispensacion përbëjnë retë e errëta që ndërfuten midis syrit të kuptimit njerëzor dhe Yllit hyjnor që shkëlqen nga agimi i Thelbit hyjnor. Shih sesi njerëzit për breza të tërë kanë imituar verbërisht etërit e vet dhe janë ushtruar sipas rregullash e mënyrash të vendo¬sura nga diktatet e Besimit të tyre. Prandaj sikur këta njerëz të zbulonin papritur se një Njeri, i Cili ka jetuar midis tyre, i Cili, në përputhje me çdo kufizim njerë¬zor, ka qenë i barabartë me ta, është ngritur për të hequr të gjitha parimet tradicionale të imponuara nga Besimi i tyre – parime që i kishin disiplinuar ata për shekuj dhe çdo kundërshtar ose mohues të të cilave ishin mësuar ta shikonin si të pabesë, të shthurur e të lig, – ata me siguri do të errësoheshin e pengoheshin për të njohur të vërtetën e Tij. Gjëra të tilla janë si “re” që veshin sytë e atyre, qenia e brendëshme e të cilëve nuk e ka shijuar Salsabíl·in e shkëputjes, as ka pirë nga Kawthar·i i dijes së Perëndisë. Njerëz të tillë, kur njihen me këto rrethana, bëhen aq të verbër saqë pa më të voglin ngurrim e shpallin Manifestimin e Perëndisë si të pabesë dhe e dënojnë me vdekje. Ti duhet të kesh dëgjuar për gjëra të tilla që kanë ndodhur në të gjitha epokat, e tani i sheh edhe në këto ditë.

Prandaj na takon të bëjmë përpjekjet më të mëdha që, me ndih¬mën e padukshme të Perë¬ndisë, këto perde të errëta, këto re të sprovave të dërguara nga Qielli të mos na pengojnë të soditim bukurinë e Shëmbëlltyrës së Tij të shndritshme dhe ta njohim Atë vetëm përmes Vetes së Tij.

-~-

XIV. Pranvera Hyjnore ka ardhur, O Penda Më e Lavdë¬ruar, sepse Festa e Mëshirëplotit po afrohet me shpejtësi. Çohu dhe lartëso para gjithë krijimit emrin e Perëndisë, dhe thuri lavde Atij, në mënyrë që të gjitha gjërat e krijuara të rigjenerohen e përtërihen. Fol e mos pusho. Dielli i lumturisë shkëlqen mbi horizontin e emrit Tonë, Fatlumit, sepse mbretëria e emrit të Perëndisë është stolisur me ornamentin e Zotit Tënd, Krijuesit të Qiejve. Çohu para kombeve të tokës dhe armatosu me fuqinë e këtij Emri Më të Madh, dhe mos ji ndër ata që vonojnë.

Më duket se ti ke ndalur, O Pendë, e nuk po lëviz në Tabelën Time. Mos vallë shkëlqimi i Shëmbëlltyrës Hyjnore të ka hutuar, apo bisedat e kota të jobesimtarëve të kanë brengosur e ta kanë paralizuar lëvizjen? Ki kujdes që asgjë të mos të të pengojë të lartësosh madhështinë e kësaj Dite – të Ditës kur Gishti i madhërisë e i fuqisë theu vulën e Verës së Bashkimit dhe thirri të gjithë ata që janë në qiej e të gjithë ata që janë mbi tokë. Mos vallë ti preferon të vonohesh, kur flladi që shpall Ditën e Perëndisë ka fryrë tashmë mbi ty, apo mos je nga ato që janë të ndara prej Tij si me një perde?

Asnjëlloj perde nuk kam lejuar, O Zot i të gjithë emrave e Krijues i qiejve, që të më pengojë të njoh lavditë e Ditës Sate – të Ditës që është llamba udhërrëfyese e botës mbarë dhe shenja e të Lashtit të Kohëve për të gjithë ata që jetojnë aty. Heshtja ime është shkaktuar nga perdet që kanë mbuluar sytë e krijesave të Tua e nuk i lënë të të shohin Ty, dhe nemitja ime vjen nga pengesat që nuk i lejojnë njerëzit e Tu të njohin të vërtetën Tënde. Ti e di ç’ka tek unë, por unë nuk e di ç’ka në Ty. Ti je i Gjithëdijshmi, i Gjith¬informuari. Për emrin Tënd që ua kalon të gjithë emrave të tjerë! Sikur urdhëri Yt mbizotërues e detyrimplotë të arrinte ndonjëherë tek unë, ai do të më bënte të ripërtërija shpirtrat e të gjithë njerëzve përmes fjalës Sate më të lavdëruar, që Unë e kam dëgjuar të shqiptohet nga Gjuha Jote e fuqisë në Mbretërinë Tënde të lavdisë. Kjo do të më bënte të aftë të shpall revelimin e shëmbëlltyrës Sate të shndritshme, nëpërmjet së cilës ajo që ishte e fshehur nga sytë e njerëzve është shfaqur në emrin Tënd, që je Mendjemprehti, Mrojtësi Sovran, i Vetqenëshmi.

A mundesh ti, O Pendë, të zbulosh ndonjë tjetër veç Meje në këtë Ditë? Ç’ka ndodhur me krijimin e me manifestimet? Po me emrat e me mbretërinë e tyre? Ku kanë shkuar të gjitha gjërat e krijuara, të dukshme ose të paduk¬shme? Ç’ka ndodhur me sekretet e fshehura të Gjithësisë e me revelacionet e saj? Ja, gjithë krijimi është zhdukur! Asgjë s’ka mbetur veç Fytyrës Sime, të Përjetshmit, të Shndritshmit, Lavdiplotit.

Kjo është Dita në të cilën asgjë nuk mund të shihet, veç vezullimeve të Dritës që shkëlqen në fytyrën e Zotit Tënd, të Hirshmit, Bujariplotit. Me të vërtetë, Ne kemi bërë që çdo shpirt të shuhet përmes sovrani¬tetit Tonë të parezistu¬eshëm e gjithnënshtrues. E pastaj kemi thirrur në jetë një krijim të ri, si shenjë të dashamirësisë Sonë për njerëzit. Unë jam, me të vërtetë, Bujariploti, i Lashti i Kohëve.

Kjo është Dita në të cilën bota e padukshme thërret: “I madh është bekimi yt, o tokë, sepse ti je bërë këmbëmbështetësja e Perëndisë Tënd dhe je zgjedhur si selia e fronit të Tij të fuqishëm.” Mbretëria e lavdisë thërret: “U flijoftë jeta ime për ty, sepse Ai Që është i Shumëdashuri i Mëshirë¬plotit ka vendosur sovranitetin e Tij mbi ty, përmes fuqisë së Emrit të Tij, që u është premtuar të gjitha gjërave, qofshin të së shkuarës ose të së ardhmes.” Kjo është Dita në të cilën çdo gjë që kundërmon, e ka marrë aromën e saj nga kundër¬mimi i rrobës Sime – rrobë që e ka derdhur parfumin e vet mbi të gjithë krijimin. Kjo është dita në të cilën ujërat e rrëmbyera të jetës së amshuar kanë vërshuar prej Vullnetit të Mëshirëplotit. Nxitoni, me gjithë zemër e shpirt, dhe pini pa kursim, O Tubim i mbretërive të epërme!

Thuaj: Ai është Manifes¬timi i Atij Që është i Panjohshmi, i Padukshmi i të Padukshmëve, sikur të mund ta kuptonit. Është Ai që ka zbuluar para jush Margaritarin e fshehur e të ruajtur, po qe se e kërkoni atë. Ai është i Shumëdashuri i të gjitha gjërave, qoftë të së shkuarës ose të së ardhmes. Sikur ju t’i mbështetnit zemrat dhe shpresat mbi Të!

Ne e kemi dëgjuar zërin e lutjes sate, O Pendë, dhe ta falim heshtjen tënde. Ç’të ka hutuar kaq shumë ty?

Dehja e pranisë Sate, O i Shumëdashur i të gjitha botëve, më ka mbërthyer e më ka pushtuar.

Ngrehu dhe shpalli tërë krijimit lajmin e mirë se Ai që është Mëshirëploti i ka drejtuar hapat e Tij nga Riḍván·i dhe ka hyrë aty. Pastaj udhëhiqi njerëzit në kop-shtin e kënaqësisë, të cilin Perëndia e ka bërë Fronin e Parajsës së Tij. Ne të kemi zgjedhur ty që të jesh Boria jonë më e fuqish¬me, kumbimi i së cilës do të shënojë ringjalljen e gjithë njerëzimit.

Thuaj: Kjo është Parajsa, në gjethnajën e së cilës nektari i fjalës ka stampuar dëshminë: “Ai që ishte i fshehur nga sytë e njerëzve është shfaqur, i veshur me sovranitet e fuqi!” Kjo është Parajsa, fëshfërima e gjetheve të së cilës proklamon: “O ju që banoni në qiej e mbi tokë! Është shfaqur ajo që kurrë më parë nuk qe shfaqur. Ai Që përjetësisht e kishte fshehur Fytyrën e Tij nga syri i krijimit, tani ka ardhur.” Nga pëshpërima e flladit që fryn midis degëve vjen thirrja: “Ai që është Zoti sovran i të gjithëve u shfaq. Mbretëria është e Perëndisë”, ndërsa nga ujërat që rrjedhin mund të dëgjohet mërmërima: “Të gjithë sytë janë gëzuar, sepse Ai Që askush s’e ka soditur, sekretin e të Cilit askush nuk e ka zbuluar, e ka ngritur perden e lavdisë dhe ka zbuluar shëmbëlltyrën e Bukurisë.”

Brenda kësaj parajse dhe nga lartësitë e dhomave të saj më të zgjedhura, Shërbëtoret e Qiellit kanë thirrur me zë të lartë: “Gëzohuni, ju banorë të mbretë¬rive të epërme, sepse gishtat e Atij Që është i Lashti i Kohëve po i bien, në emër të Lavdiplotit, Këmbanës Më të Madhe mu në zemër të qiejve. Duart e bujarisë kanë çuar përqark gotën e jetës së pasosur. Afrohuni dhe pini pa kursim. Pini me shije të shëndet¬shme, O ju që jeni mishërimi vetë i mallit, ju që jeni trupëzimi i dëshirave rrëmbenjëse!”

Kjo është Dita në të cilën Ai Që është Reveluesi i Emrave të Perëndisë ka dalë nga Faltorja e lavdisë dhe u ka shpallur të gjithë atyre që janë në qiell e mbi tokë: “Hiqini kupat e Parajsës dhe gjithë ujërat jetëdhënëse që përmbajnë, sepse ja, njerëzit e Bahá·it kanë hyrë në banesën e bekuar të Pranisë Hyjnore dhe kanë pirë verën e bashkimit nga kupa e bukurisë së Zotit të tyre, Gjith¬zotëruesit, Më të Lartit.”

Harroje botën e krijimit, O Pendë, dhe kthehu nga fytyra e Zotit Tënd, e Zotit të të gjithë emrave. Zbukuroje, pra, botën me stolitë e favoreve të Zotit Tënd, të Mbretit të Ditëve të përjetshme. Sepse Ne ndiejmë aromën e Ditës, në të cilën Ai Që është dëshira e të gjitha kombeve ka derdhur mbi mbretëritë e së dukshmes e të së padukshmes shkëlqimin e dritës së emrave të Tij më të përsosur, i ka mbështjellë ato me vezullimin e llambave të favoreve të Tij më mirëdashëse – favore të cilat askush nuk mund t’i llogaritë, veç Atij që është Mbrojtësi i gjithëfuqishëm i mbarë krijimit.

Mos i shiko krijesat e Perëndisë, përpos me syrin e mirësisë e të mëshirës, sepse urtia Jonë dashamirëse ka përshkuar të gjitha gjërat e krijuara dhe hiri Ynë ka përfshirë tokën e qiejt. Kjo është Dita në të cilën shërbëtorët e vërtetë të Perëndisë janë pjesëtarë në ujërat jetëdhënëse të bashkimit, Dita në të cilën ata që i qëndrojnë pranë mund të pinë në lumin e pavdekësisë që rrjedh butë dhe ata që besojnë në unitetin e Tij të pinë verën e Pranisë së Tij, duke njohur Atë Që është Më i Larti e Skaji i Fundmë i gjithçkaje, në të Cilin Gjuha e Madhërisë dhe e Lavdisë lëshon thirrjen: “Mbretëria është Imja. Unë Vetë, për të drejtën Time, jam Sundimtari i saj.”

Tërhiqi zemrat e njerëzve nëpërmjet thirrjes së Atij, që është i Shumëdashuri i vetëm. Thuaj: ky është Zëri i Perëndisë, po t’i vinit veshin. Ky është Agimi i Revela-cionit të Perëndisë, po ta dinit. Ky është Vendagimi i Kauzës së Perëndisë, po ta njihnit. Ky është burimi i porosisë së Perëndisë, po ta gjykonit drejt. Ky është Sekreti i hapur dhe i fshehur, po të mund ta kuptonit. O popuj të botës! Hidhni tutje, në emrin Tim, që ua kalon të gjithë emrave, gjithçka keni, dhe zhytuni në këtë Oqean, në thellësitë e të cilit janë të fshehur margaritarët e urtisë e të fjalës, një oqean që ngrihet në emrin Tim, Mëshirëplotit. Kështu ju mëson Ai Që ka me vete Librin Mëmë.

I Shumëdashuri ka ardhur. Në dorën e djathtë të Tij është Vera e vulosur e emrit të Tij. Lum njeriu që kthehet nga Ai, pi pjesën e vet dhe thërret: “Lavdia qoftë me Ty, O Revelues i shenjave të Perëndisë!” Për drejtësinë e të Fuqiplotit! Çdo gjë e fshehur është shfaqur përmes fuqisë së të vërtetës. Të gjitha favoret e Perëndisë janë dërguar si shenjë e mirësisë së Tij. Ujërat e jetës së amshueme u janë ofruar të gjithë njerëzve. Çdo kupë është çuar përqark nga Dora e të Shumë¬dashurit. Afrohuni e mos ngurroni as edhe një çast të vetëm.

Të bekuar janë ata që janë ngritur lart mbi krahët e shkëputjes dhe kanë arritur pozitën që, siç e ka caktuar Perëndia, lëshon hijen e saj mbi tërë krijimin, ata të cilët as imagjinatat e kota të të diturve dhe as ushtritë e shumta të tokës nuk kanë mundur t’i shmangin nga Kauza e Tij. Cili prej jush, o njerëz, do të heqë dorë nga bota e do t’i afrohet Perëndisë, Zotit të të gjithë emrave? Ku do të gjendet Ai që, përmes fuqisë së emrit Tim, që ua kalon të gjitha gjërave të krijuara, do të flakë gjërat që zotërojnë njerëzit, dhe do t’u përmbahet me tërë fuqinë e vet atyre gjërave që Perëndia, Njohësi i së dukshmes e i së padukshmes, e ka urdhëruar t’u bindet? Kështu ka zbritur mbi njerëzit bujaria e Tij, është përmbushur dëshmia e Tij dhe prova e Tij ka shkëlqyer mbi Horizontin e mëshirës. I pasur është shpërblimi që do të fitojë ai që ka besuar e ka thirrur: “Lëvduar qofsh Ti, O i Shumëdashuri i të gjitha botëve! Lartësuar qoftë emri Yt, O Ti Dëshira e çdo zemre që kupton.”

Gëzohuni me ngazëllim të paparë, o njerëz të Bahá·it, ndërsa sillni ndërmend Ditën e lumturisë supreme, Ditën kur Gjuha e të Lashtit të Kohëve ka folur, ndërsa largohej nga Shtëpia e Tij për të shkuar në Vendin prej ku Ai lëshoi mbi gjithë krijimin vezullimet e emrit të Tij, Mëshirëplotit. Perëndia Na është dëshmitar. Sikur Ne të revelonim sekretet e fshehura të asaj Dite, të gjithë ata që jetojnë mbi tokë e në qiej do të humbnin ndjenjat e do të vdisnin, me përjashtim të atyre që do t’i ruante Perëndia, Fuqiploti, i Gjithëdijshmi, Urtiploti.

I tillë është efekti dehës i fjalëve të Perëndisë mbi Atë Që është Reveluesi i provave të Tij të padyshimta, saqë Penda e Tij nuk mund të lëvizë më. Ai e përfundon me këto fjalë Tabelën e Tij: “S’ka Perëndi tjetër veç Meje, Më të Lartësuarit, Më të Fuqishmit, Më të Përsosurit, të Gjithëdijshmit.”

-~-

XV. Penda e Revelacionit thërret: “Në këtë Ditë Mbretë¬ria është e Perëndisë!” Gjuha e fuqisë po thërret: “Në këtë Ditë çdo sovranitet, në realitetin absolut, është i Perëndisë!” Feniksi i mbretërive të epërme thërret nga Dega e pavdekshme: “Lavdia e çdo madhështie i përket Perëndisë, të Pakrahasueshmit, Gjithnën¬shtru¬esit!” Pëllumbi Mistik këndon nga pjergulla e tij e bekuar në Parajsën e përjetshme: “Burimi i çdo bujarie vjen në këtë ditë nga Perëndia, i Vetmi, Përdëllenjësi!” Zogu i Fronit këndon melodinë e vet në qoshkun e tij të shenjtërisë: “Pushteti suprem nuk duhet t’i atribuohet në këtë Ditë askujt veç Perëndisë, Atij Që nuk ka as të ngjashëm as të krahasueshëm, Atij Që është Më i Fuqishmi, Gjith-nënshtruesi!” Thelbi më i brend¬shëm i të gjitha gjërave u shpall atyre dëshminë: “Çdo falje rrjedh në këtë Ditë nga Perëndia, nga Ai me të Cilin askush nuk mund të krahasohet, me të Cilin askush nuk mund të shoqërohet, nga Mbroj¬tësi Sovran i të gjithë njerëzve dhe Fshirësi i mëkateve të tyre!” Kuintesenca e Lavdisë ka ngritur zërin sipër kokës Sime, dhe ka thirrur nga lartësi të tilla që as penda e as gjuha nuk i përshkruan dot: “Perëndia Më është dësh¬mi¬tar! Ai, i Lashti i Kohëve të për¬jetshme, ka ardhur, i ngjeshur me madhështi e pushtet. Nuk ka Perëndi tjetër veç Atij, që është Lavdiploti, Fuqiploti, Më i Larti, Urtiploti, Gjith¬përshkuesi, Gjith¬shikuesi, i Gjith¬informuari, Mbroj¬tësi Sovran, Burimi i dritës së përjetshme!”

O shërbëtori Im, që ke kërkuar pëlqimin e Perëndisë dhe je kapur pas dashurisë së Tij në Ditën kur të gjithë, veç disave të pajisur me intuitë, janë ndarë prej Tij! Dashtë Perëndia, me mirësinë e Tij, të të japë një shpërblim bujar, të pacënueshëm e të përjetshëm, sepse ti e ke kërkuar Atë në Ditën kur sytë ishin të verbuar. Dije se, po të të zbulonim ty vetëm një thërrmijë të rrebesheve që, me vullnet të Perëndisë, Na kanë rënë mbi kokë nga duart e ziliqarëve e të zemërligjve, ti do t’i derdhje lotët rrëke e do të vajtoje ditë e natë për fatin Tonë të keq. Oh, sikur të gjendej një shpirt mendjemprehtë e i pastër, që të njihte mrekullitë e këtij Revelacioni – mrekulli që shpallin Sovranitetin e Perëndisë dhe madhështinë e pushtetit të Tij. Sikur një njeri i tillë të ngrihej dhe, krejt për hir të Perëndisë, të qortonte privatisht e hapur njerëzit, që ata të shkundeshin e të ndihmonin këtë të Munduar, të Cilin mjeshtrit e paudhësisë e kanë bërë të vuajë aq shumë.

Më duket se dëgjoj prapa Meje Zërin e Shpirtit të Shenjtë Që thërret duke thënë: Ndërroje temën Tënde dhe ndryshojë tonin Tënd, që të mos trishtohet zemra e atij që ia ka mbërthyer shikimin fytyrës Sate. Thuaj: Në saje të hirit të Perëndisë e të fuqisë së Tij, Unë nuk kam kërkuar ndihmën e askujt në të shkuarën, as do të kërkoj ndihmë prej askujt në të ardhmen. Është Ai Që Më ndihmoi me fuqinë e së vërtetës gjatë ditëve të dëbimit Tim në Irak. Ai Më mbuloi me mbrojtjen e Tij, në kohën që fiset e tokës Më kundërviheshin. Ai Më dha mundësinë të largohem nga qyteti, i veshur me aq madhështi, sa askush nuk mund ta mohojë, veç mohuesit e dashakeqit.

Thuaj: Ushtria Ime është mbështetja Ime te Perëndia; njerëzit e Mi janë forca e besimit Tim tek Ai. Dashuria Ime është flamuri Im, dhe shoku Im kujtimi i Perëndisë, i Zotit Sovran të gjithçkaje, Më të Fuqishmit, Lavdiplotit, të Pakushtëzuarit.

Ngrihu, o udhëtar në shtegun e dashurisë së Perëndisë dhe ndihmoje Kauzën e Tij. Thuaj: Mos e këmbeni këtë të Ri, o njerëz, për kotësitë e kësaj bote ose për kënaqësitë e qiellit. Për drejtësinë e të vetmit Perëndi të vërtetë! Një fije floku e Tij vlen më shumë se gjithçka që është në qiell e gjithçka që është mbi tokë. Kini kujdes, o njerëz, se mos tundoheni të ndaheni prej Tij në këmbim të arit e të argjendit që zotëroni. Le të jetë dashuria e Tij një thesar për shpirtrat tuaj, në Ditën kur asgjë tjetër veç Tij nuk do t’ju sjellë përfitim, në Ditën kur çdo shtyllë do të tundet, kur vetë lëkura e njerëzve do të ngjethet, kur sytë e të gjithëve do të zgurdullohen nga tmerri. Thuaj: O njerëz! Druajuni Zotit dhe mos i ktheni shpinën me mospërfillje Revelacionit të Tij. Bini përmbys me fytyrë përtokë para Perëndisë dhe i thurni lavde Atij ditë e natë.

Le të shkreptijë shpirti yt nga flakët e zjarrit të pashuar që digjet mu në zemër të botës, në mënyrë të tillë që ujërat e gjithësisë të jenë të pafuqishme ta ftohin zjarrminë e Tij. Përmende, pra, Zotin tënd, që moskokëçarësit midis shërbë¬torëve Tanë të mund të qortohen prej fjalëve të tua dhe zemrat e të drejtëve të gëzohen.

-~-

XVI. Thuaj: O njerëz! Kjo është një Ditë e pashoqe. Po kështu e pashoqe duhet të jetë gjuha që i thur lavde Dëshirës së të gjitha kombeve dhe e pashoqe vepra që kërkon të jetë e pranueshme në sytë e Tij. Mbarë gjinia njerëzore e ka pritur me dëshirë të zjarrtë këtë Ditë, se ndoshta ajo plotëson atë që i ka hije pozitës së saj dhe është e denjë për fatin e saj. Bekuar qoftë njeriu të cilin punët e kësaj bote nuk e kanë penguar të njohë Atë Që është Zoti i të gjitha gjërave.

Kaq e verbër është bërë zemra njerëzore, saqë as shembja e një qyteti, as shndërrimi në pluhur i një mali, madje as çarja e tokës më dysh nuk mund ta shkundin topitjen e saj. Aluzionet që bëhen në Shkrimet janë shpalosur, shenjat që jepen në to janë reveluar dhe thirrja profetike është ngritur vazhdimisht. E megjithatë të gjithë, me përjashtim të atyre që Perëndia ka dashur t’i udhëheqë, janë të çorientuar në dehjen e moskokëçarjes së tyre!

Shihni sesi bota po pëson çdo ditë fatkeqësi të reja. Telashet e saj thellohen vazhdimisht. Nga momenti që u revelua Súriy-i-Ra’ís·in (Tabela për Ra’ís·in) e deri në ditën e sotme, as bota nuk është qetësuar, as zemrat e popujve të saj nuk kanë gjetur prehje. Ajo herë është trazuar nga grindje e mos¬marrëveshje, herë është tronditur nga luftëra dhe ka rënë viktimë e sëmundjeve të pashërueshme. Sëmundja e saj po i afrohet fazës së humbjes së plotë të shpresës, sepse Mjeku i vërtetë nuk lejohet të përdorë kurën, ndërsa praktikantë të paaftë favorizohen dhe kanë liri të plotë veprimi… Pluhuri i rebelimit i ka errësuar zemrat e njerëzve dhe i ka verbuar sytë e tyre. Shumë shpejt ata do t’i shohin pasojat e asaj që duart e tyre kanë punuar në Ditën e Perëndisë. Kështu ju paralajmëron Ai që është i Gjithëdijshmi, me urdhër të Atij Që është Më i Pushtetshmi, Fuqiploti.

-~-

XVII. Për Atë që është Lajmi i Madh! Mëshirëploti ka ardhur i veshur me sovranitet të pady¬shimtë. Peshorja është vendosur dhe të gjithë ata që jetojnë mbi tokë janë mbledhur. Boria ka rënë dhe ja, të gjithë sytë shohin lart me tmerr, zemrat e të gjithë atyre që janë në qiell e mbi tokë janë dridhur, veç atyre që fryma e vargjeve të Perëndisë i ka gjallëruar dhe që e kanë shkëputur veten nga të gjitha gjërat.

Kjo është Dita, në të cilën toka do të tregojë të rejat e saj. Mjeshtrit e paudhësisë janë barrë që rëndojnë mbi të, sikur ta kuptonit. Hëna e fantazisë boshe është çarëmë dysh dhe qielli ka nxjerrë një tym të dukshëm. Ne shohim njerëzit të dërrmuar, të tmerruar nga frika e Zotit Tënd, të Fuqiplotit, Më të Pushtetshmit. Tellalli ka thirrur dhe njerëzit janë shkulur nga vendi, kaq e madhe ka qenë furia e zemërimit të Tij. Njerëzit në krahun e majtë psherëtijnë e ankohen. Njerëzit në të djathtë rrinë në banesa fisnike: ata pijnë nga duart e Mëshirëplotit atë Verë që është jeta e vërtetë dhe janë vërtet të bekuar.

Toka u lëkund, malet u zhdukën dhe engjëjt u renditën radhë-radhë përpara Nesh. Shumica e njerëzve janë të trullosur në dehjen e tyre dhe kanë në fytyrë shenja zemërimi. Kështu kemi mbledhur Ne mjeshtrit e paudhësisë. Ne i shohim ata të vrapojnë drejt idhullit të tyre. Thuaj: askush nuk do të jetë i sigurt në këtë Ditë nga vendimi i Perëndisë. Kjo është me të vërtetë një Ditë ankthi. Ne u tregojmë atyre ata që i kanë çuar në rrugë të shtrembër. Ata i shohin e, megjithatë, nuk i njohin dot. Sytë e tyre janë të dehur; ata janë vërtet njerëz të verbër. Provat e tyre janë shpifjet që kanë folur; shpifjet e tyre i dënon Perëndia, Ndihma në Rrezik, i Vetqenëshmi. I Mallkuari ka ngjallur shpirtligësi në zemrat e tyre dhe ata janë goditur nga një torturë që askush nuk mund ta shmangë. Ata nxi¬tojnë drejt të këqinjve, duke bartur listën e mjeshtrave të paudhësisë. Të tilla janë bëmat e tyre.

Thuaj: Qiejt janë palosur, toka mbahet shtrënguar në dorën e Tij dhe të paudhët tërhiqen për flokësh e akoma nuk marrin vesh. Ata pinë ujë të infektuar dhe nuk e dinë. Thuaj: Thirrja është lëshuar, dhe njerëzit kanë dalë nga varret e tyre e, duke u ngritur, vështrojnë rreth e qark. Disa nxitojnë të shkojnë në gjyqin e Perëndisë së Mëshirës, të tjerë bien me fytyra përmbys në zjarrin e Skëterrës, ndërsa të tjerë janë trullosur nga habia. Vargjet e Perëndisë janë reveluar, e megjithatë ata u kanë kthyer shpinën. Prova e Tij është shfaqur e, megjithatë, ata s’dinë gjë për këtë. Dhe kur ata shohin fytyrën e Mëshirëplotit, fytyrat e tyre trishtohen, ndërsa jetojnë në dëfrime. Ata rendin drejt Zjarrit të Skëterrës, duke e ngatërruar atë me dritën. Sa larg Perëndisë është ajo që ata përkëdhelin me imagjinatën e tyre! Thuaj: Edhe nëse gëzoheni, edhe nëse zemëroheni, qiejt janë çarë më dysh dhe Perëndia ka zbritur, i veshur me sovranitet të shndritshëm. Të gjitha gjërat e krijuara dëgjohen të thërrasin: “Mbretëria është e Perëndisë, e Atij që është Fuqiploti, i Gjithëdijshmi, Urtiploti.”

Dije, për më tepër, se Ne na kanë hedhur në një Burg vuajtjesh dhe jemi të rrethuar nga hordhitë e tiranisë, për shkak të asaj që kanë punuar duart e të pabesëve. Megjithatë, i tillë është ngazëllimi që ka provuar ky i Ri, saqë asnjë gëzim tokësor nuk mund të krahasohet me të. Për Perëndi! Të këqijat që Ai ka vuajtur nga duart e shtypësit kurrë nuk mund ta brengosin zemrën e Tij dhe as mund të trishtohet Ai nga ngritja e atyre që e kanë mohuar të vërtetën e Tij.

Thuaj: Vuajtja është një horizont i Revelacionit Tim. Dielli i mirësisë shkëlqen mbi të dhe derdh një dritë, të cilën as retë e fantazisë boshe të njerëzve dhe as imagjinatat e kota të agresorit nuk mund ta errësojnë.

Ndiq hapat e Zotit Tënd dhe kujtoji shërbëtorët e Tij, ashtu si Ai të kujton ty, pa u shqetësuar as për zhurmën e moskokëçarësve as për shpatën e armikut… Përhap gjithandej shijet e ëmbla të Zotit Tënd dhe mos ngurro, qoftë edhe për një çast të vetëm, t’i shërbesh Kauzës së Tij. Po afrohet Dita kur do të shpallet fitorja e Zotit Tënd, Gjithëmonëfalësi, Bujariplotit.

-~-

XVIII. Thuaj: Ne kemi bërë që lumenjtë e fjalës Hyjnore të rrjedhin nga Froni Ynë, që bimët e njoma të urtisë e mirë¬kup¬timit të mbijnë nga toka e zemrave tuaja. A nuk jeni mirënjohës për këtë? Ata që nuk denjojnë të adhurojnë Zotin e tyre do të jenë ndër ata që do të braktisen. Dhe shpesh, ndërsa u përsëriten vargjet Tona, ata këmbëngulin në mospërfilljen e tyre kryelartë e në shkeljen e rëndë të ligjit të Tij, dhe nuk e dinë këtë. Sa për ata që nuk i kanë besuar Atij, ata do të jenë në hijen e një tymi të zi. “Ora” ka rënë për ta, ndërsa janë të dhënë pas dëfrimeve. Ata i kanë mbërthyer nga perçja dhe akoma nuk e marrin vesh.

Ajo që duhej të ndodhte erdhi papritur; shikoni sesi ata largohen me vrap prej saj. E pashmang¬shmja ndodhi; jini dëshmitarë sesi ata i kthejnë shpinën asaj! Kjo është Dita kur çdo njeri do të largohet nga vetvetja, aq më tepër nga të afërmit e tij, sikur ta kuptonit këtë. Thuaj: Për Perëndi! Boria ka buçitur, dhe ja njerëzimi ka rënë i zalisur para Nesh! Lajmëtari ka thirrur dhe Ftuesi e ka ngritur zërin e Tij duke thënë: “Mbretëria i përket Perëndisë, Atij që është Më i Pushtetshmi, Ndih¬ma në Rrezik, i Vetqenëshmi.”

Kjo është Dita, kur të gjithë sytë do të shohin përpjetë me tmerr, Dita kur zemrat e atyre që jetojnë mbi tokë do të dridhen, veç atyre që Zoti yt, i Gjithë¬dijshmi, Urti¬ploti, dëshiron t’i falë. Të gjitha fytyrat janë nxirë, veç atyre që Perëndia i Mëshirës u ka dhënë një zemër rrëzëlluese. Të dehur janë sytë e atyre njerëzve që kanë refuzuar hapur të sodisin fytyrën e Perëndisë, të Lavdiplotit, të Gjithlëvduarit.

Thuaj: Nuk e keni lexuar Kuranin? Lexojeni atë, që të mund të gjeni të Vërtetën, sepse ky Libër është me të vërtetë Rruga e Drejtë. Është rruga e Zotit për të gjithë ata që janë në qiej dhe për të gjithë ata që janë mbi tokë. Nëse nuk i keni kushtuar vëmendje Kuranit, Bayán·i nuk duhet parë si i largët për ju. Mbajeni atë të hapur para syve tuaj. Lexojini vargjet e Tij, që të mund të shmangeni, ndoshta, nga ajo që do t’i bënte Lajmëtarët e Perëndisë të qajnë e të vajtojnë.

Nxitoni të dilni nga varret tuaja. Sa gjatë do të flini? Boria ka buçitur për së dyti. Cilin po vështroni? Ky është Zoti juaj, Perëndia i Mëshirës. Shikoni si u kundër¬-viheni ju shenjave të Tij! Toka është tundur nga një lëkundje e fuqishme, duke flakur tutje barrët e saj. Nuk doni ta noni këtë? Thuaj: Mos vallë nuk doni ta pranoni që malet janë bërë si tufa leshi, që njerëzit janë në një pështjellim të thellë përballë madhërisë së tmerrshme të Kauzës së Perëndisë? Shihni sesi shtëpitë e tyre janë kthyer në rrënoja të shkreta dhe ata vetë në një ushtri të mbytur.

Kjo është dita, në të cilën Mëshirëploti ka zbritur i rrethuar nga retë e dijes, i veshur me sovranitet të dukshëm. Ai i di mirë veprat e njerëzve. Ky është Ai, lavdinë e të Cilit askush nuk mund të mos e njohë, sikur të mund ta kuptonit këtë. Qielli i çdo feje është grisur, dhe toka e të kuptuarit njerëzor është çarë, dhe engjëjt e Perëndisë po zbresin. Thuaj: Kjo është dita e mashtrimit të njëri-tjetrit; ku do të ikni ju? Malet janë zhdukur, qiejt janë palosur, dhe gjithë toka mbahet shtrënguar në dorën e Tij, sikur të mund ta kuptonit këtë. Kush mund t’ju mbrojë ju? Askush, për Atë që është Mëshirëploti! Askush veç Perëndia, Fuqiploti, Lavdiploti, Mirëbërësi. Çdo grua që ka pasur një barrë në barkun e vet, e ka flakur barrën e saj. Ne shohim njerëz të dehur në këtë Ditë, Dita në të cilën njerëz e engjëj janë mbledhur bashkë.

Thuaj: A ka ndonjë dyshim lidhur me Perëndinë? Shikoni sesi ka zbritur Ai nga qielli i mirësisë së Tij, i ngjeshur me pushtet e i veshur me sovranitet. A ka ndonjë dyshim lidhur me shenjat e Tij? Hapni sytë dhe shikoni provat e Tij të qarta. Parajsa është në krahun tuaj të djathtë, ju është sjellë pranë, ndërsa Skëterra digjet zjarr. Shikojini flakët e saj gllabëruese. Nxitoni të hyni në Parajsë, si shenjë e mëshirës Sonë për ju, dhe pini nga duart e Mëshirëplotit Verën që është jetë e vërtetë.

Pini me shije të shën¬detshme, o njerëz të Bahá·it. Ju jeni me të vërtetë ata që do ta kenë mirë. Kjo është ajo që kanë arritur ata që janë pranë Perëndisë. Ky është uji i rrjedhshëm që ju është premtuar në Kuran e më pas në Bayán, si shpërblim nga Zoti, Perëndia i Mëshirës. Lum ata që pinë nga ky ujë.

O shërbëtori Im, që e ke kthyer fytyrën ndaj Meje! Falëndero Perëndinë që të ka dërguar këtë Tabelë në këtë Burg, që Ti t’u kujtosh njerëzve ditët e Zotit tënd, Lavdiplotit, të Gjithëdijshmit. Kështu kemi hedhur Ne për ty, përmes ujërave të urtisë e të fjalës Sonë, themelet e besimit tënd. Ky është, me të vërtetë, uji mbi të cilin është ngritur Froni i Zotit tënd. “Froni i Tij ishte vendosur mbi ujërat.” 3 Peshoje këtë në zemrën tënde, që të mund të kuptosh domethënien e saj. Thuaj: Lëvduar qoftë Perëndia, Zoti i të gjitha botëve.

-~-

XIX. Për çdo zemër të ndieshme e të ndriçuar është e qartë se Perëndia, Thelbi i panjohshëm, Qenia Hyj¬nore, është pafundësisht i lartësuar tej çdo atributi njerëzor, si ekzistenca trupore, ngjitja e zbritja, shkuarja përpara e zmbrapsja. Është larg lavdisë së Tij ajo që gjuha njerëzore mund të shprehë për Ta lartësuar ose ajo që zemra njerëzore mund të kuptojë nga misteri i Tij i padepërtueshëm. Ai është, dhe gjithmonë ka qenë, i veshur me përjetësinë e lashtë të Thelbit të Tij dhe do të mbetet, në realitetin e Vet, përjetësisht i fshe¬hur nga shikimi i njerëzve. “Asnjë shikim s’e kap dot Atë, por Ai kap çdo shikim; Ai është Mendje¬mprehti, Gjithëshikuesi”. …

Dhe duke qenë se dera e dijes e të Lashtit të Kohëve është, pra, e mbyllur para të gjitha qenieve, Burimi i hirit të pafund, sipas thënies së Tij: “Hiri i Tij ka kapërcyer të gjitha gjërat; hiri Im i ka përfshirë ato të gjitha”, ka bërë që nga mbretëria e shpirtit, në formën fisnike të tempullit njerë¬zor, të shfaqen ata Margaritarë të ndritshëm të Shenjtërisë dhe t’u manifestohen të gjithë njerëzve, që ata t’i japin botës misteret e Qenies së pandryshueshme dhe të tregojnë nuansat e holla të Thelbit të Tij të pavdekshëm.

Këto Pasqyra të shenjtë¬ruara, këto Agime të lavdisë së lashtë janë, të gjithë pa përjashtim, Eksponentë mbi tokë të Atij Që është Ylli Qëndror i universit, Thelbi dhe Qëllimi i fundit i Tij. Prej Tij vijnë dija dhe pushteti i tyre; prej Tij rrjedh sovraniteti i tyre. Bukuria e pamjes së tyre s’është veçse pasqyrim i shëmbëll¬tyrës së Tij dhe revelacioni i tyre shenjë e lavdisë së Tij të pavdekshme. Ata janë Thesaret e dijes hyjnore, Bartësit e urtisë qiellore. Nëpërmjet tyre vjen një hir që nuk ka fund dhe nga ata revelohet drita që kurrë nuk mund të shuhet. ... Këto Faltore të shenjtërisë, këto Pasqyra parësore që reflektojnë dritën e lavdisë së pashuar, s’janë veçse shprehje të Atij Që është i Padukshmi i të Padukshmëve. Përmes revelimit të këtyre margaritarëve të virtytit hyjnor janë manifestuar të gjithë emrat e atributet e Perëndisë, si dija e pushteti, sovraniteti e sundimi, mëshira e urtia, lavdia, bujaria e mirësia.

Këto atribute të Perëndisë nuk janë, dhe kurrë nuk kanë qenë, dhuruar në mënyrë të posaçme për disa Profetë dhe t’u jenë mohuar të tjerëve. Jo, të gjithë Profetët e Perëndisë, të preferuarit e Tij, Lajmëtarët e Tij të shenjtë e të zgjedhur janë, pa përjashtim, bartësit e emrave të Tij dhe mishë¬rimet e atributeve të Tij. Ata ndryshojnë vetëm nga intensiteti i revelimit të tyre dhe nga fuqia e krahasuar e dritës së tyre. Ashtu siç e ka reveluar Ai: “Ne kemi bërë që disa nga të Dërguarit t’ua kalojnë të tjerëve”.

Prandaj është provuar qartë e në mënyrë evidente se brenda faltoreve të këtyre Profetëve e të Zgjedhurve të Perëndisë është pasqyruar drita e emrave të Tij të pafund dhe e atributeve të Tij të larta, edhe pse drita e disa prej këtyre atributeve mund të revelohet ose të mos revelohet hapur në sytë e njerëzve nga këta Tempuj të ndritshëm. Fakti që ndonjë atribut i Perëndisë nuk është shfaqur në pamje të jashtme prej këtyre Thelbeve të Shkëputjes, nuk do të thotë aspak se ata, që janë Agimet e atributeve të Perëndisë dhe Thesaret e emrave të shenjtë të Tij, nuk i kanë pasur ato në të vërtetë. Pra, këta Shpirtra të ndriçuar, këto Fytyra të hijshme, janë pajisur pa përjashtim me të gjitha atributet e Perëndisë, si sovraniteti, sundimi e të tjera si këto, edhe pse në pamje të jashtme janë të zhveshur nga çdo madhështi tokësore. ...

-~-

XX. Dije me siguri se i Padukshmi kurrsesi nuk mund ta trupëzojë Thelbin e Tij dhe t’ua revelojë atë njerëzve. Ai është, dhe gjithmonë ka qenë, pafundësisht i lartësuar tej çdo gjëje që mund të tregohet ose perceptohet. Nga vendveçimi i Tij i lavdisë zëri i Tij vazhdimisht thërret: “Me të vërtetë, Unë jam Perëndia; nuk ka Perëndi tjetër veç Meje, të Gjithëdijshmit, Urtiplotit. Unë Vetë u jam shfaqur njerëzve dhe u kam dërguar aty poshtë Atë që është Agimi i shenjave të Revelacionit Tim. Nëpërmjet Tij Unë kam bërë që gjithë krijimi të dëshmojë se nuk ka Perëndi tjetër veç Tij, të Pakrahasueshmit, të Gjithinformuarit, Urtiplotit.” Ai Që është përgjithmonë i fshehur nga sytë e njerëzve kurrë nuk mund të njihet, veçse nëpërmjet Manifestimit të Tij dhe Manifes¬timi i Tij nuk mund të sjellë provë më të madhe të së vërtetës së misionit të Tij sesa prova e vetë Personit të Tij.

-~-

XXI. O Salmán! Dera e dijes e Qenies së Lashtë gjithmonë ka qenë, dhe do të vazhdojë të jetë përgjithnjë e mbyllur për njerëzit. Asnjë mendje njerëzore kurrë nuk do të lejohet të hyjë në oborrin e Tij të shenjtë. Por, si shenjë të mëshirës së Tij dhe si provë të dashamirësisë së Tij, Ai u ka shfa¬qur njerëzve Diejt e udhëheqjes së Tij hyjnore, Simbolet e unitetit të tij hyjnor, dhe ka urdhëruar që dija e këtyre Qenieve të shenjtëruara të jetë identike me dijen e Vetë Atij. Kush njeh këta, ka njohur Perëndinë. Kush i vë vesh thirrjes së tyre, i ka vënë vesh Zërit të Perëndisë, dhe kush dëshmon të vërtetën e Revelacionit të tyre, ka dëshmuar të vërtetën e Vetë Perëndisë. Kushdo që largohet prej tyre, është larguar nga Perëndia, dhe kushdo që nuk beson në ta, nuk ka besuar te Perëndia. Çdonjëri prej tyre është Rruga e Perëndisë që lidh këtë botë me mbretëritë e epërme, është Flamuri i së Vërtetës së Tij për të gjithë ata që janë në mbretëritë e tokës e të qiellit. Ata janë Manifestimet e Perëndisë midis njerëzve, provat e së Vërtetës së Tij dhe shenjat e lavdisë së Tij.

-~-

XXII. Bartësit e Besimit të Perën¬disë janë manifestuar te popujt e tokës si Përfaqësues të një Kauze të re dhe si Bartës të një Mesazhi të ri. Derisa këta Zogj të Fronit Qiellor janë dërguan të gjithë në tokë nga qielli i Vullnetit të Perëndisë, dhe derisa të gjithë janë ngritur për të shpallur Besimin e Tij të pandal¬shëm, ata, për rrjedhojë, konside-rohen si një shpirt i vetëm dhe si i njëjti person. Sepse ata të gjithë pinë nga e njëjta Kupë e dashurisë së Perëndisë dhe të gjithë shijojnë frytet e së njëjtës Pemë të Njësh¬më-risë.

Këto Manifestime të Perëndisë kanë secili një pozitë të dyfishtë. Njëra është pozita e abstraksionit të kulluar dhe e unitetit thelbësor. Nga kjo pikëpamje, nëse ti i thërret të gjithë ata me të njëjtin emër, dhe u jep atyre të njëjtat atribute, ti nuk je larguar nga e vërteta. Siç e ka reveluar Ai: “Ne nuk bëjmë dallim midis Dërguarve të Tij.” Sepse ata, secili e të gjithë bashkë, i ftojnë njerëzit e tokës të njohin unitetin e Perëndisë dhe u njoftojnë atyre Kawthar·in e një mirësie e bujarie të pafund. Ata janë të gjithë të veshur me rrobën e profetërisë dhe të nderuar me mantelin e lavdisë. Kështu Muhameti, Pika e Kuranit, ka reveluar: “Unë jam të gjithë Profetët.” Po ashtu, Ai thotë: “Unë jam Adami i parë, Noji, Moisiu dhe Jesui.” Deklarata të ngjashme ka bërë Imám-‘Alí·u. Thënie të tilla, të cilat tregojnë unitetin thelbësor të këtyre Eksponentëve të Njëshmërisë, kanë dalë gjithashtu nga Rrjedhat e fjalës së pavdekshme të Perëndisë dhe nga Thesaret e margaritarëve të dijes Hyjnore, që përmbahen në shkrimet. Këto Shëmbëlltyra janë bartësit e Urdhërit Hyjnor dhe Agimet e Revelacionit të Tij. Ky Revelacion lartësohet mbi perdet e pluralitetit e mbi kërkesat e numrit. Kështu, Ai thotë: “Kauza Jonë është Një e Vetme”. Duke qenë se Kauza është një dhe e njëjta, Eksponentët e saj, gjithashtu, duhet të jenë një e i njëjti. Po kështu, Imamët e Besimit Muha-medan, këto llamba të sigurisë, kanë thënë: “Muhameti është i pari ynë, Muhameti është i fundmi ynë, Muhameti është gjithçkaja jonë”.

Për ty është e qartë dhe evidente se të gjithë Profetët janë Tempujt e Kauzës së Perëndisë, të Cilët janë paraqitur të veshur me rroba të ndryshme. Në qoftë se do t’i vëzhgosh me sy dallues, do të shohësh se ata të gjithë rrinë në të njëjtën tendë, fluturojnë në të njëjtin qiell, qëndrojnë në të njëjtin fron, thonë të njëjtat fjalë dhe shpallin të njëjtin Besim. I tillë është uniteti i këtyre Thelbeve të Qenies, i këtyre Yjeve me shkëlqim të pafund e të pamatur! Prandaj, sikur ndonjëri prej këtyre Manifes-timeve të Shenjtërisë të deklaronte: “Unë jam kthimi i të gjithë Profetëve”, Ai në fakt do të thoshte të vërtetën. Po kështu, në çdo Revelacion të mëvonshëm kthimi i Revelacionit të mëparë¬shëm është një fakt, vërtetësia e të cilit është e patundur. ...

Pozita tjetër është ajo e dallimit, që i përket botës së krijimit dhe kufizimeve të saj. Nga kjo pikë¬pamje, çdo Manifestim i Perëndisë ka një individualitet të veçantë, një mision të përcaktuar me saktësi, një Revelacion të para-caktuar dhe kufizime të posaçme. Secili prej tyre njihet me një emër të ndryshëm, karakteri¬zohet nga një atribut i posaçëm, kryen një mision të përcaktuar dhe i është besuar një Revelacion i veçantë. Siç ka thënë Ai: “Kemi bërë që disa prej Apostujve t’ua kalojnë të tjerëve. Me disa ka folur Perëndia, disa Ai i ka ngritur e lartësuar. Dhe Jesuit, të Birit të Mërisë, Ne i kemi dhënë shenja të qarta dhe e kemi forcuar me Shpirtin e Shenjtë”.

Pikërisht për shkak të këtij dallimi në pozitën dhe misionin e tyre, fjalët dhe thëniet që rrjedhin nga këto Burime të dijes Hyjnore duken si kontradiktore e të ndryshme. Kurse në sytë e atyre që janë të mësuar me misteret e urtisë Hyjnore, të gjitha thëniet e tyre në realitet s’janë veçse shprehjet e një të Vërtete të vetme. Duke qenë se shumica e njerëzve nuk ka mundur t’i vlerësojë këto pozita, të cilave Ne iu referuam, ata, për këtë arsye, ndihen të hutuar e të shqetësuar përballë thënieve të ndryshme të shqiptuara nga Manifestimet, thënie që në thelb janë të njëjta.

Gjithmonë ka qenë e qartë se të gjitha këto divergjenca në thëniet u duhen atribuar dallimeve në pozitaën e tyre. Kështu, nga pikëpamja e njëshmërisë dhe e shkëputjes sublime, atributet Qenie Supreme, Hyjni, Veçanësi Absolute dhe Thelbi Më i Thellë kanë qenë e janë të aplikueshme për ato Thelbe të qenies, derisa të gjitha rrinë në fronin e Revela¬cionit hyjnor dhe qëndrojnë në vendin e Fshehjes hyjnore. Përmes shfaqjes së tyre Revelacioni i Perëndisë bëhet i dukshëm dhe nëpërmjet shprehjes së tyre revelohet Bukuria e Perëndisë. Ja përse fjalët e Vetë Perëndisë janë dëgjuar të shqiptuara nga këto Manifestime të Qenies hyjnore.

Të para në dritën e pozitës së tyre të dytë – të pozitës së dalli¬mit e të diferencimit, të kufizimeve të përkoh¬shme, të karakteristikave e të normave tokësore – ato shfaqin nënshtrim absolut, vet¬mohim të plotë dhe fshirje totale të vetvetes. Pikërisht siç ka thënë Ai: “Unë jam rob i Perëndisë. Unë s’jam veçse një njeri si ju”. ...

Nëse ndonjëri prej Manifestimeve gjithpërfshirëse të Perëndisë do të deklaronte: “Unë jam Perëndia!”, në fakt ai do të thoshte të vërtetën, për këtë nuk ka asnjë dyshim. Sepse është provuar shumë herë që nëpërmjet Revelacionit të tyre, atributeve dhe emrave të tyre shfaqen në botë Revelacioni i Perëndisë, emri dhe atributet e Tij. Kështu, Ai ka reveluar: “Ato shigjeta ishin të Perëndisë, jo të Tuat!” Dhe Ai thotë gjithashtu: “Me të vërtetë, ata që të janë betuar për besnikëri ty, në fakt i janë betuar për besnikëri Perëndisë!” E në qoftë se ndonjëri prej tyre thotë fjalët: “Unë jam Lajmëtari i Perëndisë”, edhe ai thotë të vërtetën, të vërtetën e padyshimtë. Pikërisht siç thotë Ai: “Muhameti nuk është i ati i asnjërit prej jush, por është Dëreguari i Perëndisë.” Po t’i shohim në këtë dritë, ata të gjithë janë Lajmëtarë të atij Mbreti ideal, të atij Thelbi të pandryshueshëm. E nëse të gjithë do të shpallnin: “Unë jam Vula e Profetëve”, ata në fakt do të shprehnin vetëm të vërtetën, pa asnjë fije dyshimi. Sepse të gjithë ata janë një njeri i vetëm, një frymë, një shpirt, një qenie, një revelacion. Ata janë të gjithë shfaqje e “Fillimit” dhe e “Mbarimit”, e “të Parit” dhe e “të Fundit”, e “të Dukshmit” dhe e “të Fshehurit” – e gjithçkaje që i përket Atij Që është më i thelli Shpirt i Shpirtrave dhe Thelbi i Përjetshëm i Thelbeve. Dhe në qoftë se ata do të thoshin: “Ne jemi shërbëtorët e Perëndisë”, edhe ky është një fakt i qartë e i padiskutueshëm. Sepse ata janë shfaqur në gjendjen më të plotë të nënshtrimit, të një nënshtrimi të tillë që asnjeri nuk mund ta arrijë. Kështu, në çastet kur këto Thelbe të Qenies ishin zhytur thellë nën oqeanet e shenjtërisë së lashtë e të përjetshme, ose kur fluturonin lart deri në majat sublime të mistereve hyjnore, ata rivendikonin se thëniet e tyre janë Zëri i hyjnisë, Thirrja e Vetë Perëndisë.

Në qoftë se do të hapej syri i mprehtësisë, ai do të shihte se pikërisht në këtë gjendje të ata e kanë parë veten krejt të fshirë e të mosqenë para Atij Që është Gjith-depër¬tuesi, i Pashkatërrueshmi. Mua më duket se ata e kanë parë veten e tyre si mosqenie të plotë dhe e kanë konsideruar për¬mend¬jen e tyre në atë Oborr si një akt blasfemie. Sepse dhe pëshpëritja më e lehtë për vetveten, brenda një Oborri të tillë, do të thotë afirmim i vetvetes dhe pranim i ekzistencës së pavarur. Në sytë e atyre që kanë arritur në atë Oborr, një supozim i tillë është në vetvete një shkelje e rëndë. Por një shkelje shumë më e rëndë do të ishte sikur diçka tjetër të përmendej në atë Prani, sikur zemra e njeriut, gjuha, mendja ose shpirti i tij të merreshin me dikë tjetër që s’është i Shumëdashuri, sikur sytë e tij të sodisnin tjetër shëmbëlltyrë e jo bukurinë e Tij, sikur veshi i tij të prirej nga një melodi tjetër e jo nga Zëri i Tij dhe sikur këmbët e tij të ecnin në ndonjë rrugë tjetër që s’është rruga e Tij.

Për arsye të kësaj pozite ata kanë rivendikuar për veten e tyre Zërin e Hyjnisë e të tjera si kjo, ndërsa për arsye të pozitës së tyre të Lajmëtarisë e kanë shpallur veten Lajmëtarë të Perëndisë. Në çdo rrethanë ata kanë thënë fjalë që u përshtateshin kërkesave të asaj kohe dhe të gjitha këto deklarime – që shtrihen nga mbretëria e Revelacionit hyjnor deri në mbretërinë e krijimit, dhe nga fusha e Hyjnisë në fushën e ekzistencës tokësore – ia kanë atribuar vetes. Kështu, cilado qoftë fjala e tyre, nëse i përket mbretë¬risë së Hyjnisë, të Sovranitetit, të Profetërisë, të Lajmëtarisë, të Ruajtësisë, të Apostullarisë apo të Nënshtrimit, gjithçka është e vërtetë, pa asnjë fije dyshimi. Prandaj këto thënie që kemi cituar në mbështetje të argumentit Tonë, duhen vlerësuar me kujdes, me qëllim që thëniet kontradiktore të Manifestimeve të të Padukshmit e të Agimeve të Shenjtërisë të mos trazojnë më shpirtin e të vënë në mëdyshje mendjen.

-~-

XXIII. Shihni brezat e shkuar. Vëreni që, sa herë Dielli i bujarisë Hyjnore ka hedhur dritën e Revelacionit të Tij mbi botë, njerëzit e Ditës së Tij janë ngritur kundër Tij dhe kanë hedhur poshtë të vërtetën e Tij. Ata që konsideroheshin si prijësit e njerëzve janë përpjekur vazhdi¬misht t’i pengonin pasuesit e tyre që ta kthenin fytyrën drejt Atij Që është Oqeani i Mirësisë së pakufishme të Perëndisë.

Shiko sesi njerëzit, si rezultat i dënimit të shpallur nga teologët e kohës së Tij, e hodhën Abrahamin, Mikun e Perëndisë, në zjarr; sesi Moisiun, Atë që bisedoi me të Gjithëfuqishmin, e akuzuan si gënjeshtar e shpifës. Mendo sesi u trajtua nga armiqtë e Vet Jesui, Shpirti i Perëndisë, me gjithë ëmbëlsinë e Tij që s’tregohet dhe zemërbutësinë e përsosur. Kaq e egër ishte armiqësia që iu desh Atij të përballonte, Thelbit të Qenies dhe Zotit të së dukshmes e të së padukshmes, saqë nuk kishte madje as ku të mbështeste kokën. Ai u end papushim nga një vend në tjetrin, pa pasur një banesë të përhershme. Mendo se ç’i ndodhi Muhametit, Vulës së Profetëve, u flijoftë jeta e të gjithëve për të! Ç’vuajtje të mëdha i shkaktuan hebrenjtë dhe idhujtarët Atij që është Zoti Sovran i gjithçkaje, sepse shpalli unitetin e Perëndisë dhe të vërtetën e Mesazhit të Tij! Për drejtësinë e Kauzës Sime! Penda Ime rënkon dhe të gjitha gjërat e krijuara qajnë me ngashërim, për shkak të vuajtjeve që Ai pësoi nga duart e atyre që shkelën Besëlidhjen e Perëndisë, që dhunuan Testamentin e Tij, që hodhën poshtë provat e Tij dhe kundërshtuan shenjat e Tij. Ne të tregojmë ty atë që ka ndodhur në kohët e shkuara, që ti të mund të kuptosh.

Ti e ke marrë vesh se sa shumë kanë vuajtur Profetët e Perëndisë, Lajmëtarët dhe të Zgjedhurit e Tij. Mendo pak për motivin dhe shkakun e persekutimit të tyre. Në asnjë kohë, në asnjë Dispensacion, Profetët e Zotit nuk u kanë shpëtuar blasfemisë së armiqve të tyre, egërsisë së shtypësve të tyre, akuzave të të diturve të epokës së tyre, që paraqiteshin të kamufluar me rrobën e drejtësisë e të mëshirës. Ditë e natë ata kanë kaluar agoni të tilla që askush nuk mund t’i masë, veç dijes së të vetmit Perëndi të vërtetë, lartësuar qoftë lavdia e Tij.

Shiko këtë të Munduar. Megjithëse provat flasin shumë qartë për vërtetësinë e Kauzës së Tij; megjithëse profecitë që Ai ka bërë me një gjuhë që s’lë vend për mëdyshje janë përmbushur; megjithëse, edhe pse nuk numërohej midis të diturve, edhe pse pa shkollë e pa përvojë në diskutimet që zhvilloheshin ndërmjet teologëve, Ai ka derdhur mbi njerëzit shirat e dijes së Tij të shumanshme e me frymëzim Hyjnor; megjithatë, shih sesi kjo gjeneratë e ka refuzuar autoritetin e Tij dhe është rebeluar kundër Tij! Ai, gjatë pjesës më të madhe të jetës së Tij, është vënë në sprova të rënda nga thonjtë e armiqve të Tij. Vuajtjet e Tij kanë arritur tani kulmin në këtë Burg të dëshpë¬rimit, në të cilin shtypësit e kanë hedhur Atë aq padrejtësisht. Dhëntë Zoti që ti të shohësh, me vizion të thellë e me zemër të gëzuar, gjërat që kanë ndodhur e po ndodhin edhe tani dhe, duke i peshuar ato në zemrën tënde, të arrish të dallosh atë që më të shumtët e njerëzve nuk kanë mundur ta shohin në këtë Ditë. Lutju Perëndisë, që Ai të të lejojë të nuhasësh aromën e ëmbël të Ditës së Tij, të kesh pjesë në derdhjet e pafund të mirësisë së Tij, me lejën e Tij dashamirëse, të pish hisen tënde nga Oqeani i madh që ngrihet këtë Ditë në emrin e Mbretit të Lashtë dhe të qëndrosh i vendosur e i patundur si mali në Kauzën e Tij.

Thuaj: Lavdia qoftë me Ty, Që ke bërë të gjithë shenjtorët të pranojnë pafuqinë e tyre përpara revelimeve të shumta të fuqisë Sate dhe çdo profet të njohë se është hiç përpara shkëlqimit të Lavdisë Sate të përjetshme. Unë të lutem, për emrin Tënd që ka hapur portat e Qiellit dhe ka mbushur me ekstazë Tubimin e epërm, të më japësh mundësi të të shërbej Ty, në këtë Ditë, dhe të më forcosh që të zbatoj atë që Ti ke caktuar në Librin Tënd. Ti e di, O Zoti im, ç’ka brenda meje; por unë nuk e di atë që është në Ty. Ti je i Gjithëdijshmi, i Gjithinformuari.

-~-

XXIV. Kujdes, o ju që besoni në unitetin e Perëndisë, se mos tundoheni të bëni dallim midis Manifestimeve të Kauzës së Tij ose të diskriminoni shenjat që kanë shoqëruar e shpallur Revelacionin e tyre. Ky është padyshim kuptimi i vërtetë i Unitetit hyjnor, në qoftë se jeni ndër ata që e kuptojnë dhe e besojnë këtë të vërtetë. Sidomos të jeni të sigurt se punët dhe veprat e secilit e të të gjitha këtyre Manifes¬timeve të Perëndisë, madje çdo gjë që u përket atyre ose që ata do të shfaqin në të ardhmen, janë urdhë¬ruar të gjitha prej Perëndisë dhe pasqyrojnë Vullnetin e Qëllimin e Tij. Kushdo që bën qoftë edhe dallimin më të vogël midis personave të tyre, fjalëve të tyre, mesazheve të tyre, veprimeve e sjelljeve të tyre, në të vërtetë nuk ka besuar në Perëndinë, nuk ka pranuar shenjat e Tij dhe ka tradhëtuar Kauzën e Lajmëtarëve të Tij.

-~-

XXV. Është evidente se çdo epokë në të cilën ka jetuar një Manifestim i Perëndisë, është urdhëruar në mënyrë hyjnore dhe, në një kuptim, mund të karakterizohet si Dita e caktuar nga Perëndia. Dita e Sotme është, sidoqoftë, unike dhe duhet dalluar nga ato që e kanë paraprirë. Emërtimi “Vula e Profetëve” e zbulon tërësisht pozitën e tij të lartë. Cikli Profetik me të vërtetë është mbyllur. E vërteta e përjetshme ka ardhur tani. Ai ka ngritur Emblemën e Fuqisë, dhe po lëshon tani mbi botë shkëlqimin e paerrësuar të Revelacionit të Tij.

-~-

XXVI. Lëvduar qoftë Perëndia, Gjithzotëruesi, Mbreti i lavdisë së pakrahasueshme, një lavdërim pafundësisht sipër kuptimit të të gjitha gjërave të krijuara dhe i lartësuar tej asaj që mund të kapë mendja e njerëzve. Askush tjetër veç Tij kurrë nuk ka qenë i aftë t’i këndojë si duhet lavde Atij, dhe as do të arrijë ndokush, në çdo kohë qoftë, të përshkruajë në mënyrë të plotë lavdinë e Tij. Kush mund të pretendojë të ketë arritur majat e Thelbit të Tij sublim dhe cila mendje mund të masë thellësitë e misterit të Tij të pakapshëm? Nga çdo revelacion që ka dalë prej Burimit të lavdisë së Tij janë shfaqur prova të shenjta e të pafund shkëlqimi të paimagji¬nueshëm, dhe nga çdo manifestim i pushtetit të Tij të pamposhtur kanë rrjedhur Oqeane Drite të përjetshme. Sa pafundësisht të lartësuara janë dëshmitë e mahnitshme të sovranitetit të Tij të gjithëfuqishëm, një shkëndijë e të cilave, vetëm po t’i prekte, do t’i asgjësonte tërësisht të gjithë ata që janë në qiell e në tokë! Të larta sa nuk mund të përshkruhen janë shenjat e pushtetit të Tij të përsosur, një gjurmë e vetme e të cilave, sado e papërfillshme, kapërcen kuptimin e çdo gjëje që, nga fillimi që nuk ka fillim, është sjellë në jetë, ose që do të krijohet në të ardhmen deri në fundin që nuk ka fund. Të gjitha Mishërimet e Emrave të Tij enden në shkretëtirën e kërkimeve, të etura e të zellshme për të zbuluar Thelbin e Tij, dhe të gjitha Manifestimet e Atributeve të Tij i luten nga Sinai i Shenjtërisë që të shpalosë misterin e Tij.

Një pikë e oqeanit të dall¬gëzuar të mëshirës së Tij të pafund ka stolisur gjithë krijimin me orna¬mentin e ekzistencës, dhe një fllad i lehtë që ka dalë nga Parajsa e Tij e pakrahasueshme i ka mbështjellë të gjitha qeniet me rrobën e shenjtërisë e të lavdisë së Tij. Një spërkatje nga thellësitë e pakap¬shme të Vullnetit të Tij sovran e gjithdepërtues, ka thirrur në jetë nga hiçi i plotë një krijim që është i pafund në shtrirjen e tij e i pa¬vdekshëm në kohëzgjatjen e tij. Mrekullitë e bujarisë së Tij nuk mund të mbarojnë asnjëherë dhe rrjedha e mirësisë së Tij të mëshir-shme nuk mund të ndalet kurrë. Procesi i krijimit të Tij nuk ka pasur fillim dhe nuk mund të ketë fund.

Në çdo epokë e cikël, Ai, me anë të dritës vezulluese të për¬hapur nga Manifestimet e Thelbit të Tij të Mahnitshëm, ka rikrijuar çdo gjë, në mënyrë që gjithçka që pasqyron në qiej e mbi tokë shenjat e lavdisë së Tij të mos privohet nga vërshimi i mëshirës së Tij, as të mos dëshpë-rohet se mos mbetet pa shiun e favoreve të Tij. Shih sesi mrekullitë e mirësisë së Tij të pakufishme përfshijnë gjithçka! Shikoni si ato kanë përshkuar gjithë krijimin. I tillë është efekti i tyre, saqë në mbarë gjithësinë nuk mund të gjendet qoftë edhe një atom i vetëm që të mos flasë për provat e fuqisë së Tij, që të mos i thurë lavde Emrit të Tij të Shenjtë, ose që të mos pasqyrojë dritën e shkëlqyeshme të Unitetit të Tij. Kaq i përsosur e i gjerë është Krijimi i Tij, saqë asnjë mendje ose zemër, sado e mprehtë ose e kulluar, asnjëherë nuk mund të depërtojë në natyrën e më të papërfillshmes krijesë të Tij; aq më pak mund të depërtojë në misterin e Atij që është Dielli i së Vërtetës, që është Thelbi i padukshëm e i panjohshëm. Konceptet e misti¬këve më të devotshëm, arritjet e njerëzve më të përkryer, lavdet më të mëdha që mund të shprehë gjuha ose penda njerëzore janë të gjitha produkt i mendjes së fundme njerëzore e të kushtëzuara nga kufizimet e saj. Dhjetë mijë Profetë, secili prej tyre një Moisi, janë shtangur mbi Sinain e kërkimeve të tyre nga zëri i Tij ndalues: “Ti kurrë nuk do të më soditësh Mua!”; ndërsa një miliard Lajmëtarë, secili po aq i madh sa Jesui, qëndrojnë mbi fronet e tyre qiellore të topitur përballë ndalimit: “Thelbin Tim ti kurrë nuk do ta kuptosh!” Nga kohë që s’mbahen mend, Ai ka qenë i mbuluar nga shenjtëria e parrë¬fy¬eshme e Qenies së Tij sublime, dhe do të vazhdojë përgjithmonë të jetë i mbështjellë me misterin e padepër¬tueshëm të Thelbit të Tij të panjohshëm. Çdo përpjekje për të kapur dome¬thënien e Realitetit të Tij të paarritshëm ka përfunduar në hutim të plotë, dhe çdo orvatje për t’iu afruar Qenies së Tij sublime e për të soditur Thelbin e Tij ka rezultuar në disfatë të pashpresë.

Sa më habit mua, i parëndësishëm siç jam, përpjekja për të depërtuar në thellësitë e shenjta të dijes Sate! Sa të kota duken përpjekjet e mia për të përfytyruar madhështinë e fuqisë që bart vepra Jote – Revelacionin e fuqisë Sate krijuese! Si mundet syri im, i cili nuk ka aftësinë të shohë veten e vet, të pretendojë se ka parë Thelbin Tënd, dhe si mundet zemra ime, tashmë e pafuqishme për të kuptuar domethënien e mundësive të veta, të pretendojë se e ka kuptuar natyrën Tënde? Si mund të pretendoj Unë se të kam njohur Ty, kur gjithë krijimi është habitur nga misteri Yt, dhe si mund të pranoj se nuk të kam njohur Ty, kur ja, gjithësia mbarë shpall praninë Tënde dhe dëshmon për të vërtetën Tënde? Përjetësisht portat e mirësisë Sate kanë qenë të hapura dhe mjetet e arritjes në praninë Tënde janë bërë të mundura për të gjitha gjërat e krijuara, ndërsa revelacionet e Bukurisë Sate të pashoqe kanë qenë gjithmonë të stampuara mbi realitetin e të gjitha qenieve, të dukshme e të padukshme. Por, me gjithë këtë favor kaq mirëdashës, këtë dhunti të përsosur e të plotë, unë jam i shtytur të dëshmoj se oborri Yt i shenjtërisë e i lavdisë është pamasë i lartësuar mbi dijet e të gjithëve, përpos dijes Sate dhe se misteri i pranisë Tënde është i padepërtueshëm për çdo mendje, përpos mendjes Sate. Askush veç Teje nuk mund të zbulojë sekretin e natyrës Sate, dhe asgjë tjetër veçse Thelbi Yt i përsosur mund të kapë realitetin e Qenies Sate të panjohshme. Sa i madh është numri i atyre qenieve qiellore e lavdiplote që, në shkretëtirën e ndarjes së tyre prej Teje, janë endur gjatë të gjitha ditëve të jetës së tyre për të të gjetur Ty, e më në fund kanë dështuar! Sa shumë shpirtra të shenjtëruar e të pavdekshëm kanë humbur të hutuar, ndërsa kërkonin në shkre¬tëtirë të sodisnin fytyrën Tënde! Janë me miliarda adhuruesit e Tu të zjarrtë, të cilët flaka gllabëruese e të qenit larg Teje i ka bërë të fundosen e të vdesin, dhe të panumërt janë shpirtrat besnikë, që me dëshirë kanë bërë theror jetën e tyre me shpresë që të shikonin për një çast dritën e shëmbëlltyrës Sate. Psherë-timat e rënkimet e këtyre zemrave të djegura nga malli, që rrahin për Ty, nuk mund ta arrijnë kurrë oborrin Tënd të shenjtë, as munden ankesat e Udhëtarëve që janë të etur të dalin përpara fytyrës Sate të arrijnë në selinë Tënde të lavdisë.

-~-

XXVII. Lëvduar qoftë uniteti i Perëndisë, u nderoftë Ai, Zoti Sovran, Sundimtari i pakra¬ha¬sueshëm e lavdiplotë i gjithësisë, Ai që nga hiçi absolut ka krijuar realitetin e të gjitha gjërave, Ai që nga asgjëja ka sjellë në jetë elementët më të përsosur e më të hollë të krijimit të Tij, Ai që, duke i shpëtuar krijesat e Veta nga poshtërimi i vetmisë e nga rreziqet e shuarjes së plotë, i ka pranuar ato në mbretërinë e Tij të lavdisë së përjetshme. Asgjë veç mirësisë së Tij që përfshin gjithçka dhe mëshirës së Tij që përshkon gjithçka nuk mund ta bënte këtë. Ndryshe si do të ishte e mundur që hiçi absolut të krijonte vetë zotësinë e aftësinë për të dalë nga gjendja e vet e mosqenies në mbretërinë e qenies?

Pasi e krijoi botën dhe çdo gjë që jeton e lëviz në të, Ai, me anë të veprimit të drejtpërdrejtë të Vullnetit të Tij të lirë e sovran, vendosi t’i dhurojë vetëm njeriut dallimin dhe aftësinë për ta njohur e për ta dashur Atë – aftësi që duhet parë si shtytja krijuese dhe si qëllimi parësor që qëndron në themel të gjithë krijimit… Mbi realitetin më të thellë të çdo gjëje të krijuar Ai ka lëshuar dritën e njërit prej emrave të Vet dhe e ka bërë atë bartëse të lavdisë së njërit prej atributeve të Veta. Por mbi realitetin e njeriut Ai ka për¬qen¬druar shkëlqimin e të gjithë emrave e atributeve të Tij dhe e ka bërë atë pasqyrë të vetes së Tij. Nga të gjitha gjërat e krijuara, vetëm njeriu është zgjedhur për një favor kaq të madh, për një bujari kaq të qëndrueshme.

Por këto energji, me të cilat Dielli i Bujarisë Hyjnore dhe Burimi i udhërrëfimit qiellor ka pajisur realitetin e njeriut, qën¬drojnë të fshehura brenda tij ashtu si flaka fshihet brenda qiririt dhe rrezet e dritës janë potencialisht të pranishme në llambë. Ndriçimi i këtyre energjive mund të errësohet nga dëshira tokësore, ashtu si drita e diellit mund të fshihet nën plu¬hurin e papastërtitë që mbulojnë pasqyrën. As qiriri, as llamba nuk mund të ndriçojnë me përpjekjet e veta, pa ndihmë, ashtu siç nuk do të ishte kurrë e mundur që pasqyra të pastrohej vetë nga papastërtitë. Është e qartë e evidente që, derisa të mos shkrepet një zjarr, llamba kurrë nuk do të ndizet, dhe nëse papastërtitë nuk fshihen nga faqja e pasqyrës, ajo kurrë nuk do të mund të paraqesë shëmbëlltyrën e diellit, as të reflektojë dritën e lavdinë e tij.

Dhe meqenëse nuk mund të ketë lidhje të një komunikimi të drejtpërdrejtë që të bashkojë të vetmin Perëndi të vërtetë me krijesën e Tij, dhe se asnjëlloj ngjashmërie nuk mund të ekzistojë ndërmjet kalimtares e të Për¬jet¬sh¬mes, të rastësishmes e Absolutes, Ai ka urdhëruar që në çdo epokë e dispensacion një Shpirt i pastër e i panjollë të manifestohet në mbretëritë e tokës e të qiellit. Kësaj Qenieje të mprehtë, misterioze dhe eterike, Ai i ka caktuar një natyrë të dyfishtë: atë fizike, që i përket botës së materies, dhe atë shpirtërore, që lind prej substancës së Vetë Perëndisë. Ai, për më tepër, i ka dhënë Atij një pozitë të dyfishtë. Pozita e parë, e cila lidhet me realitetin e tij më të thellë, e paraqet atë si Një, zëri i të Cilit është zëri i Vetë Perëndisë. Këtë e dëshmon tradita: “Të shumanshme e misterioze janë marrëdhëniet e Mia me Perëndinë. Unë jam Ai vetë, ndërsa Ai është Unë Vetë, edhe pse Unë jam ai që jam, e Ai është ai që është.” Dhe po kështu fjalët: “Ngrehu, o Muhamet, se ja, Dashuruesi e i Shumëdashuri janë bashkuar dhe janë bërë një në Ty.” Ai gjithashtu thotë: “Nuk ka asnjë dallim ndërmjet Teje dhe Atyre, me përjashtim që Ata janë Shërbëtorët e Tu.” Pozita e dytë është pozita njerëzore, që jepet në vargjet e mëposhtme: “Unë s’jam veçse një njeri si ju.” “Thuaj: lëvduar qoftë Zoti im! A jam Unë më tepër se një njeri, një apostull?” Këto Thelbe të Shkëputjes, këto Realitete të shndritshme janë kanalet e hirit të Perëndisë që përshkon gjithçka. Të prirë nga drita e udhëheqjes së pagabueshme dhe të veshur me sovranitet suprem, Ato janë ngarkuar të përdorin frymëzimin e fjalëve të Tyre, vërshimet e mirësisë së tyre të pagabueshme dhe flladin shenjtërues të Revelacionit të Tyre, për të pastruar çdo zemër të devotshme e çdo shpirt të hapur nga pluhuri e papastërtitë e shqetësimeve e të kufizimeve tokësore. Atëherë e vetëm atëherë, Besimi i Perëndisë, i fshehur në realitetin e njeriut, do të dalë nga pas perdes që e fsheh, në pah, i shndritshëm si Ylli në ngritje i Revelacionit Hyjnor dhe do të mbjellë shenjat e lavdisë së tij të reveluar mbi majat e zemrave njerëzore.

Nga pjesët e aluzionet e mësipërme është bërë padyshim e qartë se në mbretëritë e qiellit e të tokës duhet të shfaqet një Qenie, një Thelb Që të veprojë si një Manifestim e një Mjet bartës për të transmetuar mirësinë e Vetë Hyjnisë, Zotit Sovran të të gjithëve. Përmes Mësimeve të këtij Ylli të Ditës të së Vërtetës çdo njeri do të përparojë e do të zhvillohet, derisa të arrijë gjendjen kur ai mund të shfaqë të gjitha forcat potenciale me të cilat është pajisur vetja intime e vërtetë e Tij. Pikërisht për këtë qëllim, në çdo epokë e dispensacion Profetët e Perëndisë dhe të Zgjedhurit e Tij janë shfaqur midis njerëzve dhe kanë treguar një pushtet të tillë të lindur nga Perëndia dhe një fuqi të tillë që vetëm i Përjetshmi mund të revelojë.

A mundet një njeri me mendje të shëndoshë të imagjinojë seriozisht se, për shkak të fjalëve të caktuara, domethënien e të cilave ai nuk mund ta kuptojë, portat e udhërrëfimit të pafund të Perëndisë mund të mbyllen ndonjëherë për njerëzit? A mund të përfytyrojë ai një fillim e një fund për këta Pishtarë Hyjnorë, për këto Drita të shkëlqyeshme? Çfarë përmbytje që vërshon mund të krahasohet me rrymën e mirësisë së Tij gjithpërfshirëse dhe ç’bekim mund të tejkalojë provat e një mëshire kaq të madhe e përshkuese? S’mund të ketë pikë dyshimi që, sikur batica e mëshirës dhe e hirit të Tij t’i tërhiqej botës qoftë edhe për një çast, ajo do të merrte fund e tëra. Për këtë arsye, qysh nga fillimi që nuk ka fillim, portat e mëshirës Hyjnore kanë qenë të hapura gjerësisht para të gjitha gjërave të krijuara, dhe retë e së vërtetës do të vazhdojnë deri në fundin që nuk ka fund të lëshojnë mbi tokën e aftësisë, të realitetit e të personalitetit njerëzor shiun e favoreve e të dhuratave të tyre. E tillë ka qenë metoda e Perëndisë, që vazhdon nga përjetësia në përjetësi.

-~-

XXVIII. Lum njeriu që do të ngrihet për t’i shërbyer Kauzës Sime dhe për t’i thurur lavde Emrit Tim të bukurisë. Merre Librin Tim me forcën e fuqisë Sime dhe përmbaju me këmbëngulje çdo porosie që Zoti Yt, Urdhëruesi, Urtiploti, ka caktuar aty. Shiko, o Muhamet, sesi fjalët dhe veprat e pasuesve të Islamit Shiit kanë topitur gëzimin e zellin e ditëve të tij të para, dhe kanë errësuar shkëlqimin fillestar të dritës së Tij. Në ditët e tij të hershme, ndërsa ata ende u përmbaheshin porosive që lidheshin me emrin e Profetit të tyre, Zotit të njerëzimit, rruga e tyre përshkohej nga një zinxhir i pashkëputur fitoresh e triumfesh. Kur ata hap pas hapi u larguan nga shtegu i Udhëheqësit dhe Mjeshtrit të tyre Ideal, kur ata i kthyen shpinën Dritës së Perëndisë dhe zvetënuan parimin e unitetit të Tij Hyjnor, kur e përqendruan gjithnjë më shumë vëmendjen tek ata që ishin vetëm reveluesit e fuqisë së Fjalës së Tij, fuqia e tyre u shndërrua në dobësi, lavdia e tyre në turp, kurajoja e tyre në frikë. Ti je dëshmitar sesi janë katandisur ata. Shiko, sesi ata janë bashkuar kundër Atij Që është Pika Vatrore e unitetit Hyjnor. Shiko sesi veprat e tyre të këqija i kanë penguar ata që të njohin, në Ditën e Ringjalljes, Fjalën e së Vërtetës, u lartësoftë lavdia e Saj. Ne ushqejmë shpresën se këta njerëz tash e tutje do të çlirohen nga shpresat e kota e nga fantazitë boshe dhe do të arrijnë në kuptimin e vërtetë të Unitetit Hyjnor.

Personi i Manifestimit gjithmonë ka qenë për-faqësuesi e zëdhënësi i Perëndisë. Ai, me të vërtetë, është Agimi i Titujve më të shkëlqyer të Perëndisë dhe Burimi i Atributeve të Tij të larta. Nëse ndokush do të vendosej përkrah Tij si i barabartë, nëse ai do të konsiderohej identik me Personin e Tij, si mundet atëherë të thuhej se Qenia Hyjnore është Një e Vetme dhe e Pakrahasueshme, se Thelbi i Saj është i pandashëm e i pakraha¬sueshëm? Medito për atë që Ne, nëpërmjet fuqisë së të vërtetës, të kemi reveluar, dhe ji ndër ata që e kuptojnë dome¬thënien e saj.

-~-

XXIX. Duke krijuar njeriun, qëllimi i Perëndisë ka qenë, dhe do të jetë gjithmonë, ta bëjë atë të aftë të njohë Krijuesin e vet dhe të arrijë në praninë e Tij. Të gjithë Librat qiellorë dhe të gjitha Shkrimet e reveluara në mënyrë hyjnore e me peshë e vërtetojnë pa mëdyshje këtë. Kush ka njohur Agimin e udhëheqjes Hyjnore dhe ka hyrë në oborrin e Tij të shenjtë, i është afruar Perëndisë dhe ka arritur Praninë e Tij, Prani që është Parajsa e vërtetë, për të cilën pallatet më të larta të qiellit s’janë veçse një simbol. Një njeri i tillë ka arritur dijen e pozitës së Atij që është “në distancën e dy harqeve”, Që qëndron përtej Sadratu’l-Muntahá. Por ai që nuk ka mundur ta njohë Atë e ka dënuar veten me gjëmën e veçimit, veçim që s’është veçse hiç i plotë dhe thelbi i zjarrit më gllabërues. I tillë do të jetë fati i tij, edhe pse ai mund të ketë pozitat më të larta të botës dhe mund të rrijë në fronin e saj më të lartësuar.

Ai që është Agimi i së Vërtetës është, padyshim, plotësisht i aftë t’i shpëtojë nga një veçim i tillë shpirtrat e çoroditur dhe të bëjë që ata të afrohen pranë oborrit të Tij dhe të arrijnë në Praninë e Tij. “Në qoftë se do të dëshironte Perëndia, Ai me siguri do t’i kishte bërë të gjithë njerëzit një popull.” Sidoqoftë, qëllimi i Tij është t’i bëjë të aftë të pastrin në shpirt e të çinteresuarin për vetveten që të ngjiten, në saje të fuqive të tyre të lindura, në brigjet e Oqeanit Më të Madh, në mënyrë që ata që kërkojnë Bukurinë e Lavdiplotit të mund të shquhen e të ndahen nga të çoroditurit e të mbrapshtit. Kështu është urdhë¬ruar nga Penda e gjithëlavdishme e shkëlqim¬¬plotë…

Që Manifestimet e drejtë¬sisë Hyjnore, Agimet e hirit qiellor, kur janë shfaqur midis njerëzve, gjithmonë kanë qenë të zhveshura nga çdo sundim tokësor e pa kurrfarë mjetesh autoriteti të kësaj bote, kjo i duhet atribuar të njëjtit parim të shkëputjes e të shquarjes që ka frymëzuar Qëllimin Hyjnor. Sikur Thelbi i Përjetshëm të shfaqte gjithçka fshihet brenda Tij, Sikur Ai të shkëlqente në tërë lavdinë e Tij, askush nuk do të vinte në dyshim fuqinë e Tij ose të mohonte të vërtetën e Tij. Madje, të gjitha gjërat e krijuara do të ishin aq të verbuara e të hutuara nga shkëlqimi i Dritës së Tij, saqë kjo do t’i çonte në asgjësim të plotë. Atëherë, si mund të dallohet në rrethana të tilla besimtari nga tersi?

Ky parim ka vepruar në secilin prej dispensa-cioneve të mëparshme dhe është provuar gjerësisht… Kjo është arsyeja që, në çdo epokë, kur është shfaqur një Manifestim i ri dhe kur njerëzve u është bërë një revelim tjetër i fuqisë të paarritshme të Perëndisë, ata që nuk kanë besuar në Të, të zhgënjyer nga paraqitja e Bukurisë së pashoqe e të përjetshme me veshjen e një njeriut të vdek-shëm, nuk e kanë njohur Atë. Ata janë larguar nga shtegu i Tij dhe i janë shmangur shoqërisë së Tij – shoqërisë së Atij që është Simboli i afërsisë së Perëndisë. Ata madje janë ngritur të vrasin besnikët dhe të shfarosin ata që besonin tek Ai.

Shikoni sesi në këtë Dispensacion njerëzit pa vlerë e të marrët kanë imagjinuar me naivitet se me mjete të tilla si masakra, plaçkitja e syrgjynosja mund të fikin Llambën që ka ndezur Dora e fuqisë Hyjnore, ose të eklipsojnë Diellin e shkëlqimit të përjetshëm. Ata duket se janë krejt të paditur për të vërtetën që, pikërisht kundër-shtime të tilla janë vaji që ushqen flakën e kësaj Llambe! E tillë është fuqia trans¬formuese e Perëndisë. Ai ndryshon çdo gjë që dëshiron; Ai me të vërtetë ka pushtet mbi të gjitha gjërat…

Mbaj parasysh, në të gjitha epokat, sovranitetin e ushtruar prej Mbretit Ideal dhe shiko provat e fuqisë e të ndikimit të Tij suprem. Spastroi veshët nga fjalët e kota të atyre që janë simbolet e mohimit dhe krerët e dhunës e të zemë¬rimit. Po afron ora kur ju do të shihni fuqinë e të vetmit Perëndi të vërtetë të triumfojë mbi të gjitha gjërat e krijuara, dhe shenjat e sovranitetit të Tij të përfshijnë gjithë krijimin. Atë ditë do të zbuloni sesi gjithçka tjetër veç Tij do të harrohet e do të shihet thjesht si një hiç.

Por duhet mbajtur parasysh se Perëndia dhe Manifestimi i Tij kurrsesi nuk mund të ndahen nga lartësia e natyra sublime, të cilat i zotërojnë në mënyrë të qenësishme. Madje lartësia e natyra sublime janë ato vetë krijimet e Fjalës së Tij, nëse doni t’i shihni nga këndvështrimi Im e jo tuaji.

-~-

XXX. Perëndia dëshmon se s’ka Perëndi tjetër veç Tij, të Hirshmit, Më të Dashurit. Çdo mirësi e bujari vijnë prej Tij. Kujtdo që Ai dëshiron, i jep çdo gjë që i pëlqen. Me të vërtetë, Ai është i Gjithë¬push¬tetshmi, Fuqiploti, Ndihma në Rrezik, i Vetqenëshmi. Ne me të vërtetë besojmë tek Ai Që, në personin e Báb·it, është dërguar me vullnetin e të Vetmit Perëndi të vërtetë, Mbretit të Mbretërve, të Gjithlëvduarit. Për më tepër, Ne betohemi për besnikëri ndaj Atij Që është i destinuar të shfaqet në kohën e Mustagháth·it, si dhe ndaj atyre që do të vijnë pas Tij deri në fundin që nuk ka fund. Ne njohim në shfaqjen e secilit prej tyre, qoftë nga jashtë ose nga brenda, shfaqjen e askujt tjetër veç të Vetë Perëndisë, nëse jeni ndër ata që kuptojnë. Secili prej tyre është një pasqyrë e Perëndisë, që s’pasqyron tjetër veç Qenies së Tij, Bukurisë së Tij, Forcës e Lavdisë së Tij, sikur ta kuptonit. Gjithë të tjerët veç tyre duhen parë si pasqyra të afta të pasqyrojnë lavdinë e këtyre Manifestimeve, të cilat janë vetë Pasqyrat Parësore të Qenies Hyjnore, nëse nuk ju mungon gjykimi. Askush nuk u ka shpëtuar kurrë atyre, dhe as janë penguar ato për t’ia arritur qëllimit të vet. Këto Pasqyra do të zëvendësojnë pambarimisht njëra-tjetrën dhe do të vazhdojnë të reflektojnë dritën e të Lashtit të Kohëve. Ata që pasqyrojnë lavdinë e tyre do të vazhdojnë, po kështu, të egzistojnë përgjithmonë, sepse Hiri i Perën¬disë kurrë nuk mund të pushojë së vërshuari. Kjo është një e vërtetë që askush nuk mund ta mohojë.

-~-

XXXI. Vrojto me syrin tënd të brendshëm zinxhirin e Revelacio¬neve të njëpasnjëshme që ka lidhur Manifestimin e Adamit me atë të Báb·it. Unë dëshmoj përpara Perëndisë që secili prej këtyre Manifestimeve është dërguar me anë të veprimit të Vullnetit e të Qëllimit Hyjnor, që secili ka qenë bartës i një Mesazhi specifik, që secilit i është besuar një Libër i reveluar në mënyrë hyjnore dhe i është ngarkuar të zbulojë misteret e një Tabele të fuqishme. Përmasat e Revelacionit me të cilin është njëjësuar çdonjëri prej tyre, ishin paracaktuar me saktësi. Kjo është me të vërtetë një shenjë e favorit Tonë ndaj tyre, nëse jeni ndër ata që e kuptojnë këtë të vërtetë… Dhe kur ky proces i Revelacionit progresiv arriti kulmin në fazën, në të cilën Shëmbëlltyra e Tij e pashoqe, më e shenjtë dhe e lartësuar duhej të zbulohej para syve të njerëzve, Ai vendosi ta fshihte Veten e Tij pas njëmijë vellove, që sy profanë e të vdekshëm të mos zbulonin lavdinë e Tij. Ai e bëri këtë në një kohë kur shenjat dhe simbolet e një Revelacioni të përcaktuar në mënyrë hyjnore derdheshin mbi Të – shenja e simbole të cilat askush nuk mund t’i numërojë veç Zotit, Perëndisë suaj, Zotit të të gjitha botëve. Dhe kur koha e caktuar e fshehjes u plotësua, Ne dërguam, megjithëse ende të mbuluar me mijëra vello, një vezullim fare të vogël të Lavdisë së shkëlqyeshme që rrethon Fytyrën e Djaloshit, dhe ja, tërë aradha e banorëve të Mbretërive të epërme u përfshi nga emocione të fuqish¬me dhe të preferuarit e Perëndisë ranë në adhurim përpara Tij. Ai, me të vërtetë, ka shfaqur një lavdi të tillë që askush në mbarë krijimin kurrë nuk e ka parë, duke qenë se Ai është ngritur vetë për t’u shpallur Kauzën e Tij të gjithë atyre që janë në qiej e mbi tokë.

-~-

XXXII. Ajo që ti ke dëgjuar lidhur me Abrahamin, Mikun e Mëshirë¬plotit, është e vërtetë dhe nuk lë vend për dyshim. Zëri i Perëndisë e urdhëroi Atë të bënte fli Ismailin, në mënyrë që t’u provohej njerëzve vendosmëria e Tij në Besimin e Zotit dhe shkëputja e Tij nga gjithçka tjetër veç Perëndisë. Qëllimi i Perëndisë ishte, për më tepër, ta bënte fli atë si shpërblesë për mëkatet e mbrapshtitë e të gjithë popujve të tokës. Jesui, i biri i Marisë, iu lut të vetmit Perëndi të vërtetë, lartësuar qoftë emri e lavdia e Tij, t’i bënte edhe Atij të njëjtin nder. Po për këtë arsye, Muhameti, Apostulli i Perëndisë, ofroi për flijim Ḥusayn·in.

Askush nuk mund të pretendojë të ketë kuptuar ndo¬njëherë natyrën e fshehur e të shumanshme të hirit të Perëndisë; askush nuk mund ta matë më¬shi¬rën e Tij gjithpërfshirëse. Të tilla kanë qenë mbrapshtia dhe fajet e njerëzve, kaq të rënda kanë qenë sprovat që kanë vuajtur Profetët e Perëndisë dhe të zgje¬dhurit e tyre, saqë gjithë njerë¬zimi meriton të torturohet e të vdesë. Megjithatë, providenca e fshehtë e dasha¬mirëse e Perëndisë, me mjete të dukshme e të padukshme, e ka mbrojtur dhe do të vazhdojë ta mbrojë atë nga dënimi për mbrapsh¬titë që ka bërë. Peshoje këtë në zemrën tënde, në mënyrë që të të zbulohet e vërteta dhe ti të qëndrosh i vendosur në rrugën e Tij.

-~-

XXXIII. Është vendosur prej Nesh që Fjala e Perëndisë dhe të gjitha mundësitë që ajo përmban do t’u shfaqen njerëzve në përputhje me rregullat e rrepta të kushteve që janë paracaktuar nga Ai që është i Gjithëdijshmi, Urtiploti. Për më tepër, Ne kemi urdhëruar që perdja e fshehjes të mos mbulojë tjetërkënd veç Vetes së Tij. I tillë është, me të vërtetë, pushteti Ynë për të arritur Qëllimin Tonë. Sikur Fjala të lejohej të çlironte papritur të gjitha energjitë e fshehura brenda saj, asnjeri nuk do të mund të mbante peshën e një Revela¬cioni të tillë. Madje, gjithçka ndodhet në qiell e mbi tokë do të ikte e tmerruar para kësaj.

Mendo çfarë iu dërgua Muhametit, Apostullit të Perën¬disë. Përmasat e Revelacionit, bartës i të cilit Ai ishte, qenë para¬caktuar në mënyrë të qartë prej Atij që është Fuqiploti, i Gjithëpushtetshmi. Por ata që e dëgjuan Atë mundën ta kuptonin qëllimin e Tij vetëm sipas shkallës së pozitës e të kapacitetit shpirtëror të tyre. Po kështu, Ai e zbuloi Fytyrën e Urtisë në për¬shtatje me aftësinë e tyre për të mbajtur barrën e Mesazhit të Tij. Sapo njerëzimi arriti shkallën e pjekurisë, Fjala reveloi në sytë e njerëzve energjitë e fshehura që zotëronte – energji që u shfaqën me tërë lavdinë e tyre, kur Bukuria e Lashtë u duk në vitin ’60 në personin e ‘Alí-Muḥammad·it, Báb·i.

-~-

XXXIV. Lavdi e lavdërim Perën¬disë, Që me forcën e fuqisë së Tij e ka shpëtuar krijimin e Vet nga lakuriqësia e mosqenies dhe e ka veshur atë me rrobën e jetës. Midis të gjitha gjërave të krijuara, Ai ka veçuar si objekt të favorit të Tij të veçantë stolinë e çmuar e të kulluar të realitetit të njeriut dhe i ka dhënë këtij aftësinë unikale që ta njohë Atë e të pasqyrojë madhë¬shtinë e lavdisë së Tij. Kjo shquarje e dyfishtë që i është dhënë, ia ka pastruar zemrën nga ndryshku i çdo dëshire të kotë dhe e ka bërë atë të denjë për rrobën me të cilën Krijuesi i tij ka pasur mirësinë ta mbështillte. Kjo ka shërbyer për ta shpëtuar shpirtin e tij nga fatkeqësia e injorancës.

Kjo rrobë, me të cilën janë stolisur trupi dhe shpirti i njeriut, është vetë themeli i mirëqenies e i zhvillimit të tij. Oh, bekuar qoftë dita kur, i ndihmuar nga hiri e fuqia e të vetmit Perëndi të vërtetë, njeriu do ta çlirojë veten nga skllavëria e shthurja e botës dhe e gjithçkaje brenda saj, dhe do të arrijë prehjen e vërtetë e të qëndrueshme nën hijen e pemës së Dijes!

Këngët që zogu i zemrës sate ka kënduar me dashuri të madhe për miqtë e tij kanë arritur veshët e tyre dhe më kanë shtyrë Mua t’u përgjigjem pyetjeve të tua e të të zbuloj ty ato sekrete që Më janë lejuar t’i bëj të njohura. Në letrën tënde të nderuar ti pyet se cili nga Profetët e Perëndisë duhet konsi¬deruar si superior ndaj të tjerëve. Dije që, padyshim, thelbi i të gjithë Profetëve të Perëndisë është një e i njëjtë. Uniteti i tyre është absolut. Perëndia, Krijuesi thotë: Nuk ka asnjë dallim midis Bartësve të Mesazhit Tim. Ata të gjithë s’kanë veçse një qëllim; sekreti i tyre është i njëjti sekret. Të nderosh njërin duke e preferuar ndaj një tjetri, të lartësosh disa mbi të tjerët, kjo kurrsesi nuk duhet lejuar. Çdo Profet i vërtetë e ka parë Mesazhin e Vet si të njëjtë në thelb me Revelacionin e çdo Profeti tjetër para Tij. Prandaj në qoftë se dikush nuk do ta kuptonte këtë të vërtetë dhe, për rrjedhojë, do të merrej me fjalë të kota e të papërshtatshme, asnjë njeri me mendje të mprehtë e të ndriçuar nuk do të lejonte që biseda të tilla të kota të lëkundnin besimin e tij.

Përmasat e Revelacionit të Profe¬tëve të Perëndisë në botë, sido¬qoftë, duhet të ndryshojnë. Secili prej tyre ka qenë Bartësi i një Mesazhi të caktuar dhe i ngarkuar ta revelojë Vetveten përmes veprash specifike. Për këtë shkak duket sikur ata ndryshojnë në madhësinë e tyre. Revelacioni i tyre është si drita e hënës që përhap shkëlqimin e saj mbi tokë. Megjithëse sa herë del, ajo revelon një shkallë të re të shkëlqimit të saj, shkëlqimi i saj i brendshëm kurrë nuk mund të pakësohet, as mund të shuhet drita e saj.

Është e qartë dhe evidente se çdo dallim në dukje i intensitetit të dritës së tyre nuk është diçka e qenësishme e vetë dritës, por i duhet atribuar ndjeshmërisë së ndryshme të një bote në ndryshim. Çdo Profeti, Që Fuqiploti e Krijuesi i Pashoq ka caktuar t’u dërgojë popujve të botës, i është besuar një mesazh dhe i është ngarkuar të veprojë në mënyrën që do t’u përgjigjej më mirë kërkesave të epokës në të cilën është shfaqur. Qëllimi i Perëndisë në dërgimin e Profetëve të Tij midis njerëzve është i dyfishtë. I pari është t’i çlirojë bijtë e njerëzve nga errësira e injorancës dhe t’i çojë ata drejt dritës së të kuptuarit të vërtetë. I dyti është të sigurojë paqen e qetësinë e njerëzimit dhe të gjejë të gjitha mjetet me të cilat ato mund të vendosen.

Profetët e Zotit duhet të konside¬rohen si mjekë, detyra e të cilëve është të kujdesen për mirëqenien e botës e të popujve të saj, në mënyrë që përmes frymës së unitetit të shërojnë sëmundjen e një njerëzimi të përçarë. Askujt nuk i është dhënë e drejta të vërë në dyshim fjalët e tyre ose të hedhë poshtë sjelljen e tyre, sepse ata janë të vetmit që mund të pretendojnë të kenë kuptuar pacientin dhe të kenë diagnosti¬kuar saktë nga se vuan ai. Asnjeri, sado i mprehtë që të jetë, nuk mund të shpresojë kurrë të arrijë lartësitë që ka arritur urtia e kuptimi i Mjekut Hyjnor. Prandaj nuk ka asgjë për t’u habitur nëse ilaçi i dhënë nga mjeku sot nuk është i njëjtë me atë që ai ka dhënë më parë. Si mund të jetë ndryshe, kur sëmundjet nga të cilat vuan i pamunduri kërkojnë në çdo fazë të sëmundjes së tij përdorimin e një ilaçi të posaçëm? Po kështu, sa herë që Profetët e Perëndisë kanë ndriçuar botën me shkëlqimin vezullues të Diellit të dijes Hyjnore, ata gjithmonë u kanë bërë thirrje popujve të përqafojnë Dritën e Perëndisë me mjetet që u përshtateshin më mirë kërkesave të kohës në të cilën ata janë shfaqur. Ata kanë qenë kështu në gjendje të shpërndajnë errësirën e injorancës dhe të përhapin mbi botë lavdinë e dijes së tyre. Prandaj syri i çdo njeriu që kupton duhet të drejtohet nga thelbi i qenësishëm i këtyre Profetëve, sepse qëllimi i tyre i vetëm ka qenë gjithmonë të udhëheqin ata që enden në rrugë të gabuar dhe t’u sjellin qetësim atyre që vuajnë. Këto nuk janë ditë mbarësie e triumfi. Gjithë njerëzimi është mbërthyer nga sëmundje të shumta. Përpiquni, pra, të shpëtoni jetën e tij me anë të ilaçit shërues që ka përgatitur dora e gjithëfuqishme e Mjekut të pagabueshëm.

Dhe tani lidhur me pyetjen tënde për natyrën e fesë. Dije se ata që janë me të vërtetë të zgjuar e kanë krahasuar botën me tempullin njerëzor. Ashtu si trupi i njeriut ka nevojë për një rrobë me të cilën të vishet, edhe trupi i njerëzimit ka nevojë të stoliset me mantelin e drejtësisë e të urtisë. Rroba e tij është Revelacioni që i ka dhuruar Perëndia. Kur kjo rrobë ta ketë plotësuar qëllimin e saj, me siguri Fuqiploti do ta ndërrojë atë. Sepse çdo epokë kërkon një sasi të re të dritës së Perëndisë. Çdo Revelacion Hyjnor është dërguar në një mënyrë që t’u përshtatet rrethanave të epokës në të cilën është shfaqur.

Përsa i përket pyetjes sate lidhur me thëniet e krerëve të feve të së kaluarës. Çdo njeri i zgjuar e i denjë, padyshim, do t’i shmangej një bisede të tillë të kotë e të padobishme. Krijuesi i pakraha¬sue¬shëm i ka krijuar të gjithë njerëzit nga e njëjta substancë dhe e ka lartësuar realitetin e tyre mbi pjesën tjetër të krijesave të tij. Prandaj suksesi ose dështimi, fitimi ose humbja duhet të varen nga përpjekjet e vetë njeriut. Sa më shumë të përpiqet ai, aq më i madh do të jetë përparimi i tij. Ne do të shpresonim me dëshirë që shirat pranverore të bujarisë së Perëndisë të bënin që lulet e kuptimit të vërtetë të mbijnë në zemrat njerëzore dhe t’i pastrojnë ato nga të gjitha papastërtitë tokësore.

-~-

XXXV. Mendo për një çast. Ç’i ka nxitur në çdo Dispensa¬cion popujt e tokës t’i shmangen Manifestimit të Mëshirëplotit? Çfarë mund t’i ketë detyruar ata të largohen prej Tij dhe të sfidojnë autoritetin e Tij? Sikur njerëzit të meditonin për ato fjalë që kanë dalë nga Penda e Urdhëruesit Hyjnor, ata të gjithë do të nxitonin të përqafonin të vërtetën e këtij Revelacioni të dhënë nga Perëndia e që s’ka fund, dhe do të dëshmonin për atë që Ai Vetë ka afirmuar solemnisht. Është perdja e imagjinatave boshe që, në ditët e Manifestimeve të Unitetit të Perëndisë e të Burimeve të lavdisë së Tij të përjetshme, ka ndërhyrë e do të vazhdojë të ndërhyjë midis Tij dhe pjesës tjetër të njerëzimit. Sepse në ato ditë, Ai Që është e Vërteta e Përjetshme e manifeston Vetveten në përshtatje me atë që Ai Vetë ka shtruar si qëllim, e jo sipas dëshirave të njerëzve dhe asaj që pritnin ata. Siç e ka reveluar Ai: “Pra, sa herë që një Apostull vjen tek ju me atë që shpirtrat tuaj nuk e dëshirojnë, ju fryheni nga krenaria dhe disa i trajtoni si mashtrues e disa të tjerë i vrisni.”

Nuk ka asnjë dyshim që, sikur këta apostuj të ishin shfaqur në epoka e cikle të shkuara në pajtim me imagjinatat e kota të sajuara nga zemrat e njerëzve, askush nuk do ta kishte mohuar të vërtetën e këtyre Qenieve të shenjtëruara. Megjithëse njerëz të tillë natë e ditë kujtonin të vetmin Perëndi të vërtetë dhe ushtronin me përkushtim praktikat e tyre të lutjeve, ata në fund të fundit nuk i njohën dot, e nuk u bënë pjesëtarë të hirit të atyre, që janë Burimet e shenjave të Perëndisë e Manifes¬timet e provave të Tij të pakundër¬shtueshme. Për këtë dëshmojnë Shkrimet. Ti, padyshim, ke dëgjuar për këtë.

Kujto Dispensacionin e Jesu Krishtit. Shiko sesi gjithë të diturit e atij brezi, megjithëse prisnin me dëshirë të madhe ardhjen e të Premtuarit, e mohuan Atë. Si Annasi, më i shkolluari i teologëve të kohës së tij, dhe Kajafi, kryeprifti, e akuzuan Atë dhe shpallën dënimin e Tij me vdekje.

Po kështu, kur Muhameti, Profeti i Perëndisë – u bëfshin fli të gjithë njerëzit për Të – u shfaq, të diturit e Mekës e të Medinës, në ditët e hershme të Revelacionit të Tij, u ngritën kundër dhe e hodhën poshtë Mesazhin e Tij, ndërsa ata që nuk kishin kurrfarë diturie e njohën dhe e përqafuan Besimin e Tij. Reflekto pak. Kujto sesi Balál·i, etiopiani, megjithëse analfabet, u ngjit në qiellin e besimit e të sigurisë, ndërsa ‘Abdu’lláh-i-Ubayy, një nga krerët e të diturve, u orvat me keqdashje t’i kundërvihet Atij. Shiko sesi një bari i thjeshtë u rrëmbye nga ekstaza e fjalëve të Perëndisë, saqë mundi të arrijë të pranohet në vendbanimin e Më të Shumë¬dashurit dhe të bashkohet me Atë Që është Zoti i Njerëzimit, ndërsa ata që mbaheshin më të madh për dijet e urtinë e tyre u larguan nga shtegu i Tij dhe mbetën të privuar nga hiri i Tij. Kjo është arsyeja që Ai ka shkruar: “Kush lartësohet midis jush do të ulet, dhe kush ulet do të lartësohet.” Referenca për këtë temë gjenden në shumicën e Librave qiellorë, si dhe në thëniet e Profetëve e të Lajmëtarëve të Perëndisë.

Me të vërtetë Unë them, e tillë është madhështia e kësaj Kauze, saqë ati ikën nga biri i tij dhe biri ikën nga ati. Sillni në kujtesë ngjarjen e Nojit e të Kanaanit. Dhëntë Zoti që, në këto ditë kënaqësie qiellore, ju të mos e privoni veten nga aromat e ëmbla të të Gjithëlavdishmit Perëndi dhe të keni pjesë në vërshimet e hirit të Tij në këtë Pranverë shpirtërore. Çohuni në emrin e Atij që është Objekti i çdo dije e, duke u shkëputur plotësisht nga dituritë e njerëzve, ngrijini zërat dhe shpallni Kauzën e Tij. Betohem për Diellin e Revelacionit Hyjnor! Në vetë çastin që ngriheni, ju do të konstatoni sesi një rrymë e dijes Hyjnore do të vërshojë prej zemrave tuaja dhe do të soditni mrekullitë e urtisë së Tij qiellore të shfaqen me tërë lavdinë para jush. Sikur të shijonit ëmbëlsinë e thënieve të Mëshirëplotit, ju pa ngurrim do të harronit vetveten dhe do të flijonit jetët tuaja për të Shumëdashurin.

Kush mund ta besojë që ky Shërbëtor i Perëndisë nuk ka ushqyer ndonjëherë në zemrën e Tij dëshirën për ndonjë nder apo përfitim tokësor? Kauza që lidhet me Emrin e Tij qëndron shumë më lart se sendet jetëshkurtëra të kësaj bote. Shikojeni Atë, një të mërguar, një viktimë të tiranisë, në këtë Burg të Madh. Armiqtë e Tij e kanë sulmuar nga çdo anë dhe do të vazhdojnë kështu deri në fund të jetës së Tij. Prandaj çdo gjë që Ai ju thotë është krejtësisht për hir të Perëndisë, që popujt e botës të pastrojnë zemrat e tyre nga njollat e dëshirave të liga, të grisin perdet e tyre dhe të arrijnë të njohin të vetmin Perëndi të vërtetë – pozita më e lartë që njeriu mund të aspi¬rojë. Besimi ose mosbesimi i tyre në Kauzën Time as më dëmton e as më sjell fitim Mua. Ne u bëjmë thirrje atyre vetëm për hir të Perëndisë. Ai, me të vërtetë, mund të bëjë pa të gjitha krijesat e Tij.

-~-

XXXVI. Dije se kur i Biri i Njeriut ia dha frymën e tij Perëndisë, mbarë krijimi vajtoi me ngashërim. Por duke flijuar Veten, Ai futi një fuqi të re në të gjitha gjërat e krijuara. Provat e saj, siç vërtetohet në të gjithë popujt e botës, tani janë të dukshme para teje. Urtia më e madhe që kanë treguar dijetarët, njohuritë më të thella që ndonjë mendje ka zbu¬luar, artet që kanë prodhuar duart më të shkathta, ndikimi i ushtruar nga sundimtarët më të fuqishëm, s’janë tjetër veçse shfaqje të fuqisë gjallëruese të çliruar nga shpirti i Tij i paarrit¬shëm, gjithdepërtues e i shndritshëm.

Ne dëshmojmë se kur erdhi në botë, Ai përhapi shkëlqimin e lavdisë së Tij mbi të gjitha gjërat e krijuara. Nëpërmjet Tij lebrozi u shërua nga lebra e mbrapshtisë dhe e injorancës. Nëpërmjet Tij të papastërtit e të ligjtë u shëruan. Me anë të fuqisë së Tij, të lindur nga Perëndia i Gjithëfuqishëm, sytë e të verbrit u hapën dhe shpirti i mëkatarit u shenjtërua.

Lebra mund të inter¬pretohet si një perde që ndërvihet midis njeriut dhe njohjes së Zotit, Perëndisë së tij. Kush i lejon vetes të shkëputet prej Tij është me të vërtetë një lebroz, i cili nuk do të kujtohet në Mbretërinë e Perëndisë, të Fuqishmit, të Gjithlëvduarit. Ne dëshmojmë që përmes Fuqisë së Fjalës së Perëndisë çdo lebroz u pastrua, çdo sëmundje u shërua, çdo gjymtim njerëzor u hoq. Është Ai që e pastroi botën. I bekuar është njeriu që me fytyrën që shkëlqen nga drita është kthyer drejt Tij.

-~-

XXXVII. I bekuar është njeriu që shpall besimin e tij te Perëndia e shenjat e Tij dhe e di se “Atij nuk do t’i kërkohet llogari për bëmat e Tij”. Një njohje të tillë Perëndia e ka bërë stolinë e çdo besimi dhe vetë themelin e tij. Nga kjo varet pranimi i çdo vepre të mirë. Mbërthejini sytë në këtë, se ndoshta kështu nuk shkisni në rrugë të gabuar nga pëshpëritjet e rebelëve.

Edhe sikur Ai të shpallte si të ligjshme atë që prej kohësh që s’mbahen mend ka qenë e ndaluar dhe të ndalonte atë që në çdo kohë ka qenë konsideruar si e ligjshme, askush nuk ka të drejtë të vërë në dyshim autoritetin e Tij. Kush do të ngurronte, qoftë edhe për më pak se një çast, do të shihej si shkelës.

Kushdo që nuk e ka njohur këtë të vërtetë sublime e themelore dhe nuk e ka arritur këtë pozitë kaq të lartësuar, do të rrëmbehet nga erërat e dyshimit dhe thëniet e të pabesëve do t’i tronditin shpirtin. Kush e ka njohur këtë parim, do të marrë dhuntinë e qëndrueshmërisë më të përsosur. Nder kësaj pozite lavdi¬plote, përmendja e së cilës stolis çdo Tabelë të lartësuar. Ky është mësimi që ju jep Perëndia, një mësim që do t’ju çlirojë prej çdo lloj dyshimi e mëdyshjeje dhe do t’ju japë mundësi të arrini shpëtimin si në këtë botë dhe në tjetrën. Ai, me të vërtetë, është Gjithmonëfalësi, Më Zemërgjeri.

-~-

XXXVIII. Dije me siguri se në çdo Dispensacion drita e Revelacionit Hyjnor u është dhënë njerëzve në përpjesëtim të drejtpërdrejtë me kapacitetin e tyre shpirtëror. Shikoni diellin. Sa të dobëta janë rrezet e tij në momentin kur ai shfaqet në horizont. Dhe si shtohen gradualisht ngrohtësia e fuqia e tij sa më shumë i afrohet zenitit, duke u dhënë mundësi të gjitha gjërave të krijuara t’i përshtaten intensitetit të dritës së tij që shkon në rritje. Po kështu ai zbret pak nga pak derisa arrin pikën ku perëndon. Sikur ai t’i shfaqte përnjëherësh të gjitha energjitë që fshihen brenda tij, do të dëmtonte, padyshim, të gjitha gjërat e krijuara. ... Po kështu sikur Dielli i së Vërtetës të shfaqte papritur, që në fazat e hershme të manifestimit të vet, tërë masën e forcave që i ka dhuruar providenca e të Fuqiplotit, trualli i të kuptuarit njerëzor do të shteronte e do të konsumohej; sepse zemrat e njerëzve nuk do të mund ta duronin intensitetin e revelacionit të Tij, as do të ishin në gjendje të pasqyronin shkëlqimin e kësaj drite. Të tronditura e të mposhtura, ato do të pushonin së ekzistuari.

-~-

XXXIX. Lëvduar qofsh, O Zot Perëndia im, për revelacionet mahnitëse të vendimit Tënd të padepërtueshëm dhe për vuajtjet e sprovat e shumta që Ti ke destinuar për Mua. Një herë Ti Më dorëzove në duart e Nimrodit; një herë tjetër lejove që të Më përndiqte shkopi i Faraonit. Vetëm Ti, përmes dijes Sate gjithpërfshirëse e veprimit të Vullnetit Tënd, mund të gjykosh për vuajtjet e pallogaritshme që kam hequr në duart e tyre. Përsëri je Ti që Më ke hedhur në qelinë e burgut të të pafeve, për të vetmin shkak që u prira t’u pëshpëris në vesh banorëve më të nderuar të Mbretërisë Sate një paralajmërim për vizionin me të cilin Ti, përmes dijes Sate, Më frymëzove dhe që Më revelove kuptimin e tij me anë të forcës së fuqisë Sate. Dhe përsëri Ti urdhërove që Mua të më pritej koka nga shpata e të pabesit. Pastaj u kryqëzova sepse zbulova para syve të njerëzve margaritarët e fshehur të unitetit Tënd të lavdishëm, sepse u zbulova atyre shenjat mahnitëse të pushtetit Tënd Sovran e të përjetshëm. Sa të hidhura ishin poshtërimet që m’u bënë Mua më pas në fushën e Karbilá·së! Sa të vetmuar e ndjeva veten midis njerëzve të Tu! Në ç’gjendje braktisjeje u katandisa në atë vend! Të pakënaqur me këto poshtërime, persekutuesit e Mi më prenë kokën dhe, duke e mbajtur atë në një hu, e shëtitën nga një vend në tjetrin para syve të turmave të jobesimtarëve, dhe e vendosën në poltronat e njerëzve të mbrapshtë e të pafe. Në një kohë të mëvonshme, Më lidhën të varur dhe gjoksi Im u bë tabelë qitjeje për shigjetat e mizorisë shpirtligë të armiqve të Mi. Gjymtyrët e Mia u bënë shoshë nga plumbat dhe trupi Im u copëtua. Më në fund, shih sesi në këtë Ditë armiqtë e Mi tradhtarë janë bashkuar kundër meje dhe vazhdimisht komplotojnë për të futur helmin e urrejtjes e të ligësisë në shpirtrat e shërbëtorëve të Tu. Ata përpiqen me të gjitha forcat t’ia arrijnë qëllimit të tyre… Sado e rëndë që është gjendja ime, O Perëndi, i Shumëdashuri Im, Unë të falenderoj dhe shpirti Im të është mirënjohës për çdo gjë që Më ka ndodhur në shtegun e asaj që dëshiron Ti. Unë jam plotësisht i kënaqur me atë që Ti ke paracaktuar për mua dhe mirëpres hidhërimet e mundimet që duhet ende të vuaj, sado të mjerueshme qofshin.

-~-

XL. O i Shumëdashuri Im! Ti ke fryrë brenda Meje fry¬mën Tënde dhe Më ke ndarë nga Vetja Ime. Pastaj urdhërove që vetëm një pasqyrim i dobët, thjesht një shenjë e realitetit Tënd brenda Meje të mbetej midis njerëzve të mbrapshtë e ziliqarëve. Shih sesi, të gënjyer nga kjo shenjë, ata u ngritën kundër Meje dhe hodhën mbi Mua mohimet e tyre! Zbuloje, pra, Veten Tënde, O i Shumë¬dashuri Im, dhe Më çliro nga fati Im i rëndë.

Pastaj një Zë u përgjigj: “Unë e dua, unë e kam shumë për zemër këtë shenjë. E si mund të pranoj Unë që vetëm sytë e Mi ta shohin këtë shenjë, dhe asnjë zemër tjetër, veç zemrës Sime, të mos e njohë atë? Për Bukurinë Time, që është e njëjtë me Bukurinë Tënde! Dëshira ime është që të të fsheh Ty nga vetë sytë e Mi: aq më tepër nga sytë e njerëzve!”

Unë po përgatitesha të përgjigjem, kur papritur Tabela mori fund, duke e lënë të pa¬për¬funduar temën Time e jashtë gjer¬danit margari¬tarin e Fjalës Sime.

-~-

XLI. Perëndia Më është dëshmitar, o njerëz! Unë po flija në shtratin Tim, kur ja, Flladi i Perëndisë fryu mbi Mua dhe Më zgjoi nga gjumi. Fryma e Tij gjallëruese Më përtëriu dhe gjuha Ime u zgjidh për të lëshuar thirrjen e Tij. Mos Më akuzoni se kam bërë mëkatë kundër Perëndisë. Mos Më shikoni me sytë tuaj, por me të Mitë. Kështu ju paralajmëron Ai që është i Hirshmi, i Gjithëdijshmi. Mos mendoni vallë, o njerëz, se Unë mbaj në dorën Time kontrollin e Vullnetit e të Qëllimit të fundit të Perëndisë? Larg Meje qoftë një pretendim i tillë. Dëshmoj për këtë para Perëndisë, Atij që është Fuqiploti, i Lavdë¬ruari, i Gjithëdijshmi, Urtiploti. Sikur fati i fundit i Besimit të Perëndisë të kishte qenë në duart e Mia, Unë kurrë nuk do të pranoja, qoftë edhe për një çast, të shfaqja veten Time para jush, as do të kisha lejuar qoftë edhe një fjalë të vetme të dilte prej buzëve të Mia. Për këtë Vetë Perëndia është, me të vërtetë, dëshmitar.

-~-

XLII. O Bir i Drejtësisë! Në kohë nate bukuria e Qenies së pavdekshme kaloi nga lartësia e smeraldtë e besnikërisë nën Sadratu’l-Muntahá dhe qau me aq ngashërim saqë Tubimi atje lart dhe banorët e mbretërive të epërme vajtuan për rënkimet e Tij. Dhe atëherë e pyetën përse qante e vajtonte? Ai u përgjigj: Siç qe kërkuar, ndenja në pritje mbi kodrën e besës, por nga ata që jetojnë mbi tokë nuk Më erdhi aroma e besnikërisë. I thirrur që të kthehem, Unë pashë ah, disa pëllumba të shenjtërisë të torturuar në kthetrat e qenve të tokës. E atëherë Vasha e Qiellit nxitoi të dalë, e shkëlqyer dhe e pambuluar, nga banesa e Saj mistike dhe pyeti për emrat e tyre, dhe iu thanë të gjithë përveç njërit. E kur nguli këmbë, u shqiptua germa e parë e tij, dhe banorët e dhomave qiellore vërshuan nga banesa e tyre e lavdisë. E kur u shqiptua germa e dytë, ata të gjithë ranë poshtë në pluhur. Në këtë çast një zë u dëgjua nga më e shenjta faltore: “Deri këtu e jo më tej.” Me të vërtetë, Ne dëshmojmë për atë që ata kanë bërë e që janë duke bërë tani.

-~-

XLIII. O Afnán, o ti që je degëzuar nga trungu Im i lashtë! Lavdia dhe dashamirësia Ime qofshin me ty. Sa i madh është faltorja e Kauzës së Perëndisë! Ai ka lëshuar hijen e vet mbi të gjithë popujt e fiset e tokës dhe së shpejti do të mbledhë nën strehën e tijj gjithë njerëzimin. Dita jote e shërbimit tashmë ka ardhur. Tabela të panumërta dëshmojnë për dhuntitë që të janë dhënë. Ngrihu për triumfin e Kauzës Sime dhe nënshtro zemrat e njerëzve me fuqinë e fjalës sate. Ti duhet të tregosh atë që do të sigurojë paqen dhe mirëqenien e të vuajturve e të të shtypurve. Përgatitu të bësh çdo përpjekje, se ndoshta çliron të burgosurin prej zinxhirëve dhe i jep mundësinë të arrijë lirinë e vërtetë.

Drejtësia, në këtë ditë, vajton fatin e saj të keq dhe Barazia rënkon nën zgjedhën e shtypjes. Retë e zeza të tiranisë kanë errësuar faqen e tokës dhe kanë mbështjellë popujt e saj. Me anë të lëvizjes së Pendës Sime të lavdisë Ne, sipas urdhërit të Urdhëruesit të gjithë¬fuqishëm, kemi flladitur një jetë të re në çdo formë njerëzore dhe kemi futur fuqi të re në çdo fjalë. Të gjitha gjërat e krijuara shpallin shenjat e kësaj rilindjeje të për¬botshme. Ky është lajmi më i madh, më i gëzu¬eshëm që i është dhënë njerëzimit nga penda e Këtij të munduari. Nga çfarë keni frikë, pra, o të shumëdashurit e Mi! Kush mund t’ju trembë ju? Një gjurmë lagë¬shtire mjafton për ta shkrirë koren e ngurtësuar me të cilën është brumosur kjo gjeneratë e mbrap¬shtë. Akti i thjeshtë që mblidheni së bashku është i mjaftueshëm për të shprishur forcat e këtyre njerëzve të kotë e pa vlerë…

Në këtë ditë, çdo njeri i kthjellët është i gatshëm të pranojë se këshillat që ka reveluar Penda e Këtij të munduari përbëjnë fuqinë gjallëruese supreme për përparimin e botës dhe lartësimin e popujve të saj. Ngrihuni, o njerëz, dhe, me pushtetin e fuqisë së Perëndisë, vendosni të triumfoni mbi vetveten, në mënyrë që gjithë bota të mund të çlirohet e të spastrohet nga nënshtrimi ndaj perëndive të fantazive të saj boshe – perëndi që i kanë shkaktuar humbje të mëdha dhe janë përgjegjëse për mjerimin e adhuruesve të tyre të pafat. Këta idhuj formojnë pengesën që e ndalon njeriun në përpjekjet e tij për të ecur përpara në shtegun e përsosurisë. Ne ushqejmë shpresën se Dora e fuqisë Hyjnore do të mund t’i japë njerëzimit ndihmën e saj dhe ta çlirojë atë nga gjendja e poshtërimit të tij të dhimbshëm.

Në njërën prej Tabelave janë reveluar këto fjalë: O njerëz të Perëndisë! Mos u merrni me gjërat tuaja; përqendrojini mendimet tuaja mbi atë që do të shërojë fatet e njerëzimit e do të shenjtërojë shpirtrat dhe zemrat e njerëzve. Kjo mund të arrihet më mirë përmes veprash të pastra e të shenjta, përmes një jete të virtytshme e një sjelljeje të mirë. Vepra trimërie do të sigurojnë triumfin e kësaj Kauze dhe një karakter i pastër do të përforcojë pushtetin e tij. Përmbajuni drejtësisë, o njerëz të Bahá·it! Kjo është me të vërtetë porosia që ju ka dhënë ky i munduar dhe e para që ka zgjedhur për secilin prej jush Vullneti i Tij i Padetyruar!

O miq! Ju duhet të ripërtërini e të ringjallni shpirtrat tuaj me favoret dashamirëse që po vërshojnë mbi ju në këtë Pranverë Hyjnore që zgjon shpirtrat. Dielli i lavdisë së Tij të madhe ka derdhur shkëlqimin e vet mbi ju dhe retë e hirit të Tij të pakufishëm ju kanë futur nën hijen e tyre. Sa i lartë është shpërblimi i atij që nuk ia ka mohuar vetes këtë bujari kaq të madhe dhe nuk ka munguar të njohë bukurinë e të Shumëdashurit të vet në këtë veshje të Tij të re. Kini mendjen, sepse i Ligu është në pritë, gati që t’ju zërë në grackë. Mbrohuni kundër mënyrave të tij dinake dhe, të udhëhequr nga drita e emrit të Perëndisë Që Sheh Gjithçka, ikni nga errësira që ju rrethon. Le të përfshijë shikimi juaj gjithë botën, në vend që të kufizohet në veten tuaj. I Ligu është ai që pengon rritjen dhe shkatërron progresin shpirtëror të bijve të njerëzve.

Në këtë ditë çdo njeri duhet të kapet fort pas gjithçkaje që u shërben interesave dhe lartëson pozitën e të gjitha kombeve dhe qeverive të drejta. Me secilin prej vargjeve që Penda e Më të Lartit ka reveluar, dyert e dashurisë e të unitetit janë hapur para njerëzve. Ne e kemi deklaruar – dhe Fjala Jonë është e vërteta: “Mbani marrëdhënie me pasuesit e të gjitha feve në një frymë miqësie e shoqërie.” Çdo gjë që i ka bërë bijt e njerëzve t’i shmangen njëri-tjetrit dhe që ka shkaktuar mosmarrë¬veshje e ndarje në mes tyre është anuluar e hequr përmes revelimit të këtyre fjalëve. Nga qielli i Vullnetit të Perëndisë, dhe me qëllim që të fisnikërohet bota e qenieve e të lartësohen mendjet e shpirtrat e njerëzve, është dërguar ai që është instrumenti më efektiv për edukimin e mbarë racës njerëzore. Thelbi më i lartë dhe shprehja më e përsosur e gjithçkaje që popujt e së kaluarës kanë thënë ose shkruar është dërguar, me anë të këtij Revelacioni më të fuqishëm, nga qielli i Vullnetit të Perëndisë Gjithzotërues e të Përherëpranishëm. Në të shkuarën është reveluar: “Të duash vendin tënd është një element i Besimit te Perëndia.” Por Gjuha e Madhë¬shtisë, në ditën e Manifestimit të Saj, ka shpallur: “Nuk duhet të krenohet ai që do vendin e vet, por ai që do gjithë botën.” Me anë të fuqisë së çliruar nga këto fjalë të larta, Ai i ka dhënë një shtytje të re e i ka hapur një drejtim të ri zogjve të zemrave njerëzore, duke fshirë çdo gjurmë ngushtimi e kufizimi nga Libri i shenjtë i Perëndisë.

O njerëz të Drejtësisë! Shndritni si drita dhe shkëlqeni si zjarri që digjej në Drizën e Përflakur. Shkëlqimi i zjarrit të dashurisë suaj padyshim do t’i shkrijë e bashkojë popujt dhe fiset e përçarë të tokës, ndërsa egërsia e flaka e armiqësisë dhe e urrejtjes mund të çojnë vetëm në luftë e rrënim. Ne i lutemi Perëndisë t’i mbrojë krijesat e Veta nga synimet keqdashëse të armiqve të Tij. Ai me të vërtetë ka pushtet mbi të gjitha gjërat.

Lëvduar qoftë i Vetmi Perëndi i vërtetë, u lartësoftë lavdia e Tij, që me Pendën e Më të Lartit ka hapur dyert e zemrave njerëzore. Çdo varg që ka reveluar kjo Pendë është një portë e shndritshme dhe e shkëlqyeshme që hap pamjen e lavdive të një jete të shenjtë e të devotshme, të veprave të pastra e të panjolla. Thirrjet dhe mesazhi që Ne kemi lëshuar nuk kanë pasur kurrë për qëllim të arrijnë ose t’u sjellin përfitim vetëm një vendi ose një populli. Mbarë njerëzimi duhet t’i përmbahet fort gjithçkaje që i është reveluar e akorduar. Atëherë e vetëm atëherë ai do të arrijë lirinë e vërtetë. Gjithë bota është ndriçuar nga lavdia e shndritshme e Revelacionit të Perëndisë. Në vitin gjashtë¬dhjetë, Ai që para¬lajmëroi dritën e Udhërrëfimit hyjnor – gjithë krijimi u bëftë fli për Të – u ngrit për të shpallur një revelacion të ri të Shpirtit Hyjnor dhe u pasua njëzet vjet më vonë prej Atij, me ardhjen e të Cilit botës iu dhurua lavdia e premtuar, ky favor mahnitës. Shikoni sesi shumicës së njerëzve i ishte dhënë aftësia për të dëgjuar Fjalën më të lartësuar të Perëndisë – Fjalën nga e cila varet bashkimi dhe ringjallja shpirtërore e të gjithë njerëzve..

Le të priren zemrat tuaja, o njerëz të Perëndisë, ndaj këshillave të Mikut tuaj të vërtetë e të pashoq. Fjala e Perëndisë i ngjet një fidani, rrënjët e të cilit janë mbjellë në zemrat e njerëzve. Është detyra juaj ta ndihmoni rritjen e tijj me ujërat e gjalla të urtisë, të fjalëve të kulluara e të shenjta, në mënyrë që rrënjët e tij të mund të ngulen thellë dhe degët e saj të përhapen deri në qiell e më tej.

O ju që banoni mbi tokë! Tipari dallues që shquan karakterin mbizotërues të këtij Revelacioni Suprem qëndron në faktin që Ne, nga njëra anë, kemi fshirë nga faqet e Librit të shenjtë të Perëndisë gjithçka që ka qenë shkak grindjeje, dashaligësie e mbrapshtie midis bijve të njerëzve dhe, nga ana tjetër, kemi parashtruar kërkesat thelbësore të harmonisë, të mirëkuptimit, të unitetit të plotë e të qëndrueshëm. Lum ata që u përmbahen ligjeve të Mia.

Vazhdimisht Ne kemi këshilluar të dashurit Tanë që t’i shmangen, madje t’i largohen me nxitim, çdo gjëje që bie sadopak erë ligësi. Bota është në rrëmujë të madhe dhe mendjet e njerëzve janë në pështjellim të plotë. Ne i lutemi të Fuqiplotit që Ai t’i ndriçojë mirësisht ata me lavdinë e Drejtësisë së Tij dhe t’i lejojë të kuptojnë atë që do t’u sjellë atyre përfitim në çdo kohë e në të gjitha rrethanat. Ai, me të vërtetë, është Gjithëzotëruesi, Më i Larti.

-~-

XLIV. Mos e lini mënjanë frikën ndaj Perëndisë, o ju të diturit e botës, dhe gjykojeni me drejtësi Kauzën e këtij analfabeti, për të cilën gjithë Librat e Perëndisë, Mbrojtësit, të Vetëqenëshmit, kanë dëshmuar. ... A nuk do t’ju kapë ju frika e pakënaqësisë Hyjnore, tmerri i Atij që s’ka shok as të ngjashëm? Ai Që bota e ka poshtëruar, asnjëherë nuk është shoqëruar me ju, kurrë nuk i ka studiuar shkrimet tuaja, as ka marrë pjesë në diskutimet që bënit. Rrobat që mban, flokët e Tij të derdhur, kësula e Tij, dëshmojnë për drejtësinë e fjalëve të Tij. Për sa kohë ende do të ngulni këmbë në padrejtësinë tuaj? Shihni banesën, në të cilën Ai që është mishërimi i drejtësisë ka qënë detyruar të banojë. Hapini sytë dhe, duke parë gjendjen e Tij të keqe, meditoni me kujdes për atë që kanë bërë duart tuaja, që të mos privoheni nga drita e thënieve të Tij Hyjnore, as të mos mbeteni pa pjesën tuaj nga oqeani i dijes së Tij.

Njerëz të caktuar nga të rëndomtët dhe fisnikët, kanë kundërshtuar duke thënë se ky i munduar nuk është as anëtar i ndonjë urdhëri fetar dhe as pasardhës i Profetit. Thuaj: O ju që pretendoni të jeni të drejtë! Reflektoni për një çast dhe do ta kuptoni se sa pafundësisht më e lartë është gjendja e tij e tanishme në krahasim me pozitën që ju pretendoni se duhej të kishte. Vullneti i të Fuqiplotit ka vendosur që prej një shtëpie krejt të privuar nga çdo gjë, që zotërojnë zakonisht teologët, doktorët, të urtët e të shkolluarit, do të dalë e do të manifestohet Kauza e Tij.

Flladet e Shpirtit Hyjnor e zgjuan Atë dhe e urdhëruan të ngrihet e të shpallë Revelacionin e Tij. Sapo u zgjua nga dremitja, Ai ngriti zërin e Tij dhe i bëri thirrje mbarë njerë¬zimit drejt Perëndisë, Zotit të të gjitha botëve. Ne u shtytëm t’i revelojmë këto fjalë duke pasur parasysh dobësinë dhe brishtësinë e njerëzve; ndryshe Kauza që kemi shpallur është e tillë që asnjë pendë nuk mund ta përshkruajë dhe asnjë mendje nuk mund ta përfytyrojë madhështinë e saj. Për këtë dëshmon Ai me të Cilin është Libri Mëmë.

-~-

XLV. Bukuria e Lashtë ka pranuar të lidhet me zinxhirë që njerëzimi të çlirohet nga zgjedha dhe ka pranuar të burgoset në këtë Fortesë të llahtarshme që gjithë bota të arrijë lirinë e vërtetë. Ai e ka pirë me fund kupën e dhimbjes që gjithë popujt e tokës të arrijnë gëzimin e përjetshëm e të mbushen me hare. Kjo bëhet me dashjen e Zotit tuaj, Zemërdhemb¬shurit, Më të Mëshirshmit. Ne kemi pranuar të na poshtërojnë, o ju që besoni në Unitetin e Perëndisë, që ju të lartësoheni, dhe Ne kemi hequr vuajtje të shumta që juve t’ju ecë mbarë e të begatoheni. Shihni sesi Ai që ka ardhur për të ndërtuar sërish mbarë botën, është detyruar, nga ata që e vënë veten në një radhë me Perëndinë, të jetojë në qytetet më të shkretuara.

-~-

XLVI. Unë nuk pikëllohem për barrën Time të burgimit. As Më vjen keq për vuajtjet që po heq nga duart e armiqve të Mi. Për jetën Time! Ato janë lavdia Ime, një lavdi me të cilën Perëndia ka stolisur Veten e Tij. Sikur ta dinit këtë!

Poshtërimi që Më është bërë ka zbuluar lavdinë me të cilën është veshur gjithë krijimi, dhe nëpërmjet vuajtjeve që Unë kam duruar Dielli i Drejtësisë ka manifestuar veten e ka derdhur shkëlqimin e tij mbi njerëzit.

Keqardhja ime është për ata që janë rrëmbyer nga pasionet e tyre të zvetënuara dhe preten¬dojnë të jenë pjesë e Besimit të Perëndisë, të Mirit, të Gjith¬lëvduarit.

U takon njerëzve të Bahá·it të vdesin për botën e për gjithçka ndodhet në të, të jenë aq të shkëputur nga gjërat tokësore saqë banorët e Parajsës të thithin nga rrobat e tyre aromën e ëmbël të shenjtërisë, saqë gjithë njerëzit e tokës të njohin në fytyrat e tyre shkëlqimin e Mëshirëplotit dhe përmes tyre të përhapen shenjat dhe simbolet e Perëndisë, të Fuqiplotit, Urtiplotit. Ata që, duke rendur pas epsheve të mishit, kanë njollosur emrin e mirë të Kauzës së Perëndisë, janë në gabim të dukshëm.

-~-

XLVII. O hebrenj! Në qoftë se keni për qëllim ta kryqëzoni edhe një herë Jesuin, Shpirtin e Perëndisë, më vritni Mua, sepse Ai është shfaqur përsëri para jush në personin Tim. Bëni ç’të doni me Mua, sepse Unë jam betuar të flijoj jetën Time në shtegun e Perëndisë. Unë nuk do t’i trembem askujt, edhe sikur fuqitë e tokës e të qiellit të radhiten kundër Meje. Pasues të Ungjillit! Në qoftë se ushqeni dëshirën të vrisni Muhametin, Apostullin e Perëndisë, më kapni Mua dhe jepini fund jetës Sime, sepse Unë jam Ai dhe Vetja Ime është Vetja e Tij. Bëni ç’të doni me Mua, sepse dëshira më e madhe e zemrës Sime është të arrijë praninë e të Shumëdashurit Tim në Mbretërinë e Tij të Lavdisë. I tillë është vendimi Hyjnor, sikur ta dinit atë. Pasues të Muhametit! Nëse dëshironi të bëni shoshë me shigjetat tuaja gjoksin e Atij që ju ka dërguar Librin e Tij, Bayán·in, vini dorë mbi Mua dhe më perksekutoni, sepse Unë jam i Shumëdashuri i Tij, Shfaqja e Vetes së Tij, edhe pse emri Im nuk është emri i Tij. Unë kam ardhur i mbështjellur nga retë e lavdisë dhe jam veshur nga Perëndia me sovranitet të pamposhtur. Me të vërtetë, Ai është e Vërteta, Njohësi i gjërave të padukshme. Unë, me të vërtetë, pres nga ju trajtimin që i keni bërë Atij që erdhi para meje. Për këtë, me të vërtetë, dëshmojnë të gjitha gjërat, nëse jeni ndër ata që dëgjojnë. O njerëz të Bayán·it! Nëse ju keni vendosur të derdhni gjakun e Atij, ardhjen e të Cilit ka shpallur Báb·i, shfaqjen e të Cilit ka profetizuar Muhameti dhe Revela¬cionin e të Cilit ka lajmëruar vetë Jesu Krishti, shikomëni Mua që qëndroj i gatshëm e i pambrojtur para jush. Bëni me Mua si t’ju dojë qejfi.

-~-

XLVIII. Perëndia Më është dëshmitar! Po të mos ishte në kundër shtim me atë që është vendosur në Tabelat e Perëndisë, Unë do t’i puthja duart me gjithë qejf cilitdo që do të përpiqej të derdhte gjakun Tim në shtegun e të Shumëdashurit. Për më tepër, do t’i jepja atij një pjesë të të mirave tokësore që Perëndia Më ka lejuar të kem, edhe sikur ai që do ta bënte këtë veprim të shkaktonte zemërimin e të Fuqiplotit, të pësonte mallkimin e Tij dhe të meritonte të torturohej gjatë tërë përjetësisë së Perëndisë, Gjithzotëruesit, të Paanshmit, Urtiplotit.

-~-

XLIX. Dije me të vërtetë se, saherë që ky i Ri i kthen sytë nga vetja e Tij, ai sheh se është gjëja më e pa¬rëndë-sishme e gjithë krijimit. Por, kur Ai sodit shkëlqimet e ndritshme që ka pasur fuqinë të manifestojë, ja, kjo qenie shndërrohet para Tij në një Pushtet sovran që përshkon thel¬bin e të gjitha gjërave të dukshme e të padukshme. Lavdi i qoftë Atij, që me fuqinë e së vërtetës ka dërguar Manifestimin e Vetes së Tij dhe ia ka besuar atë me Mesazhin e Tij gjithë njerëzimit.

-~-

L. Shkunduni, o të plogësht, nga gjumi i neglizhencës, që të mund të shihni shkëlqimin që lavdia e Tij ka përhapur në mbarë botën. Sa të marrë janë ata që mërmërisin kundër lindjes së parakohshme të dritës së Tij. O ju që jeni të verbër nga brenda! Herët a vonë qoftë, provat e lavdisë së Tij të ndritshme tani janë me të vërtetë të dukshme. Ju takon juve të siguroheni nëse një dritë e tillë është shfaqur. Nuk është as në dorën tuaj as në Timen të përcaktojmë kohën kur ajo duhej të shfaqej. Urtia e padepër¬tueshme e Perëndisë e ka për¬caktuar që më parë orën e saj. Jini të kënaqur, o njerëz, me atë që Perëndia ka dëshiruar e ka para¬caktuar për ju… O ju që Më doni të keqen! Dielli i Udhërrëfimit të përjetshëm Më është dëshmitar: Po të ishte në dorën time, Unë kurrë nuk do të pranoja ta dalloja veten time midis njerëzve, sepse Emri që mbaj nuk denjon në asnjë mënyrë ta shoqërojë veten me këtë gjeneratë me gjuhë të fëlliqura e me zemra të rreme. Dhe saherë kam vendosur të qëndroj i heshtur e i qetë, ja, zëri i Shpirtit të Shenjtë, duke qëndruar në krahun Tim të djathtë, Më ka shkundur dhe Shpirti Suprem Më ka dalë përpara, dhe Gabrieli Më ka futur nën hijen e tij, dhe Shpirti i Lavdisë ka lëvrirë brenda Meje, duke Më urdhëruar të ngrihem e të thyej heshtjen time. Sikur dëgjimi juaj të ishte i mprehtë e veshët tuaj të vëmendshëm, ju me siguri do ta vinit re se çdo gjymtyrë e trupit tim, madje të gjitha atomet e qenies sime, shpallin e dëshmojnë këtë thirrje: “Perëndia, veç të Cilit nuk ka Perëndi tjetër, dhe Ai, bukuria e të Cilit është tani e dukshme, është pasqyrimi i lavdisë së Tij në sytë e të gjithë atyre që janë në qiell e mbi tokë.”

-~-

LI. O njerëz! Unë betohem për të vetmin Perëndi të vërtetë! Ky është oqeani prej të cilit kanë rrjedhur të gjithë detrat e me të cilin çdonjëri prej tyre do të bashkohet më në fund. Prej Tij kanë lindur të gjithë Diejt dhe tek Ai do të kthehen. Përmes fuqisë së Tij Pemët e Revelacionit Hyjnor kanë dhënë frytet e tyre, çdonjëri prej të cilëve është dërguar në trajtën e një Profeti që barte një Mesazh për krijesat e Perëndisë në çdo botë, numrin e të cilave vetëm Perëndia, me Dijen e Tij gjithë¬përfshirëse, mund ta lloga-risë. Ai e ka kryer këtë me anë të një Germe të vetme të Fjalës së Tij, të reveluar prej Pendës së Tij – pendë e lëvizur nga Gishti i Tij drejtues – e vetë Gishti i Tij i mbështetur nga pushteti i së Vërtetës së Perëndisë.

-~-

LII. Thuaj: “O njerëz! Mos u largoni nga hiri i Perëndisë e nga mëshira e Tij. Kush u largohet pëson me të vërtetë një humbje të dhimbshme. Çfarë, o njerëz! Adhuroni pluhurin dhe largoheni nga Zoti juaj, i Hirshmi, Bujari¬ploti? Rrini në frikë të Perëndisë dhe mos jini ndër ata që humbin jetën. Thuaj: Libri i Perëndisë është dërguar në trajtën e këtij të Riu. Shenjtëruar qofsh, pra, O Perëndi, më i përsosuri i gjithë krijuesve! Kini mendjen, o popuj të botës, se mos largoni shikimin nga fytyra e Tij. Përkundrazi, nxitoni të arrini në praninë e Tij dhe jini ndër ata që janë kthyer tek Ai. Lutjuni t’ju falin, o njerëz, që nuk keni kryer detyrën tuaj ndaj Perëndisë, që keni mëkatuar kundër Kauzës së Tij, dhe mos u bëni të marrë. Ai ju ka krijuar; Ai i ka ushqyer shpirtrat tuaj me Kauzën e Tij dhe ju ka bërë të aftë të njihni Atë, që është Fuqiploti, Më i Lartësuari, i Gjithëdijshmi. Është Ai që ka zbuluar para syve tuaj thesaret e dijes së Tij dhe ka bërë që ju të ngjiteni në qiellin e sigurisë – të sigurisë së Besimit të Tij të pamposhtur, të pakundër¬shtue¬shëm e tepër të lartësuar. Kujdes që të mos e privoni veten nga hiri i Perëndisë, që të mos asgjësoni veprat tuaja dhe mos mohoni të vërtetën e këtij Revelacioni më të dukshëm, të lartë, të ndritshëm e të lavdishëm. Gjykojeni drejt Kauzën e Perëndisë, të Krijuesit tuaj, shikojeni atë që ju është dërguar nga Froni atje lart, dhe meditoni me zemra të kulluara e të dëlira. Atëherë e vërteta e Kauzës do të shfaqet para jush e dukshme si dielli në lavdinë e mesditës. Atëherë do të jeni ndër ata që kanë besuar tek Ai.

Thuaj: Dëshmia e parë e më e madhe që provon të vërtetën e Tij është vetë Vetja e Tij. Pas kësaj dëshmie vjen Revelacioni i Tij. Për ata që nuk arrijnë të njohin as njërën as tjetrën, Ai ka për¬piluar, si provë të realitetit e të së vërtetës së tij, fjalët që ka reveluar. Kjo është, me të vërtetë, një dëshmi e mëshirës së Tij të dhimb¬sur për njerëzit. Ai ka pajisur çdo shpirt me aftësinë për të njohur shenjat e Perëndisë. Ndryshe si do të mundej Ai të përmbushte dësh¬minë e Tij për njerëzit, po të jeni ndër ata që e peshojnë në zemër Kauzën e Tij. Ai nuk do të veprojë kurrë padrejtësisht me ndokënd, as do të ngarkojë asnjë shpirt tej asaj që mund të mbajë. Ai është, me të vërtetë, i Dhembshuri, Mëshirë¬ploti.

Thuaj: Kaq e madhe është lavdia e Kauzës së Perëndisë, saqë edhe i verbëri mund ta shohë atë, aq më tepër ata që kanë shikim të mprehtë e pamje të qartë. Të verbërit, megjithëse jo në gjendje të shohin dritën e diellit, janë, megjithatë, të aftë të ndiejnë ngroh¬tësinë e tij të vazh-dueshme. Megjithatë, të verbërit në zemër midis njerëzve të Bayán·it, pavarë¬sisht sa gjatë dielli shkëlqen mbi ta, – dhe Perëndia Më është dësh¬mitar për këtë – janë të pafuqi¬shëm, qoftë që të shohin shkëlqimin e lavdisë së tij, qoftë që të vlerësojnë ngrohtësinë e rrezeve të tij.

Thuaj: O njerëz të Bayán·it! Ne ju kemi zgjedhur në botë që të njihni e të kuptoni Veten Tonë. Ne kemi bërë që ju të afroheni në krahun e djathtë të Parajsës – vendit jashtë të cilit Zjarri i pashuar thërret me zëra të ndryshëm: “Nuk ka Perëndi tjetër veç Meje, të Fuqiplotit, Më të Lartit!” Kini kujdes, mos e lejoni veten të ndaheni me një perde nga Dielli që ndriçon mbi agimin e Vullnetit të Zotit tuaj, Mëshirë¬plotit, dhe drita e të cilit ka përfshirë të madh e të vogël. Pastrojeni shikimin tuaj, që të mund të shihni lavdinë e Tij me sytë tuaja, dhe mos u mbështetni në shikimin e askujt veç tuajit, sepse Perëndia kurrë nuk ka ngarkuar ndonjë shpirt më tepër nga sa ai mban. Kjo u është dërguar Profetëve e Lajmëtarëve të Lashtësisë dhe është shkruar në të gjitha Shkrimet.

Përpiquni, o njerëz, të arrini të hyni në këtë Pafundësi të pasosur, për të cilën Perëndia nuk ka vendosur as fillim as fund, në të cilën është ngritur zëri i Tij dhe mbi të cilën janë përhapur aromat e ëmbla të shenjtërisë e të lavdisë. Mos u zhvishni nga Petku i madhështisë, as mos lejoni që zemrat tuaja të privohen nga kujtimi i Zotit tuaj, e as që veshët tuaj të mos dëgjojnë meloditë e ëmbla të Zërit të Tij mahnitës, sublim, të fuqishëm, të qartë e aq elokuent.

-~-

LIII. O Naṣír, o shërbëtori Im! Perëndia, e Vërteta e Përjet shme, Më është dëshmitar. I Riu Qiellor ka ngritur në këtë Ditë mbi kokat e njerëzve Kupën e lavdishme të Pavdekësisë dhe po qëndron në pritje në ndenjësen e Tij, duke parë se cili sy do ta njohë lavdinë e tij dhe cili krah do të zgjatet pa ngurrim për të marrë kupën nga Dora e Tij e bardhë si bora e për ta pirë. Vetëm pak kanë pirë gjer tani nga ky hir i pashoq e i rrjedhshëm i Mbretit të Lashtë. Ata rrinë në banesat më të larta të Parajsës dhe janë vendosur fort në fronet e autoritetit. Për Drejtësinë e Perëndisë! As pasqyrat e lavdisë së Tij, as reveluesit e emrave të Tij, as ndonjë gjë e krijuar, që ka qenë ose që mund të krijohet ndonjëherë, kurrë nuk mund t’ua kalojë atyre, po qetë ndër ata që e kuptojnë këtë të vërtetë.

O Naṣír! Shkëlqimi i kësaj dite është lartësuar pafundësisht tej logjikës së njerëzve, sado e gjerë qoftë dija e tyre e sado i thellë të kuptuarit e tyre. Aq më shumë duhet t’i kapërcejë ajo përfytyrimet e atyre që i janë larguar dritës së saj e janë ndarë nga lavdia e saj! Sikur ti ta grisje perden e trashë që errëson pamjen tënde, do të shihje një bujari të tillë, së cilës asgjë nuk mund t’i shembëllejë e as të krahasohet me të, që nga fillimi që nuk ka fillim deri në fundin që nuk ka fund. Ç’gjuhë duhej të zgjidhte për të folur Ai, që është Zëdhënësi i Perëndisë, në mënyrë që ata që janë të ndarë prej Tij si me një perde të mund të njohin lavdinë e Tij? Të drejtët, banorë të Mbretë¬risë qiellore, do të pinë pa kursim nga Vera e Shenjtërisë, në emrin Tim, të Lavdiplotit. Askush tjetër veç tyre nuk do të përfitojë nga këto të mira.

-~-

LIV. Për drejtësinë e Perëndisë, të Shumëdashurit tim! Unë nuk kam aspiruar kurrë për udhëheqje tokë¬sore. Qëllimi im i vetëm ka qenë t’u çoj njerëzve atë që më ishte urdhëruar nga Perëndia, i Hirshmi, i Pakrahasueshmi, t’u çoja, për t’i shkëputur ata nga gjithçka që i përket kësaj bote dhe për t’i bërë të arrijnë lartësi të tilla që as të pafetë nuk mund t’i kuptojnë, as të pabindurit t’i përfytyrojnë.

-~-

LV. Sill ndërmend, o Tokë e Ṭá·së (Ṭihrán), ditët e shkuara, kur Zoti yt të pat bërë ty selinë e fronit të Tij dhe të pat mbështjellë me ndriçimin e lavdisë së Vet. Sa i madh është numri i atyre qenieve të shenjtëruara, i atyre simboleve të sigurisë, që nga dashuria e madhe për ty kanë flijuar jetën e tyre e kanë sakrifikuar gjithçka për hatrin tënd! Gëzimi qoftë me ty dhe lumturia me ata që jetojnë brenda teje. Unë dëshmoj se prej teje, siç e di çdo zemër e ndriçuar, përhapet fryma e jetës e Atij Që është Dëshira e botës. Aty është reveluar e padukshmja dhe prej teje ka dalë ajo që ishte e fshehur nga sytë e njerëzve. Cilin do të kujtojmë nga numri i madh i atyre që të kanë dashur, gjaku i të cilëve është derdhur brenda mureve të tua dhe pluhuri i të cilëve është fshehur nën truallin tënd? Aromat e ëmbla të Perëndisë janë përhapur pareshtur dhe do të vazhdojnë të përhapen përjetë mbi ty. Penda Ime priret të të lavdërojë ty dhe të lartësojë viktimat e tiranisë, ata burra e gra që flenë nën pluhurin tënd.

Në mes të tyre është motra Jonë, që e kujtojmë tani në shenjë të besnikërisë Sonë e si provë të dashamirësisë Sonë për të. Sa i vajtueshëm qe fati i saj! Në ç’gjendje nënshtrimi ndaj fatit u kthye ajo te Perëndia i saj! Vetëm Ne, me dijen Tonë Gjithpër¬fshirëse, e kemi ditur këtë.

O Tokë e Ṭá·së! Ti je ende, me hir të Perëndisë, një qendër rreth së cilës mblidhen të dashurit e Tij. Lum ata; lum çdo refugjat që, në vuajtjet e tij në shtegun e Perëndisë, të Zotit të kësaj Dite të mahnitshme, kërkon strehë tek ti! Të bekuar janë ata që kujtojnë të vetmin Perëndi të vërtetë, që madhërojnë Emrin e Tij dhe përpiqen t’i shërbejnë me zell Kauzës së Tij. Këtyre njerëzve u janë referuar Librat e shenjtë. Për ta Komandanti i Besnikëve ka shprehur lavdërimin e Tij, duke thënë: “Bekimet që i presin ata i kapërcejnë bekimet që gëzojmë ne tani.” Ai, me të vërtetë, ka thënë të vërtetën, dhe për këtë dëshmojmë Ne tani. Por Lavdia e pozitës së tyre ende nuk është zbuluar. Dora e Pushtetit Hyjnor, me siguri, do ta ngrejë perden dhe do të ekspozojë para syve të njerëzve atë që do të gëzojë e ndriçojë syrin e botës.

Falëndero Perëndinë, Të Vërtetën e Përjetshme, u lartësoftë lavdia e Tij, që keni fituar një favor kaq të mahnitshëm dhe jeni zbukuruar me stolinë e lëvdatës së Tij. Vlerësojeni vleftën e këtyre ditëve dhe përmbajuni gjithçkaje që i përshtatet këtij Revelacioni. Ai, me të vërtetë, është Këshilluesi, i Mëshirshmi, i Gjithëdijshmi.

-~-

LVI. Mos u brengos për asgjë, o tokë e Ṭá·së (Ṭihrán), sepse Perëndia të ka zgjedhur të jesh burim i gëzimit të mbarë njerëzimit. Ai, në qoftë ky Vullneti i Tij, ka për ta bekuar fronin tënd me dikë që do të sundojë me drejtësi dhe do të mbledhë grigjën e Perëndisë, që ujqit e kanë shpërndarë. Ai sundimtar do ta kthejë me gëzim e hare shikimin nga njerëzit e Bahá·it dhe do të shtrijë mbi ta favoret e tij. Ai me të vërtetë konsiderohet në sytë e Perëndisë si një gur i çmuar midis njerëzve. Mbi të qëndroftë përjetë lavdia e Perëndisë dhe lavdia e të gjithë atyre që banojnë në mbretërinë e Revelacionit të Tij.

Gëzohu me hare të madhe, sepse Perëndia të bëri ty “Agimin e dritës së Vet”, përderisa brenda teje lindi Manifestimi i Lavdisë së Tij. Ji e gëzuar për këtë emër që të është dhënë, një emër, përmes të cilit Ylli i Ditës i Mirësisë ka lëshuar shkëlqimin e vet dhe tokë e qiell janë ndriçuar.

Së shpejti gjendja e punëve brenda teje do të ndryshojë dhe frerët e pushtetit do të bien në duart e popullit. Me të vërtetë, Zoti yt është i Gjithëdijshmi. Pushteti i Tij përfshin të gjitha gjërat. Të jesh e sigurt për favorin dashamirës të Zotit tënd. Syri i mirëdashjes së Tij do të drejtohet përgjithmonë tek ti. Po afron dita kur trazimi yt do të shndërrohet në paqe e qetësi të plotë. Kështu është dekretuar në Librin e mrekullueshëm.

-~-

LVII. Kur të jesh larguar nga oborri i Pranisë Sime, o Muhamet, drejtoi hapat nga Shtëpia Ime (Shtëpia e Baghdád·it) dhe vizitoje atë në emër të Zotit tënd. Kur të arrish te porta e saj, qëndro aty dhe thuaj: Ku ka shkuar Bukuria e Lashtë, o Shtëpia më e madhe e Perëndisë, Ai për të Cilin Perëndia të ka bërë ty qendrën e një bote në adhurim dhe të ka shpallur si shenjë e kujtimit të Tij për të gjithë ata që janë në qiell e mbi tokë? Oh! për ditët e shkuara, kur ti, o Shtëpi e Perëndisë, qe bërë stoli i këmbëve të Tij, ditë kur melodia e Mëshirë¬plotit përhapej pareshtur valë-valë prej teje! Ç’ka ndodhur me margaritarin tënd, lavdia e të cilit ka ndriçuar gjithë krijimin? Ku kanë shkuar ditët kur Ai, Mbreti i Lashtë, të pat bërë ty fronin e lavdisë së Vet, ditët në të cilat Ai të pat zgjedhur vetëm ty si pishtar të shpëtimit midis tokës e qiellit dhe pat bërë që ti të shpërndash në agim e në mbrëmje aromën e ëmbël të Lavdiplotit?

Ku është, o Shtëpi e Perëndisë, Dielli i madhështisë e i fuqisë që të kishte rrethuar me shkëlqimin e pranisë së Tij? Ku është Ai, Agimi i mëshirës së dhembshur të Zotit tënd, të Padetyrueshmit, që pat vendosur selinë e Vet brenda mureve të tua? Ç’ka ndodhur, o fron i Perëndisë, që ka ndryshuar shëmbëlltyrën tënde dhe ka bërë të lëkunden shtyllat e tua? Çfarë ka mundur të mbyllë portën tënde para fytyrës së atyre që të kërkojnë me zell? Çfarë të ka bërë kaq të shkretuar? A është e mundur të të kenë thënë se i Shumëdashuri i botës ndiqet nga shpatat e armiqve të Tij? Zoti të bekoftë, dhe bekoftë besnikërinë tënde ndaj Tij, sepse ti ke mbetur shoqëruesja e Tij në të gjitha hidhërimet dhe vuajtjet e Tij.

Unë dëshmoj se ti je selia e lavdisë së Tij qiellore, banesa e Tij më e shenjtë. Prej teje është ndierë Fryma e Lavdiplotit, një Frymë që është përhapur mbi të gjitha gjërat e krijuara dhe ka mbushur me gëzim gjokset e besnikëve që jetojnë në banesat e Parajsës. Tubimi i epërm dhe ata që jetojnë në qytetet e Emrave të Perëndisë qajnë për ty dhe vajtojnë për ato që të kanë ndodhur.

Ti je ende simboli i emrave e i atributeve të të Fuqiplotit, Pika drejt së cilës janë drejtuar sytë e Zotit të tokës e të qiellit. Ty të ka ndodhur ajo që i ka ndodhur Arkës në të cilën Perëndia kishte vendosur premtimin e sigurisë. Lum ai që e kap kuptimin e këtyre fjalëve dhe njeh qëllimin e Atij që është Zoti i gjithë krijimit.

Të lumtur janë ata që thithin nga ti aromat e ëmbla të të Mëshirshmit, që njohin lartësimin tënd, që ruajnë shenjtërinë tënde dhe nderojnë vazhdimisht pozitën tënde. Ne i lutemi të Fuqiplotit të bëjë që sytë e atyre që janë larguar prej teje dhe nuk kanë çmuar vlerën tënde të hapen, që ata të mund të të njohin ty dhe Atë Që me fuqinë e së vërtetës të ka ngritur ty aq lart. Të verbër janë me të vërtetë ata që, duke qenë pranë teje, nuk të njohin fare ty në këtë ditë. Zoti yt është, me të vërtetë, i Hirshmi, Zemër-dhemb¬shuri.

Unë dëshmoj se nëpërmjet teje Zoti ka vënë në provë zemrat e shërbëtorëve të Tij. I bekuar qoftë njeriu që i drejton hapat nga ti e të viziton. Mjerë ai që mohon të drejtën tënde, që largohet prej teje, që shnderon emrin tënd dhe dhunon shenjtërinë tënde.

Mos u hidhëro, o Shtëpi e Perëndisë, në qoftë se perdja e shenjtërisë sate do të griset nga të pabesët. Perëndia, në botën e krijimit, të ka stolisur ty me gurin e çmuar të kujtimit të Tij. Një stoli të tillë askush kurrë nuk mund ta dhunojë. Nga Ti do të drejtohen në të gjitha rrethanat sytë e Zotit. Ai, me të vërtetë, do të dëgjojë lutjen e çdo njeriu që do të të vizitojë, që do të vijë përqark teje dhe do t’i lutet Atij në emrin tënd. Ai, me të vërtetë, është Zemër¬dhembshuri, Mëshirëploti.

Unë të lutem, O Perëndia im, për këtë Shtëpi që ka pësuar një ndryshim aq të madh nga ndarja prej Teje, që vajton sepse ndodhet larg pranisë Sate dhe që i vjen keq për vuajtjet e Tua, të më falësh mua, prindët e të afërmit e mi dhe vëllezërit e mi që kanë besuar tek Ti. Bëj që të gjitha nevojat e mia të plotësohen, në saje të bujarisë Sate, O Ti që je Mbreti i Emrave. Ti je më Bujari i bujarëve, Zoti i të gjitha botëve.

-~-

LVIII. Sill ndërmend atë që i është reveluar Mihdí·ut, shërbë¬torit Tonë, në vitin e parë të mërgimit Tonë në Tokën e Misterit (Adrianopojë). Ne i parathamë atij atë që do t’i ndodhte Shtëpisë Sonë (Shtëpia e Baghdád·it) në ditët që do të vinin, që të mos hidhërohej për aktet e grabitjes e të dhunës që ishin kryer tashmë ndaj saj. Në të vërtetë Zoti, Perëndia yt, di gjithçka që është në qiej e mbi tokë.

Ne i kemi shkruar atij: Ky nuk është poshtërimi i parë që i bëhet Shtëpisë Sime. Në ditët e shkuara dora e shtypësit e kishte mbuluar atë plot me poshtërsi. Me të vërtetë, ajo do të poshtërohet kaq shumë në ditët që do të vijnë, saqë nga çdo sy që sheh do të rrjedhin lotë. Kështu Ne të zbuluam ty gjëra të fshehura prapa perdes, të padepërtueshme për të gjithë veç Perëndisë, të Fuqiplotit, të Gjithlëvduarit. Kur të vijë koha, Zoti, me fuqinë e së vërtetës, do ta lartësojë Atë në sytë e gjithë njerëzve. Ai do ta bëjë atë flamurin e Mbretërisë së Vet, Altarin rreth të cilit do të mblidhen kohortat e besimtarëve. Kështu ka folur Zoti, Perëndia yt, para se të vijë dita e pikëllimit. Ne të bëmë këtë revelacion në Tabelën Tonë të shenjtë, që të mos hidhërohesh për atë që i ka ndodhur Shtëpisë Sonë nga sulmet e armikut. Lëvduar qoftë Perëndia, i Gjithëdijshmi, Urtiploti.

-~-

LIX. Çdo vëzhgues i paanshëm do ta pranojë me lehtësi se, që nga agimi i Revelacionit të Tij, ky i Munduar ka ftuar gjithë njerëzimin ta kthejë shikimin nga Burimi i Lavdisë dhe ka ndaluar korrup¬sionin, urrejtjen, shtypjen e ligësinë. E megjithatë, shihni ç’ka bërë dora e shtypësit! Asnjë pendë s’do të guxonte të përshkruante tiraninë e tij. Megjithëse qëllimi i Atij që është e Vërteta e Përjetshme ka qenë t’u jepej jeta e përjetshme gjithë njerëzve dhe t’u sigurohej atyre paqja e qetësia, shih sesi ata janë ngritur të derdhin gjakun e të dashurve të Tij dhe kanë dhënë kundër Tij dënimin me vdekje.

Nxitësit e kësaj shtypjeje janë pikërisht ata persona që, me¬gjithëse me dy pare mend, mbahen si më të urtët midis të urtëve. Verbëria e tyre është e tillë, saqë me ashpërsinë më të madhe hodhën në këtë Burg të zymtë e plot vuajtje Atë, për shërbëtorët e Pragut të të Cilit është krijuar bota. Por Fuqiploti, në kundërshtim me ata që e mohuan të vërtetën e këtij “Njoftimi të Madh”, e bëri këtë Shtëpi-Burg Parajsën Më të Lartë, Qiell të Qiejve.

Ne nuk i kemi refuzuar të mirat materiale që mund të Na i lehtë¬so¬nin vuajtjet. Por secili nga shokët Tanë është dëshmitar se Oborri Ynë i shenjtë është i çliruar nga të mira të tilla materiale dhe qëndron shumë lart tyre. Ne, megjitatë, kemi pranuar, ndërsa ishim të mbyllur në këtë Burg, ato gjëra që të pabesët u përpoqën të Na i mohonin. Në qoftë se do të gjendej ndonjë njeri që do të dëshironte të ngrinte në emrin Tonë një godinë krejt prej ari ose argjendi, apo një shtëpi të mbushur me gurë të çmuar me vlerë të pallogaritshme, një dëshirë e tillë padyshim do t’i ishte pra¬nuar. Ai, me të vërtetë, bën atë që do dhe urdhëron atë që i pëlqen. Për më tepër, kujtdo që dëshiron i është dhënë leja të ngrejë, në tërë gjatësinë e gjerësinë e kësaj toke, ndërtesa fisnike e impozante dhe t’ia kushtojë territoret e pasura e të shenjta pranë Jordanit e rrethi¬nave të tij adhurimit e shërbimit të të vetmit Perëndi të vërtetë, u madh묬¬roftë lavdia e Tij, në mënyrë që të përmbushen profecitë e shë¬nu¬ara nga Penda e Më të Lartit në Shkri¬met e shenjta dhe të shfaqet ajo që Perëndia, Zoti i të gjitha botëve, ka vendosur me këtë Reve¬lacion kaq të lartësuar, të shenjtë, të fuqishëm e të mrekullu¬eshëm.

Ne, në kohët e shkuara, kemi shqiptuar këto fjalë: Shtrije rrobën tënde, o Jeruzalem! Pesho¬jeni këtë në zemrat tuaja, o njerëz të Bahá·it, dhe falenderoni Zotin tuaj, Shpjeguesin, Më të Qartin.

Sikur misteret, që veç Perëndisë askush nuk i di, të zbuloheshin, gjithë njerëzimi do të shihte provat e një drejtësie të përkryer e të plotë. Me një siguri që askush s’mund ta vërë në dyshim, të gjithë njerëzit do t’u përmba-heshin porosive të Tij dhe do t’i zbatonin ato pikë për pikë. Ne, me të vërtetë, kemi vendosur në Librin Tonë një shpërblim të mirë e bujar për cilindo që largohet nga ligësia dhe bën një jetë të pastër e të devotshme. Ai është, me të vërtetë, Dhuruesi i Madh, Bujariploti.

-~-

LX. Burgimi Mua nuk më sjell turp. Jo, për jetën Time, ai Më jep lavdi. Ajo që mund të Më turpërojë është sjellja e të tillë pasuesve të Mi, që thonë se më duan Mua, por në fakt shkojnë pas të Paudhit. Ata, me të vërtetë, janë të humbur.

Kur erdhi koha e caktuar për këtë Revelacion dhe Ai që është Dielli i botës u shfaq në Irak, Ai i porositi pasuesit e Tij të zbatojnë atë që do t’i pastronte ata nga çdo fëlliqësi tokësore. Disa preferuan të ndjekin dëshirat e një prirjeje të zvetënuar, ndërsa të tjerë ecën në rrugën e virtytit e të së vërtetës dhe u orientuan drejt.

Thuaj: Nuk duhet numë¬ruar midis njerëzve të Bahá·it ai që shkon pas dëshirave tokësore ose e ka zemrën në gjërat e tokës. Pasues i vërtetë i Imi është ai që, sikur të shkonte përmes një lugine prej ari të kulluar do ta kalonte atë si një re e vetmuar, pa u kthyer prapa e pa u ndalur. Një njeri i tillë është, me siguri, nga të mitë. Nga rrobat e tij Tubimi i epërm mund të thithë aromën e shenjtërisë. ... Dhe sikur të takonte më të bukurën e më të hijshmen grua, ai nuk do ta ndiente zemrën e tij të tërhequr as nga hija më e vogël e dëshirës për bukurinë e saj. Një njeri i tillë është, me të vërtetë, mishërimi i dëlirësisë së papërlyer. Kështu ju mëson Penda e të Lashtit të Kohëve, siç është urdhëruar prej Zotit tuaj, të Fuqiplotit, Bujari¬plotit.

-~-

LXI. Bota është në trazim dhe shqetësimi i saj shtohet dita ditës. Fytyra e saj është kthyer drejt mbrapshtisë e mosbesimit. Fati i saj i trishtueshëm do të jetë i tillë, saqë ta zbulosh atë tani nuk do të ishte e përshtatshme. Zvetënimi i saj do të vazhdojë për një kohë të gjatë. Dhe kur të vijë ora e caktuar, papritur do të duket ajo që do t’i bëjë gjymtyrët e njerëzimit të dridhen. Atëherë e vetëm atëherë do të shpaloset Flamuri Hyjnor dhe Bilbili i Parajsës do të cicërojë melodinë e Tij.

-~-

LXII. Sill ndërmend brengat e Mia, shqetësimet dhe ankthet e Mia, fatkeqësitë dhe sprovat e Mia, gjendjen Time si i burgosur, Lotët që kam derdhur, hidhërimin e pikëllimit Tim, ndërsa tani Burgimin Tim në këtë tokë të largët. Perëndia, o Muṣṭafá, Më është dëshmitar. Sikur ty të tregonin se ç’i ka ndodhur Bukurisë së Lashtë, ti do të ikje në shkretëtirë e do të qaje me ngashërim. Në trishtimin tënd, ti do t’i bije kokës me grushta dhe do të thërrisje si ai që e kafshon nepërka. I ji mirënjohës Perëndisë që Ne kemi refuzuar të të vëmë në dijeni për sekretet e atyre vendimeve të padepërtueshme që Na janë dërguar nga qielli i Vullnetit të Zotit tënd, Më të Pushtetshmit, të Fuqiplotit.

Për drejtësinë e Perëndisë! Çdo mëngjes, duke u ngritur nga shtrati, gjeja hidhërime të panumërta të grumbulluara pas derës Sime; dhe çdo mbrëmje, kur shtrihesha, ja! zemra Më copëtohej në agoni për atë që kishte pësuar nga egërsia djallëzore e armiqve të saj. Çdo copë buke që thyen Bukuria e Lashtë shoqërohet nga sulmi i një pikëllimi të ri, dhe çdo pikë uji që Ai pi përzjehet me hidhërimin e një sprove nga më tronditëset. Çdo hap që Ai bën e paraprin një ushtri fatkeqësish të paparashikuara dhe e pasojnë legjione vuajtjesh të tmerrshme.

Kaq e rëndë është gjendja ime, nëse ti e peshon në zemrën tënde. Megjithatë, shpirti yt le të mos brengoset për atë që Perëndia ka hedhur mbi Ne. Bashkoje vull¬netin tënd me atë që i pëlqen Atij, sepse Ne gjithnjë s’kemi dëshiruar tjetër gjë veç Vullnetit të Tij, dhe kemi mirëpritur çdonjërin prej vendi¬meve të Tij të pakthy¬eshme. Le të jetë e durueshme zemra jote, dhe ti mos u trondit. Mos shko në gjurmët e atyre që shqetësohen në mënyrë të dhimbshme.

-~-

LXIII. O ti që e ke fytyrën të kthyer drejt Meje! Sapo sytë e tu të shohin nga larg qytetin Tim të lindjes (Ṭihrán·in), qëndro dhe thuaj: “Unë kam ardhur tek ti nga Burgu, o Tokë e Ṭá·së, me lajme të gëzuara nga Perëndia, Ndihma në Rrezik, i Vetqenëshmi. Të njoftoj, o nënë e botës e burim drite i gjithë popujve të saj, për shpirt-madhësinë dashamirëse të Zotit tënd dhe të përshëndes në emrin e Atij që është e Vërteta e Përjetshme, Njohësi i gjërave të papara. Unë dëshmoj se brenda teje u revelua Ai që është Emri i Fshehur dhe u zbulua Thesari i Padukshëm. Përmes teje u shpalos sekreti i të gjitha gjërave, qoftë të së shkuarës dhe të së ardhmes.

O Tokë e Ṭá·së! Ai që është Zoti i Emrave të kujton në pozitën e Tij të lavdishme. Ti ishe Agimi i Kauzës së Perëndisë, burimi i Revelacionit të Tij, manifestimi i Emrit të Tij Më të Madh – një emër që i ka bërë të dridhen zemrat dhe shpirtrat e njerëzve. Sa i madh është numri i atyre grave e burrave, i atyre viktimave të tiranisë, që brenda mureve të tua flijuan jetën e vet në shtegun e Perëndisë dhe janë varrosur nën pluhurin tënd me një egërsi të tillë që do ta bënte çdo shërbëtor të nderuar të Perëndisë të rënkonte për fatin e tyre!

-~-

LXIV. Është dëshira Jonë të kujtojmë Banesën e lumturisë Supreme (Ṭihrán·in), qytetin e shenjtë e të ndritshëm – qytetin ku është përhapur aroma e të Shumë-dashurit, ku janë shpërndarë shenjat e Tij, ku janë reveluar provat e lavdisë së Tij, ku janë shpalosur flamujt e Tij, ku është ngritur faltorja e Tij, ku është shpallur secili prej vendimeve të Tij të urta.

Ai është qyteti në të cilin janë përhapur aromat e ëmbla të bashkimit, që i kanë shtyrë dashuruesit e sinqertë të Perëndisë t’i afrohen Atij dhe të hyjnë në Banesën e shenjtërisë e të buku¬risë. Lum shtegtari që i drejton hapat drejt këtij qyteti, që pranohet në të dhe pi verën e bashkimit përmes mirësisë së Zotit të tij, të Hirshmit, të Gjith¬lëvduarit.

Kam ardhur tek ti, o Tokë e dëshirës së zemrës, me lajme të gëzuara nga Perëndia, të të njoftoj për favorin e mëshirën e Tij dashamirëse dhe të të përshëndes e të lavdëroj ty në emër të Tij. Ai, me të vërtetë, ka mirësi e bujari të pafund. Bekuar qoftë njeriu që e kthen fytyrën drejt teje, që thith prej teje aromën e Pranisë së Perëndisë, Zotit të të gjitha botëve. Lavdia e Tij qoftë mbi ty dhe të rrethoftë shkëlqimi i dritës së Tij, sepse Perëndia të ka bërë ty një parajsë për shërbëtorët e Vet dhe të ka shpallur ty tokën e bekuar e të shenjtë, që Ai Vetë ka bërë të përmendet në Librat që Profetët dhe Lajmëtarët e Tij kanë reveluar.

Përmes teje, o Tokë e lavdisë së shndritshme, është shpalosur emblema “Nuk ka Perëndi tjetër veç Tij” dhe është ngritur flamuri “Me të vërtetë, unë jam e Vërteta, Njohësi i gjërave të padukshme”. Është detyrë e cilitdo që të viziton të lëvdohet me ty dhe me ata që jetojnë brenda teje, që janë degëzuar nga Pema Ime, që janë gjethet e saj, shenjat e lavdisë Sime, që Më pasojnë e Më duan dhe që me vendosmërinë më të madhe i kanë kthyer fytyrat drejt pozitës Sime të lavdishme.

-~-

LXV. Sill ndërmend arritjen Tënde në Qytet (Konstan¬ti¬no¬pojë), sesi Ministrat e Sulltanit, duke kujtuar se Ti nuk i njihje ligjet dhe rregullat e tyre, të konsideronin injorant. Thuaj: Po, për Zotin Tim! Unë jam injorant për çdo gjë veç asaj që Perëndia, në mirësinë e Vet bujare, ka dashur të Më mësojë. Ne dëshmojmë për këtë pa lëkundje dhe e pranojmë pa ngurrim.

Thuaj: Në qoftë se ligjet e rregullat të cilave u përmbaheni i bëni ju vetë, Ne kurrsesi nuk do t’i ndjekim ato. Kështu Më ka mësuar Ai që është Urtiploti, i Gjithinfor¬muari. Kjo ka qenë rruga Ime në të shkuarën dhe e tillë do të mbetet në të ardhmen, në saje të pushtetit të Perëndisë dhe fuqisë së Tij. Kjo është, me të vërtetë, rruga e vërtetë dhe e drejtë. Në qoftë se ligjet janë urdhëruar nga Perëndia, atëherë nxirrni provat tuaja, po qetë ndër ata që thonë të vërtetën. Thuaj: Ne kemi shkruar në një Libër që nuk lë pa shënuar punën e çdo njeriu, sado i parëndësishëm qoftë, gjith¬çka që ata të kanë ngarkuar e të kanë bërë Ty.

Thuaj: Është detyra juaj, o Ministra Shteti, t’u përmbaheni porosive të Perëndisë, të braktisni ligjet e rregullat tuaja dhe të jeni kështu ndër ata që orientohen drejt. Kjo është për ju më e mirë se çdo gjë që zotëroni, sikur ta dinit këtë. Në rast se e shkelni urdhërin e Perëndisë, asnjë thërrime a grimcë e punëve tuaja nuk do të jetë e pranueshme në sytë e Tij. Së shpejti do t’i zbuloni rrjedhojat e asaj që keni bërë në këtë jetë të kotë dhe do të paguani për të. Kjo është, me siguri, e vërteta, e vërteta e padyshimtë.

Sa i madh është numri i atyre që, në kohët e shkuara, kanë bërë po ato gjëra që keni bërë ju dhe, megjithëse me pozitë më të lartë se ju, në fund u kthyen në pluhur dhe iu dorëzuan fatit të tyre të pashmangshëm! Sikur të mund ta peshonit në zemrat tuaja Kauzën e Perëndisë! Por ju do të ecni në gjurmët e tyre dhe do të detyroheni të hyni në një banesë ku askush nuk do t’ju jetë mik e t’ju ndihmojë. Juve, me të vërtetë, do t’ju kërkohet llogari për bëmat tuaja e për moskryerjen e detyrës ndaj Kauzës së Perëndisë, si dhe pse keni refuzuar me përbuzje të dashurit e Tij, që kanë ardhur tek ju me sinqeritet të plotë.

Jeni ju që jeni këshilluar së bashku lidhur me ta, ju që keni preferuar të ndiqni shtysën e dëshirave tuaja dhe keni braktisur urdhërin e Perëndisë, Ndihmës në Rrezik, të Fuqiplotit.

Thuaj: Çfarë? U për¬mba¬heni rrugëzgjidhjeve tuaja dhe flakni pas shpine porositë e Perëndisë? Ju, me të vërtetë, i keni bërë keq vetvetes dhe të tjerëve. Ah, sikur ta kuptonit këtë! Thuaj: Po qe se rregullat e parimet tuaja do të mbështeteshin në drejtësi, pse atëherë ju ndiqni ato që përkojnë me prirjet tuaja të zvetënuara dhe flakni ato që vijnë ndesh me dëshirat tuaja? Me ç’të drejtë, pra, pretendoni të gjykoni me paanësi midis njerëzve? Janë rregullat e parimet tuaja të tilla, që të përligjin persekutimin e Atij që, me urdhërin tuaj, u paraqit para jush, të përligjin refuzimin e Tij nga ju dhe ato poshtërime të rënda që i keni shkaktuar çdo ditë? A ka shfaqur ndonjëherë Ai, qoftë edhe për një çast të vetëm, mosbindje ndaj jush? Të gjithë banorët e Irakut dhe, veç tyre, çdo vëzhgues i mprehtë, do të dëshmojnë për vërtetësinë e fjalëve të Mia.

Jini të drejtë në gjykimin tuaj, o Ministra Shteti! Çfarë kemi bërë Ne që të justifikojë syr¬gjynosjen Tonë? Cili ka qenë faji që ka përligjur dëbimin Tonë? Ishim Ne që ju kemi kërkuar e megjithatë, shihni, ju refuzuat të Na prisnit! Për Perëndi! Kjo është një padrejtësi e madhe që keni bërë – një padrejtësi, me të cilën asnjë padrejtësi tokësore nuk mund të krahasohet. Për këtë Vetë Fuqiploti është dëshmitar…

Dijeni se bota dhe kotësitë e zbukurimet e saj do të zhduken. Asgjë s’do të qëndrojë, veç Mbretërisë së Perëndisë, e cila nuk i përket askujt veçse Atij që është Zoti sovran i gjithçkaje, Ndihma në Rrezik, Lavdiploti, Fuqiploti. Ditët e jetës suaj do të rrokullisen dhe të gjitha gjërat me të cilat merreni e për të cilat mburreni do të vdesin, dhe ju, me siguri, do të thirreni nga një aradhë engjëjsh të Tij që të paraqiteni në vendin ku gjithë krijimit do t’i dridhen gjunjët dhe çdo shtypësi do t’i ngjethet mishtë. Do t’ju kërkohet llogari për gjërat që duart tuaja kanë bërë në këtë jetë tuaj të kotë dhe do të paguani për bëmat tuaja. Kjo është dita që do të vijë në mënyrë të pashmangshme tek ju, ora që askush s’mund ta kthejë prapa. Për këtë ka dëshmuar gjuha e Atij që thotë të vërtetën e që është Njohësi i të gjitha gjërave.

-~-

LXVI. Rrini në frikë të Zotit, ju banorë të Qytetit (Konstan¬tinopojë), dhe mos mbillni farën e përçarjes midis njerëzve. Mos ecni në shtigjet e të Ligut. Gjatë ditëve të jetës që ju mbeten ecni në rrugën e të Vetmit Perëndi të vërtetë. Ditët tuaja do të kalojnë ashtu si dhe ditët e atyre që kanë qenë para jush. Në pluhur do të ktheheni, ashtu siç janë kthyer etërit tuaj në të shkuarën.

Dijeni se Unë nuk i trembem askujt veç Perëndisë. Tek askush tjetër nuk e kam mbë¬shte¬tur Unë besimin, veçse tek Ai; pas askujt nuk do të kapem Unë, veç Tij, dhe nuk dëshiroj gjë tjetër veç asaj që Ai ka dashur për Mua. Kjo është, me të vërtetë, dëshira e zemrës Sime, sikur ta dinit. Unë e kam ofruar shpirtin dhe trupin Tim si flijim për Perëndinë, Zotin e të gjitha botëve. Kush ka njohur Perëndinë nuk do të njohë askënd veç Tij dhe kush rri në frikë të Perëndisë nuk do t’i trembet askujt veç Tij, edhe sikur fuqitë e të gjithë botës të ngrihen e të radhiten kundër Tij. Unë nuk them asgjë, veçse me urdhër të Tij, dhe nuk ndjek, përmes pushtetit e fuqisë së Perëndisë, veçse të vërtetën e Tij. Ai, me të vërtetë, do t’i shpërblejë besnikët.

Trego, O Shërbëtor, gjërat që pe kur arrite në qytet, që dëshmia Jote të mbetet midis njerëzve dhe të shërbejë si paralajmërim për ata që besojnë. Kur erdhëm në qytet, Ne i gjetëm guvernatorët dhe drejtuesit e tij si fëmijë që janë mbledhur bashkë e luajnë me baltë. Ne nuk pamë asnjë mjaft të pjekur, që të përfitonte nga Ne të vërtetat që Na ka mësuar Perëndia, dhe asnjë të gatshëm që të merrte fjalët Tona të mrekullueshme të urtisë. Syri Ynë i brendshëm qau hidhur për ta dhe për shkeljet e moskokëçarjen e tyre ndaj asaj gjëje për të cilën ata ishin krijuar. Kjo është ajo që Ne vumë re në atë Qytet dhe që e pamë me vend ta shënojmë në Librin Tonë, në mënyrë që të shërbejë si paralajmërim për ata dhe për pjesën tjetër të njerëzimit.

Thuaj: Po t’u jeni kushtuar kësaj jete e kotësive të saj, ju duhet ta kishit bërë këtë në kohën që ndodheshit në barkun e nënës, sepse në atë kohë u afroheshit vazhdimisht atyre. Sikur ta kuptonit këtë! Nga ana tjetër, që kur keni lindur e keni arritur pjekurinë, ju jeni larguar gjithnjë e më shumë nga bota dhe i jeni afruar pluhurit. Përse, pra, tregoni kaq lakmi për të grumbulluar thesaret e tokës, kur i keni ditët të numëruara dhe mundësia për këtë është gati e humbur? Përse, pra, o moskokëçarës, nuk shkundeni nga gjumi juaj?

Vërini veshin këshillave që ju jep ky Shërbëtor për hir të Perëndisë. Ai, me të vërtetë, nuk kërkon shpërblim nga ju, i bindet asaj që Perëndia ka urdhëruar për Të dhe është krejt i nënshtruar ndaj Vullnetit të Perëndisë.

Ditët e jetës suaj janë harxhuar gati tërësisht, o njerëz, dhe fundi juaj po afrohet me shpejtësi. Lini, pra, mënjanë gjërat që keni sajuar e pas të cilave jeni kapur dhe përmbajuni me vendosmëri porosive të Perëndisë, që të mund të arrini atë që Ai ka caktuar për ju, dhe jini ndër ata që ecin në rrugë të drejtë. Mos u kënaqni me gjërat e kësaj bote e me zbukurimet e kota të saj, as mos i mbështetni shpresat tuaja në to. Mbështeteni besimin tuaj në të kujtuarit e Perëndisë, Më të Lartit, Më të Madhit. Së shpejti Ai do t’i reduktojë në hiç të gjitha gjërat që zotëroni. Rrini në frikë të Tij dhe mos harroni besëlidhjen e Tij me ju, dhe mos jini ndër ata që ndahen prej Tij si me një perde.

Kini kujdes, mos u fryni para Perëndisë dhe mos flakni me përbuzje të dashurit e Tij. Trajtojini me përunjësi besnikët, ata që kanë besuar te Perëndia e te shenjat e Tij, zemrat e të cilëve dëshmojnë për unitetin e Tij, gjuha e të cilëve shpall njëshmërinë e Tij dhe që nuk flasin veçse me leje të Tij. Kështu ju këshillojmë Ne me drejtësi dhe ju paralajmërojmë me të vërtetën, se ndoshta të mund të zgjoheni.

Mos i ngarkoni asnjë shpirti një barrë që nuk do të dëshironit t’jua ngarkojnë juve dhe mos dëshironi për askënd atë që nuk do të dëshironit për veten tuaj. Kjo është këshilla Ime më e mirë për ju, sikur ta zbatonit atë!

Respektojini njerëzit e fesë dhe të diturit në mesin tuaj, ata sjellja e të cilëve është në përputhje me atë që predikojnë, ata që nuk i kalojnë kufijtë e caktuar nga Perëndia dhe gjykimi i të cilëve është në përshtatje me kërkesat e reveluara në Librin e Tij. Dijeni se ata janë llambat e udhërrëfimit për ata që janë në qiej e mbi tokë. Ata që s’i përfillin e i neglizhojnë njerëzit e fesë dhe të diturit që jetojnë në mes tyre – ata me të vërtetë kanë braktisur favorin që Perëndia u kishte dhuruar.

Thuaj: Pritni derisa Perëndia të ketë ndryshuar simpatinë e Tij ndaj jush. Atij absolutisht asgjë nuk i shpëton. Ai di sekretet si të qiellit dhe të tokës. Dija e Tij përfshin gjithçka. Mos u gëzoni për atë që keni bërë ose do të bëni në të ardhmen, as mos u kënaqni për fatkeqësitë që Na keni shkaktuar, sepse po ta shihni veprën tuaj me mprehtësi. ju nuk jeni në gjendje që me mjete të tilla të lartësoni pozitën tuaj. As nuk do të jeni në gjendje të ulni sadopak lartësinë e pozitës Sonë. Përkundrazi, Perën¬dia do ta rritë shpërblimin për Ne, që u kemi qëndruar me durim të papërkulur fatkeqësive që kemi vuajtur. Ai, me të vërtetë, do ta rritë shpërblimin për ata që tregojnë durim.

Dijeni se, që nga kohë që s’mbahen mend, sprovat dhe fatkeqësitë kanë qenë fati i të zgjedhurve të Perëndisë e i të shumëdashurve të Tij, si dhe i të tillë shërbëtorëve të Tij që janë shkëputur nga gjithçka veç Atij, i atyre që as pasuritë e as tregtia nuk i largojnë nga të kujtuarit e të Fuqi¬plotit, i atyre që nuk flasin derisa të ketë folur Ai dhe që veprojnë sipas porosisë së Tij. E tillë është metoda e Perëndisë që zbatohej në të kaluarën, e tillë do të mbetet ajo edhe në të ardhmen. Të bekuar janë ata që durojnë pa u lëkundur, ata që janë të duruar në të këqija e në vështirësi, ata që nuk ankohen për çfarëdo që u ndodh dhe që ecin në shtegun e nënshtrimit…

Po afrohet dita kur Perëndia do të ngrejë një popull që do të sjellë në kujtesë ditët Tona, që do të tregojë historinë e vuajtjeve Tona, që do të kërkojë kthimin e të drejtave Tona nga ata që pa asnjë provë Na kanë trajtuar me padrejtësi flagrante. Perëndia me siguri e ka në dorë jetën e atyre që Na kanë bërë keq dhe i di mirë bëmat e tyre. Ai, padyshim, do t’i dënojë ata për mëkatet e tyre. Ai, me të vërtetë, është hakmarrësi më i rreptë.

Kështu, Ne ju treguam historinë e të vetmit Perëndi të vërtetë, duke ju sjellë gjërat që Ai ka para-vendosur, në mënyrë që të mund t’i kërkoni ndjesë Atij, të ktheheni tek Ai, të pendoheni me të vërtetë, të kuptoni gabimet tuaja, të shkundeni nga gjumi, të flakni moskokë-çarjen, të paguani për ato gjëra që keni lënë pas dore dhe të jeni ndër ata që bëjnë mirë. Ai që dëshiron le ta njohë të vërtetën e fjalëve të Mia; kurse ai që nuk dëshiron le të largohet. Unë kam për detyrë vetëm t’ju kujtoj që nuk keni kryer detyrat ndaj Kauzës së Perëndisë, në qoftë se jeni ndër ata që i vënë vesh paralajmërimit Tim. Prandaj dëgjojeni fjalën Time, kthehuni te Perëndia dhe pendohuni, në mënyrë që Ai, me mirësinë e Vet, të ketë mëshirë për ju, t’ju spastrojë nga mëkatet dhe t’jua falë fajet. Madhështia e mëshirës së Tij ia kalon furisë së zemërimit të Tij, dhe mirësia e Tij përfshin të gjithë ata që janë thirrur në jetë e janë veshur me rrobën e jetës, qofshin të së shkuarës apo të së ardhmes.

-~-

LXVII. Në këtë Revelacion është shfaqur ajo që nuk ishte shfaqur kurrë më parë. Përsa u përket të pafeve që e kanë parë atë që është dukur, ata mërmërisin e thonë: “Me të vërtetë, ky është një magjistar që ka kurdisur një gënjeshtër kundër Perëndisë.” Ata janë me të vërtetë plehra.

Tregoju kombeve, O Pendë e të Lashtit të Kohëve, gjërat që kanë ndodhur në Irak. Tregoju atyre për të dërguarin që mbledhja e krerëve të fesë të atij vendi e çoi të Na takonte, i cili, kur arriti në praninë Tonë, Na pyeti rreth disa shkencave dhe të cilit Ne iu përgjigjëm në saje të dijes së natyrshme që zotërojmë. Zoti Yt, me të vërtetë, është Njohësi i gjërave të papara. “Ne dësh¬mojmë”, tha ai, “se dija që zotëron Ti është e tillë që askush nuk mund të rivalizojë me Ty. Por një dije e tillë është sidoqoftë e pamjaftueshme për të përligjur atë pozitë të lartë që njerëzit të atribu¬ojnë Ty. Në qoftë se ajo që thua Ti është e vërtetë, atëherë bëj atë që forcat e bashkuara të popujve të botës janë të pafuqishme ta bëjnë.” Kështu qe vendosur në mënyrë të pakthyeshme në oborrin e pranisë së Zotit, Lavdiplotit, Dashuruesit.

“Dëshmitar! Çfarë sheh?” Ai mbeti pa mend. Dhe kur erdhi në vete, tha: “Unë me të vërtetë besoj te Perëndia, Lavdiploti, i Gjith¬lëvduari.” “Shko te njerëzit dhe thuaju atyre: ‘Pyeteni çfarë të doni. Ai ka fuqi të bëjë atë që do. Asgjë, qoftë e së shkuarës ose e së ardhmes, nuk mund ta pengojë Vullnetin e Tij.’ Thuaj: ‘O tubim teologësh! Zgjidhni çfarë subjekti të doni dhe kërkojini Zotit tuaj, Perëndisë së mëshirës, që t’jua revelojë. Në qoftë se Ai jua plotë¬son dëshirën në saje të sovranitetit të Vet, atëherë besoni tek Ai, dhe mos u bëni nga ata që e refuzojnë të vërtetën e Tij’.” “Agimi i të kuptuarit u duk tashmë”, tha Ai, “dhe dëshmia e Mëshirëplotit u plotësua.” Ai u ngrit dhe u kthye tek ata që e kishin dërguar, me urdhër të Perëndisë, Lavdiplotit, të Shumëdashurit.

Kaluan ditë dhe ai nuk u kthye më te Ne. Më në fund, erdhi një i dërguar tjetër, i cili Na informoi se ata kishin hequr dorë nga ajo që patën vendosur më parë. Ata janë me të vërtetë njerëz të përçmuar. Kjo është ajo që ndodhi në Irak dhe për këtë që po tregoj isha Vetë dëshmitar. Kjo ngjarje bëri bujë, megjithatë askush nuk e kuptoi domethënien e saj. Kështu kishim urdhëruar Ne. Sikur ta dinit këtë!

Për kokën Time! Kushdo që në epokat e shkuara Na ka kërkuar të paraqesim shenjat e Perëndisë, sapo ia kemi reveluar ato, menjëherë ka mohuar të vërtetën e Perëndisë. Megjithatë, njerëzit, në pjesën më të madhe, kanë qëndruar indiferentë. Ata, sytë e të cilëve janë ndriçuar me dritën e të kuptuarit, do të ndiejnë aromat e ëmbla të Mëshirëplotit dhe do të përqafojnë të vërtetën e Tij. Këta janë me të vërtetë të sinqertët.

-~-

LXVIII. O ti që je fryti i pemës Sime dhe fleta e saj! Mbi ty qoftë lavdia Ime dhe mëshira Ime. Le të mos hidhërohet zemra jote për atë që të ka ndodhur. Sikur t’i shihje faqet e Librit të Jetës, ti, me siguri, do të zbuloje Atë që do t’i largonte hidhërimet e tua dhe do të ta hiqte ankthin.

Dije, o fryt i Pemës Sime, se dekretet e Urdhëruesit Sovran, lidhur me fatin dhe predestinimin, janë dy llojësh. Të dyja atyre duhet t’u bindesh e t’i pranosh. Njëri është i padiskutueshëm, tjetri, siç thonë njerëzit, të qëndron mbi kokë. Të parit të gjithë duhet t’i nënshtrohen pa rezerva, sepse është i caktuar e i vendosur. Perën¬dia, megjithatë, mund ta ndryshojë ose ta rishikojë atë. Me-qenëse e keqja që do të rezultonte nga një ndryshim i tillë do të ishte më e madhe sesa në rastin që dekreti të mbetej i pandryshuar, të gjithë, pra, duhet ta pranojnë me dëshirë atë që Perëndia ka vendosur dhe t’i binden asaj.

Kurse dekreti që qëndron mbi kokë është i tillë që lutjet mund të arrijnë ta ndryshojnë atë.

Dhëntë Perëndia që ti, fryt i Pemës Sime, dhe ata që janë së bashku me ty të jeni të mbrojtur nga pasojat e tij të këqija.

Thuaj: O Perëndi, Perëndia im! Ti kishe besuar në duart e mia diçka Tënden dhe tani, sipas dëshirës së Vullnetit Tënd, po e thërret përsëri pranë Vetes. Nuk më takon mua, që jam një shërbëtore e Jote, të them si e pse ndodhi kjo, sepse Ti je i lavdëruar në të gjitha veprimet e Tua dhe ne duhet t’i bindemi vendimit Tënd. Shërbëtorja Jote, O Zoti im, e ka mbështetur shpresën te mirësia e bujaria Jote. Bëj që ajo të arrijë atë që do ta afrojë pranë Teje dhe të pëfitojë në çdo botë Tënden. Ti je i Më¬shir-shmi, Bujariploti. Nuk ka Perëndi tjetër veç Teje, Urdhë-ruesit, të Lashtit të Kohëve.

Jepu bekimet e Tua, O Zot, Perëndia im, atyre që kanë shijuar verën e dashurisë për Ty para syve të njerëzve dhe, pa iu trembur armiqve të Tu, kanë njohur Unitetin Tënd, kanë dëshmuar njëshmërinë Tënde dhe kanë pohuar besimin e tyre në atë që ka bërë, midis krijesave të Tua, t’u dridhen gjunjët shtypësve dhe t’u ngjethet mishi kryelartëve. Unë dëshmoj se Sovraniteti Yt nuk do të vdesë kurrë dhe as do të ndryshojë Vullneti Yt. Jepu atyre që e kanë kthyer fytyrën drejt teje dhe shërbëtoreve të Tua që janë mbajtur fort pas Fillit Tënd atë që i përshtatet Oqeanit të bujarisë Sate dhe Qiellit të hirit Tënd.

Ti je Ai, O Perëndi, që e ka shpallur Veten Zot të Pasurisë dhe i ka cilësuar të gjithë ata që i shërbejnë Atij si të varfër e nevojtarë. Ashtu siç ke shkruar Ti: “O ju që besoni! Ju s’jeni veçse të varfër që keni nevojë për Perëndinë; por Perëndia është Gjithzotëruesi, i Gjithlëvduari.” Pasi kam pranuar varfërinë time dhe kam njohur begatinë tënde, mos më lër të vuaj duke më mohuar lavdinë e pasurive të Tua. Ti je, me të vërtetë, Mbrojtësi Suprem, i Gjithëdijshmi, Urtiploti.

-~-

LXIX. Sill ndërmend sjelljen e nënës së Ashraf·it, djali i së cilës bëri fli jetën e vet në tokën e Zá·it (Zanján·it) Ai, me siguri, ndodhet në selinë e së vërtetës, në praninë e Atij që është Më i Pushtetshmi, Fuqiploti.

Kur të pafetë, aq padrejtë¬sisht, vendosën ta dënonin atë me vdekje, ata çuan e morën nënën e tij, se mos ndoshta ajo i mbushte mendjen, e shtynte të mohonte besimin e tij dhe të ecte në gjurmët e atyre që kishin mohuar të vër¬tetën e Perëndisë, Zotit të të gjitha botëve.

Sapo pa fytyrën e të birit, ajo i foli fjalë të tilla, që i bënë të vajtonin e të copëtoheshin nga dhimbja zemrat e dashuruesve të Perëndisë dhe, tej tyre, ato të kohortës qiellore. Me të vërtetë, Zoti yt e di se ç’flet gjuha Ime. Vetë Ai dëshmon për fjalët e Mia.

Dhe kur, duke iu drejtuar atij, ajo tha: “Biri im, oh biri im! Mos ngurro të bësh fli veten tënde në shtegun e Zotit tënd. Ki mendjen, mos e tradhto besimin tek Ai, para fytyrës së të Cilit janë përulur me adhurim të gjithë ata që ndodhen në qiej e mbi tokë. Ec drejt, o biri im, dhe ngul këmbë në rrugën e Zotit, Perëndisë tënd. Nxito për të arritur në praninë e Atij që është i Shumëdashuri i të gjitha botëve.”

Mbi të qofshin bekimet e Mia, mëshira Ime, lavdërimi Im dhe lavdia Ime. Unë Vetë do ta shpaguaj humbjen e të birit të saj – bir që banon tani në Faltoren e madhështisë e të lavdisë Sime dhe fytyra e të cilit ndriçon me një dritë që mbështjell me shkëlqimin e vet Shërbyeset e Qiellit në dhomat e tyre qiellore e, tej tyre, mysafirët e Parajsës Sime dhe banorët e Qyteteve të Shenjtërisë. Sikur ndonjë sy të sodiste fytyrën e tij, ai do të thërriste: “Ja, ky s’mund të jetë veçse një engjëll fisnik!”

-~-

LXX. Drejtpeshimi botëror është tronditur nga ndikimi drithërues i këtij Rendi Botëror madhështor e të ri. Jeta e organizuar e gjinisë njerëzore është revolucionarizuar nga veprimi i këtij Sistemi të pashoq, të mahnitshëm, të ngjashëm me të cilin sytë e vdekshëm kurrë s’kanë parë.

Zhytuni në oqeanin e fjalëve të Mia, që të gjeni sekretet e tij dhe të zbuloni të gjithë margaritarët e urtisë që fshihen në thellësitë e tij. Kujdes të mos ngurroni në ven-dosmërinë tuaj për të përqafuar të vërtetën e kësaj Kauze, një Kauzë përmes së cilës potencialet e fuqisë së Perëndisë janë reveluar e është vendosur sovraniteti i Tij. Me fytyrat që ju shkëlqejnë nga gëzimi, nxitoni tek Ai. Ky është Besimi i pandry¬shueshëm i Perëndisë, i për¬jetshëm në të shkuarën, i për¬jet¬shëm në të ardhmen. Bëj që kush e kërkon ta arrijë atë; dhe sa për atë që ka refuzuar ta kërkojë, Perëndia është me të vërtetë i Vetëmjaftu¬eshëm, mbi çdo nevojë të krijesave të Tij.

Thuaj: Kjo është Peshorja e pagabueshme që e mban Dora e Perëndisë, me të cilën të gjithë ata që janë në qiell dhe të gjithë ata që janë mbi tokë peshohen e përcaktohet fati i tyre, në qofshi ndër ata që e besojnë dhe e njohin këtë të vërtetë. ... Thuaj: përmes saj të varfërit janë pasuruar, të diturit janë ndriçuar dhe kërkuesit kanë mundur të ngjiten në prani të Perëndisë. Kini mendjen mos e bëni atë shkak mosmarrëveshjeje në mes jush. Qëndroni të patundur, si male të palëvizshme, në kauzën e Zotit tuaj, të Fuqishmit, Dashuruesit.

-~-

LXXI. Mos u tronditni, o popuj të botës, kur ylli i ditës i bukurisë Sime të ketë perënduar dhe qielli i faltores Sime të jetë fshehur prej syve tuaj. Ngrihuni për të ndjekur Kauzën Time dhe për të lartësuar Fjalën Time midis njerëzve. Ne do të jemi gjithnjë me ju dhe do t’ju forcojmë me fuqinë e së vërtetës. Ne jemi me të vërtetë të plotfuqishëm. Kush më ka njohur Mua, do të ngrihet e do të Më shërbejë me vendosmëri të tillë, sa fuqitë e tokës e të qiellit nuk do të jenë në gjendje ta mposhtin qëllimin e tij.

Popujt e botës janë në gjumë të thellë. Sikur të zgjoheshin nga letargjia, ata do të nxitonin me vrull te Perëndia, i Gjithëdijshmi, Urtiploti. Ata do të flaknin gjithçka zotërojnë, qofshin edhe të gjitha thesaret e tokës, që Zoti i tyre t’i kujtojë qoftë edhe duke u drejtuar atyre vetëm një fjalë. E tillë është porosia e Atij që bart dijet e gjërave të fshehura në një Tabelë, të cilën syri i krijimit nuk e ka parë dhe e cila nuk i është reveluar askujt, veç Atij Vetë, Mbrojtësit të gjithëfuqishëm të të gjitha botëve. Kaq të hutuar janë ata në dehjen e dëshirave të tyre të mbrapshta, saqë s’janë në gjendje të njohin Zotin e të gjitha qenieve, zëri i të Cilit kumbon nga çdo drejtim: “Nuk ka tjetër Perëndi, veç Meje, të Fuqishmit, Urtiplotit”.

Thuaj: Mos iu gëzoni gjërave që zotëroni; sonte ato janë tuajat, nesër do t’i kenë të tjerë. Kështu ju paralajmëron Ai që është i Gjithëdijshmi, i Gjith¬informuari. Thuaj: A mund të pretendoni se ajo që zotëroni është e qëndru¬eshme dhe e sigurt? Jo! Për kokën Time, të Mëshirëplotit. Ditët e jetës suaj fluturojnë si fllad ere dhe gjithë salltaneti e lavdia juaj do të marrin fund ashtu siç kanë marrë fund salltaneti e lavdia e të tjerëve që kanë shkuar para jush. Vriteni mendjen, o njerëz! Ç’ka ndodhur me ditët tuaja të shkuara, me shekujt tuaj të humbur? Të lumtura kanë qenë ditët që i janë kushtuar të kujtuarit të Perëndisë dhe të bekuara orët që janë harxhuar për të lëvduar Atë Që është Urtiploti. Për jetën Time! As salltaneti i të fuqishmëve, as begatia e të pasurve, madje as sundimi i të pafeve, nuk do të zgjasin. Të gjitha do të zhduken vetëm me një fjalë të Tij. Ai, me të vërtetë, është i Gjithëfuqishmi, Gjithëdetyruesi, i Gjithëpush¬tet¬shmi. Ç’përfitim ka prej gjërave tokësore që zotërojnë njerëzit? Ata e kanë lënë krejtësisht pasdore atë që do t’u sillte përfitim. Së shpejti ata do të zgjohen nga gjumi dhe do ta gjejnë veten të pafuqishëm të fitojnë atë që kanë lënë t’u shpëtojë në ditët e Zotit të tyre, të Gjithëfuqishmit, të Shumë¬lëvdua¬rit. Veç po ta dinin këtë, ata do të hiqnin dorë nga të gjitha, që emrat e tyre të përmendeshin para fronit të Tij. Ata, me të vërtetë, duhen numëruar midis të vdekurve.

-~-

LXXII. Le të mos shqetësohen zemrat tuaja, o njerëz, kur lavdia e Pranisë Sime të jetë tërhequr dhe oqeani i thënieve të Mia të jetë fashitur. Në praninë Time midis jush ka një urti dhe në mungesën Time ka përsëri një tjetër, që është e padukshme për të gjithë veç Perëndisë, të Pa-krahasueshmit, të Gjithëdijsh¬mit. Me të vërtetë, Ne ju vështrojmë nga mbretëria Jonë e lavdisë dhe cilindo që do të ngrihet për triumfin e Kauzës Sonë do ta ndihmojmë me turmat e legjioneve qiellore dhe me një aradhe të engjëjve Tanë më të dashur.

O popuj të botës! Perëndia, e Vërteta e Përjetshme, Më është dëshmitar që rrëke ujërash të freskët që rrjedhin qetë kanë buruar nga shkëmbinjtë falë ëmbëlsisë së fjalëve të shqiptuara nga Zoti juaj, i Padetyruari; dhe ju ende flini. Flakeni tej atë që zotëroni dhe me krahët e shkëputjes ngrihuni më lart se të gjitha gjërat e krijuara. Kështu ju urdhëron Zoti i krijimit, lëvizja e Pendës së të Cilit ka revolucio¬narizuar shpirtin e njerëzimit.

A e dini nga ç’lartësi Zoti juaj, Lavdiploti, po ju thërret? A mendoni se e keni njohur Pendën me të cilën Zoti juaj, Zoti i të gjithë emrave, ju komandon? Jo, për jetën Time! Po ta dinit këtë, do të hiqnit dorë nga bota dhe do të nxitonit me gjithë zemër në praninë e të Shumëdashurit. Shpirtrat tuaj do të rrëmbeheshin aq shumë nga Fjala e Tij, saqë do të tronditnin Botën Më të Madhe, aq më tepër këtë botë të vogël e të ngushtë! Kështu kanë vërshuar nga qielli i dashamirësisë Sime shirat e bujarisë Sime, si shenjë e mirësisë Sime; që ju të jeni ndër mirë-njohësit. ...

Kini mendjen që dëshirat trupore e të ndonjë prirjeje të zvetënuar të mos shkaktojnë përçarje në mes jush. Jini si gishtat e një dore, si organet e një trupi. Kështu ju këshillon Penda e Revelacionit, në qofshi ndër ata që besojnë.

Mendoni mëshirën e Perëndisë dhe dhuratat e Tij. Edhe pse Vetë mund të bëjë fare mirë pa të gjitha krijesat, Ai ju urdhëron atë që do t’ju sjellë juve përfitim. Veprat tuaja të këqija kurrë nuk Na bëjnë dot keq Neve, dhe as veprat tuaja të hijshme nuk Na sjellin përfitim. Ne ju bëjmë thirrje krejtësisht për hir të Perëndisë. Për këtë do të dëshmojë çdo njeri që kupton e që ka intuitë.

-~-

LXXIII. Është e qartë dhe e dukshme se kur të hapen perdet që mbulojnë relitetet e manifestimeve të Emra-ve e të Atributeve të Perëndisë, madje të të gjitha gjërave të kriju¬ara, të dukshme ose të padukshme, asgjë tjetër nuk do të mbetet veç Shenjës së Perëndisë – shenjë të cilën Ai Vetë e ka vendosur midis këtyre realiteteve. Kjo shenjë do të qëndrojë aq gjatë sa është dëshira e Zotit, Perëndisë tënd, e Zotit të qiejve e të tokës. Në qoftë se të tilla janë bekimet që u dhurohen të gjitha krijesave, sa superior duhet të jetë fati i besim¬tarit të vërtetë, qenia dhe jeta e të cilit duhen parë si qëllimi parësor i çdo krijimi. Ashtu si koncepti i besimit ka ekzistuar që nga fillimi që nuk ka fillim dhe do të zgjatë deri në fundin që nuk ka fund, po kështu edhe besimtari i vërtetë do të jetojë e do të ekzistojë përjetë¬sisht. Shpirti i tij do të rrotullohet për¬gjithmonë rreth Vullnetit të Perën¬disë. Ai do të vazhdojë sa edhe Vetë Perëndia. Ai është reve¬luar përmes Revelimit të Perëndisë dhe është fshehur me urdhër të Tij. Është e qartë se banesat më të larta të Mbretërisë së Pavdekësisë janë caktuar për ata që kanë besuar me të vërtetë te Perëndia e te Shenjat e Tij. Vdekja kurrë nuk mund ta pushtojë atë seli të shenjtë. Kështu Ne të kemi besuar Shenjat e Zotit Tënd, që ti të mund të këmbë¬ngulësh në dashu¬rinë tënde për Të dhe të kuptosh këtë të vërtetë.

-~-

LXXIV. Çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë ka një fuqi të tillë, që mund t’i japë jetë të re çdo forme njerëzore, në qofshi ndër ata që e kuptojnë këtë të vërtetë. Të gjitha veprat e mahnitshme që shihni në këtë botë janë manifestuar përmes veprimit të Vullnetit të Tij suprem e më të lartësuar, përmes Synimit të Tij të mahnitshëm e të paperkulur. Me anë të revelimit të thjeshtë të fjalës “Krijues”, të dalë nga buzët e Tij për t’i shpallur njerëzimit atributin e Tij, është çliruar një fuqi të tillë që, nga një epokë në tjetrën, është në gjendje të krijojë të gjitha artet e shumë¬llojshme që duart e njeriut mund të prodhojnë. Kjo është, padyshim, një e vërtetë e sigurt. Sapo kjo fjalë e shkëlqyer thuhet, energjitë e saj jetëdhënëse, që veprojnë në të gjitha gjërat e krijuara, lindin mjetet dhe instrumentet me të cilat arte të tilla mund të prodhohen e të përsosen. Të gjitha arritjet e mahnitshme që shihni sot janë rrjedhojat e drejtpërdrejta të Reve¬lacionit të këtij Emri. Në ditët që do të vijnë, ju do të shihni, me të vërtetë, gjëra për të cilat nuk keni dëgjuar kurrë më parë. Kështu është dekretuar në Tabelat e Perëndisë, dhe askush nuk mund ta kuptojë atë, veç atyre që kanë shikim të mprehtë. Po kështu, në momentin kur fjala që shpreh atributin Tim “i Gjithëdijshmi” del nga goja Ime, çdo gjë e krijuar, sipas aftësisë e kufizimeve të veta, do të vishet me fuqinë për të shpalosur dijen e shkencave më të mrekullu¬eshme dhe do të bëhet e aftë t’i manifestojë ato gjatë kohëve me urdhër të Atij që është Fuqiploti, i Gjithëdijshmi. Dije me siguri se Revelacioni i çdo Emri tjetër shoqërohet nga një mani¬fes-tim i ngjashëm i Fuqisë Hyjnore. Çdo germë e veçantë që del nga goja e Perëndisë është, me të vërtetë, një germë-mëmë, dhe çdo fjalë e shqiptuar prej Atij që është Burimi i Revelacionit Hyjnor është një fjalë-mëmë, dhe Tabela e Tij një Tabelë-Mëmë. Lum ata që e kuptojnë këtë të vërtetë.

-~-

LXXV. Bëjini copë-copë, në Emrin Tim, perdet që u kanë errësuar keq pamjen tuaj dhe i flakni, me anë të fuqisë së lindur nga besimi juaj në Unitetin e Perëndisë, idhujt e imitimit të kotë. Hyni, atëherë, në parajsën e shenjtë të pëlqimit të Mëshirë¬plotit. Spastrojini shpirtrat tuaj nga çdo gjë që nuk vjen nga Perëndia dhe shijoni ëmbëlsinë e prehjes në gjirin e Revelacionit të Tij të gjerë e të fuqishëm, nën hijen e autori¬te¬tit të Tij suprem e të pagabueshëm. Mos lini t’ju mbështjellin perdet e trasha të dëshirave tuaja egoiste, sepse te secili prej jush Unë kam përsosur krijesën Time, në mënyrë që përsosuria e veprës Sime t’u reve¬lohet plotësisht njerëzve. Që këtej rrjedh, pra, se çdo njeri ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë vetë i aftë të vlerësoje Bukurinë e Perëndisë, të Lavdishmit. Po të mos e kishte këtë aftësi, si mund të thirrej Ai për të dhënë llogari për dështimin e tij? Në qoftë se, në ditën kur të gjithë popujt e botës do të mblidhen së bashku, një njeriu çfarëdo, duke qëndruar para Perëndisë, do t’i bëhej pyetja: “Përse nuk ke besuar në Bukurinë Time dhe je larguar prej Meje?”; dhe në qoftë se ky njeri do të për¬gjigjej duke thënë: “Meqenëse të gjithë njerëzit kanë gabuar dhe nuk u gjend asnjeri që të dëshironte ta kthente fytyrën nga e vërteta, edhe unë, duke ndjekur shembullin e tyre, nuk arrita ta njoh Bukurinë e të Përjetshmit”, një justifikim i tillë, sigurisht, do të hidhej poshtë. Sepse besimi i askujt nuk mund të kushtëzohet nga askush, veçse prej atij vetë.

Kjo është një nga të vërte¬tat që përmbahet në Revelacionin Tim – një e vërtetë që Unë e kam reveluar në të gjithë Librat qiellorë, të cilët kam bërë t’i shqiptojë Gjuha e Madhështisë dhe t’i shkru¬ajë Penda e Pushtetit. Men¬doni një çast për këtë, që si me syrin e brendshëm dhe me atë të jashtëm të mund të kapni gjërat e holla të urtisë Hyjnore dhe të zbuloni margaritarët e dijes qiellore, të cilat, me një gjuhë të qartë e të fuqishme, i kam reveluar në këtë Tabelë sublime e të paprekshme, që ju të mos largoheni nga Froni Më i Lartë, nga Pema tej së cilës nuk ka kalim, nga Banesa e fuqisë dhe e lavdisë së përjetshme.

Shenjat e Perëndisë shkël¬qejnë të dukshme e të shndritshme si dielli midis veprave të krijesave të Tij. Çdo gjë që del prej Tij është e veçantë dhe do të dallohet gjithmonë nga shpikjet e njerëzve. Nga Burimi i dijes së Tij janë ngritur Yje të panumërt dije e urtie dhe nga Parajsa e Pendës së Tij fryma e Mëshirëplotit ka flladitur vazhdimisht zemrat dhe shpirtrat e njerëzve. Lum ata që e kanë njohur këtë të vërtetë.

-~-

LXXVI. Mbaj vesh, o shërbëtori Im, për atë që të është dërguar nga Froni i Zotit tënd, të Paarritshmit, Më të Madhit. Nuk ka Perëndi tjetër veç Tij. Ai i ka thirrur në jetë krijesat e Tij, që ato të mund ta njohin Atë, që është Zemër¬dhemb¬shuri, Mëshirëploti. Ai ka dërguar në qytetet e të gjitha kombeve Lajmë¬tarët e Tij, të Cilët i ka ngarkuar t’u shpallin njerëzve lajmet e gëzuara të Parajsës së pëlqimit të Tij dhe t’i afrojnë ata pranë Strehës së sigurisë së qëndrueshme, Selisë së shenjtërisë së përjetshme e të lavdisë së përkryer.

Disa, të udhëhequr nga drita e Perëndisë, kanë fituar të drejtën e hyrjes në oborrin e pranisë së Tij, kanë pirë nga dora e nënshtrimit ujërat e jetës së amshuar dhe janë renditur midis atyre që me të vërtetë e kanë njohur Atë e kanë besuar tek Ai. Të tjerë janë rebeluar kundër Tij dhe kanë hedhur poshtë shenjat e Perëndisë, Më të Pushtetshmit, të Fuqiplotit, Urtiplotit.

Epoka janë rrokullisur, derisa arritën përmbushjen e tyre në këtë ditë, në Zotin e ditëve, në Ditën kur Dielli i Bayán·it shfaqi Vetveten në horizontin e mëshirës, në Ditën kur Bukuria e Lavdiplotit shkëlqeu në personin e shquar të ‘Alí-Muḥammad·it, Báb·i. Sapo Ai reveloi Veten, të gjithë u ngritën kundër Tij. Disa e akuzuan Atë si njeri që kishte thënë shpifje kundër Perëndisë, të Fuqiplotit, të Lashtit të Kohëve. Të tjerë e shihnin si njeri të prekur nga çmenduria, mendim që Unë Vetë e kam dëgjuar nga goja e njërit prej krerëve të fesë. Disa të tjerë hidhnin poshtë rivendikimin e Tij se ishte Zëdhënësi i Perëndisë dhe e stigmatizonin si njeri që kishte vjedhur e përdorur si të vetat fjalët e të Fuqiplotit, që kishte shtrembë¬ruar kuptimin e tyre dhe i kishte përzjerë ato me të vetat. Syri i Madhështisë qan me dënesë për ato që kanë folur gojët e tyre, ndërsa ata vazhdojnë të gëzojnë në postet e tyre.

“Perëndia”, tha Ai, “Më është dëshmitar, o njerëz! Kam ardhur te ju me një Revelacion nga Zoti, Perëndia juaj, Zoti i etërve tuaj të kohëve të shkuara. Mos shihni, o njerëz, gjërat që zotëroni. Shihni më mirë gjërat që Perëndia ju ka dërguar. Kjo, me siguri, do të jetë më e mirë për ju sesa tërë krijimi, sikur ta kuptonit këtë. Vëreni më me kujdes, o njerëz, dhe mbani parasysh dëshminë e Perëndisë e provat e Tij që keni, dhe kraha¬sojini ato me Revela¬cionin që ju është dërguar në këtë Ditë, që e vërteta, e vërteta e pagabueshme t’ju shfaqet juve në mënyrë të padyshimtë. Mos ndiqni, o njerëz, hapat e të Ligut; pasoni Besimin e Mëshirëplotit dhe jini ndër ata që besojnë me të vërtetë. Ç’përfitim do të kishte njeriu në rast se nuk do të njihte Revela¬cionin e Perëndisë? Kurrfarë përfitimi. Për këtë dëshmon Vetja Ime, i Shumëfuqishmi, i Gjithë¬dijshmi, Urtiploti.”

Sa më shumë i këshillonte Ai, aq më e pamëshirshme bëhej armiqë¬sia e tyre, derisa më në fund e çuan Atë në vdekje me egërsi të paparë. Mallkimi i Zotit rëntë mbi shtypësit!

Pak ishin ata që besuan tek Ai dhe pak nga shërbëtorët Tanë janë mirënjohës. Këta Ai i ka para-lajmëruar në të gjitha Tabelat e Tij – madje në çdo radhë të Shkrimeve të Tij të mahnitshme – që të mos jepen, në Ditën e Revelacionit të premtuar, pas asgjëje tjetër, në qiell apo mbi tokë qoftë. “O njerëz!” tha Ai, “Unë u shfaqa për hir të Manifestimit të Tij dhe bëra që Libri Im, Bayán·i, të zbresë mbi ju me të vetmin qëllim që të vendoset e vërteta e Kauzës së tij. Rrini në frikë të Perëndisë dhe mos e luftoni Atë, siç më kanë luftuar Mua njerëzit e Kuranit. Sa herë të dëgjoni për Të, nxitoni drejt Tij dhe përmbajuni çdo gjëje që Ai mund t’ju revelojë. Asgjë veç Tij nuk mund t’ju sjellë përfitim, jo, edhe sikur të përsëritni nga e para deri tek e fundit dëshmitë e atyre që kanë qenë para jush.”

Dhe kur pas disa vitesh, qielli i dekretit Hyjnor u hap dhe Bukuria e Báb·it u shfaq në retë e Emrave të Perëndisë, i veshur me një rrobë të re, po ata njerëz u ngritën në mënyrë keqdashëse kundër Atij, drita e të Cilit përqafon të gjitha gjërat e krijuara. Ata shkelën Besë¬lidhjen e Tij, refuzuan të vërtetën e Tij, e luftuan Atë, nxorrën yçkla për shenjat e Tij, e quajtën mash¬trim dëshminë e Tij dhe u bash¬kuan me shoqërinë e të pabesëve. Më në fund, vendosën t’i marrin jetën. Ja cila është gjendja e atyre që zhyten thellë në gabime!

Dhe kur e kuptuan se ishin të pafuqishëm t’ia arrinin qëllimit të tyre, ata u ngritën të kom¬plo¬tonin kundër Tij. Shihni sesi në çdo moment ata sajonin një mënyrë të re për ta dëmtuar Atë, për të dëmtuar e çnderuar kështu Kauzën e Perëndisë. Thuaj: Mallkuar qofshi! Për Perëndi! Makinacionet tuaja ju mbulojnë me turp. Zoti juaj, Perën-dia i mëshirës, mund të bëjë fare mirë pa të gjitha krijesat. Asgjë nuk mundet as t’i shtojë as t’i pakësojë gjërat që Ai zotëron. Në qoftë se besoni, do të besoni për të mirën tuaj; dhe në qoftë se nuk besoni, ju vetë do të vuani. Kurrë dora e të pabesit nuk mund të fëlliqë as cepin e Rrobës së Tij.

O shërbëtori Im që beson në Perëndinë! Për drejtësinë e të Fuqiplotit! Sikur të të tregoja historinë e gjërave që më kanë ndodhur Mua, shpirtrat dhe mendjet e njerëzve do të ishin të paafta të mbanin peshën e tyre. Vetë Perëndia Më është dëshmitar. Ki mendjen e mos ndiq hapat e këtyre njerëzve. Medito me zell për Kauzën e Zotit tënd. Përpiqu ta njohësh Atë përmes Vetes së Tij e jo përmes të tjerëve. Sepse askush veç Tij nuk mund të të sjellë përfitim. Për këtë dëshmojnë të gjitha gjërat e krijuara; sikur të mund ta kuptoje këtë.

Dil nga prapa perdes, me lejen e Zotit tënd, Lavdiplotit, Më të Fuqishmit, merre, para syve të atyre që janë në qiell e të atyre që janë mbi tokë, Kupën e Pavdekë-sisë, në emër të Zotit tënd, të Paarritshmit, Më të Lartit, dhe pi pjesën tënde dhe mos ji ndër ata që ngurrojnë. Betohem për Perëndi! Në çastin që ti do të prekësh Kupën me buzët e tua, Tubimi i epërm do të të për¬shën¬desë duke thënë: “Pije me ëndje e shëndet, o njeri që ke besuar me të vërtetë te Perëndia!” dhe banorët e Qyteteve të Pavdekësisë do të thërrasin: “Qofsh i gëzuar, o ti që pive me fund Kupën e dashurisë së Tij!” dhe Gjuha e Madhështisë do të të përshëndesë me këto fjalë: “I madh është bekimi që të pret, o shërbëtori Im, sepse ti arrite atë që askush s’e ka arritur, veç atyre që janë shkëputur nga gjithçka që është në qiej e mbi tokë e që janë simbole të shkëputjes së vërtetë.”

-~-

LXXVII. Dhe tani, lidhur me pyetjen tënde për krijimin e njeriut. Dije se të gjithë njerëzit janë krijuar në natyrën e bërë prej Perëndisë, Ruajtësit, të Vet¬qenë¬shmit. Për secilin prej tyre është porositur një masë e paracaktuar, sipas Tabelave të fuqishme e të ruajtura të Perëndisë. Por çdo gjë që zotëroni si mundësi, mund të manifestohet vetëm si rezultat i vullnetit tuaj. Vetë veprat tuaja dëshmojnë për këtë të vërtetë. Mendoni, për shembull, për atë që njerëzve u është ndaluar në Bayán. Në atë Libër, e me urdhër të Vet, Perëndia ka dekretuar si të ligjshme ato që i ka pëlqyer të dekretojë dhe, me pushtetin e fuqisë së Vet sovrane, ka ndaluar çdo gjë që ka dashur të ndalonte. Për këtë dëshmon teksti i atij Libri. A nuk do të dëshmoni ju për këtë? Megjithatë, njerëzit e kanë shkelur me dashje ligjin e Tij. A mund t’i atribuohet një sjellje e tillë Perëndisë, apo vetes së tyre? Tregohuni të drejtë në gjykimin tuaj. Çdo gjë e mirë është nga Perëndia, dhe çdo gjë e ligë është nga ju vetë. A nuk e kuptoni? Po kjo e vërtetë është reveluar në të gjitha Shkrimet, në qofshi ndër ata që kuptojnë. Çdo veprim që ju mendoni të bëni është aq i qartë për Të, sikur ky veprim të ishte kryer tashmë. Nuk ka Perëndi tjetër veç Tij. Të Tijat janë gjithë krijimi dhe sundimi mbi të. Gjith¬çka qëndron e zbuluar para Tij; gjithçka është shënuar në Tabelat e Tij të shenjta e të fshehura. Kjo paradije e Perëndisë, sidoqoftë, nuk duhet parë si shkaktare e veprimeve të njerëzve, ashtu sikundër dija juaj se një ngjarje e caktuar do të ndodhë, ose dëshira juaj që ajo të ndodhë, nuk mund të jetë kurrë shkaku që e bën atë të ndodhë.

-~-

LXXVIII. Përsa i përket pyetjes sate lidhur me origjinën e krijimit. Dije me siguri se krijimi i Perëndisë ka ekzistuar përjetësisht dhe do të vazhdojë të ekzistojë përgjith¬monë. Fillimi i tij nuk ka fillim dhe fundi i tij nuk njeh fund. Emri i Tij “Krijuesi” presupozon një krijim, ashtu sikundër titulli i Tij “Zoti i Njerëzve” nënkupton ekzistencën e një shërbëtori.

Sa për ato thënie që u atribuohen Profetëve të lashtë, si: “Në fillim ishte Perëndia; nuk kishte ndonjë krijesë që ta njihte Atë”, dhe “Zoti ishte vetëm dhe nuk kishte askënd që ta adhuronte Atë”, kuptimi i këtyre thënieve e i të tjerave si këto është i qartë e i dukshëm dhe kurrë nuk duhet keqkuptuar. Për këtë të vërtetë dëshmojnë këto fjalë që Ai ka reveluar: “Perëndia ishte i vetëm; nuk kishte askënd tjetër veç Tij. Ai do të mbesë gjithnjë po Ai që ka qenë.” Çdo sy që sheh do ta kuptojë menjëherë se tani Zoti është shfaqur, megjithatë nuk ka asnjë që ta njohë lavdinë e Tij. Kjo do të thotë se banesa ku rri Qenia Hyjnore është shumë më lart se kufiri e horizonti që mund të arrijë kushdo qoftë, veç Tij. Çdo gjë që mund të shprehet ose të kuptohet në këtë botë të rastit nuk mund t’i kalojë kurrë kufijtë që i janë imponuar për vetë natyrën e saj të brendshme. Vetëm Perëndia i kapërcen këta kufij. Ai, me të vërtetë, ekziston përjetësisht. Askush, si i barabartë apo partner, nuk është bashkuar dhe kurrë nuk mund të bashkohet me Të. Asnjë emër nuk mund të krahasohet me Emrin e Tij. Asnjë Pendë nuk është në gjendje të paraqesë natyrën e Tij e as ndonjë gjuhë të përshkruajë lavdinë e Tij. Ai do të mbetet përgjithmonë i lartësuar pa¬masë mbi cilindo, veç Vetes së Tij.

Mbaj parasysh orën në të cilën Manifestimi suprem i Perëndisë shfaq Veten e Tij para njerëzve. Para se të vijë kjo orë, Qenia e Lashtë, që është ende e panjohur për njerëzit dhe akoma nuk e ka shqiptuar Fjalën e Perëndisë, është Ai Vetë i Gjithëdijshmi në një botë ku nuk ka asnjë njeri që ta ketë njohur Atë. Ai është, me të vërtetë, Krijues pa krijim. Sepse pikërisht në çastin para Shfaqjes së Tij, çdo gjë e krijuar duhej t’i japë shpirtin Perëndisë. Kjo është me të vërtetë Dita për të cilën është shkruar: “E kujt do të jetë Mbretëria në këtë Ditë?” Dhe nuk gjendet askush i gatshëm që të përgjigjet!

-~-

LXXIX. Lidhur me pyetjen tënde për botët e Perëndisë. Dije se në të vërtetë botët e Perëndisë janë të pa¬numërta në sasi dhe të pafundme në shtrirjen e tyre. Askush nuk mund t’i numërojë ose t’i kuptojë ato, veç Perëndisë, të Gjithë¬dijshmit, Urtiplotit. Mbaj parasysh gjendjen tënde kur fle. Me të vërtetë, Unë them se kjo dukuri është më e mistershmja e shenjave të Perëndisë midis njerëzve, sikur ata ta peshonin këtë në zemrat e tyre. Shih sesi gjëja që ke parë në ëndërr, pas kalimit të një periudhe të gjatë kohe, realizohet tërësisht. Në qoftë se bota në të cilën je gjendur në ëndrrën tënde do të ishte e njëllojtë me botën në të cilën jeton, do të duhej që ngjarja që të ka ndodhur në ëndërr të ishte shfaqur në këtë botë pikërisht në momentin që sheh ëndrrën. Po të ishte kështu, ti vetë do të ishe dëshmitar për këtë. Por duke qenë se nuk ndodh kështu, që këtej rrjedh domosdosh¬mërisht se bota në të cilën jeton është e ndryshme dhe e ndarë nga ajo që ke parë në ëndërr. Kjo botë e fundit nuk ka as fillim, as mbarim. Do të ishte e vërtetë në rast se ti do të thoshe se kjo botë, siç e ka dekretuar Perëndia Lavdiplotë e i Gjithë¬fuqishëm, është brenda vetë vetes sate dhe e mbështjellë brenda teje. Po kështu do të ishte e vërtetë të thuhej se shpirti yt, pasi ka kapërcyer kufijtë e gjumit dhe është zhveshur nga çdo lidhje tokësore, ka kaluar, me vullnet të Perëndisë, një mbretëri që qëndron e fshehur në realitetin më të brendshëm të kësaj bote. Me të vërtetë, Unë them se krijimi i Perëndisë përfshin botë të tjera veç kësaj bote dhe krijesa të tjera veç këtyre krijesave. Në secilën prej këtyre botëve Ai ka para¬caktuar gjëra që askush nuk mund t’i hetojë veç Tij, Gjith¬hulumtuesit, Urtiplotit. Medito për atë që Ne të kemi reveluar, që të mund të zbulosh qëllimin e Perëndisë, Zotit tënd dhe Zotit të të gjitha botëve. Në këto fjalë janë mbledhur thesare të mistereve të Urtisë Hyjnore. Ne jemi vetpërmbajtur për të mos u ndalur në këtë temë, për shkak të keqardhjes që Na ka përfshirë nga veprimet e atyre që janë krijuar përmes fjalëve Tona, në qofshi ndër ata që i vënë vesh Zërit Tonë.

-~-

LXXX. Ti Më ke pyetur nëse njeriu, duke lënë mënjanë Profetët e Perëndisë dhe të zgjedhurit e Tij, do të ruajë pas vdekjes së tij fizike të njëjtin individualitet, personalitet, vetëdije e intelekt që karakterizonin jetën e Tij në këtë botë. Po të ishte kështu, thua ti, atëherë si është e mundur që, ndërsa dëmtime të tilla të vogla të aftësive të tij mendore, si humbja e ndjenjave apo sëmundje të rënda, e bëjnë Atë të humbasë të kuptuarit e vetëdijen, kurse vdekja e tij, e cila sjell dekompozimin e trupit të tij dhe shpërbërjen e elementëve, është e pafuqishme ta shkatërrojë atë intelekt dhe ta shuajë atë vetëdije? Si mund të imagjinohet që vetëdija dhe personaliteti i njeriut do të mbeten, kur instrumentat e nevojshëm për ekzistencën dhe funksionimin e tyre të jenë shpërbërë plotësisht?

Dije se shpirti i njeriut qëndron më lart dhe është i pavarur nga sëmundjet e trupit ose të mendjes. Që një person i sëmurë tregon shenja dobësie, kjo u detyrohet pengesave që futen në mes shpirtit dhe trupit të tij, sepse vetë shpirti nuk preket nga çfarëdo sëmundje e trupit. Shih dritën e llambës. Megjithëse një trup i jashtëm mund të ndërhyjë me ndriçimin e tij, vetë drita vazhdon të ndriçojë me jo më pak fuqi. Po kështu, çdo sëmundje që mundon trupin e njeriut është një pengesë që nuk e lë shpirtin të manifestojë forcën e fuqinë e tij të brendshme. Megjith¬atë, kur të largohet nga trupi, shpirti do të tregojë një ngjitje të tillë dhe do të shfaqë një ndikim të tillë, me të cilat asnjë forcë në botë nuk mund të barazohet. Çdo shpirt i kulluar, i pastër e i shenjtë¬ruar do të pajiset me një fuqi të pamasë dhe do të gëzohet me ngazëllim të madh.

Mendo një llambë të futur në një arkë. Megjithëse drita e saj ndriçon, ajo megjithatë është e fshehur nga njerëzit. Po kështu, shiko diellin e errësuar nga retë. Shih sesi shkëlqimi i tij duket sikur është pakësuar, kur në të vërtetë burimi i asaj drite nuk ka ndryshuar. Shpirti i njeriut duhet krahasuar me këtë diell dhe të gjitha gjërat mbi tokë duhen parë si trupi i tij. Sa kohë që asnjë pengesë e jashtme nuk ndërhyn ndërmjet tyre, trupi në tërësinë e tij do të vazhdojë të pasqyrojë dritën e shpirtit dhe të mbështetet nga fuqia e tij. Por sapo një perde futet ndërmjet tyre, shkëlqimi i asaj drite duket sikur pakësohet.

Mendo përsëri diellin kur është krejt i fshehur pas reve. Megjithëse toka ndriçohet ende nga drita e tij, por sasia e dritës që ajo merr është pakësuar shumë. Dhe sa kohë retë nuk janë shpërndarë, dielli nuk do të shkëlqejë përsëri në tërë lavdinë e vet. Por as prania e resë dhe as mungesa e saj nuk mundet kurrsesi të ndikojë mbi shkëlqimin e qenësishëm të diellit. Shpirti i njeriut është dielli prej të cilit ndriçohet trupi i tij dhe nga i cili ai merr jetë, dhe kështu duhet parë.

Shih, veç kësaj, sesi fruti, para se të formohet, gjendet si mundësi brenda pemës. Sikur të pritej ajo pemë copa-copa, asnjë shenjë e as ndonjë pjesë, sado e vogël, e frutit nuk do të mund të zbulohej. Por kur shfaqet, ai e manifeston veten, siç e ke vënë re, me bukurinë e vet të mahnitshme e përsosurinë e tij të lavdishme. Disa fruta, me të vërtetë, e arrijnë zhvillimin e tyre të plotë vetëm pasi janë ndarë nga pema.

-~-

LXXXI. Dhe tani lidhur me pyetjen tënde për shpirtin e njeriut dhe mbi¬jetesën e tij pas vdekjes. Dije, me të vërtetë, se shpirti, pas ndarjes së tij nga trupi, do të vazhdojë të përparojë derisa të arrijë praninë e Perëndisë, në një gjendje e në kushte që as rrokullisja e epokave dhe e shekujve, as ndryshimet e ngjarjet e kësaj bote nuk mund t’i ndryshojnë. Ai do të vazhdojë aq gjatë sa vetë Mbretëria e Perëndisë, sovraniteti, sundimi e fuqia e Saj. Ai do të manifestojë shenjat e Perëndisë e atributet e Tij, dhe do të shfaqë mirëdashjen e zemër¬gjerësinë e Tij. Lëvizja e Pendës Sime ndalet, kur përpiqet të përshkruajë ashtu si duhet fisnikë¬rinë dhe lavdinë e kësaj pozite aq sublime. Nderi, me të cilin Dora e Mëshirës do ta veshë shpirtin, është i tillë sa asnjë gjuhë nuk mund ta revelojë ashtu si duhet, dhe as ndonjë mjet tjetër tokësor nuk mund ta përshkruajë. I bekuar është ai shpirt që në kohën e ndarjes nga trupi është spastruar nga përfytyrimet e kota të njerëzve të kësaj bote. Një shpirt i tillë jeton e lëviz në pajtim me Vullnetin e Krijuesit të Tij dhe hyn në Parajsën më të lartë. Shërbëtoret e Qiellit, banore të pallateve më të larta, do të mblidhen rreth Tij, dhe Profetët e të zgjedhurit e Perëndisë do të kërkojnë shoqërinë e tij. Ai shpirt do të bisedojë lirshëm me ta dhe do t’u tregojë ç’i është dashur të vuajë në shtegun e Perëndisë, Zotit të të gjitha botëve. Po t’i thuhej ndonjë njeriu se ç’i është caktuar një shpirti të tillë në botët e Perëndisë, Zotit të Fronit atje lart e të tokës këtu poshtë, tërë qenia e tij do të ndizej menjëherë nga dëshira e zjarrtë për të arritur këtë pozitë aq sublime, të shenjtë¬ruar e të ndritshme… Natyra e shpirtit pas vdekjes kurrë nuk mund të përshkruhet, e as është e përshtatshme dhe e lejueshme të zbulohet në sytë e njerëzve tërë karakteri i tij. Profetët dhe Lajmë¬tarët e Perëndisë janë dërguar për të vetmin qëllim që ta udhëheqin njerëzimin në Shtegun e drejtë të së Vërtetës. Qëllimi që qëndron në themel të Revelacionit të tyre ka qenë të edukojnë të gjithë njerëzit, që ata, në orën e vdekjes, të mund të ngjiten, me çiltërsinë e shenjtërinë më të madhe dhe me shkëputje absolute, te Froni i Më të Lartit. Drita që këta shpirtra rrezatojnë është ajo që çon në progresin e botës e në përparimin e popujve të saj. Ata janë si tharmi që fermenton botën e qenies dhe përbëjnë forcën gjallëruese përmes së cilës shfaqen artet dhe mrekullitë e botës. Përmes tyre retë derdhin bujarinë e tyre mbi njerëzit dhe toka jep frytet e saj. Të gjitha gjërat duhet të kenë një shkak, një fuqi motivuese, një parim që u jep jetë. Këta shpirtra e simbole shkëputjeje kanë dhënë e do të vazhdojnë të japin impulsin lëvizës suprem në botën e qenies. Bota e përtejme ndryshon nga kjo botë po aq sa kjo botë ndryshon nga bota e foshnjës që ndodhet ende në mitrën e nënës. Kur shpirti arrin në Praninë e Perën¬disë, ai merr formën që i përshtatet më mirë pavdekësisë së tij dhe që është e denjë për banesën e tij qiellore. Një ekzistencë e tillë është e rastësishme e jo absolute, sepse e para [e rastësishmja] prihet nga një shkak, ndërsa tjetra [absolutja] është e pavarur prej tij. Ekzistenca absolute është rigorozisht e kufizuar te Perëndia, lartësuar qoftë lavdia e Tij. Lum ata që e kuptojnë këtë të vërtetë. Po të përsiatje në zemrën tënde sjelljen e Profetëve të Perëndisë, ti me siguri e pa ngurruar do të dëshmoje se duhet të ketë botë të tjera veç kësaj bote. Shumica e të urtëve dhe e dijetarëve të vërtetë, gjatë epokave, siç është shënuar nga Penda e lavdisë në Tabelën e Urtisë, kanë dëshmuar për të vërtetën që ka reveluar Shkrimi i Shenjtë i Perëndisë. Madje edhe materia¬listët kanë dëshmuar në shkrimet e veta për urtinë e këtyre Lajmë¬tarëve hyjnorë, dhe i kanë parë referencat e bëra nga këta Profetë për Parajsën, për zjarrin e skë¬terrës, për shpërblimin e ardhshëm dhe dënimin si të diktuara nga dëshira për të edukuar e lartësuar shpirtrat e njerëzve. Shih, pra, sesi shumica e njerëzve, të çfarëdo besimi ose teorie, e kanë njohur përsosurinë dhe e kanë pranuar epërsinë e këtyre Profetëve të Perëndisë. Këta Margaritarë të Shkëputjes janë përshëndetur nga disa si mishërime të urtisë, ndërsa të tjerë besojnë se ata janë zëdhënësit e Vetë Perëndisë. Si do të mundnin shpirtra të tillë të pranonin t’u dorëzoheshin armiqve të tyre, në qoftë se do të besonin se të gjitha botët e Perëndisë reduktoheshin në këtë jetë tokësore? A do të kishin vuajtur ata me dëshirë hidhërime e tortura të tilla, që askush kurrë nuk i ka parë ose provuar?

-~-

LXXXII. Ti Më pyesje lidhur me natyrën e shpirtit. Dije, në të vërtetë, se shpirti është një shenjë e Perëndisë, një Margaritar qiellor, realiteti i të cilit u ka shpëtuar edhe njerëzve më të ditur dhe misterin e të cilit asnjë mendje, sado e mprehtë, nuk mund të shpresojë ta zbulojë. Ai është i pari midis gjërave të krijuara që shpall përsosurinë e Krijuesit, i pari që njeh lavdinë e Tij, që kapet pas së vërtetës së Tij dhe përulet me adhurim para Tij. Në qoftë se do t’i jetë besnik Perëndisë, do të pasqyrojë dritën e Tij dhe, më në fund, do të kthehet tek Ai. Por në qoftë se nuk i përmbahet besnikë¬risë ndaj Krijuesit të vet, do të bjerë viktimë e egos dhe e pasionit e, në fund, do të zhytet në humnerën e tyre.

Kushdo që në këtë Ditë nuk ka lënë që dyshimet e fantazitë e njerëzve ta largojnë nga Ai që është e Vërteta e Përjetshme, dhe nuk ka lejuar që pështjellimi i shkaktuar prej autoriteteve fetare ose laike ta pengojnë të njohë Mesazhin e Tij, një njeri i tillë do të shihet nga Perëndia, Zoti i të gjithë njerëzve, si një prej shenjave të Tij të fuqishme dhe do të numërohet midis atyre, emrat e të cilëve janë shkruar në Librin e Tij nga Penda e Më të Lartit. Lum ai që ka njohur peshën e vërtetë të një shpirti të tillë, që ka shquar pozitën e tij dhe ka zbuluar virtytet e tij.

Shumë është shkruar në librat e lashtë lidhur me stadet e ndryshme të zhvillimit të shpirtit, siç janë: epshi, gjaknxehtësia, frymëzimi, dashamirësia, kënaqë¬sia, pëlqimi Hyjnor etj.; por Penda e Më të Lartit nuk është e prirur të ndalet në to. Çdo shpirt që, në këtë Ditë, shkon me përunjësi me Perëndinë e vet dhe mbahet pas Tij, do ta shohë veten të veshur me nderin e lavdinë e gjithë emrave e të pozitave fatlume.

Kur njeriu është në gjumë, nuk mund të thuhet kurrsesi që shpirti i tij të jetë ndikuar në brendinë e vet nga ndonjë objekt i jashtëm. Ai nuk është i ndjeshëm ndaj asnjë ndryshimi në gjendjen ose karak¬terin e vet fillestar. Çdo ndryshim në funksionet e tij duhet lidhur me shkaqe të jashtme. Këtyre ndiki¬meve të jashtme u duhen atribuar ndryshimet në mjedisin, në të kuptuarit e në perceptimin e tij.

Merr syrin njerëzor. Megjithëse ai ka dhuntinë e perceptimit të të gjitha gjërave të krijuara, pengesa më e vogël mund ta pengojë pamjen e tij aq sa ta privojë atë nga aftësia për të shquar çfarëdo objekti. U madhë¬roftë emri i Atij që i ka krijuar këto shkaqe, dhe që është Shkaku i shkaqeve, i Atij që ka urdhëruar që çdo ndryshim e variacion në botën e qenies të varet prej tyre. Çdo gjë e krijuar në tërë gjithësinë s’është veçse një portë që të çon në dijen e Tij, një shenjë e sovranitetit të Tij, një revelacion i emrave të Tij, një simbol i Madhështisë së Tij, një shfaqje e fuqisë së Tij, një mjet për të hyrë në rrugën e Tij të drejtë…

Me të vërtetë, Unë them se shpirti njerëzor është, në thelbin e vet, një prej shenjave të Perëndisë, një mister midis mistereve të Tij. Ai është një prej shenjave të fuqishme të të Fuqiplotit, lajmëtari që shpall realitetin e të gjitha botëve të Perëndisë. Brenda tij fshihet ajo që tani bota është krejt e paaftë ta kuptojë. Pesho në zemrën tënde revelacionin e Shpirtit të Perëndisë që përshkon të gjitha Ligjet e Tij dhe vjen ndesh me natyrën e ulët e të pangopur që është rebeluar kundër Tij, që i pengon njerëzit të kthehen nga Zoti i emrave dhe i shtyn ata të jepen pas epsheve e shpirtligësisë së tyre. Një shpirt i tillë, me të vërtetë, ka shkuar larg në rrugën e gabimit…

Ti Më pyesje, veç kësaj, për gjendjen e shpirtit pas ndarjes së tij nga trupi. Dije, me të vërtetë, që në qoftë se shpirti i njeriut ka ecur në rrugën e Perëndisë, ai, me siguri, do të kthehet tek i Shumë¬dashuri dhe do të pritet në lavdinë e Tij. Për drejtësinë e Perëndisë! Ai do të arrijë një pozitë të tillë që asnjë pendë nuk mund ta paraqesë e asnjë gjuhë ta për¬shkruajë. Shpirti që i ka mbetur besnik Kauzës së Perëndisë dhe ka qëndruar i patundur në Shtegun e Tij, do të zotërojë pas ngjitjes një fuqi të tillë, saqë të gjitha botët që Fuqiploti ka krijuar do të për¬fitojnë nëpërmjet tij. Një shpirt i tillë sjell, me urdhër të Mbretit Ideal e Edukatorit Hyjnor, tharmin e pastër që fermenton botën e qenies dhe siguron fuqinë, përmes së cilës artet dhe mrekullitë e botës manifestohen. Shih sesi buka ka nevojë për maja që të fryhet. Ata shpirtra që janë simbolet e shkëputjes janë majaja e botës. Medito për këtë dhe ji ndër ata që janë mirënjohës.

Në disa nga Tabelat Tona e kemi prekur këtë temë dhe kemi treguar stadet e ndryshme në zhvillimin e shpirtit. Me të vërtetë Unë them se shpirti njerëzor është i lartësuar mbi të gjitha daljet e kthimet. Ai është i palëvizshëm, por fluturon lart; ai lëviz, por është i palëviz-shëm. Ai është, në vetvete, një provë që dëshmon për ekzistencën e një bote të rastë¬sishme, si dhe për realitetin e një bote që nuk ka as fillim, as fund. Shiko sesi ëndrra që ke parë, pas kalimit të shumë viteve, rishfaqet para syve të tu. Mendo sa i çuditshëm është misteri i botës që të shfaqet ty në ëndërr. Gjyko në zemrën tënde për urtinë e padepërtueshme të Perëndisë dhe medito për revelacionet e saj të shumta…

Shih faktet mahnitëse të veprës së Perëndisë dhe reflekto për rëndësinë e karakterin e saj. Ai që është Vula e Profetëve ka thënë: “Shtoje mahnitjen e habinë time për Ty, O Perëndi!”

Përsa i përket pyetjes sate nëse bota fizike ka kufizime, dije se të kuptuarit e kësaj çështjeje varet nga vetë vëzhguesi. Në një sens ajo është e kufizuar; në një tjetër qëndron tej çdo kufizimi. I vetmi Perëndi i vërtetë ka ekzistuar gjithmonë dhe do të vazhdojë të ekzistojë përjetësisht. Po kështu edhe krijimi i Tij nuk ka pasur fillim dhe nuk do të ketë fund. Megjithatë, çdo gjë e krijuar është paraprirë nga një shkak. Ky fakt në vetvete provon, pa fijen e dyshimit, unitetin e Krijuesit.

Ti, veç kësaj, Më ke pyetur lidhur me natyrën e sferave qiellore. Për të kuptuar natyrën e tyre, do të ishte e nevojshme të kërkosh domethënien e aluzioneve që janë bërë në Librat e lashtë për sferat qiellore e për qiejt dhe të zbulosh karakterin e raportit të tyre me këtë botë fizike, si dhe ndikimin që ato ushtrojnë mbi të. Çdo zemër mbushet me çudi para një subjekti kaq të habitshëm dhe çdo mendje mbetet e hutuar përballë misterit të tij. Veç Perëndia mund ta matë rëndësinë e saj. Dijetarët, që e kanë përcaktuar në disa mijëvjeçarë jetën e kësaj toke, nuk kanë mundur asnjëherë të përcaktojnë, në periudhën e gjatë të vëzhgimeve të tyre, as numrin e as moshën e planeteve të tjera. Për më tepër, mbaj parasysh divergjencat e shumta që kanë rezultuar nga teoritë e shtjelluara prej këtyre njerëzve. Dije se çdo yll i palëvizshëm ka planetet e veta dhe çdo planet krijesat e veta, numrin e të cilave askush nuk mund ta llogaritë.

O ti që i ke mbërthyer sytë mbi shëmbëlltyrën Time! Agimi i Lavdisë ka manifestuar, në këtë Ditë, shkëlqimin e vet dhe Zëri i Më të Lartit po thërret. Ne kemi shqiptuar më parë këto fjalë: “Kjo nuk është dita që ndonjëri të vërë në dyshim Zotin e tij. Kushdo që ka dëgjuar Thirrjen e Perëndisë, të shqiptuar prej Atij që është Agimi i Lavdisë, le të ngrihet e të thërrasë: “Ja ku jam, ja ku jam, O Zot i të gjithë Emrave; ja ku jam, ja ku jam, O Krijues i qiejve! Unë dëshmoj se, përmes Revelacionit Tënd, gjërat e fshehura në Librat e Perëndisë janë zbuluar dhe se çdo gjë që është shënuar nga Lajmëtarët e Tu në Librat e shenjta është përmbushur.”

-~-

LXXXIII. Mbaj parasysh dhuntinë e arsyetimit, me të cilën Perëndia ka pajisur thelbin e njeriut. Ekzamino veten tënde dhe shih sesi lëvizja dhe palëvizshmëria jote, vullneti dhe qëllimi yt, shikimi dhe dëgjimi yt, shqisa e të nuhaturit dhe zotësia e të folurit tënd, si dhe çdo gjë tjetër që lidhet me shqisat tuaja fizike apo perceptimet shpirtërore ose që i kapërcen ato, të gjitha vijnë pikërisht nga kjo dhunti e ia detyrojnë asaj ekzistencën e tyre. Ato janë të lidhura aq ngushtë me të, saqë sikur lidhjet e tyre me trupin njerëzor të shkëputeshin, qoftë edhe më pak sesa të hapësh e të mbyllësh sytë, atëherë secila prej këtyre shqisave do të pushonte menjëherë së ushtruari funksionet e veta dhe do të humbiste aftësinë për të manifestuar provat e ve-primtarisë së vet. Është padyshim e qartë dhe evidente që secili prej këtyre instrumentave të sipër¬për¬mendur varet, dhe do të vazhdojë gjithnjë të varet, nga funksionimi i përsosur i kësaj dhuntie racionale, e cila duhet parë si një shenjë e revelacionit të Atij që është Zoti sovran i gjithçkaje. Përmes manifestimit të saj janë reveluar të gjithë emrat e atributet, dhe me ndërprerjen e veprimit të saj të gjitha ato shkatërrohen e vdesin.

Do të ishte tërësisht e rreme të mendohej që kjo dhunti është njëlloj si aftësia e të parit, sepse aftësia e të parit rrjedh prej saj dhe vepron e varur prej saj. Po ashtu, do të ishte e kotë të thuhej që kjo dhunti mund të njëjësohet me shqisën e të dëgjuarit, sepse shqisa e të dëgjuarit e merr nga dhuntia racionale energjinë e nevojshme për të kryer funksionet e veta.

Po kjo marrëdhënie e lidh këtë dhunti racionale me çfarëdo që ka qenë bartësi i këtyre emrave e atributeve brenda tempullit njerëzor. Këta emra të ndryshëm e atribute të reveluara janë lindur nga veprimi i kësaj shenje të Perëndisë. E lartësuar pafund është kjo shenjë, në thelbin e në realitetin e saj, mbi të gjithë këta emra e atribute. Madje gjithçka tjetër, kur krahasohet me lavdinë e saj, venitet deri në hiç e bëhet një gjë e harruar.

Sikur ti të gjykoje në zemrën tënde, që tani e deri në fundin që s’ka fund, me tërë inteligjencën e të kuptuarit e përqendruar që mendjet më të mëdha kanë arritur në të shkuarën ose do të arrijnë në të ardhmen, për këtë Realitet të hollë e të krijuar në mënyrë hyjnore, për këtë shenjë të revelacionit të Perëndisë së Gjithëhershëm, Lavdiplotë, ti përsëri nuk do të arrije të kuptoje misterin e Tij ose të çmoje si duhet vlerën e Tij. Pasi të kesh njohur se është e pamundur të arrish një kuptim të përshtatshëm të atij Realiteti që është brenda teje, ti do të pranosh me lehtësi sa të kota janë përpjekjet që mund të bësh ti, ose çdo krijesë tjetër, për të hetuar misteret e Perëndisë Që Jeton, të Diellit të Lavdisë së pashuar, të të Lashtit të Kohëve të përjetshme. Ky rrëfim për pafuqinë, që një gjykim i pjekur duhet të shtyjë çdo mendje ta bëjë, është në vetvete apogjeu i kuptimit njerëzor dhe shënon kulmin e zhvillimit të njeriut.

-~-

LXXXIV. Shikoje të Vetmin Perëndi të vërtetë si Ai që është i veçantë e superior pamasë mbi të gjitha gjërat e krijuara. Tërë gjithësia pasqyron lavdinë e Tij, ndërsa Ai Vetë është i pavarur e ua kalon krijesave të Tij. Ky është kuptimi i vërtetë i unitetit Hyjnor. Ai që është e vërteta e përjetshme është Fuqia e vetme që ushtron sovra¬ni¬tet të padiskutueshëm mbi botën e qenies, imazhi i së Cilës reflektohet në pasqyrën e gjithë krijimit. Çdo ekzistencë varet prej Tij dhe prej Tij rrjedh burimi i jetesës së të gjitha gjërave. Kjo spjegon çdo të thotë unitet Hyjnor; ky është parimi bazë i tij.

Disa, të gënjyer nga fanta¬zitë e tyre të kota, i kanë kon¬ceptuar të gjitha gjërat e krijuara si bashkëpunëtore të Perëndisë e të barabarta me të, dhe e kanë përfy¬tyruar veten e tyre si përfaqësuesit e Unitetit të Tij. Për atë që është i Vetmi Perëndi i vërtetë! Njerëz të tillë kanë qenë e do të vazhdojnë të jenë viktima të imitimit të verbër dhe duhen radhitur me ata që kanë një konceptim të ngushtë e të kufizuar për Perëndinë.

Besimtar i vërtetë në Unitetin Hyjnor është ai që, duke mos e ngatërruar aspak dualitetin me njëshmërinë, refuzon të lejojë çfarëdo nocioni të pluralizmit që errëson konceptimin e veçanësisë së Perëndisë dhe që e konsideron Qenien Hyjnore si Ai, që për vetë natyrën e Tij, i kapërcen kufizimet e numrave.

Thelbi i besimit në Unitetin Hyjnor konsiston në të konsideruarit e Atij që është Manifestimi i Perëndisë, dhe të Atij që është Thelbi i padukshëm, i paarritshëm e i panjohshëm, si e njëjta dhe e vetmja gjë. Me këtë nënkuptohet se çdo gjë që i përket të parit, të gjitha veprimet e bëmat e Tij, çdo gjë që Ai urdhëron apo ndalon, duhet konsideruar, në të gjitha aspektet, në çdo rrethanë e pa kurrfarë rezerve, si identike me Vullnetin e Vetë Perëndisë. Kjo është pozita më e lartë që mund të shpresojë të arrijë ndonjëherë një besimtar i vërtetë në Unitetin e Perëndisë. Lum njeriu që e ka arritur këtë pozitë dhe ajo u përket atyre që janë të patundur në besimin e tyre.

-~-

LXXXV. O shërbëtorë të Mi! Ju duhet të rifreskoni e rigjallë¬roni shpirtrat tuaj përmes favoreve dashamirëse që, në këtë Pranverë hyjnore e rrëmbenjëse, po vër¬shojnë mbi ju. Dielli i lavdisë së Tij të madhe ka derdhur mbi ju shkël-qimin e vet, dhe retë e mirësisë së Tij të pakufishme ju kanë mbë¬shtjellë në hijen e tyre. Sa i madh është shpërblimi i atij që nuk ia ka mohuar vetes një bujari kaq të madhe, dhe nuk ka munguar të njohë bukurinë e të Shumëdashurit të tij nën këtë veshje të re të Tij.

Thuaj: O njerëz! Llamba e Perëndisë po ndriçon; kini kujdes, se mos erërat e furishme të mosbindjes shuajnë dritën e saj. Tani është koha të ngriheni e të madhëroni Zotin, Perëndinë tuaj. Mos u përpiqni për rehati trupore dhe mbajeni zemrën tuaj të pastër e të panjollë. I Ligu është në pritë, i gatshëm t’ju zërë në grackë. Ruhuni nga dredhitë e tij të mbrapshta dhe, të udhëhequr nga drita e emrit të të vetmit Perëndi të vërtetë, çlirojeni veten nga errësira që ju rrethon. Përqendrojini mendimet tuaja tek i Shumë¬dashuri, e jo te vetvetja.

Thuaj: O ju që jeni larguar e keni ngatërruar rrugën! Lajmëtari Hyjnor, që thotë vetëm të vërtetën, ju ka njoftuar ardhjen e të Shumëdashurit. Shikoni, Ai tashmë ka ardhur. Përse, pra, jeni të dëshpëruar e të dërrmuar? Përse qëndroni të poshtëruar, kur i Pastri e i Fshehuri është shfaqur pa perde midis jush? Ai që është edhe Fillimi edhe Mbarimi, Ai që është edhe Palëvizshmëri edhe Lëvizje, është tani i dukshëm para syve tuaj. Shihni sesi, në këtë Ditë, Fillimi pasqyrohet në Fundin, sesi nga Palëvizshmëria ka lindur Lëvizja. Kjo lëvizje ka lindur nga energjitë e fuqishme që fjalët e të Fuqiplotit kanë përhapur në gjithë krijimin. Kush është gjallëruar nga fuqia e tyre jetëdhënëse, do ta ndiejë veten të shtyrë për të hyrë në oborrin e të Shumëdashurit; dhe kush e privon veten nga kjo, do të zhytet në rraskapitje të pashërueshme. Me të vërtetë i urtë është ai që bota e gjithçka ndodhet në të nuk e kanë penguar të njohë dritën e kësaj Dite, ai që nuk ka lejuar që fjalët e kota të njerëzve ta largojnë nga rruga e drejtësisë. I ngjan, me të vërtetë, një të vdekuri, ai që në agimin mahnitës të këtij Revelacioni nuk është gjallëruar nga flladi i tij shpirtpërtëritës. Ai është me të vërtetë një rob që nuk e ka njohur Shëlbuesin Suprem, por ka lënë që shpirti i tij të mbetet i lidhur, i dëshpëruar e i pa¬fuqi¬shëm në prangat e dëshirave të tij.

O shërbëtorë të Mi! Kush ka provuar ujët e këtij Burimi ka arritur Jetën e përjetshme, dhe kush ka refuzuar të pijë nga ai i ngjan një të vdekuri. Thuaj: O ju krijues padrejtësish! Lakmia ju ka penguar të dëgjoni zërin e ëmbël të Atij që është i Gjithmjaftueshmi. Çrrënjoseni atë nga zemrat tuaja, që të mund të njihni sekretin e Tij Hyjnor. Shikojeni Atë, të dukshëm e të shndritshëm si dielli në tërë lavdinë e vet.

Thuaj: O ju që jeni të privuar nga të kuptuarit! Një sprovë e rëndë ju kërcënon dhe do t’ju arrijë papritur. Shkunduni, që të mund ta kaloni atë pa pësuar ndonjë të keqe. Njihni karakterin sublim të Emrit të Zotit, Perëndisë suaj, që ka ardhur te ju në madhështinë e lavdisë së Tij. Ai, me të vërtetë, është i Gjithë¬dijshmi, Gjithëzotëruesi, Mbrojtësi Suprem.

-~-

LXXXVI. Dhe tani lidhur me pyetjen tënde nëse shpirtrat njerë¬zorë vazhdojnë të jenë të vetë¬dij¬shëm për njëri-tjetrin pas ndarjes së tyre nga trupi. Dije se shpirtrat e njerëzve të Bahá·it, që kanë hyrë e janë vendosur brenda Arkës Kërmëz, do të shoqërohen e do të bisedojnë përzemërsisht me njëri-tjetrin, dhe do të jenë të lidhur aq ngushtë në jetët e tyre, në aspiratat e tyre dhe në qëllimet e përpjekjet e tyre, sikur të ishin një shpirt i vetëm. Ata janë me të vërtetë të mirinformuarit, ata që kanë shikim të mprehtë e që janë të pajisur me intuitë. Kështu është dekretuar prej Atij që është i Gjithëdijshmi, Urtiploti.

Njerëzit e Bahá·it që jetojnë në Arkën e Perëndisë janë, që të gjithë, mirë në dijeni të gjendjes e të kushteve të njëri-tjetrit, ata janë të bashkuar nga lidhje intime e shoqërore. Një gjendje e tillë, sidoqoftë, varet nga besimi dhe sjelljet e tyre. Ata që janë të së njëjtës gradë e pozitë i njohin mirë kapacitetin, karakterin dhe meritat e njëri-tjetrit. Por ata që janë të një grade më të ulët, janë të paaftë të kuptojnë si duhet pozitën ose të vlerësojnë meritat e atyre që radhiten mbi ta. Secili do të marrë pjesën e vet prej Zotit tënd. Lum njeriu që e ka kthyer fytyrën drejt Perëndisë dhe ka ecur i patundur në dashurinë e Tij, derisa shpirti i tij ka nisur flutu¬rimin drejt Perëndisë, Zotit sovran të gjithçkaje, Më të Fuqishmit, Gjithmonëfalësi, Mëshirë¬plotit.

Kurse shpirtrat e të pa¬be¬sëve, – dhe Unë dëshmoj për këtë, – në çastin që japin frymën e fundit, do të bëhen të vetëdijshëm për gjërat e mira që u kanë shpë-tuar, do të vajtojnë për fatin e tyre të keq dhe do ta përunjin veten para Perëndisë. Ata do të vazh¬dojnë të bëjnë kështu pas ndarjes së shpirtrave të tyre nga trupi.

Është e qartë dhe evidente që të gjithë njerëzit, pas vdekjes së tyre fizike, do të gjykojnë për vlerën e veprave të tyre dhe do të kuptojnë gjithçka kanë bërë duart e tyre. Betohem për Diellin që shkëlqen mbi horizontin e fuqisë Hyjnore! Ata që janë pasuesit e të vetmit Perëndi të vërtetë do të ndiejnë, qysh në çastin e ndarjes nga kjo jetë, një gëzim e një ngazëllim të tillë që nuk mund të përshkruhet, ndërsa ata që jetojnë në gabim do të kapen nga një frikë e të dridhura të tilla dhe do të mbushen me një trishtim të tillë që s’kanë të krahasuar. Lum ai që ka pirë verën e zgjedhur e të pavdirë të besimit në saje të mirëdashjes e të bujarive të shumta të Atij që është Zoti i të gjitha Besimeve…

Kjo është Dita kur të dashurit e Perëndisë duhet t’i mbajnë sytë nga Manifestimi i Tij dhe t’i mbërthejnë në çdo gjë që këtij Manifestimi do t’i pëlqejë të revelojë. Disa tradita të kohëve të lashta nuk kanë kurrfarë baze, ndërsa nocionet e përkrahura nga brezat e kaluar, të cilat ata i kanë shënuar në librat e veta, janë ndikuar në pjesën më të madhe nga dëshirat e një prirjeje të zvetënuar. Ti mund ta shohësh sesi pjesa më e madhe e komenteve dhe e interpretimeve të fjalëve të Perëndisë që qarkullojnë sot midis njerëzve janë të zhveshura nga e vërteta. Falsiteti i tyre, në disa raste, ka dalë sheshit, kur perdet ndërmjetëse janë shqyer. Ata vetë e kanë pranuar se nuk kanë arritur të kuptojnë domethënien e një fjale të vetme të Perëndisë.

Qëllimi Ynë është të tregojmë që, në qoftë se të dashurit e Perëndisë do t’i spastrojnë zemrat dhe veshët e tyre nga thëniet e kota të shqiptuara dikur dhe do ta kthejnë me gjithë shpirt shikimin nga Ai që është Agimi i Revelacionit të Tij dhe nga çdo gjë që Ai ka manifestuar, një sjellje e tillë do të shihet si tepër e merituar në sytë e Perëndisë…

Madhëro Emrin e Tij dhe ji ndër ata që janë mirënjohës. Çoji përshëndetjet e Mia të dashurve të Mi, që Perëndia i ka zgjedhur për dashurinë e Tij dhe i ka bërë të arrijnë objektivat e tyre. Gjithë lavdia qoftë mbi Perëndinë, Zotin e të gjitha botëve.

-~-

LXXXVII. Dhe tani lidhur me pyetjen tënde, “Përse nuk gjendet asnjë gjurmë për Profetët që kanë qenë para Adamit, Atit të Njerëzimit, ose për mbretërit që kanë jetuar në ditët e atyre Profetëve?” Dije se mungesa e ndonjë reference për ta nuk provon që ata nuk kanë ekzistuar me të vërtetë. Mungesa e kujtimeve në lidhje me ta i duhet atribuar largësisë së tyre të skajshme në kohë, si dhe ndryshimeve të mëdha që ka pësuar toka që nga koha e tyre.

Për më tepër, forma e mënyra të tilla shkrimi që janë të përhapura tani midis njerëzve nuk njiheshin nga gjeneratat që kanë ekzistuar para Adamit. Ka qenë madje një kohë që njerëzit ishin tërësisht të paditur në artin e të shkruarit dhe kishin adoptuar një sistem krejt të ndryshëm nga ai që përdorin sot. Për ta shtjelluar si duhet këtë, do të ishte i nevojshëm një shpjegim më i përpunuar.

Ki parasysh diferencat që janë shfaqur që nga ditët e Adamit. Gjuhët e ndryshme të përhapura gjerësisht, që fliten tani nga popujt e botës, në fillim nuk njiheshin, siç nuk njiheshin dhe rregullat e zakonet e ndryshme që mbizotë¬rojnë tani në mes tyre. Njerëzit e atyre kohëve flisnin një gjuhë të ndryshme nga ato që njihen tani. Larmi të gjuhëve u shfaqën në një epokë të mëvonshme, në një tokë të njohur me emrin Bábel. Asaj iu dha emri Bábel, sepse ky term do të thotë “Vendi ku lindi ngatërrimi i gjuhëve”.

Pastaj, midis gjuhëve që ekzistonin në atë kohë predominoi Siriakishtja. Shkrimet e Shenjta të kohëve të lashta u reveluan në atë gjuhë. Më pas doli Abrahami, Miku i Perëndisë, dhe derdhi mbi botë dritën e Revelacionit Hyjnor. Gjuha që Ai foli kur po kalonte Jordanin u bë e njohur si Hebraishtja (‘Ibrání), që do të thotë “gjuha e kalimit”. Librat e Perëndisë dhe Shkrimet e Shenjta u reveluan pastaj në këtë gjuhë, dhe vetëm pas një kohe të konsiderueshme gjuha e Revelacionit u bë Arabishtja…

Shih, pra, sa të shumta e me shtrirje të gjerë kanë qenë ndryshimet në gjuhë, në të folur e në të shkruar, që nga ditët e Adamit. Po sa më të mëdha duhet të kenë qenë ndryshimet para Tij!

Qëllimi Ynë në revelimin e këtyre fjalëve është të tregojmë se i vetmi Perëndi i vërtetë, në pozitën e Tij tepër të lartë e që s’njeh kufi, ka qenë përherë, dhe do të vazhdojë përjetësisht të jetë, i lartësuar tej lavdërimit e koncep¬timit të cilitdo tjetër, veç Tij. Krijimi i tij ka ekzistuar gjithmonë, dhe Manifestimet e lavdisë së Tij Hyjnore e Agimet e shenjtërisë së përjetshme janë çuar që prej kohësh që s’mbahen mend dhe kanë pasur për qëllim ta ftojnë njerëzimin të njohë të vetmin Perëndi të vërtetë. Fakti që emrat e disave prej tyre janë harruar dhe kujtimet nga jeta e tyre kanë humbur, i duhet atribuar çrregu¬lli¬meve e ndryshimeve që kanë ndodhur në botë.

Në disa libra bëhet fjalë për një përmbytje që solli shkatërrimin e gjithçkaje që ekzistonte mbi tokë, duke përfshirë edhe kujtimet historike bashkë me të tjerat. Veç kësaj, kanë ndodhur shumë kataklizma që kanë fshirë gjurmët e mjaft ngjarjeve. Për më tepër, midis dokumenteve historike ekzistuese ndeshen ndryshime, dhe secili prej popujve të botës ka versionin e vet për moshën e tokës e historinë e saj. Disa e gjejnë historinë e vet deri në tetëmijë vjet më parë, të tjerë deri në dymbëdhjetëmijë vjet më parë. Për çdo njeri që ka lexuar Librin e Júk·ut, është e qartë dhe evidente sesa shumë ndryshojnë të dhënat që jepen në libra të ndryshëm.

Dhëntë Perëndia që ti t’i kthesh sytë nga Revelacioni Më i Madh dhe të mos i marrësh parasysh këto përralla e tradita kontradiktore.

-~-

LXXXVIII. Dije me të vërtetë se thelbi i drej¬tësisë dhe burimi i saj mishërohet në porositë e dhëna nga Ai që është Manifestimi i Vetë Perëndisë midis njerëzve, në qofshi prej atyre që e njohin këtë të vërtetë. Ai mishëron, me të vërtetë, shkallën më të lartë e të pagabueshme të drejtësisë në gjithë krijimin. Edhe sikur ligji i Tij të ishte i tillë që t’u fuste tmerrin në zemër të gjithë atyre që janë në qiell e mbi tokë, ky ligj nuk do të ishte veçse drejtësi e dukshme. Frika e shqetësimi që shkakton në zemrat e njerëzve revelimi i këtij ligji, mund të krahasohen, me të vërtetë, me të qarat e foshnjës që e shkëpusin nga gjiri i nënës, në qofshi prej atyre që kuptojnë. Sikur njerëzit të zbulonin qëllimin e Revelacionit të Perëndisë, ata me siguri do ta flaknin frikën e tyre dhe, me zemrat plot mirënjohje, do të ngazëlleheshin pamasë.

-~-

LXXXIX. Dije me siguri që, ashtu siç beson në mënyrë të vendosur se Fjala e Perëndisë, lartësuar qoftë lavdia e Tij, do të jetojë përgjith¬monë, ti duhet të besosh gjithashtu me bindje të plotë se domethënia e saj kurrë nuk mund të shterë. Por vetëm ata që janë interpretuesit e caktuar të saj, ata, zemrat e të cilëve bartin të fshehtat e saj, janë të vetmit që mund të kuptojnë gjithë urtinë e saj. Kushdo që, kur lexon Shkrimet e Shenjta, tundo¬het të zgjedhë prej tyre atë që mund t’i shërbejë atij për të kundërshtuar autoritetin e Përfaqë¬suesit të Perëndisë midis njerëzve, i ngjan me të vërtetë një të vdekuri, megjithëse në dukje ai mund të ecë e të bisedojë me të afërmit e tij, të hajë e të pijë bashkë me ta.

Ah, sikur bota të mund të më besonte Mua! Sikur të gjitha gjërat që ruhen të mbyllura në zemrën e Bahá·it dhe që Zoti, Perëndia i Tij, Zoti i të gjithë emrave, i ka mësuar Atij, t’i reveloheshin njerëzimit, çdo njeri mbi tokë do të mbetej pa mend.

Sa e madhe është moria e të vërtetave që veshja e fjalëve kurrë nuk mund t’i përfshijë! Sa i madh është numri i të tilla të vërtetave që asnjë shprehje nuk mund t’i për¬shkruajë siç duhet, domethënia e të cilave kurrë nuk mund të shpaloset dhe për të cilat as aluzioni më i largët nuk mund të bëhet! Sa shumë janë të vërtetat që duhet të mbeten pa u thënë derisa të vijë koha e caktuar! Ashtu siç është thënë: “Jo çdo gjë që di njeriu mund të tregohet, as çdo gjë që ai mund të tregojë mund të konsiderohet se është në kohën e duhur, dhe jo çdo gjë e folur në kohën e duhur mund të konside¬rohet e përshtatshme për aftësinë e atyre që e dëgjojnë.”

Disa prej këtyre të vërtetave mund të tregohen vetëm sipas shkallës së aftësisë së atyre që bartin dritën e dijes Sonë dhe të atyre që marrin mirësinë Tonë të fshehur. Ne lutim Perëndinë të të forcojë ty me fuqinë e Tij dhe të të bëjë të aftë të njohësh Atë Që është Burimi i të gjitha dijeve, që ti të mund të shkëputesh nga çdo dije njerëzore, sepse “Ç’përfitim ka njeriu të rendë pas dijeve, kur ai ka gjetur e njohur tashmë Atë Që është Objekti i çdo dije?” Kapu pas Rrënjës së Dijes dhe pas Atij Që është burimi i saj, që të mund të bëhesh i pavarur nga të gjithë ata që pretendojnë se dinë shumë nga shkenca njerëzore, por që asnjë provë e qartë, as dëshmia e ndonjë libri të ndritur nuk mund ta mbështesë këtë pretendim.

-~-

XC. Çdo gjë që ndodhet në qiejt e mbi tokë është një provë e drejtpërdrejtë e revelimit brenda saj të atributeve e të emrave të Perëndisë, sepse brenda çdo atomi janë shenjat që dëshmojnë në mënyrë elokuente për revelimin e Dritës më të madhe. Më duket se pa forcën e atij revelacioni, asnjë qenie kurrë nuk do të mund të ekzistonte. Sa të shkëlqyeshme janë dritat e dijes që ndritin në një atom, dhe sa të gjera oqeanet e urtisë që valëzojnë brenda një pike! Kjo është e vërtetë në shkallën më të lartë për njeriun, i cili, ndër të gjitha gjërat e krijuara, është veshur me rrobën e dhuntive të tilla dhe është veçuar për lavdinë e një shquarsie të tillë. Sepse tek ai revelohen si mundësi të gjitha atributet dhe emrat e Perëndisë, në një shkallë që asnjë qenie tjetër e krijuar nuk i ka kapërcyer apo tejkaluar. Të gjithë këta emra e atribute janë të zbatueshëm tek ai. Ashtu siç ka thënë Ai: “Njeriu është misteri Im dhe Unë jam misteri i tij”. Të shumta janë vargjet e reveluara vazhdimisht në të gjitha Librat qiellorë e në Shkrimet e shenjta, që trajtojnë këtë çështje kaq të hollë e sublime. Siç e ka reveluar Ai: “Ne me siguri do t’u tregojmë atyre shenjat Tona në botë e midis vetë atyre”. Dhe Ai shton: “Gjithashtu brenda vetes suaj: a nuk do t’i shihni, pra, shenjat e Perëndisë?” Dhe përsëri Ai revelon: “Dhe mos jini ndër ata që harrojnë Perëndinë, të cilët për këtë arsye, Ai i ka bërë të harrojnë vetveten.”21 Lidhur me këtë, Ai Që është Mbreti i përjetshëm – u bëfshin fli për Të të gjithë shpirtrat që jetojnë brenda Faltores mistike – thotë: “Ka njohur Perëndinë ai që ka njohur vetveten.”

... Nga ajo që u tha del qartë se të gjitha gjërat në realitetin e tyre të brendshëm dëshmojnë për revelimin e emrave e të atribu¬teve të Perëndisë në to. Secila, sipas aftësisë së vet, tregon e shpreh dijen e Perëndisë. Kaq i fuqishëm e universal është ky revelacion, saqë ka përfshirë të gjitha gjërat e dukshme e të paduk¬shme. Kështu, Ai ka reveluar: “A ka kush tjetër veç Teje një fuqi revelimi që Ti nuk e zotëron, që të mund të Të manifestonte Ty? I verbër është syri që nuk të sheh Ty”. Po kështu, Mbreti i për-jetshëm ka thënë: “Nuk kam parë asgjë, vetëm kam parë Perëndinë brenda saj, Perëndinë para saj, ose Perëndinë pas saj”. Gjithashtu në hadithin e Kumayl·it është shkruar: “Shiko, një dritë ka shkëlqyer nga Agimi i përjetësisë, dhe ja! valët e saj kanë pushtuar realitetin e brendshëm të të gjithë njerëzve”. Njeriu, më e përsosura e më fisnikja e të gjitha gjërave të krijuara, ua kalon të gjithave me intesitetin e këtij revelacioni dhe me shprehjen më të plotë të lavdisë së tij. Dhe nga të gjithë njerëzit, më të përsosurit, më të shquarit e më të shkëlqyerit janë Manifestimet e Diellit të së Vërtetës. Madje, të gjithë të tjerët veç këtyre Manifestimeve jetojnë falë veprimit të Vullnetit të tyre dhe lëvizin e ekzistojnë përmes vërshimit të mirësisë së tyre.

-~-

XCI. Midis provave që demonstrojnë të vërtetën e këtij Revelacioni është se në çdo epokë e Dispensacion, sa herë që Thelbi i padukshëm është shfaqur në personin e Manifestimit të Tij, disa shpirtra të përvuajtur e të shkëputur nga çdo lidhje tokësore kanë kërkuar ndriçim nga Dielli i Profetërisë e Hëna e udhërrëfimit Hyjnor dhe kanë arritur në Praninë Hyjnore. Për këtë shkak teologët e asaj kohe dhe ata që kishin pasuri i përbuznin e i tallnin këta njerëz. Ashtu siç e ka reveluar Ai lidhur me ata që gabonin: “Atëherë krerët e njerëzve të Tij, që nuk besonin, thanë: ‘Ne shohim tek Ti vetëm një njeri si ne; dhe ne nuk shohim ndonjë që të Të ketë ndjekur pas, veç më të ultëve e më mendje¬lehtëve midis nesh, as nuk shohim tek ju ndonjë epërsi mbi ne: jo, ne ju mbajmë për gënjeshtarë’”. Ata u binin në qafë këtyre Manifestimeve të shenjta dhe protestonin duke thënë: “Askush nuk ju ka ndjekur juve veç të fëlliqurve midis nesh, atyre që nuk meritojnë asnjë vëmendje”. Qëllimi i tyre ishte të tregonin që askush midis të diturve, të pasurve dhe njerëzve të shquar nuk u besonte atyre. Me këtë e me prova të tjera si kjo, ata kërkonin të provonin pavërtetësinë e Atij që s’thotë gjë tjetër veç së vërtetës.

Megjithatë, në këtë Dispensacion kaq të shkëlqyer, në këtë Sovranitet kaq të fuqishëm, një numër telogësh të ditur, njerëzish me njohuri të përkryera, doktorësh të pajisur me urti e pjekuri, arritën në Oborrin e Tij, pinë Kupën e Pranisë së Tij Hyjnore dhe u veshën me nderet e favorit të Tij më të lartë. Ata, për hir të të Shumëdashurit, hoqën dorë nga bota e nga gjithçka ndodhet në të. ...

Ata të gjithë u udhëhoqën nga drita e Diellit e Revelacionit hyjnor, pohuan e njohën të vërtetën e Tij. Besimi që kishin ishte i tillë, saqë shumë prej tyre mohuan kamjen e të afërmit e vet dhe u kapën pas asaj që i pëlqen Lavdiplotit. Ata flijuan jetën e vet për të Shumëdashurin e tyre dhe sakrifikuan gjithçka në shtegun e Tij. Gjoksi i tyre u bë tabelë qitjeje për shigjetat e armikut dhe kokat e tyre stolisën shtizat e të pabesëve. Nuk mbeti tokë pa u njomur me gjakun e këtyre mishërimeve të shkëputjes, nuk mbeti shpatë pa goditur qafën e tyre. Vetëm bëmat e tyre dëshmojnë për të vërtetën e fjalëve të tyre. Nuk u mjafton njerëzve të sotëm dëshmia e këtyre shpirtrave të shenjtë, që në mënyrë aq të lavdishme u ngritën e ofruan jetën e tyre për të Shumëdashurin, saqë mbarë bota u mahnit për mënyrën sesi ata u flijuan? A nuk është kjo dëshmi e mjaftueshme kundër pabesisë së atyre që për hiçgjë tradhtuan besimin e tyre, që këmbyen përjetësinë me atë që është e vdekshme, që hoqën dorë nga Kawthar·i i Pranisë Hyjnore për hir të burimeve të kripura, për ata qëllimi i të cilëve në jetë është të rrëmbejnë pronat e të tjerëve? Siç mund ta shohësh edhe ti vetë, të gjithë ata u janë kushtuar kotësive të botës dhe janë larguar nga Ai që është Zoti, Më i Larti.

Ji i drejtë: A s’është e pranueshme dhe a s’meriton vëmendje dëshmia e atyre, veprat e të cilëve përputhen me fjalët që thonë dhe sjellja e jashtme e të cilëve i përgjigjet jetës së tyre të brendshme? Mendja shtanget nga bëmat e tyre dhe shpirti mreku¬llohet nga burrëria e qëndresa trupore e tyre. Apo mos është e pranueshme dëshmia e atyre shpirtrave pa besë, që nuk thithin veçse erën e dëshirave egoiste dhe që janë të burgosur brenda kafazit të fantazive të tyre të kota? Si lakuriqët e errësirës, ata nuk e ngrejnë kokën nga shtrati, veçse për të rendur pas gjërave kalimtare të botës, dhe nuk gjejnë prehje natën, veçse kur përpiqen të çojnë më tej synimet e jetës së tyre të ndyrë. Të zhytur në makina¬cionet e tyre egoiste, ata harrojnë ligjin Hyjnor. Ditën ata përpiqen me të gjitha forcat duke rendur pas përfitimeve tokësore, kurse natën qëllimi i tyre i vetëm është të këna¬qin epshet e veta. Me ç’ligj apo normë do të mund të justifi¬ko¬he¬shin njerëzit që do të bash¬koheshin me refuzimet që kanë bërë këta shpirtra mendje¬ngushtë, duke injoruar besimin e atyre që, për hir të pëlqimit të Perëndisë, kanë hequr dorë nga jeta e tyre, nga kamja, nga fama e lavdia, nga reputacioni e nderimet? …

Me ç’dashuri, ç’devocion, ç’ngazëllim e ekstazë të shenjtë flijuan ata jetën e tyre në shtegun e Lavdiplotit! Të gjithë dëshmojnë për këtë të vërtetë. E, pra, si munden ata të ulin rëndësinë e këtij Revelacioni? A ka qenë ndo¬një epokë dëshmitare ngjarjesh kaq të rëndësishme? Në qoftë se këta shokë nuk janë ithtarët e vërtetë të Perëndisë, kush tjetër do të mund të thirrej me këtë emër? A kanë rendur këta shokë pas pushtetit apo lavdisë? A kanë aspiruar ndo-njëherë për pasuri? A kanë ushqyer dëshirë tjetër, veç pëlqimit të Perëndisë? Në qoftë se këta shokë, me të gjitha dëshmitë e tyre të mahnitshme e bëmat e mrekullu¬eshme, janë mashtrues, cili atëherë është i denjë të pretendojë për vete të vërtetën? Betohem për Perëndi! Vetë veprat e tyre janë një dëshmi e mjaftueshme dhe një provë e pakundërshtueshme për të gjithë popujt e botës, sikur njerëzit të gjykonin në zemrat e veta për misteret e Revelacionit Hyjnor. “Dhe ata që veprojnë padrejtësisht shpejt do të mësojnë se ç’fat i pret!”

Mendo këta martirë të një sinqeriteti të padiskutueshëm, për çiltërinë e të cilëve dëshmon shprehimisht teksti i Librit, dhe të gjithë ata që, siç e ke parë, kanë sakrifikuan jetën e tyre, kamjen, gratë, fëmijët, gjithçka dhe janë ngjitur në banesat më të larta të Parajsës. A është e drejtë të hedhësh poshtë dëshminë e këtyre qenieve të shkëputura e sublime për vërtetësinë e këtij Revelacioni të lartë e të lavdishëm, dhe të quash të pranueshme akuzat që janë bërë kundër kësaj Drite të shkëlqyeshme nga këta të pabesë, që për flori braktisën besimin dhe që për etjen e tyre për pushtet mohuan Atë Që është Udhëheqësi Numër Një i gjithë njerëzimit? Kështu ka ndodhur, megjithëse karakteri i tyre është zbuluar tashmë para gjithë njerëzve, të cilët i kanë njohur ata si qenie që në asnjë mënyrë nuk heqin dorë, për hir të Besimit të shenjtë të Perëndisë, qoftë edhe një grimë prej pushtetit të tyre tokësor, aq më pak japin jetën e vet, kamjen e tyre e të tjera si këto.

-~-

XCII. Libri i Perëndisë është i hapur dhe Fjala e Tij po thërret tek Ai njerëzimin. Por është gjendur vetëm një grusht njerëzish që kanë dashur të përqafojnë Kauzën e Tij ose të bëhen mjete për ta përhapur. Këta të paktë janë pajisur me dhuntinë e Elikzirit Hyjnor, i vetmi që mund të kthejë në ar të kulluar zgjyrën e botës, dhe që janë ngarkuar të përdorin ilaçin e pagabueshëm për të gjitha sëmundjet nga të cilat vuajnë bijt e njerëzve. Askush nuk mund të fitojë jetë të përjetshme, pa përqafuar të vërtetën e këtij Revelacioni të paçmuar, të mahnitshëm e sublim.

Dëgjoni e mbani vesh, o miq të Perëndisë, zërin e Atij Që bota e ka keqtrajtuar dhe për¬mbajuni fort çdo gjëje që do të lartësojë Kauzën e Tij. Ai, me të vërtetë, udhëheq atë që do në Shtegun e Tij të drejtë. Ky është një Revelacion që i jep fuqi të dobëtit dhe kurorëzon me pasuri nevojtarin.

Këshillohuni së bashku në frymën e miqësisë së madhe e të shoqërisë së ngushtë, ia kushtoni ditët e çmuara të jetës suaj përmirësimit të botës dhe përparimit të Kauzës së Atij Që është Zoti i Lashtë e Sovran i gjithçkaje. Me të vërtetë, Ai u urdhëron të gjithë njerëzve atë që është e drejtë, dhe ndalon çdo gjë që i ul ata.

-~-

XCIII. Dije se çdo gjë e krijuar është një shenjë e revelacionit së Perëndisë. Secili, sipas aftësisë së vet, është, dhe do të mbetet gjithmonë, një provë e të Fuqi¬plotit. Meqenëse Ai, Zoti sovran i gjithçkaje, ka dashur të revelonte sovranitetin e Tij në Mbretërinë e emrave e të atributeve, çdo gjë e krijuar, përmes aktit të Vullnetit Sovran, është bërë një shenjë e lavdisë së Tij. Kaq i gjerë e i përgjithshëm është ky revelacion, saqë në mbarë gjithësinë nuk mund të gjendet asgjë që nuk pasqyron madhështinë e Tij. Në këto kushte, çdo konsideratë afërsie e largësie fshihet… Sikur Dora e fuqisë Hyjnore të zhvishte nga kjo dhunti e lartë çdo krijesë, tërë gjithësia do të bëhej e zbrazët dhe e shkretuar.

Shikoni sa i lartësuar, tej çdo kufiri, është Zoti Perëndia juaj mbi të gjitha gjërat e krijuara! Kundroni madhështinë e Sovrani¬tetit të Tij, ndikimin dhe pushtetin suprem të Tij. Në qoftë se gjërat e krijuara nga Ai – lavdëruar qoftë lavdia e Tij – dhe të caktuara të jenë manifestimet e emrave e të atributeve të Tij, janë, në saje të mirësisë që u është dhuruar, të lartësuara tej çdo afrie ose largësie, sa më lart duhet të jetë ai Thelb Hyjnor që i ka thirrur ato në jetë.

Mendo për atë që ka shkruar një poet: “Mos u çudit që i Shumëdashuri im është më pranë meje sesa unë vetë; çuditu për atë që unë, me gjithë këtë afri, jam ende shumë larg Tij”… Duke pasur parasysh atë që Perëndia ka reveluar se “Ne jemi më pranë njeriut sesa damari i qafës së tij”, poeti, në përgjigje të këtij vargu, ka thënë që, edhe pse revelacioni i të Shumëdashurit tim ka përshkuar qenien time dhe Ai është më pranë meje sesa damari i qafës sime, por megjithëse jam i sigurt për këtë realitet e për pozitën time, unë jam ende shumë larg Tij. Me këtë ai do të thotë se zemra e tij, që është selia e Mëshirëplotit dhe froni ku qëndron shkëlqimi i revelacionit të Tij, e harron Krijuesin e saj, është shmangur nga rruga e Tij, e ka privuar veten nga lavdia e Tij dhe është njollosur me fëlliqësitë e dëshirave tokësore.

Lidhur me këtë, duhet sjellë ndërmend se i vetmi Perëndi i vërtetë është në Vetvete i lartësuar tej afërsisë ose largësisë e mbi to. Realiteti i Tij i kapërcen kufizime të tilla. Lidhja e Tij me krijesat e Veta nuk njeh shkallëzim. Që disa janë pranë ndërsa të tjerë janë larg, kjo u duhet atribuar vetë Manifestimeve.

Që zemra është froni, në të cilin Revelacioni i Perëndisë, Mëshirë¬plotit, është përqendruar, këtë e dëshmojnë thëniet e shenjta që Ne kemi reveluar më parë. Ndër to është kjo thënie: “Toka e qielli nuk më nxenë Mua; e vetmja gjë që Më nxe është zemra e atij që beson tek Unë dhe është besnik i Kauzës Sime.” Sa shpesh zemra njerëzore, që është bartësja e dritës së Perëndisë dhe selia e Revelacionit të Mëshirëplotit, është larguar prej Atij Që është Burimi i kësaj drite dhe Kroi i këtij revelacioni. Është mosbindja e zemrës që e largon atë nga Perëndia dhe e dënon të jetë e ndarë prej Tij. Ato zemra që, sidoqoftë, janë të vetëdijshme për Praninë e Tij, ndodhen pranë Tij dhe duhen konsideruar se janë afruar te Froni i Tij.

Mbaj parasysh, veç kësaj, sa shpesh njeriu harron vetveten, ndërsa Perëndia, në saje të dijes së Tij që përfshin gjithçka, mbetet i vetëdijshëm për krijesën e Vet dhe vazhdon të derdhë mbi të shkëlqimin e dukshëm të lavdisë së Tij. Shihet qartë, pra, se në rrethana të tilla Ai është më pranë saj sesa është ajo ndaj vetvetes. Ajo, me të vërtetë, do të mbetet e tillë pëgjithmonë, sepse ndërsa i vetmi Perëndi i vërtetë di të gjitha gjërat, sheh të gjitha gjërat dhe kupton të gjitha gjërat, njeriu i vdekshëm është i prirur të gabojë dhe nuk i di misteret që fshihen brenda tij…

Askush të mos mendojë se pohimi Ynë që të gjitha gjërat janë shenjat e revelacionit të Perëndisë do të thotë – mos e dhëntë Zoti – se të gjithë njerëzit, të mirë apo të këqinj, besimtarë apo të pabesë qofshin, janë të barabartë në sytë e Perëndisë. As nuk nënkupton kjo që Qenia Hyjnore – u madhëroftë Emri i Saj dhe u lartësoftë lavdia e Saj – është, në çfarëdo rrethanash qoftë, e krahasueshme me njerëzit ose se mund të radhitet në njëfarë mënyre me krijesat e Veta. Një gabim i tillë është bërë nga disa të marrë që, pasi janë ngjitur në qiejt e fantazive të tyre boshe, e kanë interpretuar Unitetin Hyjnor sikur ky do të thotë se të gjitha gjërat e krijuara janë shenjat e Perëndisë dhe se, për rrjedhojë, nuk ka kurrfarë dallimi midis tyre. Madje disa ua kanë kaluar këtyre, duke thënë se këto shenja janë të bara¬barta e partnere të Vetë Perëndisë. O Perëndi i Mëshirshëm! Ai, me të vërtetë, është një i vetëm e i pandarë; një i vetëm në thelbin e Tij, një i vetëm në atributet e Tij. Çdo gjë tjetër veç Tij është asgjë, kur ballafaqohet me revelacionin e ndritshëm edhe vetëm të njërit prej emrave të Tij, i cili të përmbajë vetëm gjurmën më të lehtë të lavdisë së Tij, – dhe sa më pak akoma kur ballafaqohet me Vetë Perëndinë!

Për drejtësinë e emrit Tim, Mëshirëplotit! Penda e Më të Lartit dridhet e tëra dhe është e tronditur thellë nga revelimi i këtyre fjalëve. Sa e varfër dhe e papërfillshme është një pikë e paqëndrueshme uji kur krahasohet me dallgët e tallazet e Oqeanit të pakufishëm e të përjetshëm të Perëndisë, dhe krejtësisht e përçmuar duhet të duket çdo gjë kalimtare dhe e vdekshme kur vihet përballë lavdisë së pashuar e të parrëfy¬eshme të të Amshuemit! I lutemi Perëndisë, të Gjithëpushtet¬shmit, t’i falë ata që kanë besime të tilla dhe flasin të tilla fjalë. Thuaj: O njerëz! Si mund të krahasohet një fantazi kalimtare me të Vet-qenëshmin, dhe si mund të kraha¬sohet Krijuesi me krijesat e Tij, që s’janë veçse germat e shkruara prej Pendës së Tij? Madje shkrimi i Saj ua kalon të gjitha gjërave, është i spastruar prej tyre dhe i lartësuar pamasë mbi të gjitha krijesat.

Mbaj parasysh, veç kësaj, shenjat e revelacionit të Perëndisë në raport me njëra-tjetrën. A mundet Dielli, që s’është veçse njëra prej këtyre shenjave, të konsiderohet i barabartë nga rangu me errësirën? I vetmi Perëndi i vërtetë Më është dëshmitar! Askush nuk mund ta besojë këtë, veç në qoftë ndër ata që janë zemërngushtë ose i gënjejnë sytë. Thuaj: Shihni veten tuaj. Thonjtë dhe sytë janë pjesë e trupit tuaj. A i konsideroni ju këto si të barabarta nga rangu e nga vlera? Në qoftë se thoni po, atëherë pohojeni: me të vërtetë, ju keni gënjyer Zotin, Perëndinë tim, Lavdiplotin, sepse ndërsa thonjtë i prisni, sytë i ruani si vetë jetën tuaj.

Të kapërcesh kufijtë e një rangu e pozite nuk është kurrsesi e lejueshme. Integriteti i çdo rangu e pozite duhet ruajtur. Me këtë nënkuptohet se çdo gjë e krijuar duhet parë në dritën e pozitës që i është caktuar të zërë.

Duhet mbajtur parasysh, ndërkaq, se kur drita e Emrit Tim, Gjithpërshkuesit, përhapi rrezet mbi gjithësinë, çdo gjëje të krijuar iu dha, sipas një ligji të paracaktuar, aftësia për të ushtruar një ndikim të veçantë dhe për të pasur një virtyt të posaçëm. Shiko efektin e helmit. Megjithëse vdekjeprurës, ai ka fuqinë për të ushtruar, në disa kushte, një ndikim mirëbërës. Aftësia që u është dhënë gjërave të krijuara është rrjedhoja e drejtpërdrejtë e revelimit të këtij Emri më të bekuar. Lavdi Atij, që është Krijuesi i të gjithë emrave e atributeve! Hidhe në zjarr pemën që është kalbur e tharë dhe rri nën hijen e Pemës së gjelbër e të shëndetshme e përfito nga frytet e saj.

Njerëzit që kanë jetuar në ditët e Manifestimeve të Perëndisë, në pjesën më të madhe kanë thënë gjëra të tilla të pahijshme. Këto janë shtjelluar me hollësi në Librat e Shkrimet e Shenjta të reveluara.

Besimtar i vërtetë në Unitetin e Perëndisë është ai që në çdo gjë të krijuar sheh shenjën e revelacionit të Atij Që është e Vërteta e përjetshme, dhe jo ai që thotë se krijesa nuk dallon nga Krijuesi.

Merr, për shembull, revelacionin e dritës së Emrit të Perëndisë, Edukatorit. Vëre sesi në të gjitha gjërat shfaqen provat e një revelacioni të tillë, sesi prej tij varet përmirësimi i të gjitha gjërave. Ky edukim është dy llojesh. Njëri është universal. Ndikimi i tij përshkon të gjitha gjërat dhe i mbështet ato. Për këtë shkak Perëndia ka marrë titullin “Zot i të gjitha botëve”. Tjetri kufizohet me ata që kanë ardhur nën hijen e këtij Emri dhe kanë kërkuar strehën e këtij Revelacioni kaq të fuqishëm. Kurse ata që nuk e kanë kërkuar këtë strehë, i kanë mohuar vetes këtë privilegj dhe janë të pafuqishëm të përfitojnë nga mbështetja shpirtërore që është dërguar përmes hirit qiellor të këtij Emri Më të Madh. Ç’humnerë i ndan ata nga njëri-tjetri! Po të ngrihej perdja dhe të bëhej e dukshme lavdia e plotë e pozitës së atyre që e kanë kthyer tërësisht fytyrën drejt Perëndisë e që, në dashurinë për Të, kanë hequr dorë nga bota, gjithë krijimi do të mbetej i mahnitur. Kush beson vërtet në Unitetin e Perëndisë, siç është shpjeguar tashmë, do të dallojë te besimtari e te jobesimtari provat e revelacionit të këtyre dy emrave. Sikur ky revelacion të hiqej, gjithçka do të vdiste.

Merr, po kështu, revela¬cionin e dritës së Emrit të Perën¬disë, të Pakrahasueshmit. Shih sesi kjo dritë ka përfshirë tërë krijimin, sesi çdo gjë manifeston shenjën e Unitetit të Tij, dëshmon për realitetin e Atij Që është e Vërteta e Përjetshme, shpall sovranitetin e Tij, njëshmërinë e Tij dhe push¬tetin e Tij. Ky revelacion është një shenjë e mëshirës së Tij që ka përfshirë të gjitha gjërat e krijuara. Por ata, që e vënë veten në një radhë me Perëndinë, nuk e dinë një revelacion të tillë dhe janë privuar nga besimi, përmes të cilit do të mund t’i afroheshin Atij e të bashkoheshin me Të. Shih sesi popuj e fise të ndryshme të botës dëshmojnë për Unitetin e Tij dhe njohin njëshmërinë e Tij. Po të mos ishte për shenjën e Unitetit të Perëndisë brenda tyre, ata kurrë nuk do ta kishin njohur të vërtetën e fjalëve “Nuk ka Perëndi tjetër veç Perëndisë”. E megjithatë, shiko sa rëndë kanë gabuar ata dhe janë larguar nga shtegu i Tij. Meqenëse nuk e kanë njohur Reveluesin Sovran, ata nuk numërohen më midis atyre që mund të konsiderohen si besimtarë të vërtetë në Unitetin e Perëndisë

Kjo shenjë e revelacionit të Qenies Hyjnore tek ata që e kanë vënë veten në një radhë me Të, në një drejtim mund të konsiderohet si pasqyrim i lavdisë me të cilën janë të ndriçuar besnikët. Por askush nuk mund ta kuptojë këtë të vërtetë, veç njerëzve që kanë dhuntinë e të kuptuarit. Ata që e kanë njohur me të vërtetë Unitetin e Perëndisë, duhen konsideruar si manifestimet parësore të këtij Emri. Janë ata që kanë pirë verën e Unitetit Hyjnor nga kupa që dora e Perëndisë u ka ofruar dhe që i kanë kthyer fytyrat drejt Tij. Sa e madhe është largësia që i ndan këto qenie të shenjtë¬ruara prej atyre njerëzve që janë aq larg Perëndisë!…

Dhëntë Zoti që, me një shikim depërtues, ti të mund të dallosh në të gjitha gjërat shenjat e revelacionit të Atij që është Mbreti i Lashtë, dhe të njohësh sa e lartësuar dhe e shenjtëruar është në krahasim me mbarë krijimin kjo Qenie aq e shenjtë e hyjnore. Kjo, në të vërtetë, është vetë rrënja dhe thelbi i besimit në unitetin e njësh¬mërinë e Perëndisë. “Ishte vetëm Perëndia; nuk kishte asnjë tjetër veç Tij.” Tani Ai është Ai që ka qenë. Nuk ka Perëndi tjetër veç Atij, të Vetmit, të Pakrahasue¬shmit, të Fuqiplotit, Më të Lartë¬suarit, Më të Madhit.

-~-

XCIV. Dhe tani në lidhje me thënien tënde për ekzistencën e dy Perëndive. Hap sytë, hap sytë se mos priresh të bëhesh i bara¬bartë me Zotin, Perëndinë tënd. Ai është, dhe ka qenë përjetë, një e i vetëm, pa të barabartë me Të, i përjetshëm në të shkuarën, i për¬jetshëm në të ardhmen, i shkë¬putur nga të gjitha gjërat, i pavdek¬shëm, i pandryshue¬shëm e i vet¬qenëshëm. Ai nuk ka caktuar asnjë shok të Vetvetes në Mbretërinë e Tij, as këshilltar që ta këshillojë Atë, asnjë që të krahasohet me të, as ndonjë që të rivalizojë me lavdinë e Tij. Për këtë dëshmon çdo atom i universit dhe, veç kësaj, dëshmojnë banorët e mbretërive të epërme, ata që zënë vendet më të lartësuara dhe emrat e të cilëve do të kujtohen para Fronit të Lavdisë.

Dëshmo brenda zemrës sate për këtë provë që Perëndia Vetë e për Veten e Tij ka shpallur, se nuk ka Perëndi tjetër veç Tij, se gjithë të tjerët përveç Tij janë krijuar me urdhër të Tij dhe janë artuar me lejen e Tij, i nënshtrohen ligjit të Tij, janë si një gjë e harruar kur krahasohen me provat e lavdishme të njëshmërisë së Tij, dhe janë një hiç kur ballafaqohen me revelacionet e fuqishme të unitetit të Tij.

Ai, në të vërtetë, ka qenë përjetë i vetëm në Thelbin e tij, i vetëm në atributet e tij, i vetëm në bëmat e tij. Çdo lloj krahasimi është i zbatueshëm vetëm për kri-jesat e Tij, dhe të gjitha koncep¬timet e shoqërimit janë koncep¬time që u përkasin vetëm atyre që i shërbejnë Atij. I lartësuar pamasë është thelbi i Tij tej çdo përshkrimi të krijesave të Tij. Ai, vetëm Ai, qëndron në fronin e madhështisë së pakufishme, të lavdisë supreme e të paarritshme. Zogjtë e zemrave njerëzore, sado lart që të flutu¬rojnë, kurrë nuk mund të shpre¬sojnë të arrijnë lartësitë e Thelbit të Tij të panjohshëm. Është Ai që ka thirrur në jetë mbarë krijimin, Ai ka bërë që çdo gjë e krijuar të burojë me urdhër të Tij. A mundet, pra, të shihet si e bara¬bartë me Të ose si mishërim i Atij Vetë gjëja që ka lindur në saje të fjalës që Penda e Tij ka reveluar dhe që gishti i Vullnetit të Tij e ka drejtuar? Larg qoftë nga lavdia e Tij, që penda ose gjuha njerëzore të hetojë misterin e Tij, ose që zemra njerëzore të konceptojë Thelbin e Tij. Gjithë të tjerët, veç Tij, qëndrojnë të varfër e të shkre¬të te dera e Tij, të gjithë janë të pafuqishëm përpara madhështisë së fuqisë së Tij, të gjithë s’janë veçse skllevër në Mbretërinë e Tij. Ai është aq i pasur saqë mund të bëjë pa të gjitha krijesat.

Lidhja e shërbyesisë e vendosur midis adhuruesit e të Adhuruarit, midis krijesës e Krijuesit, duhet parë në vetvete si shenjë e dashamirësisë së Tij për njerëzit, dhe jo si tregues i ndonjë merite që ata zotërojnë. Për këtë dëshmon çdo besimtar i vërtetë e i ditur.

-~-

XCV. Dije se, në përputhje me atë që Zoti yt, Zoti i të gjithë njerëzve, ka dekretuar në Librin e Vet, favoret që Ai i ka dhuruar njerëzimit kanë qenë, dhe gjithmonë do të jenë, të paku¬fishme për nga madhësia. I pari e më kryesori midis këtyre favoreve që Fuqiploti u ka dhënë njerëzve, është dhuntia e të kuptuarit. Qëllimi i tij në dhënien e një dhuntie të tillë është që ta bëjë krijesën e Tij të aftë për të njohur të vetmin Perëndi të vërtetë – lartësuar qoftë lavdia e Tij. Kjo dhunti i jep njeriut fuqinë për të dalluar të vërtetën në të gjitha gjërat, e çon atë ndaj asaj që është e drejtë dhe e ndihmon për të zbuluar sekretet e krijimit. Pas saj, nga rëndësia, vjen aftësia e shikimit, instrumenti kryesor nga i cili mund të funksionojë intelekti i tij. Shqisat e të dëgjuarit, të zemrës e të tjera si këto, duhen parë gjithashtu si dhunti që i janë dhuruar trupit njerëzor. I lartësuar pamasë është Fuqiploti, që i ka krijuar këto aftësi dhe i ka shfaqur ato në trupin e njeriut.

Secila prej këtyre dhuntive është një provë e padyshimtë e madhështisë, e fuqisë, e prestigjit, e dijes gjithëpërfshirëse të të vetmit Perëndi të vërtetë – lartësuar qoftë lavdia e Tij. Merr shqisën e të pre¬kurit. Shih sesi fuqia e saj shtrihet në tërë trupin njerëzor. Ndërsa aftësitë e të parit dhe të dëgjuarit janë të lokalizuara secila në një qendër të caktuar, shqisa e të prekurit përfshin të gjithë trajtën njerëzore. Lavdëruar qoftë fuqia e Tij, madhëruar qoftë sovraniteti i Tij!

Këto dhunti i ka vetë njeriu. Ajo që spikat midis të gjitha dhuntive të tjera, që është e pandryshueshme për nga natyra dhe që i përket vetë Perëndisë, është dhuntia e Revelacionit Hyjnor. Çdo bujari, qoftë materiale ose shpirtërore, që Krijuesi u ka dhuruar njerëzve i nënshtrohet asaj. Ajo është, në thelb, dhe do të mbetet gjithmonë, Buka që zbret nga qielli. Ajo është dëshmia supreme e Perëndisë, treguesi më i qartë i së vërtetës së Tij, shenja e bujarisë së Tij të përkryer, shprehja e mëshirës së tij gjithëpërfshirëse, prova e kujdesit të Tij më dasha¬mirës, simboli i mirësisë së Tij më të përsosur. Ai që ka njohur Manifestimin e Tij në këtë Ditë, ka marrë me të vërtetë këtë dhunti të lartë të Perëndisë.

Falënderoje Zotin tënd, që të ka bërë ty një dhuratë kaq të madhe. Ngrije zërin dhe thuaj: Çdo lavdërim qoftë mbi Ty, O Ti, Dëshira e çdo zemre që kupton!

-~-

XCVI. Penda e Më të Lartit thërret pareshtur; megjithatë, sa të paktë janë ata që i vënë veshin thirrjes së Tij! Banorët e mbretë¬risë së emrave u janë kushtuar qejfeve të botës, duke harruar se njeriu ka veshë për të dëgjuar e sy për të parë sesa fluturake janë ngjyrat e saj.

Një jetë e re po bulon në këtë epokë brenda të gjithë popujve të tokës; e megjithatë, askush nuk e ka zbuluar shkakun ose nuk e ka parë motivin e saj. Shiko popujt e Perëndimit. Vëre sesi ata, duke rendur pas diçkaje të kotë e krejt të rëndomtë, kanë sakrifikuar dhe ende sakrifikojnë jetë të panumërta, për ta krijuar e çuar më tej atë. Njerëzit e Persisë, nga ana tjetër, megjithëse bartës të një Revelacioni të kulluar e të ndritshëm, lavdia e lartësisë dhe e famës së të cilit ka përfshirë botën mbarë, janë të demoralizuar e të zhytur në letargji të thellë.

O miq! Mos u tregoni moskokëçarës ndaj virtyteve që ju janë dhuruar, as mos harroni fatin tuaj të madh. Mos lejoni që përpjekjet tuaja të shkojnë kot për fantazi boshe, të sajuara nga disa zemra. Ju jeni yjet e qiellit të të kuptuarit, flladi që fryn në të aguar, ujërat e rrjedhshme, prej të cilave varet vetë jeta e gjithë njerëzve, germat e shkruara mbi perga¬menën e Tij të shenjtë. Në unitetin më të madh dhe në frymën e shoqërisë së përsosur, përpiquni të bëheni të aftë për të kryer atë që kërkon kjo ditë e Perëndisë. Me të vërtetë ju them se konfliktet e përçarja, dhe çdo gjë që truri njerëzor e urren, janë krejt të padenja për pozitën e tij. Përqendrojini energjitë tuaja në përhapjen e besimit të Perëndisë. Kush është i denjë për një prirje kaq të lartë, le të ngrihet e ta përhapë atë. Kush nuk është i aftë e ka për detyrë të caktojë atë që mundet të shpallë në vend të tij këtë Revelacion, fuqia e të cilit ka bërë që të tunden themelet e strukturave më të fuqishme, të shemben e bëhen pluhur malet dhe të mahniten shpirtrat. Sikur madhështia e kësaj dite të revelohej në tërë shkëlqimin e vet, çdo njeri do të braktiste mijëra jetë në dëshirën e tij për të marrë pjesë, qoftë edhe për një moment, nga lavdia e saj e madhe – për më tepër do të braktiste edhe këtë botë e thesaret e saj kalimtare.

Udhëhiquni në bëmat tuaja nga urtia dhe kapuni fort pas saj. Dashtë Zoti që ju të gjithë të forcoheni për të kryer atë që është Vullneti i Perëndisë dhe të ndihmoheni mirësisht që të mund të çmoni pozitën që u jepet atyre të dashurve të Tij që janë ngritur për t’i shërbyer Atij e për të lartësuar emrin e Tij. Mbi ta qoftë lavdia e Zotit, lavdia e gjithçkaje që është në qiej e mbi tokë, dhe lavdia e banorëve të Parajsës më të lartësuar, të qiellit të qiejve.

-~-

XCVII. Mbaj parasysh dyshimet që kanë futur në zemrat e njerëzve të kësaj toke ata që e vënë veten në një radhë me Perëndinë. “Si është e mundur”, pyesin ata, “që bakri të kthehet në ar?” Thuaj: Po, për Zotin, është e mundur. Por ky sekret është i fshehur brenda Dijes Sonë. Ne do t’ia revelojmë atë atij që duam. Kush dyshon në fuqinë Tonë, le të pyesë Zotin Perëndinë e tij, që t’ia zbulojë atij sekretin dhe ta sigurojë për vërtetësinë e tij. Që bakri mund të kthehet në ar është në vetvete një provë e mjaftueshme që ari, gjithashtu, mund të kthehet në bakër, në qofshin ndër ata që e kuptojnë këtë të vërtetë. Çdo mineral mund të marrë densitetin, formën dhe përbërjen e mineraleve të tjera. Dijet për këtë i kemi Ne në Librin e Fshehur.

-~-

XCVIII. Thuaj: O udhëheqës të fesë! Mos e gjykoni Librin e Perëndisë sipas atyre modeleve e shkencave që përdoren ndër ju, sepse vetë Libri është peshorja e pagabueshme e vendosur midis njerëzve. Në këtë peshore kaq të përsosur duhet të peshohet gjithçka zotërojnë popujt dhe fiset e tokës, kurse masa e peshës së saj duhet të matet sipas vetë modelit të saj, veç ta kuptonit këtë.

Syri i dashamirësisë Sime qan me dënesë për ju, sepse nuk njohët Atë që e keni thirrur ditë e natë, çdo mbrëmje e mëngjes. O njerëz, shkoni përpara, me fytyra të bardha borë e me zemra të gëzuara, për në Vendin e bekuar kërmëz, prej nga Sadratul Muntaha [Sadratu’l Muntahá] thërret: “Me të vërtetë, nuk ka Perëndi tjetër veç Meje, Mbrojtësit të Gjithë¬fuqishëm, të Vetëqenëshmit!”

O ju udhëheqës të fesë! Cili prej jush mund të matet me Mua në përfytyrim ose largpamësi? Ku është ai që guxon të pretendojë se është i barabartë me Mua në fjalë ose urti? Jo, për Zotin Tim, Mëshirëplotin! Gjithçka në botë do të zhduket; e kjo është fytyra e Zotit tuaj, Fuqiplotit, të Shumë¬dashurit.

Ne kemi dekretuar, o njerëz, që qëllimi më i lartë e i fundit i çdo diturie të jetë njohja e Atij Që është Objekti i çdo dije; e megjithatë, shih sesi keni lejuar që dituria juaj t’ju ndajë si me perde prej Atij Që është Agimi i kësaj Drite, falë të Cilit çdo gjë e fshehur është reveluar. Sikur vetëm të zbulonit burimin nga përhapet shkëlqimi i kësaj fjale, ju do të braktisnit popujt e tokës e çdo gjë që ata zotërojnë dhe do t’i qaseshit pranë kësaj Selie kaq të bekuar të lavdisë.

Thuaj: Ky, me të vërtetë, është qielli në të cilin Libri Mëmë është ruajtur, veç ta kuptonit këtë. Është Ai që e ka bërë shkëmbin të thërrasë dhe Drizën e Përflakur të ngrejë zërin në Malin që ngrihet mbi Tokën e Shenjtë për të shpallur: “Mbretëria është e Perën¬disë, Zotit Sovran të gjithçkaje, Fuqiplotit, Dashuruesit!”

Ne nuk kemi ndjekur ndonjë shkollë, as kemi lexuar ndonjë prej disertacioneve tuaja. Veruni veshin fjalëve të këtij të Pashkolluari, tek ju thërret te Perëndia, i Përherëpranishmi. Kjo është më e mirë për ju sesa të gjitha thesaret e tokës, veç të mund ta kuptonit këtë.

-~-

XCIX. Vitaliteti i besimit të njerëzve te Perëndia po shuhet në çdo vend; asgjë tjetër veç ilaçit të Tij universal nuk mund ta rikthejë atë. Gërryerja e afetarisë po bren organet jetësore të shoqërisë njerëzore; ç’gjë tjetër, veç Elikzirit të Revelacionit të Tij të fuqishëm, mund ta pastrojë e gjallërojë atë? A është brenda fuqisë njerëzore, o Ḥakím, të kryejë në elementët përbërës të ndonjërës prej pjesëzave të vogla e të pandashme të materies një transformim kaq të plotë sa ta shndërrojë atë tërësisht në arin më të pastër? Sado e dyshimtë dhe e vështirë që të duket kjo, megjithatë Neve na është dhënë fuqia që të kryejmë detyrën edhe më të madhe për të kthyer forcën satanike në fuqi qiellore. Forca e aftë për një trans¬formim të tillë ia kalon edhe fuqisë së vetë Elikzirit. Vetëm Fjala e Perëndisë mund të pretendojë dallimin se zotëron aftësinë e kërkuar për të kryer një ndryshim kaq të madh e të gjerë.

-~-

C. Zëri i Lajmëtarit Hyjnor, që vjen nga froni i Perëndisë, deklaron: O ju të dashurit e Mi! Mos lejoni që cepi i Rrobës Sime të shenjtë të njolloset e të përlyhet me gjërat e kësaj bote, dhe mos shkoni pas dëshirave tuaja të liga e të shthurura. Dielli i Revelacionit Hyjnor, që shkëlqen me tërë lavdinë e vet në qiellin e këtij Burgu, Më është dëshmitar. Ata, zemrat e të cilëve janë kthyer drejt Atij që është Objekti i adhurimit i të gjitha gjërave të krijuara, duhet, në këtë Ditë, të largohen e të spastrohen nga çdo gjë e krijuar, e dukshme ose e padukshme. Në qoftë se ngrihen për të shpjeguar Kauzën Time, ata duhet të lejojnë që fryma e Atij që është i Padetyrueshmi t’i nxisë ata që ta përhapin atë gjerësisht mbi tokë me vendosmëri të madhe, me mendje të përqendruara tërësisht tek Ai, me zemra krejtësisht të shkëputura e të pavaruara nga të gjitha gjërat dhe me shpirtra të spastruar nga bota e kotësitë e saj. Atyre u bie për detyrë të zgjedhin si mjetin më të mirë për udhëtimin e tyre mbështetjen te Perëndia dhe të vishen me dashurinë e Zotit të tyre, Më të Lartësuarit, Lavdiplotit. Po ta bëjnë këtë, fjalët e tyre do të ndikojnë mbi dëgjuesit e tyre.

Sa i thellë, me të vërtetë tepër i thellë, është hendeku që na ndan Ne nga ata që, në këtë Ditë, jepen pas pasioneve të tyre të liga dhe i kanë mbështetur shpresat në gjërat e tokës e në lavdinë e saj jetëshkurtër! Shpeshherë oborri i Mëshirëplotit ka qenë në dukje kaq i zhveshur nga pasuritë e kësaj bote, saqë ata që jetonin në shoqëri të ngushtë me Të vuanin në skamje të tmerrshme. Megjithë vuajtjet e tyre, Penda e Më të Lartit asnjëherë nuk ka dashur as t’u referohet, madje as të bëjë edhe aluzionin më të vogël rreth gjërave që i përkasin kësaj bote e thesareve të saj. Edhe në qoftë se, ndo¬një¬herë, i është ofruar Atij ndonjë dhuratë, ajo dhuratë është pranuar si shenjë e dashamirësisë së Tij ndaj atij që e ka ofruar. Sikur Neve të na pëlqente ndonjëherë të për¬vetësonim për përdorimin Tonë të gjitha thesaret e botës, askujt nuk do t’i jepej e drejta të vinte në diskutim autoritetin Tonë ose të kundërshtonte të drejtën Tonë. Do të ishte e pamundur të mendohej një veprim më i përçmuar sesa të kërkosh, në emër të të vetmit Perëndi të vërtetë, pasuritë që zotërojnë njerëzit.

Të takon ty dhe pasuesve të Atij Që është e Vërteta e Përjetshme, detyra për t’u bërë thirrje gjithë njerëzve të çlirohen me çdo mënyrë nga çdo lidhje me gjërat tokësore dhe të spastrohen nga fëlliqësitë e tyre, në mënyrë që të gjithë ata që e duan Lavdiplotin të mund të thithin aromën e ëmbël të rrobës së Tij.

Ata që kanë pasuri, sidoqoftë, duhet të tregojnë kujdesin më të madh për të varfërit, sepse i madh është nderi i caktuar nga Perëndia për ata të varfër që janë të qëndrueshëm në durim. Për jetën Time! Nuk ka nder, veç atij që Perëndia dëshiron të dhurojë, që mund të krahasohet me këtë nder. I madh është bekimi që i pret të varfërit që i përjetojnë me durim e i fshehin vuajtjet, dhe lum të pasurit që i japin pasuritë e veta për nevojtarët e i preferojnë ata kundrejt vetvetes.

Dashtë Perëndia që të varfërit të mund të ushtrohen e të përpiqen të sigurojnë mjetet e jetesës. Kjo është një detyrë, e cila në këtë Revelacion më të madh u shtrohet të gjithëve dhe konside¬ro¬het në sytë e Perëndisë si një vepër e mirë. Kujtdo që e kryen këtë detyrë, me siguri do t’i vijë në ndihmë mbështetja e të Paduk¬shmit. Ai mund të pasurojë – me mirësinë e Tij – cilindo që i pëlqen. Ai, me të vërtetë, ka pushtet mbi të gjitha gjërat…

Thuaju, o ‘Alí , të dashurve të Perëndisë se nder¬shmëria është më e rëndësishmja midis virtyteve njerëzore. Vlerësimi i të gjitha gjë¬rave duhet të varet medoemos prej saj. Mendo një çast për vuajtjet e hidhërimet që ka pësuar ky i Burgosur. Unë, në çdo ditë të jetës Sime, kam qenë në mëshirën e armiqve të Mi dhe kam vuajtur çdo ditë një mynxyrë të re në shtegun e dashurisë për Perëndinë. Unë kam duruar kokulur gjersa emri i Kauzës së Perëndisë u përhap gjerësisht mbi tokë. Në qoftë se ndokush, i shtyrë nga fantazitë e kota të sajuara nga zemra e tij, do të ngrihej e do të orvatej, hapur ose fshehtas, të mbillte farën e përçarjes në mes njerëzve – a mund të thuhet se një njeri i tillë ka vepruar me nder-shmëri? Jo, për Atë, fuqia e të Cilit shtrihet mbi të gjitha gjërat! Për jetën Time! Zemra ime rënkon dhe sytë e mi vajtojnë hidhur për Kauzën e Perëndisë dhe për ata që nuk e kuptojnë ç’thonë dhe imagjinojnë atë që s’ua kap dot mendja.

U ka hije gjithë njerëzve, në këtë Ditë, të mbahen fort pas Emrit Më të Madh dhe të vendosin unitetin e mbarë njerë¬zimit. Nuk ka vend ku të ikësh, nuk ka strehë ku të futesh, veç Tij. Sikur ndonjëri të prirej për të folur fjalë që do t’i largonin njerëzit nga brigjet e oqeanit të pakufishëm të Perëndisë dhe do t’i bënin ata t’i vinin zemrat e tyre në çdo gjë tjetër veç kësaj Qenieje të lavdishme e të dukshme, e cila ka marrë një formë që u nënshtrohet kufizimeve njerëzore – një njeri i tillë, sado e lartë qoftë pozita që mund të ketë, do të akuzohej prej mbarë krijimit si njeri që e ka privuar veten nga aromat e ëmbla të Mëshirëplotit.

Thuaj: Jini të drejtë në gjykimin tuaj, ju njerëz me zemër që kupton! Të padrejtit në gjykim i mungojnë karakteristikat dalluese të pozitës së njeriut. Ai Që është e Vërteta e Përjetshme e di mirë se ç’fshihet në gjokset e njerëzve. Durimi i Tij i gjatë i ka inkurajuar krijesat e Tij, sepse gjersa të vijë koha e duhur, Ai nuk do të hapë asnjë perde. Mëshira e Tij tepër e madhe e ka përmbajtur furinë e zemërimit të Tij dhe ka bërë që shumica e njerëzve të mendojnë se i Vetmi Perëndi i Vërtetë nuk i di gjërat që ata kanë bërë fshehtas. Për Atë që është i Gjithëdijshmi, i Gjithinformuari. Pasqyra e dijes së Tij reflekton me qartësi, saktësi e besnikëri të plotë bëmat e të gjithë njerëzve. Thuaj: Lëvduar qofsh Ti, O Fshirës i mëkateve të të dobtëve e të të pafuqishmëve! Lartësuar qoftë emri Yt, O Ti që i fal mos¬kokë¬çarësit që mëkatojnë ndaj Teje.

Ne ua kemi ndaluar njerëzve të shkojnë pas fantazive të zemrave të tyre, në mënyrë që ata të mund të njohin Atë që është Burimi sovran e objekti i të gjitha dijeve dhe të mund të bëhen të vetëdijshëm për çdo gjë që Ai dëshiron të revelojë. Shih sesi ata janë ngatërruar me fantazitë e tyre boshe e me imagjinatat e tyre të kota. Për jetën Time! Ata vetë janë viktimat e asaj që zemrat e tyre kanë sajuar, por nuk e shohin këtë. Të kota e të pafrytshme janë fjalët që dalin prej buzëve të tyre, por ata nuk e kuptojnë këtë.

I lutemi Perëndisë t’u falë me dashamirësi gjithë njerëzve mëshirën e Tij dhe t’i bëjë ata të aftë të njohin Atë dhe vetveten. Për jetën Time! Kush do ta ketë njohur atë do të ngjitet në pa¬fundësinë e dashurisë së Tij dhe do të shkëputet nga bota e nga gjith¬çka ndodhet në të. Asgjë mbi tokë nuk do ta kthejë dot atë nga rruga e tij, aq më pak ata që, të shtyrë nga iluzionet e tyre të kota, flasin gjëra që Perëndia i ka ndaluar.

Thuaj: Kjo është dita kur çdo vesh duhet të dëgjojë me vëmendje zërin e Tij. Dëgjojeni me vëmendje zërin e Tij. Vini veshin Thirrjes së këtij të Munduari dhe madhëroni emrin e të vetmit Perëndi të vërtetë; zbukurohuni me stolinë e kujtimit të Tij dhe ndriçojini zemrat tuaja me dritën e dashurisë së Tij. Ky është çelësi që hap zemrat e njerëzve, shkëlqimi që spastron shpirtrat e të gjitha qenieve. Kush është moskokëçarës ndaj asaj që ka treguar gishti i Vullnetit të Perëndisë bën gabim të madh. Miqësia e ndershmëria në sjellje dhe jo sherri e shpirtligësia, janë shenjat e besimit të vërtetë.

Shpallu njerëzve atë që të ka urdhëruar të zbatosh Ai që flet të vërtetën dhe që gëzon Besimin e Perëndisë. Lavdia Ime qoftë me ty, o ti që thërret emrin Tim, që i ke drejtuar sytë nga oborri Im dhe me gjuhën tënde i thur lavde Zotit Tënd, Bamirësit.

-~-

CI. Qëllimi që qëndron në themel të revelimit të çdo Libri qiellor, madje të çdo vargu të reveluar në mënyrë hyjnore, është t’i pajisë të gjithë njerëzit me drejtësi e kuptim, që paqja e qetësia të jenë të qendrueshme midis tyre. Çdo gjë që sjell siguri në zemrat e njerëzve, çdo gjë që lartëson pozitën e tyre ose shton kënaqësinë e tyre është e pranueshme në sytë e Perëndisë. Ç’pozitë të lartë mund të arrijë njeriu, në qoftë se ai vendos të për¬mbushë destina-cionin e tij të lartë! Në ç’humnerë degradimi mund të zhytet ai, humnerë ku krijesat më të përçmuara kurrë nuk kanë rënë. Shfrytëzoni, o miq, rastin që ju ofron kjo Ditë dhe mos ia mohoni vetes vërshimin bujar të mirësisë së Tij. Unë i lutem Perëndisë që, me dashamirësi, t’i japë secilit prej jush mundësinë për ta stolisur veten, në këtë Ditë të bekuar, me ornamentin e bëmave të kulluara e të shenjta. Ai, me të vërtetë, bën gjithçka që dëshiron.

-~-

CII. Mbani vesh, o njerëz, atë që Unë, me të vërtetë, ju them juve. I vetmi Perëndi i vërtetë, lartësuar qoftë lavdia e tij, gjithmonë i ka parë e do t’i shohë zemrat e njerëzve si të Vetat, si zotërim ekskluziv të Tij. Çdo gjë tjetër, qoftë e tokës ose e detit, qoftë pasuri ose lavdi, Ai ua ka besuar Mbretërve e sundimtarëve të tokës. Nga fillimi që nuk ka fillim, para Manifestimit të Tij është ngritur stema që shpall fjalët “Ai bën atë që do”. Ajo që ka nevojë njerëzimi në këtë ditë është bindja ndaj atyre që kanë pushtetin dhe kapja me besnikëri pas fillit të urtisë. Instrumentat thelbësorë për mbrojtjen imediate, për qetësinë e sigurinë e racës njerëzore u janë besuar duarve e pushtetit të qeverisësve të shoqërisë njerëzore. Kjo është dëshira e Zotit dhe dekreti i Tij... Ne ushqejmë shpresën se ndonjëri prej mbretërve, për hir të Perëndisë, do të ngrihet për triumfin e këtyre njerëzve të munduar, të shtypur. Një mbret i tillë do të lartësohet e mbulohet me lavdi përjetë. Perëndia u ka ngarkuar këtyre njerëzve detyrën që të ndihmojnë cilindo që i ndihmon ata, t’u shërbejnë interesave të tij të larta dhe të tregojnë ndaj tij besnikëri të vazhdueshme. Ata që më pasojnë Mua duhet të përpiqen, në të gjitha rrethanat, të përkrahin mirëqenien e cilitdo që do të ngrihet për triumfin e Kauzës Sime dhe vazhdimisht të japin prova devocioni e besnikërie ndaj Tij. Lum njeriu që e dëgjon dhe e zbaton këshillën Time. Mjerë ai që nuk e plotëson dëshirën Time.

-~-

CIII. Perëndia, me gjuhën e Tij që flet të vërtetën, ka dësh muar në të gjitha Tabelat e Tij këto fjalë: “Unë jam Ai që jeton në Mbretërinë e Lavdisë Abhá.”

Për drejtësinë e Perëndisë! Ai, nga lartësitë e kësaj pozite të shenjtë, të fuqishme e të pakufizuar, sheh gjithçka, dëgjon gjithçka dhe në këtë çast shpall: I bekuar je ti, o Xhevat, sepse ke arritur atë që askush para teje nuk e kishte arritur. Betohem për Atë Që është e Vërteta e Përjetshme! Përmes teje janë gëzuar sytë e banorëve të Parajsës së Lartë. Por njerëzit rrinë krejt indiferentë. Sikur Ne të tregonim pozitën tënde, zemrat e njerëzve do të tronditeshin thellë, hapat e tyre do të shkisnin, mishërimet e vetlavdisë do të mbeteshin të trullosura, ata do të rrëzoheshin përtokë dhe do të mbyllnin veshët me gishtat e moskokëçarjes të trembur nga dëgjimi.

Mos u hidhëro për ata që janë marrë me gjërat e kësaj bote dhe kanë harruar të kujtojnë Perëndinë, Më të Madhin. Për Atë që është e Vërteta e Përjetshme! Po afron dita kur zemërimi i madh i të Fuqiplotit do t’i arrijë ata. Ai, me të vërtetë, është Fuqiploti, Gjithnënshtruesi, Më i Push-tetshmi. Ai do ta pastrojë tokën nga fëlliqësia e shthurjes së tyre dhe do t’ua japë trashëgim atyre shërbëtorëve të Vet që janë pranë Tij.

Thuaj: O njerëz! Pluhuri ka mbushur gojët tuaja dhe hiri ka verbuar sytë tuaj, sepse e shitët Josifin Hyjnor me çmimin më të ulët. Oh, mjerimi rëntë mbi ju, o ju që jeni larguar nga rruga e drejtë! Mos keni menduar vallë në zemrat tuaja se keni fuqi t’ia kaloni Atij dhe Kauzës së Tij? Larg qoftë! Për këtë dëshmon Ai Vetë, i Gjithë¬pushtetshmi, Më i Lartësuari, Më i Madhi.

Së shpejti goditjet e dënimit të Tij do t’ju qëllojnë dhe pluhuri i skëterrës do t’ju mbulojë. Ata njerëz që, pasi kanë grum¬bulluar kotësitë e stolitë e tokës, janë larguar me mospërfillje nga Perëndia – ata kanë humbur si këtë botë dhe botën që do të vijë. Nuk do të kalojë shumë kohë dhe Perëndia, me Dorën e Fuqisë, do t’i zhveshë ata nga zotërimet e tyre e do t’i lërë pa rrobën e bujarisë së Tij. Për këtë së shpejti ata vetë do të jenë dëshmitarë. Ti, gjithashtu, do të dëshmosh.

Thuaj: O njerëz! Le të mos ju gënjejnë kjo jetë dhe mashtrimet e saj, sepse bota dhe çdo gjë që ndodhet në të mbahen fort në grushtin e Vullnetit të Tij. Ai ia dhuron favorin e Tij kujtdo që dëshiron dhe ia heq atë kujtdo që dëshiron. Ai bën si të dojë. Po të kishte pasur bota ndonjë vlerë në sytë e Tij, Ai me siguri nuk do t’i kishte lejuar armiqtë e Tij të zotëronin në të as edhe një farë sinapi. Ai, megjithatë, bëri që ju të futeni në valle në punët e Tij, si shkëmbim për atë që duart tuaja i kanë bërë kauzës së Tij. Ky është, me të vërtetë, një dënim që ju i keni dhënë vetvetes me vetë vullnetin tuaj, sikur ta shihnit këtë. Mos vallë ju po kënaqeni me gjëra që, sipas vlerësimit të Perëndisë, janë të përçmuara e pa vlerë, gjëra me të cilat Ai vë në provë zemrat e atyre që dyshojnë?

-~-

CIV. O popuj të botës! Dijeni, me të vërtetë, se një mynxyrë e papara¬shikuar po ju ndjek nga pas dhe se një dënim i rëndë ju pret. Mos mendoni se bëmat që keni kryer i janë fshehur vështrimit Tim. Për bukurinë Time! Të gjitha bëmat tuaja Penda Ime i ka shkruar me germa të dukshme në tabela krizoliti.

-~-

CV. O mbretër të tokës! Ai Që është Zoti sovran i çdo gjëje ka ardhur. Mbretëria është e Perën¬disë, Mbrojtësit të gjithë¬fuqishëm, të Vetëqenëshmit. Mos adhuroni asgjë veç Perëndisë dhe, me zemra rrëzëllyese, ngrini lart fytyrat nga Zoti juaj, Zoti i të gjithë emrave. Ky është një Revelacion, me të cilin nuk mund të krahasohet kurrë çdo gjë që zotëroni, sikur ta dinit këtë.

Ju shohim të gëzoheni për atë që keni grumbulluar për të tjerët dhe t’i mbyllni vetes rrugën për në botët, të cilat asgjë veç Tabelës Sime të ruajtur nuk mund t’i numërojë. Thesaret që keni vënë mënjanë ju kanë larguar së tepërmi nga synimi juaj përfundimtar. Kjo ju përshtatet keq juve, sikur ta kuptonit këtë. Pastroni nga zemrat tuaja çdo ndotje tokësore dhe shpejtoni të hyni në Mbretërinë e Zotit tuaj, Krijuesit të tokës e të qiellit, i Cili bëri të lëkundet toka dhe të gjithë popujt e saj të vajtojnë, me përjashtim të atyre që kanë hequr dorë prej çdo gjëje dhe mbahen pas asaj që ka urdhëruar Tabela e Fshehur.

Kjo është Dita në të cilën Ai Që ka biseduar me Perëndinë ka arritur dritën e të Lashtit të Kohëve dhe ka pirë nga ujërat e kulluara të ribashkimit, me këtë Kupë që i ka bërë detrat të fryhen. Thuaj: Për Perëndinë e vërtetë Që është Një! Sinai sillet rreth Burimit të Revelacionit, ndërsa nga lartësitë e Mbretërisë Zëri i Frymës së Perëndisë dëgjohet të shpallë: “Shkunduni, o ju krenarët e tokës, dhe nxitoni tek Ai”. Në këtë Ditë, Karmeli ka shpejtuar me adhurim të zjarrtë të arrijë oborrin e Tij, ndërkohë që nga zemra e Sionit vjen thirrja: “Premtimi u përmbush. Ajo që ishte njoftuar në Shkrimin e shenjtë të Perëndisë, Më të Lartësuarit, Fuqiplotit, Më të Shumëdashurit, u shfaq”.

O mbretër të tokës! Ligji Më i Madh është reveluar në këtë Vend, në këtë skenë të shkëlqimit transhendent. Çdo gjë e fshehur është nxjerrë në dritë falë Vullnetit të Urdhëruesit Suprem, të Atij Që ka sjellë Orën e Fundit dhe përmes të Cilit Hëna është çarë e çdo dekret i pakundërshtueshëm është shtjelluar.

Ju s’jeni veçse vasalë, o mbretër të tokës! Ai Që është Mbreti i Mbretërve është shfaqur, i veshur me lavdinë e Tij më të mahnitshme, dhe ju thërret ju pranë Vetes, Ndihma në Rrezik, i Vetëqenëshmi. Kini mendjen që krenaria të mos ju pengojë të njihni Burimin e Revelacionit, që gjërat e kësaj bote të mos ju ndajnë si një perde nga Ai Që është Kriju¬esi i qiellit. Ngrihuni dhe vihuni në shërbim të Atij Që është Dëshira e të gjitha kombeve, Që ju ka krijuar me një fjalë të Vetën dhe ju ka urdhëruar të jeni përgjith¬monë emblemat e sovranitetit të Tij.

Për drejtësinë e Perëndisë! Nuk është dëshira jonë të vëmë dorë mbi mbretëritë tuaja. Misioni Ynë është të pushtojmë e të zotërojmë zemrat e njerëzve. Mbi to janë mbërthyer sytë e Bahá·it. Për këtë dëshmon Mbretëria e Emrave, po ta kuptonit këtë. Kush shkon pas Zotit të tij heq dorë nga bota e nga çdo gjë që ndodhet në të; sa më e madhe është, pra, shkëputja e Atij Që ka një pozitë kaq të madhërishme! Braktisni pallatet tuaja dhe shpejtoni të fitoni hyrjen në Mbretërinë e Tij. Kjo, me të vërtetë, do t’ju vlejë si në këtë botë dhe në tjetrën. Për këtë dëshmon Zoti i mbretërisë qiellore, veç ta dinit këtë.

Ç’bekim i madh e pret mbretin që do të ngrihet për të mbrojtur Kauzën Time në Mbretërinë Time, që do të shkëputet nga çdo gjë tjetër veç Meje! Një mbret i tillë numërohet ndër shokët e Arkës Kërmëz, të Arkës që Perëndia ka përgatitur për njerëzit e Bahá·it. Të gjithë duhet t’i thurin lavdi emrit të tij, të nderojnë pozitën e tij dhe ta ndihmojnë atë të hapë qytetet me çelësat e Emrit Tim, Mbrojtësit të gjithëfuqishëm të të gjithë atyre që banojnë në mbretëritë e dukshme e të padukshme. Një mbret i tillë është syri i njerëzimit, stolia e ndritshme në ballin e krijimit, burimi i bekimeve mbi mbarë botën. Jepni, o njerëz të Bahá·it, pasurinë tuaj, madje vetë jetët tuaja, për ta ndihmuar.

-~-

CVI. Mjeku i Gjithëdijshëm e ka gishtin mbi pulsin e njerëzimit. Ai e sheh sëmundjen dhe, me urtinë e Tij të pagabueshme, jep ilaçin. Çdo epokë ka problemin e vet dhe çdo shpirt aspiratën e vet të veçantë. Ilaçi për të cilin ka nevojë bota në fatkeqësitë e saj të sotme nuk mund të jetë kurrë e njëjtë me atë që mund të kërkojë një epokë e mëvonshme. Interesohuni me kujdes për hallet e epokës në të cilën jetoni dhe i përqendroni diskutimet tuaja në kërkesat e nevojat e saj.

Ne mund ta shohim fare mirë sesi gjithë racën njerëzore e kanë përfshirë fatkeqësi të mëdha e të pallogaritshme. Ne e shohim atë të dergjet në shtratin e sëmund¬jes, të dërrmuar e të zhgënjyer rëndë. Ata që janë helmuar nga mendje¬madhësia janë futur ndër¬mjet saj dhe Mjekut Hyjnor e të pagabueshëm. Shihni sesi ata i kanë ngatërruar të gjithë njerëzit, duke përfshirë edhe veten e tyre, në rrjetën e sajimeve të tyre. Ata nuk munden as të zbulojnë shka¬kun e sëmundjes, as kanë dijeni për ilaçin. Ata kanë për¬fytyruar si të shtrembër atë që është e drejtë, dhe kanë konside¬ruar si mik një armik.

I vini veshin melodisë së ëmbël të këtij të Burgosuri. Çohuni dhe ngrini zërin, se ndoshta ata që flenë gjumin e thellë zgjohen. Thuaj: O ju që jeni si të vdekur! Dora e bujarisë Hyjnore ju ofron Ujin e Jetës. Nxitoni e pini pa kursim. Kushdo që rilind në këtë Ditë nuk do të vdesë kurrë; kushdo që mbetet i vdekur nuk do të jetojë kurrë.

-~-

CVII. Ai që është Zoti juaj, Mëshirë¬ploti, ushqen në zemrën e Tij dëshirën për ta parë mbarë racën njerëzore si një shpirt e një trup të vetëm. Nxitoni të fitoni pjesën tuaj të dasha¬mirësisë e të mëshirës së Perëndisë në këtë Ditë, që eklipson të gjitha Ditët e tjera të krijuara. Ç’lumturi e madhe e pret njeriun që braktis çdo gjë që ka, me dëshirën për të fituar gjërat e Perëndisë! Një njeri i tillë, dëshmojmë Ne, është midis të bekuarve të Perëndisë.

-~-

CVIII. Ne kemi një kohë të caktuar për ju, o popuj. Në qoftë se ju, në orën e caktuar, nuk do ta ktheni shikimin drejt Perëndisë, Ai me të vërtetë do të ushtrojë ndaj jush dhunën dhe do të bëjë që fatkeqësi të rënda të bien mbi ju nga çdo drejtim. I ashpër, me të vërtetë, do të jetë atëherë dënimi, me të cilin Perëndia juaj do t’ju dënojë.

-~-

CIX. O Kamál! Lartësitë që, me favorin më dasha-mirës të Perën¬disë, mund të arrijë njeriu i vdekshëm në këtë Ditë, ende nuk janë reveluar në sytë e tij. Bota e qenies kurrë nuk ka pasur, dhe as tani nuk ka, aftësinë për të marrë një revelacion të tillë. Por po afrohet dita, kur aftësitë për një favor kaq të madh do t’u shfaqen njerëzve me urdhër të Tij. Edhe sikur forcat e kombeve të rreshto-hen kundër Tij, edhe sikur mbretë¬rit e tokës të lidhen për të minuar Kauzën e Tij, pushteti i fuqisë së Tij do të qëndrojë i patundur. Ai, padyshim, thotë të vërtetën dhe thërret gjithë njerëzimin në rrugën e Atij që është i Pakrahasueshmi, i Gjithëdijshmi.

Të gjithë njerëzit janë krijuar për të çuar përpara një qytetërim që është në progres të vazhdueshëm. Fuqiploti Më është dëshmitar: Nuk i ka hije njeriut të sillet si kafshët e pyllit. Virtytet që i shkojnë dinjitetit të tij janë vetpërmbajtja, mëshira, dhemb¬shuria dhe dashamirësia ndaj gjithë popujve e fiseve të tokës. Thuaj: O miq! Pini pa kursim nga rrëkeja e kristaltë që rrjedh në saje të mirësisë qiellore të Atij Që është Zoti i Emrave. Lërini që edhe të tjerët të shijojnë ujërat e tij në emrin Tim, që udhëheqësit e njerëzve në çdo tokë të mund të njohin plotësisht qëllimin për të cilin e Vërteta e Përjetshme është reveluar dhe shkakun për të cilin ata vetë janë krijuar.

-~-

CX. Qenia e Madhe thotë: O ju bij të njerëzve! Qëllimi themelor që frymëzon Besimin e Perëndisë dhe Fenë e Tij është të mbrojë interesat dhe t’i japë shtytje unitetit të racës njerëzore, si dhe të farkëtojë frymën e dashurisë e të miqësisë midis njerëzve. Mos ndodhtë kurrë që të bëheni burim përçarjeje e mosmarrëveshjeje, urrejtjeje e armiqësie. Ky është Shtegu i drejtë, themeli i për¬hershëm e i patundur. Çdo gjëje që ngrihet mbi këtë themel nuk mund t’ia dobësojnë kurrë fuqinë ndryshimet e ngjarjet e botës, as nuk mund t’ia shkatërrojë strukturën rrokullisja e shekujve të panumërt. Shpresa Jonë është që prijësit fetarë dhe sundimtarët e botës do të ngrihen të bashkuar për ta reformuar këtë epokë dhe për të rimëkëmbur fatet e saj. Pasi të kenë reflektuar për nevojat e saj, le të këshillohen ata së bashku dhe, përmes një debati të kujdesshëm e të plotë, t’i japin botës së sëmurë rëndë ilaçin e duhur… Është detyrë e atyre që kanë pushtetin të përdorin moderim në gjithçka. Çdo gjë që i kalon kufijtë e moderimit pushon së ushtruari një ndikim mirëbërës. Merrni, për shembull, gjëra të tilla si liria, qytetërimi e të tjera si këto. Sado që shumë njerëz të zgjuar mund t’i shikojnë ato në mënyrë të favor¬shme, po të çohen në ekstrem ato ushtrojnë mbi njerëzit një ndikim dëmprurës… Dhëntë Perëndia që popujt e botës të udhëhiqen që të njohin interesat e tyre të vërteta, si rezultat i përpjekjeve të mëdha të ushtruara nga sundimtarët e tyre dhe nga njerëzit e urtë e të ditur. Deri kur do të këmbëngulë njerëzimi në mosbindjen e tij? Deri kur do të vazhdojë padrejtësia? Deri kur do të sundojnë midis njerëzve kaosi e konfuzioni? Deri kur përçarja do të trazojë fytyrën e shoqërisë? Erërat e dëshpërimit, mjerisht, po fryjnë nga çdo drejtim dhe grindjet që përçajnë e brengosin racën njerëzore po shtohen nga dita në ditë. Tani mund të shihen Shenjat kanosëse të konvulsioneve e të kaosit, sepse rendi mbisundues duket se është në mënyrë të vajtueshme i çalë. Unë i lutem Perëndisë, lartësuar qoftë lavdia e Tij, që me dashamirësi t’i zgjojë popujt e tokës, të bëjë që sjellja e tyre të jetë në fund me përfitim për ta dhe t’i ndihmojë ata të kryejnë atë që i ka hije pozitës së tyre.

-~-

CXI. O popuj e fise rivale të botës! Kthejini fytyrat nga uniteti dhe lereni të ndriçojë mbi ju shkëlqimi i dritës së Tij. Mblidhuni së bashku dhe, për hir të Perëndisë, vendosni të çrrënjosni çdo gjë që është burim kundërvënieje midis jush. Atëherë shkëlqimi i pishtarit më të madh të botës do të mbështjellë gjithë tokën, dhe banorët e saj do të bëhen qytetarë të një qyteti e do të rrinë në të njëjtin fron. Ky i Munduar, që në ditët e hershme të jetës së Tij, nuk ka ushqyer dëshirë tjetër përveç kësaj dhe do të vazhdojë të mos ketë tjetër dëshirë veç saj. Nuk mund të ketë asnjë dyshim se popujt e botës, të çfarëdo race ose feje qofshin, e marrin frymëzimin nga i vetmi Burim qiellor dhe janë nënshtetas të të vetmit Perëndi. Ndryshimi midis ligjeve nën të cilat ata jetojnë, u duhet atribuar nevojave e kërkesave të ndryshme të epokës në të cilën ato janë reveluar. Të gjithë ata, me përjashtim të disave që janë fryt i mbrapshtisë njerëzore, janë urdhëruar nga Perëndia dhe janë pasqyrim i Vullnetit e i Qëllimit të Tij. Ngrihuni dhe, të armatosur me fuqinë e Besimit, bëjini copë perënditë e imagjinatave tuaja të kota, mbjellëse të përçarjes midis jush. Përmbajuni asaj që ju afron e bashkon. Kjo është, me të vërtetë, Fjala më e lartësuar që Libri Mëmë ju ka dërguar e reveluar. Për këtë dëshmon Gjuha e Madhështisë nga banesa e saj e lavdisë.

-~-

CXII. Shikoni turbullirat që për shumë vite kanë munduar tokën dhe trazirat që kanë përfshirë popujt e saj. Ajo ose është shkatërruar nga lufta, ose është cfilitur nga fat¬keqësi të papritura e të papara¬shikuara. Megjithëse bota është përfshirë nga mjerimi e skamja, askush nuk është ndalur për të reflektuar cili mund të jetë shkaku apo burimi i tyre. Sa herë që Këshilltari i Vërtetë ka thënë ndonjë fjalë qortimi, ja, ata të gjithë e kanë akuzuar Atë si keqbërës dhe kanë hedhur poshtë rivendikimin e tij. Sa e habitshme, sa tronditëse është një sjellje e tillë. Nuk gjenden dy njerëz, që mund të thuhet se bashkohen nga jashtë e nga brenda. Shenjat e përçarjes e të ligësisë duken kudo, megjithëse të gjithë njerëzit janë krijuar për harmoni e bashkim. Qenia e Madhe thotë: O të shumëdashur! Faltorja e unitetit është ngritur; mos e shikoni njëri-tjetrin si të huaj. Ju jeni frytet e një peme të vetme dhe gjethet e së njëjtës degë. Ne ushqejmë shpresën se drita e drejtësisë do të mund të shkëlqejë mbi botë dhe ta spastrojë atë nga tirania. Në qoftë se sundimtarët dhe mbretërit e botës, simbole të pushtetit të Perëndisë, lartësuar qoftë lavdia e Tij, do të ngriheshin e do të vendosnin t’ia kushtonin veten çdo gjëje që do të favori¬zonte interesat e larta të mbarë njerëzimit, me siguri midis bijve të njerëzve do të vendosej mbretëria e drejtësisë dhe shkëlqimi i dritës së saj do të mbulonte gjithë tokën. Qenia e Madhe thotë: Struktura e stabilitetit dhe e rendit botëror është ngritur, dhe do të vazhdojë të mbështetet, në dy shtyllat binjake të shpërblimit e të dënimit… Në një fragment tjetër ai shkruan: Kini mendjen, o kohortë e sundimtarëve të botës! Nuk ka forcë në botë që të mund të barazohet për nga fuqia pushtuese me forcën e drejtësisë e të urtisë… I bekuar është mbreti që marshon me emblemën e urtisë të shpalosur para tij dhe me batalionet e drejtësisë të radhitura pas tij. Ai, me të vërtetë, është diadema që stolis ballin e paqes dhe shëmbëlltyrën e sigurisë. Nuk ka asnjë dyshim që, në rast se dielli i drejtësisë, të cilin retë e tiranisë e kanë errësuar, do të përhapte dritën e tij mbi njerëzit, fytyra e tokës do të shndërrohej krejtësisht.

-~-

CXIII. A imagjinon ti, o Ministër i Shahut në Qytet (Konstantinopojë), se unë mbaj në dorën Time fatin përfundimtar të Kauzës së Perën¬disë? A mendon ti se burgimi Im, ose poshtërimi që Më është bërë, madje edhe vdekja e eliminimi Im i plotë, mund ta ndryshojnë rrugën e saj? E shëmtuar është ajo që ke imagjinuar në zemrën tënde! Ti je me të vërtetë ndër ata që shkojnë pas imagjinatave të kota që sajon zemra e tyre. Nuk ka Perëndi tjetër veç Tij. I fuqishëm është Ai për të manifestuar Kauzën e Tij, për të lartësuar dëshminë e Tij, për të afirmuar çdo gjë që është Vullneti i Tij dhe për ta ngritur atë në një pozitë aq të shquar, saqë as duart e tua, as duart e atyre që janë larguar prej Tij kurrë nuk mund ta prekin ose dëmtojnë.

A beson ti se ke pushtet të pengosh Vullnetin e Tij, të mos e lejosh Atë të zbatojë gjykimin e Tij ose të ushtrojë sovranitetin e Tij? A pretendon ti se ka në qiell a në tokë ndonjë gjë që mund t’i rezistojë Besimit të Tij? Jo, për atë që është e Vërteta e Përjetshme! Asgjë, çfarëdo qoftë, në gjithë krijimin nuk mund t’i kundërvihet Qëllimit të Tij. Flake, pra, mendje¬madhësinë pas së cilës shkon, sepse mendjemadhësia kurrë nuk mund t’i zërë vendin së vërtetës. Ji ndër ata që me të vërtetë janë penduar e janë kthyer te Perëndia, Perëndia Që të ka krijuar, Që të ka ushqyer dhe të ka bërë ministër ndërmjet atyre që ushtrojnë besimin tënd.

Dije, për më tepër, se është Ai Që, me urdhër të Vet, ka krijuar çdo gjë që është në qiej e mbi tokë. Si mundet, pra, gjëja e krijuar sipas urdhërit të Tij të mbizotërojë mbi Të? I lartësuar pamasë është Perëndia, tej asaj që imagjinoni ju për Të, o njerëz të ligj. Në qoftë se kjo Kauzë është e Perëndisë, asnjeri nuk mund të mbizotërojë mbi të; ndërsa po nuk qe e Perëndisë, krerët fetarë që keni midis jush, edhe ata që shkojnë pas dëshirave të tyre të mbrapshta, edhe ata që janë rebeluar kundër Tij, me siguri që do të mjaftojnë për ta mposhtur atë.

A nuk e ke dëgjuar që çka thënë në të kaluarën një njeri i familjes së Faraonit, një besimtar, Perëndia ia tregoi Apostullit të Vet, të Cilin e kishte zgjedhur midis të gjitha qenieve njerëzore, duke i besuar Mesazhin e Tij dhe duke e bërë burimin e mëshirës së Tij për të gjithë ata që jetojnë mbi tokë? Ai tha dhe, padyshim, Ai thoshte të vërtetën: “Doni ta vrisni një njeri, sepse ai thotë Zoti im është Perëndia, kur ai ka ardhur tashmë te ju me provat e misionit të tij? Dhe në qoftë se ai është gënjeshtar, gënjeshtra e tij do të bjerë mbi të, por në qoftë se është njeri i së vërtetës, të paktën një pjesë e asaj që ai ka kërcënuar do të bjerë mbi ty.” Kjo është ajo që Perëndia i ka reveluar të Shumëdashurit të Vet në Librin e Tij të pagabueshëm.

E megjithatë, ju nuk ia keni vënë veshin urdhërit të Tij, e keni injoruar ligjin e Tij, keni hedhur poshtë këshillën që është shënuar në Librin e Tij dhe keni qenë ndër ata që janë larguar prej Tij. Sa shumë janë ata që, çdo vit e çdo muaj, janë çuar në vdekje për shkakun tuaj! Sa të shumta janë padrejtësitë që ju keni kryer – padrejtësi që syri i krijimit kurrë nuk ka parë dhe asnjë kronist nuk ka regjistruar! Sa shumë fëmijë e foshnja kanë mbetur jetimë dhe sa etër kanë humbur bijtë e tyre për shkak të mizorisë suaj, o ju padrejtësibërës! Sa shpesh motra është tretur e ka mbajtur zi për vëllanë dhe sa shpesh gruaja ka vajtuar burrin, mbështetësin e vetëm të saj.

Padrejtësia juaj u shtua gjithnjë më shumë, derisa e vratë Atë që kurrë nuk i kishte shqitur sytë nga fytyra e Perëndisë, Më të Lartësuarit, Më të Madhit. Të paktën ta kishit vrarë sipas mënyrës që njerëzit janë mësuar të vrasin njëri-tjetrin! Por ju e vratë Atë në rrethana të tilla që asnjeri nuk kishte parë ndonjëherë. Qiejtë vajtuan hidhur për Të dhe shpirtrat e atyre që ishin pranë Perëndisë u ngashëryen për vuajtjet e Tij. A nuk ishte Ai pinjoll i Shtëpisë së lashtë të Profetit tuaj? A nuk ishte përhapur gjerësisht midis jush fama e Tij si pasardhës i drejtpërdrejtë i Apostullit? Përse, pra, i bëtë Atij atë që askush, sado të kërkosh në të kaluarën, kurrë nuk i ka bërë tjetrit? Për Perëndi! Syri i krijimit kurrë s’ka parë njerëz të tillë si ju. Ju vratë Atë që është pinjoll i Shtëpisë së Profetit tuaj dhe gëzoheni e zbaviteni duke ndenjur në postet tuaja të nderit! Ju lëshoni sharje kundër atyre që kanë qenë para jush e që kanë bërë atë që keni bërë ju, dhe tërë kohën ju vetë jeni të pavetëdijshëm për krimet tuaja të përbindshme!

Jini të drejtë në gjykimin tuaj. Mos vallë ata që ju i mallkoni e të cilëve u ndillni të keqen, kanë vepruar ndryshe nga ju? A nuk e kanë vrarë ata pasardhësin e Profetit të tyre ashtu siç vratë ju pasardhësin e Profetit tuaj? A nuk është sjellja juaj e njëjtë me të tyren? Përse, pra, pretendoni se jeni të ndryshëm nga ata, o ju mbjellës të përçarjes midis njerëzve?

Dhe kur ju i morët jetën Atij, njëri prej pasuesve të Tij u ngrit të hakmerrej për vdekjen e Tij. Atë nuk e njihte njeri dhe për planin që ai kishte menduar askush nuk ishte në dijeni. Më në fund, ai bëri atë që ishte paracaktuar. S’ka, pra, përse t’i vini faj askujt veç vetes suaj për gjërat që keni bërë, po të gjykoni me drejtësi. Kush në mbarë tokën ka bërë atë që keni bërë ju? Askush, për Atë që është Zoti i të gjitha botëve!

Të gjithë sundimtarët e mbretërit e tokës i nderojnë e i adhurojnë pasardhësit e profetëve të tyre dhe njerëzit e shenjtë, sikur ta kuptonit këtë. Ju, nga ana tjetër, mbani përgjegjësi për veprime të tilla që askush, kurrë ndonjëherë, nuk i ka bërë. Krimet tuaja kanë mbushur me hidhërim çdo zemër të ndjeshme. E megjithatë, ju keni mbetur të zhytur në moskokë¬çarjen tuaj dhe nuk e keni kuptuar ligësinë e veprimeve tuaja.

Ju keni ngulur këmbë në kryeneçësinë tuaj, derisa u ngritët kundër Nesh, megjithëse Ne nuk kishim bërë asgjë që të justifikonte armiqësinë tuaj. Mos vallë nuk i trembeni Perëndisë që ju ka krijuar e artuar, ju ka dhënë fuqinë tuaj dhe ju ka bashkuar me ata që i janë nënshtruar Atij (Myslimanët)? Deri kur do të ngulni këmbë në kryeneçësinë tuaj? Deri kur do të refuzoni të mendoni? Sa kohë duhet akoma që ju të zgjoheni nga gjumi dhe të shkundeni nga moskokëçarja? Për sa kohë akoma do të jeni të pavetëdijshëm për të vërtetën?

Peshojeni në zemrën tuaj. A keni arritur ju, me gjithë sjelljen tuaj e gjërat që kanë kryer duart tuaja, të shuani zjarrin e Perëndisë ose të fikni dritën e Revelacionit të Tij – dritë që ka mbështjellë me shkëlqimin e saj ata që janë zhytur në oqeanet e dallgëzuara të pa¬vdekësisë dhe ka tërhequr shpirtrat e atyre që me të vërtetë besojnë në unitetin e Tij dhe e mbështesin atë? A nuk e dini ju se Dora e Perëndisë është mbi duart tuaja, se Dekreti i Tij i pandryshueshëm i kapërcen të gjitha sajimet tuaja, se Ai është sovran mbi shërbëtorët e Tij, se Ai është i barabartë me Qëllimin e Tij, se Ai bën atë që do, se Atij nuk i kërkohet llogari për atë që Ai dëshiron, se Ai urdhëron çfarë i pëlqen, se Ai është Më i Pushtetshmi, Fuqiploti? Në rast se besoni që kjo është e vërteta, atëherë përse nuk pushoni së shqetësuari e të bini kështu në paqe me veten tuaj?

Ju bëni çdo ditë një padrejtësi të re dhe më trajtoni Mua siç Më keni trajtuar në të kaluarën, megjithëse Unë kurrë nuk jam përpjekur të përzihem në punët tuaja. Unë kurrë nuk ju jam kundërvënë, as kam ngritur krye kundër ligjeve tuaja. Shihni, më në fund, sesi Më keni burgosur në këtë vend të largët! Por të jeni të sigurt se, çfarëdo që kanë bërë duart tuaja ose duart e të pabesëve, ato nuk do të mundin kurrë, siç nuk kanë mundur në të kaluarën, të shtrembërojnë Kauzën e Perëndisë dhe as të ndryshojnë rrugët e Tij.

Vini veshin paralaj¬mërimit Tim, o ju njerëz të Persisë! Po të vritem nga duart tuaja, Perëndia me siguri do të ngrejë një tjetër që të mbushë vendin e mbetur bosh me vdekjen Time, sepse e tillë është metoda e Perëndisë e përdo¬rur në të kaluarën, dhe nuk mund të ketë ndryshim në metodat e veprimit të Perëndisë. Mos vallë kërkoni të shuani dritën e Perën¬disë që shkëlqen mbi tokën e Tij? Perëndia është kundër asaj që dëshironi ju. Ai do ta përsosë dritën e Tij, sado ta urreni ju atë në fshehtësinë e zemrave tuaja.

Qëndro një çast të vetëm e mendohu, o Ministër, dhe ji i drejtë në gjykimin tënd. Çfarë kemi bërë Ne që të mund të të justifikojë ty për përgojimin Tonë para ministrave të Mbretit, për shtrembërimin e së vërtetës dhe për shpifjet kundër Nesh, duke shkuar pas dëshirave tuaja? Ne kurrë s’jemi takuar me njëri-tjetrin, me përjashtim të asaj here që Ne të takuam në shtëpinë e Bábait tënd, në ditët kur u përkujtua martirizimi i Imám Ḥusayn·it. Në ato rrethana askush nuk pati rastin t’u bënte të njohur të tjerëve pikëpamjet e besimet e veta në biseda apo diskutime. Ti mund të dëshmosh për vërtetësinë e fjalëve të Mia, po qe njeri i drejtë. Unë nuk kam marrë pjesë në ndonjë takim tjetër, ku ti të mund të mësoje për pikëpamjet e Mia ose ku ndonjë tjetër të kish mundur ta bënte këtë. Si munde, pra, të shpallësh dëni¬min tënd kundër Meje, kur ti nuk kishe dëgjuar dëshminë Time nga vetë goja Ime? A nuk ke dëgjuar ti se Perëndia, lartësuar qoftë lavdia e Tij, ka thënë: “Mos i thuaj kujtdo që të pret me përshëndetje ‘Ti nuk je besim¬tar’.” “Mos i flak tutje ata që mëngjes e mbrëmje thërrasin me lutje Zotin e tyre, të etur për të soditur fytyrën e Tij.” Ti me të vërtetë ke shkelur atë që urdhëron Libri i Perëndisë, e megjithatë pretendon se je besimtar!

Me gjithë atë që ti ke bërë, Unë – dhe Perëndia Më është dëshmitar për këtë, – nuk të mbaj mëri e as i mbaj mëri ndonjë tjetri, megjithëse prej teje e prej disa të tjerësh Ne kemi marrë plagë të tilla që asnjë besimtar në unitetin e Perëndisë nuk do të mund t’i duronte. Kauza Ime nuk është në duart e askujt veç Perëndisë, dhe besimi Im nuk është për askënd tjetër veç Tij. Së shpejti ditët tuaja do të marrin fund, siç do të marrin fund ditët e atyre që me mendje¬madhësi që duket sheshit mburren se janë mbi të tjerët. Së shpejti ju do të mblidheni në prani të Perën¬disë, do t’ju kërkohet llogari për bëmat tuaja, do të shpaguheni për atë që do të kenë bërë duart tuaja dhe mjerë banesa e shtriganëve!

Për Perëndi! Sikur ta kuptoje se ç’ke bërë, ti me siguri do të qaje me dënesë për veten tënde, dhe do të kërkoje strehë te Perëndia, dhe do të vuaje e do të mbaje zi tërë jetën, derisa Perëndia të të falte, sepse Ai, me të vërtetë, është Më Zemërgjeri, Bujariploti. Por ti do të këmbëngulësh, deri në çastin e vdekjes, në moskokëçarjen tënde, sepse je dhënë me gjithë zemër, me gjithë shpirt e me gjithë qenien tënde intime, pas kotësive të botës. Ti, pas largimit tënd, do të zbulosh atë që të kemi reveluar Ne dhe do t’i gjesh të gjitha bëmat e tua të regjistruara në Librin ku janë të shënuara bëmat e të gjithë atyre që jetojnë mbi tokë, qofshin ato më të mëdha ose më të vogla sesa pesha e një atomi. Kushtoji, pra, vëmendje këshillës Sime dhe dëgjoi me veshin e zemrës këto që po të them, mos u trego moskokë¬çarës ndaj fjalëve të Mia dhe as mos ji ndër ata që refuzojnë të vërtetën Time. Mos u lavdëro me gjërat që të janë dhënë. Mbaj parasysh atë që është reveluar në Librin e Perëndisë, Ndihmës në Rrezik, Lavdiplotit: “Dhe kur ata i harruan paralajmërimet e tyre, Ne u hapëm atyre portat e të gjitha gjërave”, ashtu siç të hapëm Ne ty e të tjerëve si ti portat e kësaj toke e të stolive të saj. Prit, pra, atë që premtohet në pjesën e fundit të këtij vargu të shenjtë, sepse ky është një premtim nga Fuqiploti, Urtiploti – një premtim që nuk do të jetë i pavërtetë.

Unë nuk e di shtegun që ju keni zgjedhur e ndiqni, o grumbullim i atyre që Më duan të keqen! Ne ju bëjmë thirrje të vini te Perëndia, ju kujtojmë Ditën e Tij, ju njoftojmë lajmin e ribashkimit me Të, ju afrojmë pranë oborrit të Tij dhe sjellim te ju shenjat e urtisë së Tij mahnitëse, e megjithatë shih sesi ju na refuzoni Ne, sesi Na dënoni si të pabesë me ato që ka folur goja juaj gënjeshtare, sesi kurdisni plane kundër Nesh! Dhe kur Ne ju shfaqim juve ato që Perëndia, përmes favorit të Tij bujar, na ka dhuruar Neve, ju thoni, “Është thjesht magji”. Po këto fjalë kanë thënë edhe brezat që kanë qenë para jush e që ishin si ju,28 sikur ta kuptonit këtë. Me këtë ju i keni mohuar vetes dhuratat e Perëndisë dhe mirësinë e Tij, dhe kurrë nuk do t’i fitoni ato deri në ditën që Perëndia do të gjykojë midis Nesh e jush, dhe Ai është, me të vërtetë, Gjykatësi më i mirë.

Disa prej jush kanë thënë: “Ky është Ai që ka pretenduar se është Perëndi.” Për Perëndi! Kjo është një shpifje e trashë. Unë s’jam veçse një shërbëtor i Perën¬disë, Që ka besuar tek Ai e te shenjat e Tij, si dhe te Profetët e te engjëjt e Tij. Gjuha Ime, zemra Ime, qenia Ime e brendshme dhe e jashtme pohojnë se nuk ka tjetër Perëndi veç Tij, se gjithë të tjerët janë krijuar me urdhër të Tij dhe janë artuar përmes veprimit të Vullnetit të Tij. Nuk ka Perëndi tjetër veç Tij, Krijuesit, Ngjallësit të të vdekurve, Gjallëruesit, Atij që vret. Unë jam Ai që i tregon botës favoret që Perëndia, me të mirë të Tij, Më ka dhuruar. Në qoftë se ky është një mëkat, atëherë Unë jam me të vërtetë i pari midis mëkata¬rëve. Unë dhe farefisi Im jemi në mëshirën tuaj. Bëni si të doni, e mos jini ndër ata që ngurrojnë, në mënyrë që Unë të mund të kthehem te Perëndia, Zoti Im, dhe të arrij në vendin ku Unë nuk do të mund t’i shoh më fytyrat tuaja. Kjo është, me të vërtetë, dëshira Ime më e madhe, kërkesa Ime më e zjarrtë. Perëndia, me siguri, është mirë i informuar dhe e di gjendjen Time.

Imagjinoje veten se je nën vështrimin e Perëndisë, o Ministër! Në qoftë se Ti nuk e sheh Atë, Ai, me të vërtetë, të sheh qartë ty. Vështroje e gjykoje me drejtësi Kauzën Tonë. Çfarë kemi bërë Ne që të ka shtyrë të ngrihesh kundër Nesh e të shpifësh për Ne para njerëzve, në qofsh ndër ata që janë të drejtë? Ne u larguam nga Teherani me urdhër të mbretit dhe me lejën e tij e transferuam selinë Tonë në Irak. Në qoftë se Unë do të isha fajtor ndaj tij, përse, pra, më liroi? Dhe në qoftë se isha i pafajshëm, përse Na shkaktove mynxyra të tilla që askush prej atyre që ushtrojnë besimin tënd nuk i ka vuajtur? A ka qenë ndonjë prej veprimeve të Mia, pas arritjes Sime në Irak, i tillë që të për¬mbyste autoritetin e qeverisë? Cili, mund të thuhet, se ka diktuar ndonjë gjë të qortueshme në sjelljen Tonë? Heto vetë midis popullit atje, në mënyrë që të mund të jesh ndër ata që kanë parë të vërtetën.

Për njëmbëdhjetë vjet Ne banuam në atë vend, derisa arriti Ministri që përfaqësonte qeverinë tënde, emrin e të cilit Penda Ime e ka bezdi ta përmendë, që ishte i dhënë pas verës, që ndiqte epshet e tij e bënte ligësira, që ishte i korruptuar dhe korruptoi Irakun. Për këtë mund të dëshmojnë shumica e banorëve të Baghdád·it, në qoftë se do t’i pyesje ata dhe në qofsh ndër ata që kërkojnë të vërtetën. Ishte ai që me të padrejtë përvetësoi mallin e të tjerëve, që harroi të gjitha porositë e Perëndisë dhe bëri çdo gjë që Perëndia e ndalonte. Më në fund, ai, duke ndjekur dëshirat e tij, u ngrit kundër Nesh dhe u end në rrugët e padrejtësisë. Ai na akuzoi Ne në letrën që të dërgoi ty dhe ti e besove, e ndoqe rrugën e tij pa kërkuar prej tij asnjë provë ose fakt të besueshëm. Ti nuk kërkove asnjë shpjegim, as u përpoqe të hetosh ose të sigurohesh për çështjen, në mënyrë që në sytë e tu e vërteta të mund të dallohej nga gënjeshtra dhe ti të ishe i qartë në gjykimin tënd. Shihe vetë ç’njeri ishte ai, duke pyetur ata Ministra që në atë kohë ishin në Irak, si dhe Guvernatorin e qytetit (Baghdád) dhe Këshilltarin e tij të lartë, në mënyrë që e vërteta të zbulohet para teje dhe ti të jesh i mirinformuar.

Zoti Na është dëshmitar! Ne, në asnjë rrathanë, nuk i jemi kundërvënë as atij, as të tjerëve. Ne kemi zbatuar, në të gjitha rrethanat, porositë e Perëndisë dhe kurrë nuk kemi qenë ndër ata që mbjellin trazira. Këtë e dëshmon ai vetë. Qëllimi i tij ishte të na kapte Ne dhe të na kthente në Persi, për të rritur kështu famën dhe reputacionin e tij. Ti ke kryer të njëjtin krim dhe për të njëjtin qëllim. Ju jeni që të dy në të njëjtën shkallë në sytë e Perëndisë, Zotit Sovran të çdo gjëje, të Gjithë¬dijshmit.

Nuk është qëllimi Ynë që, duke të drejtuar këto fjalë, të lehtësojmë barrën e brengës Sonë, ose të të shtyjmë të ndërhysh për Ne te ndonjëri. Jo, për atë që është Zoti i të gjitha botëve! Ne shtjelluam para teje tërë çështjen, se ndoshta, duke kuptuar atë që ke bërë, nuk do t’u bësh të tjerëve të këqijat që na ke bërë Neve, do të jesh ndër ata që janë penduar me të vërtetë para Perëndisë Që të ka krijuar ty e të gjitha gjërat dhe do të veprosh me mend në të ardhmen. Kjo është më e mirë për ty sesa të gjitha ato që ke, sesa ditët e ofiqit tënd që janë të numëruara.

Kujdes se mos bëhesh bashkëfajtor në padrejtësi. Vendose fort zemrën tënde në drejtësinë, mos shtrembëro Kauzën e Perëndisë dhe ji ndër ata që i kanë drejtuar sytë në gjërat e reveluara në Librin e Tij. Mos bjer, në çfarëdo kushtesh, në tundimet e dëshirave tuaja të liga. Zbato ligjin e Perëndisë, Zotit tënd, Bamirësit, të Lashtit të Kohëve. Ti, me siguri, do të kthehesh përsëri në pluhur dhe do të vdesësh si të gjitha gjërat në të cilat ti gjen kënaqësi. Këto ka folur Gjuha e së vërtetës dhe e lavdisë.

A nuk e kujton paralajmë¬rimin e Perëndisë, thënë në të kaluarën, që të jesh ndër ata që i kushtojnë vëmendje paralajmërimit të Tij? Ai ka thënë, dhe Ai, padyshim, flet të vërtetën: “Prej saj (tokës) Ne ju kemi krijuar dhe tek ajo do t’ju kthejmë, dhe prej saj do t’ju nxjerrim për herë të dytë.” Këtë ka urdhëruar Perëndia për të gjithë ata që jetojnë mbi tokë, qofshin të mëdhenj ose të për¬vuajtur. Prandaj, nuk i për¬shtatet atij që është krijuar prej pluhurit e që do të kthehet në të dhe përsëri do të nxirret prej andej, të mburret me krenari përpara Perëndisë e të dashurve të tij, t’i përbuzë ata me mospërfillje, i mbushur plot arro¬gancë përçmuese. Përkundrazi, ty dhe atyre që janë si ti ju takon t’u nënshtroheni atyre që janë Manifestimet e unitetit të Perën¬disë, të respektoni përunjësisht besnikët që kanë braktisur gjithçka për hir të Perëndisë e janë shkëputur nga gjërat që pushtojnë vëmendjen e njeriut dhe e largojnë atë nga rruga e Perëndisë, Lavdi¬plotit, të Gjithlëvduarit. Kështu sjellim Ne tek ju atë që do të jetë me përfitim për ty e për ata që e kanë vënë tërë besimin e sigurinë te Zoti i tyre.

-~-

CXIV. Dëgjo, o Mbret (Sulṭán ‘Abdu’l-‘Azíz), fjalën e Atij që thotë të vërtetën, të Atij që nuk të kërkon ta shpërblesh me gjërat që Perëndia të ka dhuruar ty, të Atij që ecën pa u gabuar në Shtegun e drejtë. Ai të bën thirrje të vish te Perëndia, Zoti yt, të tregon ty rrugën e drejtë, rrugën që të çon në lumturinë e vërtetë, në mënyrë që të mund të jesh ndër ata që do të kenë të mira.

Kujdes, o Mbret, se mos mbledhësh rreth vetes ministra të tillë që rendin pas tundimeve të një prirjeje të shthurur, që kanë flakur pas shpine atë që është lënë në duart e tyre dhe që kanë tradhtuar haptazi besimin. Ji shpirtmadh me të tjerët, ashtu siç ka qenë shpirtmadh Perëndia me ty dhe mos i lër interesat e popullit tënd në mëshirën e ministrave të tillë. Mos harro frikën e Perëndisë dhe ji ndër ata që veprojnë me drejtësi. Mblidh rreth teje ata ministra, nga të cilët mund të thithësh aromën e besimit e të drejtësisë, këshillohu me ta, zgjidh atë që sipas mendimit tënd është më e mirë dhe ji ndër ata që veprojnë me shpirtmadhësi.

Dije me siguri se kush nuk beson te Perëndia nuk është as i besueshëm, as i drejtë. Kjo është, sigurisht, e vërteta, e vërteta e padyshimtë. Ai që vepron pa¬besisht kundrejt Perëndisë, do të veprojë pabesisht edhe kundër mbretit të vet. Asgjë nuk mund ta ndalojë një njeri të tillë nga e liga, asgjë nuk mund ta pengojë atë të tradhtojë të afërmin e tij, asgjë nuk mund ta bëjë atë të ecë drejt.

Kujdes që të mos i lësh frenat e punëve të shtetit tënd në duar të të tjerëve, mos ki besim te ministrat që s’e meritojnë një be¬sim të tillë, dhe mos ji ndër ata që jetojnë në moskokëçarje. Shmangi ata, zemrat e të cilëve janë larguar prej teje, mos ki besim tek ata dhe mos lër në dorë të tyre punët e tua e të atyre që ushtrojnë besimin tënd. Kujdes që të mos lejosh ujkun të bëhet bariu i grigjës së Perëndisë dhe mos e lër fatin e të dashurve të Tij në mëshirën e të ligut. Mos prit që ata që shkelin porositë e Perëndisë të jenë të denjë ose të sinqertë në besimin që ushtrojnë. Shmangi ata dhe ruaje shumë veten, që synimet keq¬dashëse e djallëzitë e tyre të mos të të dëmtojnë. Largohu prej tyre dhe mbërtheje shikimin tënd te Perëndia, Zoti yt, Lavdiploti, Më Bujari. Ai që e dorëzon krejtësisht veten te Perëndia, me siguri Perëndia do të jetë me të; dhe atë që ka besim të plotë te Perëndia, me të vërtetë Perëndia do ta mbrojë nga çdo e keqe e do ta ruajë nga ligësia e çdo komplotisti të pabesë.

Në qoftë se ti do t’u vije veshin fjalëve të Mia dhe do të dëgjoje këshillën Time, Perëndia do të të ngrinte në një pozitë kaq të shquar, saqë synimet e askujt në mbarë botën kurrë nuk do të mund të të preknin ose dëmtonin ty. Zbato, o Mbret, me gjithë zemër e me tërë qenien tënde këshillat e Perëndisë, dhe mos ec në shtegun e shtypësit. Kapi dhe mbaji fort me dorën e fuqisë frenat e punëve të popullit tënd, dhe shqyrto vetë çdo gjë që ka të bëjë me to. Mos lër të të shpëtojë asgjë, sepse në këtë qëndron e mira më e madhe.

Falëndero Perëndinë që të zgjodhi ty nga gjithë bota dhe të bëri mbret mbi ata që ushtrojnë besimin tënd. Ty të takon t’i çmosh favoret e mrekullueshme që Perëndia të ka dhuruar dhe të lavdërosh vazhdimisht emrin e Tij. Ti mund ta lavdërosh më së miri Atë në qoftë se do t’i duash të dashurit e Tij dhe do t’i ruash e mbrosh shërbëtorët e Tij nga ligësitë e të pabesëve, në mënyrë që askush të mos mund t’i shtypë më ata. Ti duhet, veç kësaj, të ngrihesh për të ngulitur tek ta ligjin e Perëndisë, që të mund të jesh ndër ata që i përmbahen vendos¬mërisht ligjit të Tij.

Në qoftë se ti do të bëje që lumenjtë e drejtësisë t’i shpër¬ndajnë ujërat e veta midis nën¬shtetasve të tu, Perëndia me siguri do të të ndihmonte ty me aradhat e të padukshmëve e të dukshmëve dhe do të të forconte në punët e tua. Nuk ka Perëndi tjetër veç Tij. Gjithë krijimi dhe sundimi mbi të janë të Tijat. Tek Ai kthehen bëmat e besimtarëve.

Mos u mbështet në thesaret e tua. Mbështete tërë besimin tënd në mirësinë e Perëndisë, Zotit tënd. Le të jetë Ai besimi yt në gjithçka që bën, dhe ji ndër ata që i nënshtrohen Vullnetit të Tij. Le të jetë Ai ndihma jote dhe pasurohu me thesaret e Tij, sepse me Të janë thesaret e qiejve e të tokës. Ai ua dhuron ato atyre që do, dhe atyre që do ua merr. Nuk ka Perëndi tjetër veç Tij, Gjithzotëruesit, të Gjithlëvduarit. Të gjithë s’janë veçse varfanjakë në dyert e mëshirës së Tij; të gjithë janë të pafuqishëm përballë revelimit të sovranitetit të Tij dhe luten t’u japë favoret e Tij.

Mos i kalo kufijtë e moderimit dhe vepro drejt me ata që të shërbejnë ty. Jepu atyre sipas nevojave që kanë dhe jo në atë shkallë që t’u lejojë të grum¬bullojnë pasuri për vete, të stolisen, të zbukurojnë shtëpitë e tyre, të blejnë gjëra që nuk u sjellin atyre përfitim dhe të numërohen midis ekstravagantëve. Vepro me ta me drejtësi të rreptë, në mënyrë që asnjëri prej tyre të mos vuajë nga skamja, por as të mos notojë në luks. Kjo s’është veçse drejtësi që duket sheshit.

Mos lejo të përçmuarin të sundojë e dominojë ata që janë fisnikë e të denjë për t’u nderuar dhe mos lejo që zemërgjerët të jenë në mëshirën e njerëzve të përbuzshëm e të padenjë, sepse këtë vumë re kur arritëm në Qytet (Konstantinopojë) dhe për këtë dëshmojmë. Ne gjetëm midis banorëve të tij disa që zotëronin pasuri të madhe dhe jetonin në mes të një begatie të tepruar, ndërsa të tjerë ishin në skamje të tmerrshme e në varfëri të thellë. Kjo nuk i përshtatet sovranitetit tënd dhe është e padenjë për rangun tënd.

Le të jetë këshilla Ime e pranueshme për ty dhe përpiqu të sundosh me drejtësi midis njerëzve, që Perëndia ta lartësojë emrin tënd dhe të përhapë famën e drejtësisë sate në mbarë botën. Kujdes mos i lartëso ministrat e tu në kurriz të nënshtetasve të tu. Trembju psherëtimave të të varfërve e të të drejtëve në zemër, të cilët çdo mëngjes vajtojnë fatin e tyre të keq dhe ji për ta një sovran i mirë. Ata janë, me të vërtetë, thesaret e tu mbi tokë. Të takon ty, pra, t’i ruash thesaret e tua nga sulmet e atyre që duan të të grabisin. Hetoi punët e tyre dhe sigurohu çdo vit, madje çdo muaj, për kushtet e tyre, dhe mos ji ndër ata që neglizhojnë detyrat e veta.

Vendos para syve Peshoren e pagabueshme të Perëndisë dhe, sikur të ishe në Praninë e Tij, pesho në atë Peshore veprimet e tua çdo ditë, çdo çast të jetës sate. Kërkoji llogari vetes para se të thirresh për këtë në Ditën kur askush nuk do të ketë forcë të mbahet në këmbë nga frika e Perëndisë, në Ditën kur zemrat e moskokëçarësve do të dridhen.

Është detyrë e çdo mbreti të jetë bujar si dielli, që ndihmon rritjen e të gjitha qenieve dhe i jep secilës aq sa i takon, të mirat e të cilit nuk mbeten brenda tij, por jepen prej Atij që është Më i Pushtetshmi, Fuqiploti. Mbreti duhet të jetë në mëshirën e vet zemërgjerë e dorëdhënës si retë, që derdhin mbi çdo tokë shirat e bujarisë së tyre, me urdhër të Atij që është Urdhëruesi Suprem, i Gjithëdijshmi.

Ki kujdes të mos i lësh tërësisht në duart e ndonjë tjetri punët e tua shtetërore. Askush nuk mund t’i kryejë funksionet e tua më mirë se ti vetë. Kështu po të bëjmë të qarta ty fjalët Tona të urtisë, dhe po të sjellim atë që mund të të bëjë të aftë të kalosh nga dora e majtë e shtypjes në dorën e djathtë të drejtësisë dhe t’i afrohesh oqeanit të ndritshëm të favoreve të Tij. Ky është shtegu që kanë shkelur mbretërit që kanë qenë para teje, ata që kanë vepruar me drejtësi ndaj nënshtetasve të tyre dhe kanë ecur në rrugët e drejtësisë së pandryshuar.

Ti je hija e Perëndisë mbi tokë. Përpiqu, pra, të veprosh në mënyrë të tillë siç i ka hije një pozite kaq të shquar, kaq madhë¬shtore. Në qoftë se ti largo¬hesh nga ndjekja e gjërave që Ne kemi bërë të zbresin mbi ty e të kemi mësuar, ti, sigurisht, do të zhvishesh nga ai nder i madh e i paçmuar. Kthehu, pra, dhe kapu tërësisht pas Perëndisë, spastroje zemrën tënde nga bota e të gjitha kotësitë e saj dhe mos lejo që dashuria ndaj ndonjë tjetri të hyjë e të jetojë në të. Derisa ti të mos e kesh spastruar zemrën tënde nga çdo gjurmë e një dashurie të tillë, ndriçimi i dritës së Perëndisë nuk mund të derdhë mbi të shkëlqimin e vet, sepse Perëndia askujt nuk i ka dhënë më shumë se një zemër. Kjo, me të vërtetë, është dekretuar e shkruar në Librin e Tij të lashtë. Dhe duke qenë se zemra e njeriut, ashtu siç është artuar nga Perëndia, është një dhe e pandarë, është detyra jote të bësh kujdes që ndjenja e saj e dashurisë gjithashtu të jetë një dhe e pandarë. Kapu, pra, me tërë zjarrin e zemrës sate pas dashurisë për Të, dhe largoje atë nga dashuria për cilindo veç Tij, që Ai të mundë të të ndihmojë të zhytesh në oqeanin e unitetit të Tij dhe të të japë mundësinë të bëhesh një përkrahës i vërtetë i njëshmërisë së Tij. Perëndia Më është dëshmitar. Qëllimi Im i vetëm duke të reveluar këto fjalë është të të spastroj ty nga gjërat kalimtare të kësaj toke dhe të të ndihmoj të hysh në mbretërinë e lavdisë së përjetshme, që ti, me leje të Perëndisë, të mund të jesh ndër ata që jetojnë e sundojnë atje…

Betohem për Perëndinë, o Mbret! Nuk është dëshira Ime të ankohem tek ti kundër atyre që Më persekutojnë. Unë vetëm i shpreh brengën e hidhërimin Tim Perën¬disë, Që më ka krijuar Mua dhe ata, Që e njeh mirë gjendjen tonë dhe Që vëzhgon gjithçka. Dëshira Ime është t’i paralajmëroj ata për pasojat e veprimeve të tyre, se ndoshta vendosin të heqin dorë nga trajtimi i të tjerëve ashtu siç më kanë trajtuar Mua dhe të jenë ndër ata që i vënë veshin para¬lajmërimit Tim.

Fatkeqësitë që kanë pllako¬sur mbi Ne, privacionet që vuajmë, mundimet e ndryshme që Na kanë rrethuar, të gjitha do të marrin fund, siç do të marrin fund këna¬qësitë në të cilat ata dëfrehen dhe bollëku që ata gëzojnë. Kjo është e vërteta që askush në botë nuk mund ta mohojë. Ditët kur Ne kemi qenë të detyruar të jetojmë në pluhur së shpejti do të marrin fund, siç do të marrin fund ditët kur ata zinin postet e nderit. Perëndia, me siguri, do të gjykojë me vërtetësi midis Nesh e atyre dhe Ai është, me të vërtetë, gjykatësi më i mirë.

Ne falënderojmë Perën¬dinë Perëndinë për gjithçka Na ka ndodhur, dhe u qëndrojmë me durim gjërave që Ai ka vendosur për Ne në të kaluarën e që do të vendosë në të ardhmen. Tek Ai e kam mbështetur Unë besimin Tim dhe në duart e Tij e kam lënë Kauzën Time. Ai, me siguri, do t’i shpërblejë të gjithë ata që qën¬drojnë me durim dhe e mbështesin tek Ai besimin e tyre. I Tij është krijimi dhe sundimi mbi të. Ai lartëson atë që do dhe atë që do e poshtëron. Atij nuk i kërkohet llo¬gari për bëmat e Tij. Ai është, me të vërtetë, Lavdiploti, Fuqiploti.

Veshi yt le të jetë i vëmendshëm, o Mbret, ndaj fjalëve që Ne të kemi drejtuar. Shtypësi le të heqë dorë nga tirania dhe ata që kryejnë padrejtësi le të ndahen prej atyre që ushtrojnë besimin e Tij. Për drejtësinë e Perëndisë! Fatkeqë¬sitë që Na kanë pllakosur janë të tilla saqë çdo pendë që i tregon nuk mund të mos mbushet me dhimbje. Askush prej atyre që me të vërtetë besojnë e mbështesin unitetin e Perëndisë nuk mund ta mbajnë barrën e të treguarit të tyre. Kaq të mëdha kanë qenë vuajtjet Tona, saqë edhe sytë e armiqve Tanë kanë derdhur lotë për Ne dhe, veç tyre, sytë e çdo personi që kupton. Dhe Ne u jemi nënshtruar të gjitha këtyre sprovave, edhe pse jemi përpjekur të afrohemi me ty dhe i kemi nxitur njerëzit të hyjnë në hijen Tënde, në mënyrë që Ti të ishe një kështjellë për ata që besojnë në unitetin e Perëndisë dhe e mbështesin atë.

A kam treguar ndonjëherë mos¬bindje ndaj teje, o Mbret? A kam shkelur ndonjëherë ndonjë prej ligjeve të tua? A mundet ndo¬njëri prej ministrave që të përfaqë¬sojnë ty në Irak të sjellë ndonjë provë që të tregojë pa¬besinë Time ndaj teje? Jo, për Atë që është Zoti i të gjitha botëve. As edhe për një çast të vetëm Ne nuk kemi ngritur krye kundër teje ose kundër ndo¬njërit prej ministrave të tu. Kurrë, dashtë Zoti, Ne nuk do të ngrejmë krye kundër teje, edhe pse u jemi nënshtruar sprovave më të ashpra se ato që kemi vuajtur në të kaluarën.

Ditën e natën, në agim e në mbrëmje, Ne i lutemi Perëndisë për ty, që Ai me dashamirësi të të ndihmojë ty të jesh i bindur ndaj Tij dhe të zbatosh ligjin e Tij, që Ai të të mbrojë nga hordhitë e të ligjve. Bëj, pra, si të të vijë mbarë, dhe Na trajto si t’i përshtatet pozitës sate e siç e kërkon sovraniteti yt. Mos harro ligjin e Perëndisë në çdo gjë që dëshiron të kryesh tani ose në ditët që do të vijnë. Thuaj: Lëvduar qoftë Perëndia, Zoti i të gjitha botëve!

-~-

CXV. Penda e Revelacionit, o Dhabíḥ, në pjesën më të madhe të Tabelave të reveluara në mënyrë hyjnore ka shënuar këto fjalë: Ne i kemi këshilluar të gjithë të dashurit e Perëndisë të kujdesen që cepi i rrobës Sonë të shenjtë të mos ndyhet me baltën e veprimeve të paligjshme ose të njolloset me plu¬hurin e një sjelljeje të qortu¬esh¬me. Ne, veç kësaj, i kemi porositur ata ta mbërthejnë vështrimin e tyre mbi gjithçka që është reveluar në Tabelat Tona. Sikur veshi i tyre i brendshëm t’u kishte kushtuar vëmendje këshillave Hyjnore që kanë rrezatuar nga Agimi i Pendës së Mëshirëplotit dhe të kishte dëgjuar Zërin e Tij, pjesa më e madhe e popujve të kësaj toke do të ishin stolisur tani me orna¬mentin e udhërrëfimit të Tij. Por ajo që ka qenë paracaktuar duhej të ndodhte.

Edhe një herë, ndërsa ndodhet në këtë Burg Kaq të Madh, gjuha e të Lashtit të Kohëve revelon këto fjalë që janë shënuar në këtë kartë borë të bardhë. O ju të shumëdashurit e të vetmit Perëndi të vërtetë! Dilni prej skutave të ngushta të dëshi¬rave tuaja të liga e të mbrapshta dhe shkoni përpara drejt hapësi¬rave të pamatura të mbretërisë së Perëndisë, dhe rrini në lëndinat e shenjtërisë e të shkëputjes, që aroma e bëmave tuaja të mund të udhëheqë mbarë njerëzimin në oqeanin e lavdisë së pashuar të Perëndisë. Përmbahuni dhe mos u zhytni në punët e kësaj bote e në gjithçka që ka të bëjë me të, as mos u përzjeni në veprimtaritë e atyre që janë drejtuesit e saj në dukje.

I vetmi Perëndi i vërtetë, lartësuar qoftë lavdia e Tij, ua ka dhënë qeverisjen e tokës mbretërve. Askujt nuk i jepet e drejta të veprojë në mënyrë të tillë që t’u kundërvihet synimeve të peshuara të atyre që kanë pushtetin. Ajo që Ai i ka rezervuar vetes janë qytetet e zemrave njerëzore dhe çelësat e tyre, në këtë Ditë, janë të shumëdashurit e Atij që është e Vërteta Sovrane. Dashtë Perëndia që ata, secili e të gjithë, të jenë në gjendje të hapin, përmes fuqisë së Emrit Më të Madh, portat e këtyre qyteteve. Kjo do të thotë të ndihmosh të vetmin Perëndi të vërtetë – një temë, të cilën Penda e Atij që sjell Agimin e ka trajtuar në të gjithë Librat e Tabelat e Tij.

Po ashtu, është detyrë e të dashurve të Perëndisë të jenë të duruar me njerëzit e tjerë dhe të jenë aq të pastër e të shkëputur nga të gjitha gjërat, të rrezatojnë një sinqeritet e ndershmëri të tillë, saqë të gjithë popujt e tokës t’i njohin ata si të besuarit e Perëndisë midis njerëzve. Shih se në ç’lartësi sublime janë ngritur porositë e të Fuqiplotit dhe në ç’banesë të mjerë jetojnë tani këta shpirtra të dobët. Lum ata që, me krahët e sigurisë, kanë fluturuar në qiejt që Penda e Zotit tënd, Mëshirëplotit, ka krijuar.

Shiko, o Dhabíḥ, veprat që ka bërë Perëndia, e Vërteta Sovrane. Thuaj: Sa e madhe, pamasë e madhe është fuqia e pushtetit të Tij, që përfshin të gjitha botët! E lartësuar, pamasë e lartësuar është shkëputja e Tij, tej kufijve të mundësisë e të dijes së gjithë krijimit! Lëvduar, lëvduar qoftë butësia e Tij, një butësi që ka shkrirë zemrat e atyre që janë afruar te Perëndia!

Edhe pse kemi vuajtur fatkeqësi të panumërta nga duart e armiqve Tanë, Ne ua kemi shpallur gjithë sundimtarëve të tokës atë që Perëndia ka dashur të shpallë, në mënyrë që të gjitha kombet ta dinë se asnjëlloj vuajtje nuk mund ta ndalë Pendën e të Lashtit të Kohëve të arrijë qëllimin e saj. Penda e Tij lëviz me lejen e Perëndisë Që arton eshtrat e shpërbëra e të kalbura.

Duke parë këtë vepër kaq të fuqishme, atyre që e duan Atë u ka hije t’i përvishen punës e t’i përqendrojnë mendimet e tyre në çdo gjë që do të sigurojë fitoren e Kauzës së Perëndisë, në vend që të kryejnë veprime të poshtra e të përçmuara. Sikur ti të sillje ndër-mend edhe për një çast të vetëm veprat dhe bëmat e dukshme të Atij Që është e Vërteta e Për¬jet¬shme, ti do të bije përtokë e do të thërrisje: O Ti që je Zoti i Zotave! Unë dëshmoj se Ti je Zoti i gjithë krijimit dhe Edukatori i të gjitha qenieve, të dukshme e të paduk¬shme. Unë dëshmoj se pushteti Yt ka përfshirë mbarë gjithësinë, se hordhitë e tokës kurrë nuk mund të të trembin Ty, dhe as sundimi i të gjithë popujve e kombeve nuk mund të të ndalojë Ty të zbatosh qëllimin Tënd. Unë pohoj se Ti nuk ke dëshirë tjetër veç ringjalljes së mbarë botës, vendosjes së unitetit midis popujve të saj dhe shelbimit të të gjithë atyre që jetojnë në të.

Mendo pak dhe shih sesi të dashurit e Perëndisë duhet të sillen dhe në ç’lartësi duhet të ngrihen. Lutju në çdo çast Zotit tënd, Perëndisë së Mëshirës, t’i ndih¬mojë ata të bëjnë atë që dëshiron Ai. Me të vërtetë, Ai është Më i Pushtetshmi, Lavdiploti, i Gjithë¬dijshmi.

Burgimi që ka pësuar ky i Munduar, o Dhabíḥ, nuk i ka bërë Atij ndonjë dëm dhe kurrë nuk mund t’i bëjë; as humbja e të gjitha të mirave të Tij tokësore, syrgjy¬nosja e Tij ose edhe martirizimi i Tij e poshtërimi i jashtëm, nuk i sjellin dëm Atij. Ajo që mund t’i shkaktojë dhimbje Atij janë punët e liga që bëjnë të shumëdashurit e Perëndisë dhe të cilat ia ngarkojnë Atij që është e Vërteta Sovrane. Kjo është brenga që më bën Mua të vuaj, dhe për këtë Ai Vetë, që ka pushtet mbi të gjitha gjërat, Më është dëshmitar. Ajo që Më shkakton më shumë dhimbje janë pretendimet që njerëzit e Bayán·it po ngrenë çdo ditë. Disa kanë deklaruar besnikërinë e tyre ndaj njërës prej Degëve të Mia (Bijve të Mi), ndërsa të tjerë kanë pohuar në mënyrë të pavarur pretendimet e tyre dhe kanë vepruar sipas dëshirës.

O Dhabíḥ! Gjuha e madhë¬shtisë thotë: Për Veten Time që flet të vërtetën! Në këtë Revelacion kaq të fuqishëm, të gjitha Dispensacionet e së kaluarës kanë arritur përmbushjen e tyre më të lartë e përfundimtare. Cilido që pretendon për një Revelacion pas Tij, me siguri s’është veçse një mashtrues e gënjeshtar. Ne i lutemi Zotit ta ndihmojë atë të tërhiqet e ta flakë një pretendim të tillë. Në qoftë se ai pendohet, Perëndia padyshim do ta falë atë. Por në qoftë se ngul këmbë në gabimin e Tij, Zoti Perëndia me siguri do të dërgojë dikë që do të veprojë pa mëshirë me të. Ai, me të vërtetë, është Fuqiploti, Më i Pushtetshmi.

Shih sesi njerëzit e Bayán·it janë treguar krejt të paaftë të kuptojnë se objekti i vetëm i çdo gjëje që ka reveluar Manifestimi Im i Mëparshëm dhe Paralajmëtari i Bukurisë Sime ka qenë të përgatitë Revelacionin Tim dhe të prokla¬mojë Kauzën Time. Kurrë, po të mos ishte për Mua, nuk do të kishte shqiptuar Ai atë që shqiptoi – dhe për këtë Ai Që është e Vërteta Sovrane Më është dësh-mitar. Shih sesi këta të marrë e kanë trajtuar si një lojë e një zba¬vitje Kauzën e Atij që është Gjith¬zotëruesi, i Paarritshmi! Zemrat e tyre sajojnë çdo ditë një plan të ri dhe fantazia e tyre i bën të kërkojnë një strehë të re. Në qoftë se ajo që thonë ata është e vërtetë, atëherë si mund të sigurohet stabili¬teti i Kauzës së Zotit tënd? Peshoje këtë në zemrën tënde dhe ji ndër ata që janë symprehtë, që vëzhgojnë me vëmendje, që janë të qëndrueshëm në qëllimin e tyre dhe të sigurt në besimin e tyre. Siguria jote duhet të jetë e tillë që, edhe sikur mbarë njerëzimi të ngrinte pretendime që asnjeri nuk i ka nxjerrë e asnjë mendje nuk i ka konceptuar, ti duhet t’i injoroje krejtësisht ato, t’i largoje nga vetja dhe ta ktheje fytyrën drejt Atij Që është Objekti i adhurimit të të gjitha botëve.

Për drejtësinë e vetë Vetes Sime! E madhe, pamasë e madhe është kjo Kauzë! E fuqishme, e fuqishme sa s’mund të merret me mend është kjo Ditë. I bekuar me të vërtetë është njeriu që ka brak¬tisur gjithçka dhe i ka mbërthyer sytë tek Ai, fytyra e të Cilit ka përhapur dritë mbi të gjithë ata që janë në qiej e të gjithë ata që janë mbi tokë.

I mprehtë duhet të jetë shikimi Yt, o Dhabíḥ, i fortë si diamanti shpirti yt dhe si bronzi duhet të jenë këmbët e tua, në qoftë se dëshiron të jesh i palë¬kundshëm nga sulmet e dëshirave egoiste që pëshpërisin në gjokset e njerëzve. Ky është urdhëri i prerë që Penda e Emrit Më të Madh, në saje të Vullnetit të Mbretit të Lashtë, lëvizi për ta reveluar. Ruaje atë si beben e syrit dhe ji ndër ata që janë mirënjohës. Përpiqu natë e ditë t’i shërbesh Kauzës së Atij Që është e Vërteta e Përjetshme dhe shkëputu nga gjithçka tjetër veç Tij. Për Veten Time! Gjithçka që ti sheh në këtë Ditë do të vdesë. E lartë, supreme do të jetë pozita jote, në rast se ti qëndron i patundur në Kauzën e Zotit tënd. Drejt Tij duhet të priren veprimet e tua dhe tek Ai është vendi i prehjes sate të fundit.

-~-

CXVI. O mbretër të botës së Krishterë! A nuk e keni dëgjuar ju thënien e Jesuit, Shpirtit të Perëndisë, “Unë po shkoj dhe do të kthehem përsëri tek ju”? Përse, pra, kur Ai u kthye përsëri te ju i mbështjellë në retë e qiellit, ju nuk u afruat pranë Tij, që të mund të soditnit fytyrën e Tij dhe të ishit ndër ata që arritën në praninë e Tij? Në një fragment tjetër Ai thotë: “Kur të vijë Ai Që është Shpirti i së Vërtetës, do t’ju udhëheqë te çdo e vërtetë.” E megjithatë, shikoni sesi, kur Ai solli të vërtetën, ju refuzuat ta kthenit fytyrën ndaj Tij, duke këmbëngulur në zbavitjen me argëtimet e me kapriçot tuaja. Ju nuk e mirëpritët Atë, as nuk kërkuat Praninë e Tij, që të mund t’i dëgjonit nga goja e Tij vargjet e Perëndisë dhe të përfitonit nga urtia e shumëllojtë e të Fuqiplotit, Lavdiplotit, Urtiplotit. Ju, për shkak të dështimit tuaj, jeni bërë pengesë që fryma e Perëndisë të përhapej mbi ju, dhe u keni mohuar shpirtrave tuaj ëmbëlsinë e aromës së saj. Ju vazhdoni të endeni me kënaqësi në luginën e dëshirave tuaja të shthurura. Ju, dhe të gjitha ato që zotëroni, do të vdisni. Ju, sigurisht, do të ktheheni te Perëndia, dhe do t’ju kërkohet llogari për bëmat tuaja në praninë e Atij Që do të mbledhë bashkë gjithë krijimin.

Njëzet vjet kanë kaluar, o mbretër, gjatë të cilave Ne kemi ndierë çdo ditë agoninë e një fatkeqësie të re. Askush prej atyre që kanë qenë para Nesh nuk ka hequr ato që kemi hequr Ne. Sikur të mund ta kuptonit këtë! Ata që u ngritën kundër Nesh na kanë çuar në vdekje, kanë derdhur gjakun tonë, kanë plaçkitur pronat tona dhe kanë dhunuar nderin tonë. Megjithëse i keni ditur shumicën e vuajtjeve tona, ju, megjithatë, nuk ia keni ndalur dorën agresorit. Pse, a nuk është pikërisht detyra juaj t’i vini fre tiranisë së shtypësit dhe t’i trajtoni me drejtësi nënshtetasit tuaj, në mënyrë që ndjenja juaj e lartë e drejtësisë të provohet plotësisht para gjithë njerëzimit?

Perëndia i ka lënë në duart tuaja frenat e qeverisjes së njerëzve, që ju të sundoni mbi ta me drejtësi, të mbroni të drejtat e të shtypurve dhe të dënoni keqbërësit. Në qoftë se ju e lini pasdore detyrën që ju ka caktuar Perëndia në Librin e Tij, emrat tuaj do të radhiten me të atyre që në sytë e Tij janë të padrejtë. Gabimi juaj do të jetë me të vërtetë i dhimbshëm. Mos ju i përmbaheni asaj që ka sajuar imagjinata juaj dhe flakni pas shpine porositë e Perëndisë, Më të Lartësuarit, të Paarritshmit, Gjithnënshtruesit, të Fuqiplotit? Flakini tutje gjërat që zotëroni dhe kapuni pas asaj që Perëndia ju ka urdhëruar të zbatoni. Kërkoni përdëllesën e Tij, sepse ai që e kërkon atë ecën në Shtegun e drejtë të Tij.

Mbani parasysh gjendjen në të cilën ndodhemi, dhe shihni të këqijat e hallet që Na kanë rënë mbi kokë. Mos Na lini në harresë as edhe për një çast, dhe gjykoni midis Nesh e armiqve Tanë me drejtësi. Ky, me siguri, do të jetë një përfitim i dukshëm për ju. Kështu Ne ju tregojmë ngjarjen Tonë dhe ju rrëfejmë gjërat që na kanë ndodhur Neve, që ju të Na shpëtoni nga të këqijat dhe të Na e lehtësoni barrën. Ai që do le të Na lehtësojë nga telashet Tona dhe, përsa i përket atij që nuk do, Zoti Im është, me siguri, ndihma më e mirë.

Paralajmëroi dhe bëjua të ditur njerëzve, O Shërbëtor, gjërat që Ne të kemi sjellë Ty, frika e askujt të mos të të shqetësojë Ty dhe mos ji ndër ata që dridhen. Po afron Dita kur Perëndia do ta lartësojë Kauzën e Tij dhe do të lavdërojë dëshminë e Tij në sytë e të gjithë atyre që janë në qiell e mbi tokë. Mbështete, në çdo rrethanë, besimin tënd te Zoti Yt, mbërtheje vështrimin tënd mbi Të dhe largohu nga të gjithë ata që hedhin poshtë të vërtetën e Tij. Perëndia, Zoti Yt, qoftë ndihmësi e përkrahësi Yt i mjaftueshëm. Ne jemi zotuar të sigurojmë triumfin Tënd mbi tokë dhe të lartësojmë Kauzën Tonë mbi të gjithë njerëzit edhe pse nuk gjendet asnjë mbret që ta kthejë shikimin drejt Teje.

-~-

CXVII. Qenia e Madhe, duke dashur të revelonte premisat e paqes e të qetësisë në botë, si dhe të përparimit të popujve të saj, ka shkruar: Duhet të vijë koha kur nevoja imperative për mbajtjen e një kuvendi të gjerë e gjithë-përfshirës njerëzish do të bëhet realitet në shkallë universale. Sun¬dimtarët dhe mbretërit e tokës duhet medoemos të jenë të pranishëm aty dhe, duke marrë pjesë në debatet e tij, të shqyrtojnë mënyra e mjete të tilla që të hedhin themelet e Paqes së Madhe botërore midis njerëzve. Një paqe e tillë kërkon që Fuqitë e Mëdha, për hir të qetësisë së popujve të tokës, të pajtohen plotësisht me njëra-tjetrën. Në qoftë se ndonjë mbret do të rrokte armët kundër një mbreti tjetër, të gjithë së bashku duhej të ngriheshin e ta parandalonin atë. Po të bëhet kjo, kombet e botës nuk do të kenë më nevojë për kurrfarë armatimesh, veç atyre që janë të nevojshme për ruajtjen e sigurisë së mbretërive të tyre dhe për mbajtjen e rendit të brendshëm në territoret e tyre. Kjo do të sigurojë paqen e qetësinë e çdo populli, qeverie e kombi. Ne do të guxonim të shpresojmë se mbretërit dhe sundimtarët e tokës, pasqyrat e emrit të hirshëm e të gjithëfuqishëm të Perëndisë, mund të ngrihen në këtë shkallë dhe ta mbrojnë njerëzimin nga kasaphana e tiranisë… Po afrohet dita kur të gjithë popujt e botës do të adop¬tojnë një gjuhë universale dhe një shkrim të përbashkët. Kur të jetë arritur kjo, në çdo qytet që të udhëtonte njeriu, do të ishte sikur të vinte në shtëpinë e vet. Këto gjëra janë të detyrueshme e absolutisht thelbësore. Është detyrë e çdo njeriu me intuitë e të arsyeshëm të përpiqet ta kthejë në realitet e veprim atë që është shkruar... Me të vërtetë njeri është ai që sot i përkushtohet shërbimit të mbarë gjinisë njerëzore. Qenia e Madhe thotë: I bekuar e i lumtur është ai që ngrihet për të mbë¬shtetur interesat e vërteta të popujve e të fiseve të tokës. Në një fragment tjetër Ai proklamon: Nuk duhet të krenohet ai që do vendin e vet, por ai që do gjithë botën. Toka është një vend i vetëm dhe njerëzimi qytetarët e tij.

-~-

CXVIII. Mos harroni frikën e Perëndisë, o mbretër të tokës, dhe kini kujdes mos i kaloni kufijtë që Fuqiploti ka caktuar. Zbatojini porositë që ju jepen në Librin e Tij dhe kini mendjen të mos i kapërceni kufijtë e tyre. Hapni sytë të mos i bëni padrejtësi askujt, qoftë edhe sa një farë sinapi. Ecni në shtegun e drejtësisë, sepse ky me të vërtetë është shtegu i drejtë.

Rregulloni grindjet tuaja dhe pakësoni armatimet tuaja, që barra e shpenzimeve tuaja të lehtë¬sohet dhe mendjet e zemrat tuaja të qetësohen. Kurojini mosmarrë¬veshjet që ju ndajnë dhe nuk do të keni më nevojë për armatime, veçse për aq sa kërkon mbrojtja e qyteteve dhe e territoreve tuaja. Rrini në frikë të Perëndisë dhe kini kujdes të mos i kapërceni kufijtë e moderimit e të mos renditeni midis prishanikëve.

Kemi mësuar se ju po i rritni çdo vit shpenzimet tuaja, duke ua ngarkuar barrën e tyre shtetasve tuaj. Kjo, me të vërtetë, është më shumë nga sa ata mund të mbajnë dhe një padrejtësi e hapur. Vendosini me drejtësi punët e njerëzve dhe jini emblema të drejtësisë midis tyre. Kjo, nëse gjykoni me drejtësi, është detyra juaj dhe i përshtatet pozitës që keni.

Kujdes që të mos veproni padrejtësisht me njerëzit që ju drejtohen juve dhe futen nën hijen tuaj. Ecni në frikë të Perëndisë dhe jini ndër ata që bëjnë një jetë të devotshme. Mos u mbështetni në pushtetin tuaj, në ushtritë e në thesaret tuaja. Mbështeteni gjithë besimin tuaj te Perëndia, Që ju ka krijuar dhe kërkoni ndihmën e Tij në të gjitha punët tuaja. Ndihma vjen vetëm prej Tij. Ai i vjen në ndihmë cilitdo që dëshiron me aradhat e qiellit e të tokës.

Dijeni se të varfërit janë të besuarit e Perëndisë midis jush. Kujdes të mos tradhtoni besimin e Tij, të mos veproni padrejtësisht ndaj tyre dhe të mos ecni në rrugët e të pabesëve. Ju, me siguri, do të thirreni për të dhënë llogari për besimin e Tij në ditën kur Peshorja e Drejtësisë do të hyjë në veprim, ditën kur secilit do t’i jepet ajo që i takon, kur bëmat e të gjithë njerëzve, qofshin të pasur apo të varfër, do të peshohen.

Në qoftë se ju nuk do t’i kushtoni vëmendje këshillave që, me një gjuhë të pashoqe e të padyshimtë, Ne ju kemi reveluar në këtë Tabelë, dënimi Hyjnor do t’ju sulmojë nga çdo drejtim dhe vendimi i drejtësisë së Tij do të shpallet kundër jush. Atë ditë ju nuk do të keni fuqi t’i rezistoni Atij dhe do të pranoni pafuqinë tuaj. T’ju vijë keq për veten tuaj dhe për ata që janë nën ju. Gjykojini ata sipas këshillave të dhëna nga Perëndia në Tabelën e Tij më të shenjtë e më të lartësuar, Tabelë në të cilën Ai ka përcaktuar për çdo gjë të veçantë e për të gjitha gjërat masën e caktuar, në të cilën Ai ka dhënë me saktësi shpjegimin e të gjitha gjërave dhe e cila është në vetvete një këshillë për ata që besojnë tek Ai.

Shqyrtojeni Kauzën Tonë, hetoni për gjërat që na kanë ndodhur Neve dhe vendosni me drejtësi ndërmjet Nesh e armiqve Tanë, në qofshi ndër ata që veprojnë drejtësisht ndaj fqinjit të tyre. Në qoftë se nuk përmbani dorën e shtypësit, në qoftë se nuk mbroni të drejtat e të shtypurve, ç’të drejtë keni ju atëherë të mburreni midis njerëzve? Për çfarë gjëje ju mund të krenoheni me të drejtë? Mos vallë ju lëvdoheni me ushqimin e me pijet tuaja, me pasuritë që keni grumbulluar në thesaret tuaja, me larminë e me vlerën e ornamenteve me të cilat stoliseni? Në qoftë se lavdia e vërtetë do të qëndronte në zotë¬rimin e gjërave të tilla që vdesin, atëherë toka mbi të cilën shkelni duhej të mburrej ajo vetë para jush, sepse ajo jua jep e jua dhuron këto gjëra, me urdhër të të Fuqiplotit. Në thellësitë e saj përmbahen, sipas urdhërit të Perëndisë, të gjitha gjërat që ju zotëroni. Prej saj, si shenjë e mëshirës së Tij, i merrni ju pasuritë tuaja. Shikojeni, pra, gjendjen tuaj, atë gjë me të cilën mburreni! Sikur të mund ta kuptonit këtë!

Jo! Për Atë që ka në dorë mbretërinë e mbarë krijimit! Askund nuk qëndron lavdia juaj e vërtetë, veçse në pranimin e vendosur të porosive të Perëndisë nga ana juaj, në zbatimin me gjithë zemër të ligjeve të Tij, në vendos¬mërinë tuaj për të parë që ato të mos mbeten pa u zbatuar, dhe në ndjekjen pa lëkundje të rrugës së drejtë.

-~-

CXIX. O ju sundimtarë të tokës! Përse keni errë-suar shkëlqimin e Diellit dhe keni bërë që ai të mos ndriçojë më? Vini veshin këshillës që ju jep Penda e Më të Lartit, në mënyrë që si ju dhe të varfërit të mund të arrini qetësinë e paqen. Ne i lutemi Perëndisë t’i ndihmojë mbretërit e tokës të vendosin paqen mbi tokë. Ai, me të vërtetë bën atë që do.

O mbretër të tokës! Ne shohim sesi çdo vit ju i rritni shpenzimet tuaja dhe ua ngarkoni barrën e tyre shtetasve tuaj. Kjo është, me të vërtetë, krejtësisht e jashtëzakonisht e padrejtë. Frikë¬sojuni fshamjeve e lotëve të këtij të Munduari dhe mos u ngarkoni barrë të tepërta popujve tuaj. Mos i plaçkitni ata për të ngritur pallate për veten tuaj; përkundrazi, zgjidhni për ta atë që zgjidhni për veten tuaj. Kështu Ne shpalosim para syve tuaj atë që do t’ju sjellë përfitim, sikur ta kuptonit këtë. Njerëzit tuaj janë thesaret tuaja. Kujdes që sundimi juaj të mos dhunojë porositë e Perëndisë dhe që të mos i lini ata që ju janë besuar në duart e grabitësve. Ju nga popujt sundoni, me mjetet e tyre mbaheni, me ndihmën e tyre arrini fitore. Megjithatë, me ç’përbuzje i shikoni ata! Sa e çuditshme, vërtet tepër e çuditshme!

Tani që ju e keni refuzuar Paqen e Madhe, përmbajuni kësaj, Paqes Më të Vogël, që të mund të përmirësoni ndoshta, deri në njëfarë shkalle, gjendjen tuaj e atë të shtetasve tuaj.

O sundimtarë të tokës! Pajtohuni me njëri-tjetrin, që të mos keni më nevojë për armatime, veçse në atë masë që mjafton për të ruajtur territoret e zotërimet tuaja. Hapni sytë mos e lini pas¬dore këshillën e të Gjithëdijshmit, Besnikut.

Jini të bashkuar, o Mbretër të tokës, sepse kështu stuhia e grindjes do të pushojë midis jush dhe popujt tuaj do të gjejnë qetësi, në qofshi ndër ata që kuptojnë. Nëse ndonjëri prej jush rrëmben armët kundër një tjetri, ngrihuni të gjithë kundër tij, sepse kjo s’është veçse drejtësi që duket sheshit.

-~-

CXX. O ju përfaqësues të zgjedhur të popullit në çdo vend! Këshillohuni së bashku dhe le të jetë kujdesi juaj vetëm për atë që i sjell përfitim njerëzimit e që përmirëson gjen¬djen e tij, në qofshi ndër ata që vëzhgojnë me vëmendje. Kraha¬sojeni botën me trupin njerëzor, i cili, edhe pse në krijimin e tij ishte i shëndetshëm e i përsosur, është goditur, për shkaqe të ndryshme, nga çrregullime e sëmundje të rënda. Për as edhe një ditë të vetme ai nuk është qetësuar, për¬kundrazi sëmundja i është keqë¬suar gjithnjë më shumë, duke qenë se është lënë në duart e mjekëve të padijshëm, që janë dhënë tërësisht pas dëshirave të veta personale e kanë bërë gabime të rënda. Dhe në qoftë se, ndonjëherë, nën mje¬kimin e një mjeku të aftë, ndonjë gjymtyrë e këtij trupi është shëruar, pjesa tjetër ka mbetur e sëmurë si më parë. Kështu ju njofton i Gjithëdijshmi, Urtiploti.

Ne e shohim atë, në këtë ditë, në mëshirën e sundimtarëve kaq të dehur nga kryelartësia, sa nuk janë në gjendje të shquajnë qartë as përfitimin e vet më të mirë, aq më pak të njohin një Revelacion kaq të habitshëm e sfidues. Dhe sa herë që ndonjëri prej tyre është përpjekur të përmirësojë gjendjen e saj, motivi ka qenë, e pohon ose jo ai këtë gjë, përfitimi i tij personal; dhe ky motiv i padenjë e ka kufizuar fuqinë e Tij për të shëruar ose mjekuar.

Ajo që Zoti ka porositur si mjekimin vendimtar e si mjetin më të fuqishëm për shërimin e gjithë botës është bashkimi i të gjithë popujve në një Kauzë të vetme universale, në një Besim të përbashkët. Kjo kurrsesi nuk mund të arrihet ndryshe, veçse përmes fuqisë së një Mjeku me përvojë, të gjithfuqishëm e të frymëzuar. Kjo është, në fakt, e vërteta, dhe çdo gjë tjetër s’është veçse gabim.

-~-

CXXI. Thuaj: O ju që Më keni zili e Më doni të keqen! Tërbimi i mërisë suaj kundër Meje ju marroftë! Ja, Dielli i Lavdisë është ngritur mbi horizontin e Revela¬cionit Tim dhe ka mbështjellë me ndriçimin e tij gjithë njerëzimin. Megjithatë, shih sesi i keni mbyllur derën shkël¬qimit të tij dhe jeni zhytur në moskokëçarje të plotë. Kini mëshirë për veten tuaj dhe mos e hidhni poshtë rivendikimin e Atij, të vërtetën e të Cilit e keni njohur tashmë, dhe mos jini ndër ata që nuk binden.

Për drejtësinë e të vetmit Perëndi të vërtetë! Në qoftë se e hidhni poshtë këtë Revelacion, të gjitha kombet e tokës do të qeshin me ju me përçmim e do t’ju tallin, sepse jeni ju që, para syve të tyre e me qëllim që të rivendikonit të vërtetën e Kauzës suaj, keni sjellë dëshmitë e Perëndisë, Mbrojtësit Sovran, Më të Pushtetshmit, Lavdiplotit, të Gjithëdijshmit. E megjithatë, sapo është dërguar tek ju Revelacioni i mëpasëm i Tij, i veshur me lavdinë e një sovraniteti të pandalshëm, ju e hidhni atë pas shpine, o ju që numëroheni ndër moskokëçarësit!

E çfarë? Besoni ju në zemrat tuaja se jeni të zotët të shuani dritën e diellit, ose të eklipsoni shkëlqimin e tij? Jo, për jetën Time! Ju kurrë nuk do të arrini e as mund ta arrini qëllimin tuaj, edhe sikur të thërrisni në ndihmë gjithçka është në qiej e gjithçka është mbi tokë. Ecni në frikë të Perëndisë e mos bëni punë të kota. Vini veshin fjalëve të Tij dhe mos jini ndër ata që janë të ndarë si me një perde prej Tij. Thuaj: Perëndia Më është dëshmi¬tar! Unë nuk kam dashur asgjë për Veten Time. Ajo që kam dashur Unë është fitorja e Perëndisë dhe triumfi i Kauzës së Tij. Ai Vetë është një dëshmitar i mjaftueshëm ndërmjet jush e Meje. Sikur t’i spastronit sytë, ju do ta shihnit fare lehtë sesi bëmat e Mia dëshmojnë vërtetësinë e fjalëve të Mia, sesi fja¬lët e Mia udhëheqin bëmat e Mia.

Të verbër janë sytë tuaj! Nuk e keni parë ju madhështinë e pushtetit të Perëndisë e të sovranitetit të Tij? Nuk i keni parë madhërinë dhe lavdinë e Tij? Mjerë ju, o turmë të ligjsh e ziliqarësh. Dëgjoni fjalët e Mia e mos vononi as edhe për një çast të vetëm. Kështu ju porosit Ai Që është Bukuria e Mëshirëplotit, që të keni ndoshta mundësi të shkëputeni nga gjërat që zotëroni dhe të ngjiteni në lartësitë prej nga mund të zbuloni gjithë krijimin e strehuar nën hijen e Revelacionit së Tij.

Thuaj: Nuk ka për ju vend ku të strehoheni, nuk ka azil ku mund të ikni, nuk ka asnjeri që t’ju ruajë e t’ju mbrojë, në këtë Ditë, nga furia e zemërimit të Perëndisë dhe nga fuqia e Tij e papërmbajt¬shme, përveçse e derisa të kërkoni strehë nën hijen e Revelacionit të Tij. Ky, me të vërtetë, është Revelacioni i Tij, që ju është shfaqur juve në personin e këtij të Riu. Lëvduar qoftë, pra, Perëndia për këtë vizion kaq të ndritshëm, kaq të çmuar, kaq të mahnitshëm.

Shkëputuni nga gjithçka tjetër veç Meje, dhe kthejini fytyrat tuaja nga fytyra Ime, sepse për ju kjo është më mirë sesa gjërat që zotëroni. Gjuha e Perëndisë dëshmon për vërtetësinë e fjalëve të Mia përmes vetë Fjalës Sime, që thotë të vërtetën dhe përfshin e përmbledh çdo gjë.

Thuaj: Mendoni ju se besnikëria juaj ndaj Kauzës së Tij mund t’i sjellë përfitim Atij, ose se mohimi i vërtetësisë së saj mund t’i sjellë Atij ndonjë dëm? Jo, për Veten Time, Gjithnështruesin, të Paarritshmin, Më të Lartin! Grisini perdet e emrave dhe çajeni mbre¬tërinë e tyre. Për Bukurinë Time! Ai Që është Monarku i të gjithë emrave ka ardhur, Ai me urdhër të të Cilit, që nga fillimi që s’ka fillim, është krijuar çdo emër i veçantë, Ai që do të vazhdojë t’i krijojë ata siç dëshiron. Ai është, me të vërtetë, i Gjithëfuqishmi, Urtiploti.

Kujdes, mos e zhvishni veten nga rroba e udhërrëfimit hyjnor. Pijeni plot kupën që të Rinjtë e qiellit kanë ngritur mbi kokat tuaja. Kështu ju urdhëron Ai Që ka më shumë mëshirë për ju nga sa keni ju vetë, Ai Që nuk kërkon asnjë shpërblim ose falenderime prej jush. Shpërblimi i vjen Atij nga Ai Që, me fuqinë e së vërtetës, dërgoi tek ju Atë, Që e veçoi Atë dhe ia shpalli si Dëshminë e Vet gjithë krijimit. Është Ai Që i ka dhënë Atij fuqinë të shfaqë të gjitha shenjat e Tij. Vështroni përsëri, që të shikoni gjërat për të cilat ju ka bërë thirrje gjuha e të Lashtit të Kohëve, se ndoshta mund të jeni ndër ata që e kanë mësuar të vërtetën. A keni dëgjuar ndonjëherë të tregohet nga stërgjyshërit tuaj ose nga brezat që kanë qenë para tyre, deri te Adami i parë, për ndonjë që të ketë ardhur i mbështjellë nga retë e revela¬cionit, i veshur me sovranitet të dukshëm e sublim, duke pasur në dorën e djathtë Mbretërinë e Perëndisë dhe në të majtën gjithë pushtetin e lavdinë e sundimit të Tij të përjetshëm, për dikë të paraprirë nga aradhat e Perëndisë, të Fuqiplotit, Gjithëdetyruesit, Më të Pushtetshmit, dhe Që vazhdi¬misht thotë vargje, domethënien e të cilave nuk janë në gjendje ta kuptojnë as njerëzit më të ditur e më të urtë, e që megjithatë të jetë bartës i një mesazhi që nuk është nga Perëndia? Jini, pra, të mprehtë dhe flisni të vërtetën, të vërtetën e kulluar, në qoftë se e mbani veten për të ndershëm e fisnikë.

Thuaj: Vargjet që Ne kemi reveluar janë aq të shumta sa dhe ato që në Revelacionin e mëpar¬shëm u dërguan te Báb·i. Ai që dyshon në fjalët që Shpirti i Perën-disë ka folur, le të kërkojë oborrin e pranisë Sonë dhe të dëgjojë vargjet Tona hyjnisht të reveluara, dhe të jetë dësh-mitar i drejtpër¬drejtë i provës së qartë të rivendi¬kimit Tonë.

Thuaj: Për drejtë¬sinë e të Fuqiplotit! Masa e favoreve të Perëndisë është mbushur, Fjala e Tij është plotësuar, drita e shëmbëlltyrës së Tij është reveluar, Sovraniteti i Tij ka përfshirë gjithë krijimin, lavdia e Revelacionit të Tij është shfaqur dhe dhuratat e Tij kanë vërshuar mbi mbarë njerëzimin.

-~-

CXXII. Njeriu është Hajmalia supreme. Por mungesa e edukimit të përshtatshëm i ka hequr atij atë që zotëron në mënyrë të qenësishme. Nëpërmjet një fjale që doli nga goja e Perëndisë, ai u soll në ekzistencë, me anë të një fjale tjetër ai u udhëhoq për të njohur Burimin e edukimit të tij dhe përsëri përmes një fjale iu siguruan pozita dhe fati i tij. Qenia e Madhe thotë: Shihe njeriun si një minierë të pasur në gurë të çmuar me vlerë të pamatur. Vetëm edukimi mund t’i zbulojë thesaret e tij dhe t’i japë mundësi njerëzimit të përfitojë prej tyre. Sikur çdo njeri të mendonte për ato që kanë reveluar Shkrimet e dërguara nga qielli i Vullnetit të shenjtë të Perëndisë, ai fare lehtë do të shihte se qëllimi i tyre është që të gjithë njerëzit të konside¬rohen si një shpirt i vetëm, në mënyrë që vula me fjalët “Mbretëria do të jetë e Perëndisë” të mund të gdhendej në çdo zemër dhe drita e bujarisë Hyjnore, e mirësisë dhe e mëshirës të për¬fshinte gjithë njerëzimin. I vetmi Perëndi i vërtetë, lartësuar qoftë lavdia e Tij, nuk ka dashur asgjë për vete. Besnikëria e njerëzimit nuk i sjell Atij përfitim, dhe as e dëmton Atë mbrapshtia e tij. Zogu i Mbretërisë së Thënieve lëshon pareshtur këtë thirrje: “Gjithçka e kam dashur për ty dhe ty, gjithashtu, për shpirt tënd.” Në qoftë se të diturit dhe të urtët e kësaj epoke do ta lejonin njerë¬zi-min të nuhaste aromën e miqësisë e të dashurisë, çdo zemër e ndjesh¬me do ta kuptonte domethënien e lirisë së vërtetë dhe do të zbulonte sekretin e paqes së paturbulluar e të qetësisë absolute. Në qoftë se toka do të arrinte këtë stad dhe do të ndriçohej nga drita e tij, atëherë me të vërtetë për të do të mund të thuhej: “Ti nuk do të shohësh tek ajo as gremina, as kodra!”

-~-

CXXIII. Brezat që kanë qenë para jush – ku kanë ikur? Dhe ata që në jetë ishin të rrethuar nga më të këndshmet e më të bukurat gjëra të tokës, ku janë tani? Përfitoni nga shembulli i tyre, o njerëz, dhe mos jini ndër ata që kanë humbur rrugën.

Së shpejti të tjerë do të vënë dorë mbi pronat tuaja dhe do të hyjnë në banesat tuaja. Vërini veshin fjalëve të Mia dhe mos u radhitni me të marrët.

Për secilin prej jush detyra supreme është të zgjedhë për veten e tij atë që askush nuk mund t’ia dhunojë ose uzurpojë. Një gjë e tillë – dhe për këtë Fuqiploti Më është dëshmitar – është dashuria e Perëndisë, sikur të mund ta kuptonit këtë.

Ndërtoni për vete shtëpi të tilla që as shiu as përmbytjet të mos i shkatërrojnë dot kurrë, të cilat do t’ju mbrojnë nga ndryshimet dhe rastësitë e kësaj jete. Kjo është porosia e Atij Që bota e ka keqtrajtuar e braktisur.

-~-

CXXIV. Sa i mahnitshëm është uni¬teti i Perëndisë së Gjallë, Përherë të Pranishëm – një unitet i lartë¬suar tej çdo kufizimi, që kapërcen të kuptuarit e të gjitha gjërave të krijuara! Ai ka banuar përjetësisht në banesën e Tij të paarritshme të shenjtërisë e lavdisë dhe përjetë¬sisht do të vazhdojë të qëndrojë në fronin e lartësive të sovranitetit e të madhështisë së Tij të pavarur. Sa sublim ka qenë thelbi i Tij i përjet¬shëm, sa i pavarur krejtësisht nga njohja e të gjitha gjërave të krijuara dhe pafundësisht i lartësuar do të mbetet ai mbi lavdërimin e banorëve të qiejve e të tokës.

Nga burimi i lartësuar dhe nga thelbi i favorit e i bujarisë së Tij, Ai i ka besuar çdo gjëje të krijuar një shenjë të dijes së Tij, në mënyrë që asnjë prej krijesave të Tij të mos jetë e privuar nga pjesa e saj në të shprehurit e kësaj dije, secila sipas aftësisë e rangut të vet. Kjo shenjë është pasqyra e bukurisë së Tij në botën e krijimit. Sa më e madhe të jetë përpjekja e ushtruar për përsosjen e kësaj pasqyre sublime e fisnike, aq më besnikërisht do të pasqyrojë ajo lavdinë e emrave e të atributeve të Perëndisë dhe do të revelojë mrekullitë e shenjave e të dijes së Tij. Çdo gjë e krijuar do të bëhet e aftë (kaq e madhe është forca e saj pasqyruese) të revelojë potencialet e pozitës së vet të paracaktuar, do të njohë kapacitetin dhe kufizimet e veta dhe do të dëshmojë të vërtetën se “Ai, me të vërtetë, është Perëndia; nuk ka Perëndi tjetër veç Tij”…

Nuk mund të ketë asnjë dyshim që, si rrjedhojë e përpjekjeve që çdo njeri mund të ushtrojë në mënyrë të vetëdijshme dhe si rezultat i ushtrimit të aftësive të veta shpirtërore, kjo pasqyrë mund të pastrohet aq shumë nga zgjyra e ndyrësive tokësore dhe të çlirohet nga fantazitë satanike, sa t’u afrohet lëndinave të shenjtërisë së amshueme dhe të arrijë oborret e miqësisë së përjetshme. Por, duke ndjekur parimin se për çdo gjë është caktuar një kohë dhe për çdo frut një stinë e veçantë, energjitë e fshehura të një bujarie të tillë mund të çlirohen më mirë dhe lavdia pranverore e një dhuntie të tillë mund të manifestohet vetëm në ditët e Perëndisë. Megjithëse çdo ditë ka pjesën e vet të paracaktuar të hirit mahnitës të Perëndisë, Ditët e lidhura drejtpër¬sëdrejti me Manifestimin e Perën¬disë zotërojnë një veçori unike dhe zënë një pozitë që asnjë mendje kurrë nuk mund t’i kuptojë. E tillë është vetia e derdhur në to, sa sikur zemrat e të gjithë atyre që banojnë në qiej e mbi tokë të silleshin, në këto ditë kënaqësie të pafund, para Yllit të Ditës të lavdisë së pashuar dhe të intono¬heshin me Vullnetin e Tij, secila do ta shihte veten të lartësuar mbi të gjitha gjërat tokësore, të ndriçuar prej dritës së Tij e të shenjtëruar prej hirit të Tij. Lëvduar qoftë ky hir, të cilit asnjë bekim, sado i madh, nuk mund t’ia kalojë, dhe nder kësaj dashamirësie, së cilës syri i krijimit s’ia ka parë shoqen! I lartësuar është Ai tej asaj që ata i atribuojnë Atij ose tregojnë për Të.

Kjo është arsyeja që, në ato ditë, asnjeri nuk do të ketë kurrë nevojë për të afërmin e tij. Është provuar në mënyrë të mjaftueshme se, në atë Ditë të caktuar nga Perëndia, shumica e atyre që kanë kërkuar e arritur oborrin e Tij të shenjtë kanë treguar një dije e urti të tillë, sa që, përveç këtyre shpirtrave të shenjtë e të bekuar, askush tjetër, sado që të ketë mësuar e studiuar, nuk ka kapur a kuptuar prej saj as edhe një pikë të vetme. Pikërisht në saje të këtij pushteti të dashurit e Perëndisë, në ditët e manifestimit të Diellit të së Vërtetës, janë lartësuar tej çdo diturie njerëzore e janë bërë të pavarur prej saj. Madje, nga zemrat dhe nga burimet e aftësive të tyre të natyrshme ka buruar pareshtur thelbi i brendshëm i diturisë e i urtisë njerëzore.

-~-

CXXV. O vëllai Im! Kur një kërkues i vërtetë vendos t’i për¬vishet kërkimit në shtegun që çon te dija e të Lashtit të Kohëve, ai duhet para së gjithash të spastrojë zemrën e tij, që është selia e revelacionit të mistereve të thella të Perëndisë, nga pluhuri errësues i gjithë dijes së fituar më parë dhe nga aluzionet e mishërimeve të fantazisë satanike. Ai duhet të pastrojë gjoksin e tij, që është altari ku jeton dashuria e të Shumë¬dashurit, nga çdo papastërti dhe të spastrojë shpirtin e tij nga gjithçka që i përket ujit e baltës, nga çdo dëshirë iluzore e kalimtare. Ai duhet ta pastrojë zemrën e tij aq sa asnjë gjurmë dashurie ose urrejtjeje të mos qëndrojë në të, që dashuria të mos e shtyjë atë verbërisht në gabim, ose që urrejtja të mos e largojë nga e vërteta. Siç mund ta shohësh edhe ti, në këtë Ditë shumë njerëz, për shkak të një dashurie e urrejtjeje të tillë, janë privuar nga Fytyra e pavdekshme, kanë qëndruar larg Trupëzimeve të mistereve Hyjnore dhe, të mbetur pa bari, enden përmes shkretëtirës së harresës e të gabimit.

Ai kërkues duhet ta mbështesë në çdo çast besimin e tij te Perëndia, duhet të heqë dorë nga popujt e tokës, duhet ta shkëpusë veten nga bota e pluhurit dhe të mbahet pas Atij Që është Zoti i Zotave. Ai kurrë nuk duhet të përpiqet të lartësojë veten mbi këdo qoftë, duhet të fshijë nga tabela e zemrës së tij çdo gjurmë kryelartësie e mburrjeje, duhet të priret nga durimi e përunjësia, të ruajë heshtjen e të shmangë fjalët e kota. Sepse gjuha është thëngjill i mbuluar dhe fjalët e tepërta janë helm vdekjeprurës. Zjarri material djeg trupin, ndërsa zjarri i gjuhës bën shkrumb si zemrën dhe shpirtin. Forca e të parit zgjat për një kohë, kurse efekti i këtij të fundit vazhdon një shekull.

Ai kërkues, gjithashtu, duhet ta shohë përgojosjen si një gabim të rëndë dhe të qëndrojë larg sundimit të saj, sepse për¬gojosja fik dritën e zemrës dhe shuan jetën e shpirtit. Ai duhet të kënaqet me pak dhe të çlirohet nga çdo dëshirë e shfrenuar. Ai duhet të çmojë si një thesar shoqërinë e atyre që kanë hequr dorë nga bota dhe ta shohë si një të mirë të çmueshme shmangien e atyre që vetlëvdohen e që rendin pas gjërave të kësaj bote. Në agim të çdo dite ai duhet të bisedojë me Perëndinë e, me gjithë shpirt, të ngulë këmbë në kërkimin e të Shumëdashurit të tij. Ai duhet të djegë çdo mendim të mbrapshtë me flakën e përmendjes plot dashuri të Emrit të Tij dhe, me shpejtësinë e vetëtimës, të kapër¬cejë çdo gjë tjetër veç Atij. Ai duhet të ndihmojë të mjerët dhe kurrë të mos ia mohojë kujdesin e tij nevojtarit. Ai duhet të tregohet dashamirës ndaj kafshëve, aq më tepër me të afërmin e tij, që ka dhuntinë e fuqisë së fjalës. Ai nuk duhet të ngurrojë të japë jetën për të Shumëdashurin e tij, dhe as të lejojë që qortimet e njerëzve ta largojnë nga e vërteta. Ai nuk duhet të dëshirojë për të tjerët atë që nuk dëshiron për veten e tij, as të premtojë atë që nuk e përmbush dot. Ai duhet të shmangë me gjithë zemër shoqërinë me keqbërësit dhe të lutet që atyre t’u falen mëkatet. Ai duhet ta falë mëkatarin dhe kurrë të mos e përçmojë gjendjen e tij të dërrmuar, sepse askush nuk e di sesi do të jetë fundi i vet. Sa shpesh ka ndodhur që një mëkatar, në orën e vdekjes, ka arritur thelbin e besimit dhe, duke shijuar flladin e pavdekshëm, ka nisur fluturimin drejt Tubimit atje lart! Dhe sa shpesh ka ndodhur që një besimtar i devot¬shëm, në orën e ngjitjes së shpirtit të tij, ka ndryshuar aq shumë sa ka rënë në zjarrin e humnerës!

Qëllimi ynë në revelimin e këtyre fjalëve bindëse e të qenësishme është t’i ngulitim kërkuesit se ai duhet të shohë si kalimtare çdo gjë tjetër, veç Perën¬disë, dhe të konsiderojë si një hiç të plotë të gjitha gjërat, veç Atij, Që është Objekti i çdo adhurimi.

Këto janë disa nga atributet e të lavdëruarit dhe përbëjnë tiparin dallues të njeriut me mendje të frymëzuar. Ato janë përmendur tashmë lidhur me kërkesat e udhëtarëve që ecin në shtegun e Dijes Pozitive. Kur udhëtari i paanshëm e kërkuesi i sinqertë i përmbush këto kushte thelbësore, atëherë e vetëm arëherë mund të quhet ai një kërkues i vërtetë. Saherë që ai e ka plotësuar kushtin që përmbahet në vargun: “Kushdo që bën përpjekje për Ne”,31 do të gëzojë bekimet që jepen me fjalët: “Ne me siguri do ta udhëheqim në Rrugët Tona.”

Vetëm kur llamba e kërkimit, e përpjekjeve të zellshme, e dëshirës së etur, e përkushtimit të flaktë, e dashurisë së zjarrtë, e ngazëllimit dhe e ekstazës është ndezur brenda zemrës së kërkuesit dhe flladi i dashamirësisë së Tij ka fryrë mbi shpirtin e tij, errësira e gabimit do të largohet, mjegullat e dyshimeve e të shqetësimit do të shpërndahen dhe dritat e dijes e të sigurisë do të mbështjellin qenien e tij. Në atë orë Lajmëtari Mistik, që sjell lajmet e gëzuara të shpirtit, do të shkëlqejë nga Qyteti i Perëndisë, i ndritshëm si agimi dhe, nën tingujt e borisë së dijes, do të zgjojë zemrën, shpirtin dhe frymën nga gjumi i moskokëçarjes. Pastaj favoret e shumta dhe vërshimi i hirit të Shpirtit të shenjtë e të përjetshëm do t’i japin kërkuesit një jetë aq të re, saqë ai do ta shohë veten të pajisur me një sy të ri, me një vesh të ri, me një mendje e zemër të re. Ai do të soditë shenjat e dukshme të gjithësisë dhe do të depërtojë në misteret e fshehura të shpirtit. Duke parë me syrin e Perëndisë, ai do të shohë në çdo atom një portë që e çon në stadet e sigurisë absolute. Ai do të zbulojë në të gjitha gjërat misteret e Revelacionit Hyjnor dhe provat e një Manifestimi të përjetshëm.

Betohem për Perëndi! Sikur ai që ecën në shtegun e udhërrëfimit dhe kërkon të ngjitet në lartësitë e ndershmërisë të arrinte këtë pozitë të lavdishme e të lartësuar, ai do të nuhaste nga një largësi prej njëmijë legash aromën e Perëndisë dhe do të shihte agimin e shndritshëm të një udhërrëfimi Hyjnor të ngrihej mbi Agimin e të gjitha gjërave. Çdo gjë, sado e vogël, do të ishte për të një revelim që do ta çonte tek i Shumë¬dashuri i vet, Objekt i kërkimit të tij. Aq e madhe do të jetë mprehtësia e këtij kërkuesi, saqë ai do të dallojë të vërtetën nga gënjeshtra ashtu siç dallon dritën nga errësira. Sikur shijet e ëmbla të Perëndisë të përhapeshin nga skajet më të thella të Lindjes, ai me siguri do ta njihte e do ta thithte aromën e tyre edhe po të jetonte në kufijtë më të largët të Perën¬dimit. Ai do të dallojë, po kështu, qartë të gjitha shenjat e Perëndisë – thëniet e Tij mahnitëse, punët e Tij të mëdha dhe veprat e tij të fuqishme – nga bëmat, fjalët dhe veprimet e njerëzve, ashtu si argjendari dallon xhevahirin nga guri, ose ashtu si njeriu dallon pranverën nga vjeshta dhe të nxehtit nga të ftohtit. Kur kanali i shpirtit njerëzor të jetë spastruar prej të gjitha pengesave të lidhjeve tokësore, ai do të ndiejë në mënyrë të pagabueshme frymën e të Shumëdashurit nga largësi të pamatura dhe, i udhëhequr nga parfumi i Tij, do të arrijë Qytetin e Sigurisë e do të hyjë në të.

Atje ai do të shohë mrekullitë e Urtisë së Tij të lashtë dhe do të kuptojë të gjitha mësimet e fshehta nga fëshfërima e gjetheve të Pemës që lulëzon në atë qytet. Me veshin e tij të brendshëm e me atë të jashtëm, ai do të dëgjojë të ngrihen nga pluhuri i saj himnet e lavdisë e të lavdërimit që ngjiten te Zoti i Zotave dhe, me syrin e brend¬shëm, do të zbulojë misteret e “kthimit” e të “ringjalljes”.

Të lavdishme sa s’thuhet janë shenjat, simbolet, revelacionet dhe shkëlqimet që Ai, Mbreti i Emrave e i Atributeve, ka caktuar për atë Qytet! Arritja e këtij Qyteti shuan etjen pa ujë dhe ndez dashurinë e Perëndisë pa zjarr. Brenda çdo fije bari ruhen misteret e një Urtie të padepër¬tu¬eshme dhe mbi çdo degë trëndafili mijëra bilbila përhapin, në një ekstazë lumturie, melodinë e tyre. Tuli¬pa¬nët e tij të mahnitshëm shpalosin misterin e Zjarrit të pashuar në Drizën e Përflakur dhe aromat e tij të ëmbla të shenjtërisë përhapin parfumin e Shpirtit Mesianik. Ai jep pasuri pa ar dhe dhuron pavdekësi pa vdekje. Në secilën prej gjetheve të tij ruhen kënaqësi që s’tregohen dhe në çdo kënd fshihen mistere të panumërta.

Ata që punojnë me guxim në kërkim të Perëndisë, me të hequr dorë nga gjithçka veç Tij, do të jenë kaq të lidhur e të bashkuar me atë Qytet, saqë shkëputja edhe për një çast prej tij do të ishte për ta e pakonceptu-eshme. Ata do të dëgjojnë provat e pagabueshme të Zymbylit të atij kuvendi dhe do të marrin dëshmitë më të sigurta të bukurisë së Trëndafilit të tij e të melodisë së Bilbilit të tij. Një herë në rreth njëmijë vjet ky Qytet do të rinovohet e do të stoliset përsëri…

Ky Qytet s’është tjetër veçse Fjala e Perëndisë, e reveluar në çdo epokë e dispensacion. Në ditët e Moisiut ishte Pentateuk·u; në ditët e Jesuit, Ungjilli; në ditët e Muhametit, Lajmëtarit të Perëndisë, Kurani; në këtë ditë Bayán·i; dhe në dispensacionin e Atij Që Perëndia do ta manifestojë, Libri i Tij – Libri, të cilit i referohen medoemos të gjithë Librat e dispensacioneve të mëparshme, Libri që qëndron i lartësuar e suprem midis të gjithë atyre.

-~-

CXXVI. Në çdo vend që të Na internojnë, sado të mëdha të jenë fatkeqësitë që Ne mund të vuajmë, ata që janë populli i Perëndisë duhet që, me vendosmëri të patundur e me besim të plotë, t’i mbërthejnë sytë te Agimi i Lavdisë dhe të përpiqen të bëjnë gjithçka që mund të çojë në përmirësimin e botës dhe edukimin e popujve të saj. Gjithçka na ka ndodhur Neve në të kaluarën u ka shërbyer intere¬save të Revelacionit Tonë, ka bërë që të flakërojë fama e tij dhe gjith¬çka që mund të na ndodhë Neve në të ardhmen do të ketë të njëjtin rezultat. Përmbajuni me gjithë zemër Kauzës së Perëndisë, Kauzë e dërguar prej Atij Që është Urdhëruesi, Urtiploti. Ne, me dasha¬mirësinë e mëshirën më të madhe, u kemi bërë thirrje dhe kemi udhëhequr gjithë popujt e kombet drejt asaj që me të vërtetë do t’u sjellë atyre përfitim.

Dielli i së Vërtetës, që ndriçon me shkëlqimin e mesditës, Na është dëshmitar! Ata që janë populli i Perëndisë, nuk kanë tjetër ambicje veçse të ringjallin botën, të fisnikërojnë jetën e saj dhe të përtërijnë popujt e saj. Çiltërsia dhe vullneti i mirë i kanë shquar në çdo kohë marrëdhëniet e tyre me të gjithë njerëzit. Sjellja e tyre e jashtme s’është veçse pasqyrim i jetës së tyre të brendshme, dhe jeta e tyre e brendshme një pasqyrë e sjelljes së tyre të jashtme. Asnjë perde nuk mund t’i fshehë apo errësojë të vërtetat, mbi të cilat mbështetet Besimi i tyre. Këto të vërteta janë nxjerrë lakuriq para syve të të gjithë njerëzve dhe mund të njihen në mënyrë të pagabuar. Vetë veprimet e tyre provojnë të vërtetën e këtyre fjalëve.

Çdo sy i mprehtë mund të shohë, në këtë ditë, dritën e agimit të Revelacionit të Perëndisë dhe çdo vesh i vëmendshëm mund të njohë Zërin që u dëgjua nga Driza e Përflakur. Vërshimi i ujërave të mëshirës Hyjnore është i tillë, saqë Ai, që është Agimi i Shenjave të Perëndisë dhe Reveluesi i provave të lavdisë së Tij, shoqërohet e bisedon pa perde e pa u fshehur me popujt e tokës dhe me fiset e saj. Sa shumë janë ata që kanë kërkuar Praninë Tonë me zemrat plot djallëzi dhe janë ndarë miq besnikë e të dashur! Portat e mirësisë janë hapur gjerësisht para gjithë njerëzve. Në pamje të jashtme Ne, në marrëdhëniet Tona me ta, kemi trajtuar njëlloj të drejtin e mëkatarin, në mënyrë që edhe keqbërësi të mund të arrijë ndoshta oqeanin e pakufishëm të ndjesës Hyjnore. Emri Ynë “Fshehësi” ka përhapur një dritë të tillë mbi njerëzit, saqë kryeneçi e ka imagjinuar veten se numërohet bashkë me të devotshmin. Kushdo që na kërkon Ne kurrë nuk do të zhgënjehet dhe as do t’i mohohet hyrja në oborrin Tonë atij që e ka kthyer fytyrën drejt Nesh…

O miq! Ndihmojeni të vetmin Perëndi të vërtetë, lartësuar qoftë lavdia e Tij, me bëmat tuaja të hijshme, me një sjellje e karakter të tillë që të jenë të pranueshme në sytë e Tij. Ai që kërkon të ndih¬mojë Perëndinë në këtë Ditë, le t’i mbyllë sytë për çdo gjë që zotëron dhe t’i hapë ata për gjërat e Perëndisë. Ai le të mos merret më me ato që i sjellin atij përfitim dhe të merret me atë që do të lartësojë emrin gjithnënshtrues të të Fuqi¬plotit. Ai duhet ta pastrojë zemrën nga çdo pasion i lig e nga çdo dëshirë e mbrapshtë, sepse frika e Perëndisë është arma që mund ta bëjë atë fitimtar, është instrumenti parësor me të cilin mund të arrijë qëllimin e tij. Frika e Perëndisë është mburoja që mbron Kauzën e Tij, shqyta që u jep mundësi njerëzve të Tij të arrijnë fitoren. Është një flamur që askush nuk mund ta rrëzojë, një forcë me të cilën asnjë fuqi nuk mund të barazohet. Me ndihmën e saj, dhe me lejen e Atij që është Zoti i Ushtrive, ata që i janë afruar Perëndisë kanë mundur të nënshtrojnë e të pushtojnë fortesat e zemrave të njerëzve.

-~-

CXXVII. Në qoftë se dëshironi, o njerëz, të njihni Perëndinë dhe të zbuloni madhështinë e forcës së Tij, atëherë më shikoni Mua me vetë sytë e Mi, dhe jo me sytë e ndonjë tjetri veç Meje. Përndryshe ju kurrë nuk do të jeni në gjendje të më njihni Mua, edhe po ta peshoni Kauzën Time për aq sa zgjat Mbretëria Ime, edhe po të meditoni për të gjitha gjërat e kri¬juara gjatë përjetësisë së Perëndisë, Zotit Sovran të gjith¬çkaje, të Fuqi¬plotit, të Përjetshmit, Urtiplotit. Kështu kemi mani¬festuar Ne të vërtetën e Revela¬cionit Tonë, në mënyrë që njerëzit të mund të shkunden ndoshta nga moskokë¬çarja e tyre dhe të jenë ndër ata që kuptojnë.

Shikoni qëndrimin e ulët të këtyre njerëzve që e dinë fare mirë sesi Unë kam ofruar veten Time e të afërmit e Mi në rrugën e Perëndisë dhe për të ruajtur besimin e tyre tek Ai, që janë në dijeni sesi armiqtë e Mi më kanë rrethuar, në ditët kur zemrat e njerëzve trembeshen e dridheshin, në ditët kur ata fshiheshin nga sytë e të dashurve të Perëndisë e të armiqve të Tij dhe ishin të zënë për t’i siguruar vetes shpëtimin e qetësinë.

Ne, më në fund, arritëm të manifestojmë kauzën e Perëndisë dhe ta ngrejmë atë në një shkallë aq të lartë, saqë të gjithë njerëzit, me përjashtim të atyre që në zemrat e veta ushqenin keqdashje ndaj këtij të Riu dhe donin të bëheshin të barabartë me të Gjithëfuqishmin, njohën Sovrani¬tetin e Perëndisë dhe sundimin e Tij të fuqishëm. E megjithatë, pa marrë parasysh këtë Revelacion, ndikimi i të cilit është përhapur mbi të gjitha gjërat e krijuara dhe me gjithë shkëlqimin e kësaj Drite, që askush prej tyre kurrë nuk ia ka parë shoqen, shih sesi njerëzit e Bayán·it Më kanë mohuar e kundërshtuar. Disa janë larguar nga shtegu i Perëndisë, kanë hedhur poshtë autoritetin e Atij, tek i cili ata kishin besuar dhe kanë vepruar në mënyrë të pacipë ndaj Perëndisë, Më të Fuqishmit, Mbrojtësit Suprem, Më të Lavdë¬ruarit, Më të Madhit. Të tjerë kanë ngurruar e janë ndalur në Shtegun e Tij dhe e kanë parë Kauzën e Krijuesit si të pavlefshme në të vërtetën e saj më të thellë, në rast se ajo nuk mbështetej nga miratimi i atij që ishte krijuar përmes veprimit të Vullnetit Tim. Kështu bëmat e tyre përfunduan në hiç, e megjithatë ata nuk e vunë re këtë. Ndër ta është ai që kërkoi ta maste Perëndinë me kutin e vet dhe që u ngatërrua aq shumë me emrat e Perëndisë, saqë u ngrit kundër Meje, më dënoi Mua sikur të isha ndonjë që meritonte vdekjen dhe më veshi Mua ato krime për të cilat ai vetë ishte fajtor.

Prandaj, Unë i ofroj mjeri¬min Tim e brengën Time Atij që Më ka krijuar e Më ka besuar mesazhin e Tij. Atë falënderoj e lëvdoj Unë për gjërat që Ai ka urdhëruar, për vetminë Time dhe për ankthin që vuaj në duart e këtyre njerëzve që janë larguar aq shumë prej Tij. Unë kam përballuar me durim, dhe do të vazhdoj të përballoj, fatkeqësitë që Më kanë rënë mbi kokë, dhe do ta mbështes gjithë besimin e sigurinë Time te Perëndia. Atë do të lus Unë duke thënë: Udhëhiqi shërbëtorët e Tu, O Zoti Im, në oborrin e favorit Tënd e të bujarisë Sate dhe mos lejo që ata të privohen nga mrekullitë e mirësisë Sate e të bekimeve të Tua të shumta. Sepse ata nuk e dinë atë që Ti ke urdhëruar për ta në saje të mëshirës Sate, që përfshin gjithë krijimin. Nga jashtë, O Zot, ata janë të dobët e të pafuqishëm; nga brenda s’janë veçse jetimë. Ti je Bujariploti, Zemërbardhi, Më i Lavdëruari, Më i Madhi. Mos e hidh, O Perëndia Im, furinë e zemërimit Tënd mbi ta, dhe lejoi ata të presin derisa të shfaqen mrekullitë e mëshirës Sate, që të mundin ndoshta të kthehen tek Ti e të të kërkojnë ndjesë për gjërat që kanë bërë kundër Teje. Me të vërtetë, Ti je Përdëllenjësi, Mëshirëploti.

-~-

CXXVIII. Thuaj: A i lejohet një njeriu që, ndërsa pretendon të jetë pasues i Zotit të tij, Mëshirëplotit, të bëjë, megjithatë, në zemër të vet tamam punët e të Ligut? Jo, kjo nuk i lejohet, dhe për këtë Ai që është Bukuria e Lavdiplotit Më është dëshmitar. Sikur të mund ta kuptonit këtë!

Spastrojini zemrat tuaja nga dashuria për gjërat tokësore, gjuhët tuaja nga çdo kujtim veç të kujtuarit të Tij dhe tërë qenien tuaj nga çdo gjë që mund t’ju pengojë të soditni fytyrën e Tij ose t’ju shtyjë të rendni pas tundimeve të prirjeve tuaja të liga e të shthurura. Le të jetë Perëndia druajtja juaj, o njerëz, dhe jini ndër ata që ecin në shtegun e drejtësisë.

Thuaj: Në qoftë se sjellja juaj, o njerëz, është në kundër¬shtim me ato që predikoni, si mendoni ju, atëherë, ta dalloni veten prej atyre që, megjithëse shpallin besimin e vet te Zoti, Perëndia i tyre, sapo Ai erdhi tek ata në renë e shenjtërisë, refuzuan Ta pranonin dhe hodhën poshtë të vërtetën e Tij? Çlirojeni veten nga lidhjet e kësaj bote e kotësitë e saj. Kini mendjen të mos jepeni pas tyre, sepse ato ju shtyjnë të rendni pas epsheve e dëshirave tuaja lakmitare, dhe ju pengojnë të hyni në Shtegun e drejtë e të lavdishëm.

Dijeni se “bota” do të thotë mosnjohja nga ana juaj e Atij që është Krijuesi juaj dhe tërheqja juaj pas çdo gjëje tjetër veç Tij. “Jeta që do të vijë”, nga ana tjetër, nënkupton gjërat që ju afrojnë me siguri te Perëndia, Lavdiploti, i Pakrahasueshmi. Çdo gjë që, në këtë Ditë, ju largon nga dashuria për Perëndinë, s’është veçse bota. I ikni asaj, që të mund të numëro¬heni me të bekuarit. Po qe se një njeri dëshiron ta zbukurojë veten me stolitë e botës, të veshë rrobat e saj ose të marrë pjesë në përfitimet që ajo mund të japë, atij nuk do t’i ndodhë asgjë e keqe, në qoftë se ai nuk lejon që ndonjë gjë të ndërhyjë midis tij dhe Perëndisë, sepse Perëndia ka urdhëruar çdo gjë të mirë, të krijuar qoftë në qiell apo në tokë, për shërbëtorët e Tij që me të vërtetë besojnë tek Ai. Hani, o ju njerëz, gjërat e mira që ju ka lejuar Perëndia dhe mos ia mohoni vetes dhuratat e Tij të mahnitshme. Falenderojeni dhe lavdërojeni Atë, dhe jini ndër ata që janë me të vërtetë mirënjohës.

O ti që ke ikur nga shtëpia jote për të kërkuar praninë e Perëndisë! Shpallu njerëzve Mesazhin e Zotit tënd, se ndoshta ai i zmbraps ata nga rendja pas tundimeve të dëshirave të tyre të liga e të shthurura, dhe i sjell tek të kujtuarit e Perëndisë, Më të Lavdëruarit, Më të Madhit. Thuaj: Rrini në frikë të Perëndisë, o njerëz, dhe mos derdhni gjakun e askujt. Mos u zini me fqinjin tuaj dhe jini ndër ata që bëjnë mirë. Kini mendjen, mos shkaktoni çrregullime mbi tokë pasi ajo është vënë në rregull dhe mos ecni në gjurmët e atyre që kanë humbur rrugën.

Kushdo që ngrihet midis jush për t’u mësuar të tjerëve Kauzën e Zotit të tij, le t’ia mësojë atë para së gjithash vetes së vet, në mënyrë që fjala e tij të mund të tër-heqë zemrat e atyre që e dëgjojnë. Në qoftë se nuk mëson veten e vet, fjalët e gojës së tij nuk do të ndikojnë zemrën e kërkuesit. Kini mendjen, o njerëz, se mos jeni ndër ata që u japin këshilla të mira të tjerëve, por harrojnë t’i ndjekin ato për vete. Fjalët e njerëzve të tillë, e tej fjalëve realiteti i të gjitha gjërave, e tej këtyre realiteteve engjëjt që janë pranë Perëndisë, do t’i akuzonin ata për mashtrim.

Nëse një njeri i tillë do të arrinte ndonjëherë të ndikonte një tjetër, ky sukses nuk i duhet atribuar atij, por ndikimit të fjalës së Perëndisë, siç është dekretuar prej Atij që është Fuqiploti, Urtiploti. Në sytë e Perëndisë, ai shihet si një llambë që përhap dritën e saj e, megjithatë, digjet pareshtur brenda vetes.

Thuaj: Mos bëni, o njerëz, atë që do t’ju mbulojë me turp ose do të turpërojë Kauzën e Perëndisë në sytë e njerëzve, dhe mos jini ndër ata që bëjnë djallëzi. Mos iu afroni gjërave që mendjet tuaja i dënojnë. Shmangiuni çdo lloj paudhësie, sepse gjëra të tilla ju janë ndaluar në Librin që askush s’e prek, veç atyre që Perëndia i ka pastruar nga çdo gjurmë faji dhe i ka renditur midis të pastruarve.

Jini të drejtë ndaj vetvetes e ndaj të tjerëve, në mënyrë që provat e drejtësisë të mund të revelohen përmes bëmave tuaja midis shërbëtorëve Tanë besnikë. Kini mendjen se mos prekni pasurinë e të afërmit tuaj. Trego¬huni të denjë për besimin e mbështetjen e tij tek ju, dhe mos u mohoni të varfërve dhuntitë që mirësia e Perëndisë ju ka dhënë. Ai, me të vërtetë, do t’i shpërblejë mirëbërësit, dhe do t’u japë dyfish për atë që ata kanë dhënë. Nuk ka Perëndi tjetër veç Tij. Gjithë krijimi dhe perandoria e tij janë të Tijat. Ai ua jep dhuratat e Veta atij që dëshiron, dhe ua merr atyre që dëshiron. Ai është Dhënësi i Madh, Më Zemërgjeri, Dasha¬mirësi.

Thuaj: Mësoni Kauzën e Perëndisë, o njerëz të Bahá·it, sepse Perëndia i ka caktuar secilit detyrën që të shpallë Mesazhin e Tij dhe e shikon këtë si më të meritueshmen nga të gjitha veprat. Një vepër e tillë është e pranu¬eshme vetëm kur ai që shpjegon Kauzën është besimtar i vendosur në Perëndinë, Mbroj¬tësin Suprem, të Hirshmin, të Gjithëfuqishmin. Ai, për më tepër, ka urdhëruar që Kauza e Tij të shpjegohet nëpër¬mjet fuqisë së fjalës njerëzore, e jo duke përdorur dhunën. I tillë është urdhëri i Tij, i dërguar nga Mbretë¬ria e Atij që është Më i Lartësuari, Urtiploti. Kini mendjen të mos hyni në kundërshtim me ndo¬njërin, për¬kundrazi, përpiquni t’a bëni atë të vetëdijshëm për të vërtetën në mënyrë të sjellshme e me këshilla sa më bindëse. Nëse dëgjuesi juaj do të reagojë, ai do ta bëjë këtë për të mirën e vet, nëse jo, largohuni prej tij dhe kthejeni shikimin drejt Oborrit të shenjtë të Perëndisë, selia e shenjtërisë së ndritshme.

Mos hyni në diskutim me askënd lidhur me gjërat e kësaj bote e me punët e saj, sepse Perëndia ua ka lënë ato atyre që e kanë mbështetur në to dashurinë e vet. Nga gjithë bota Ai ka zgjedhur për Veten e Tij zemrat e njerëzve – zemra që ushtritë e revelacionit e të fjalës mund t’i nënshtrojnë. Kështu është urdhë¬ruar nga Gishtat e Bahá·it, në Tabelën e dekretit të pandryshu¬e¬shëm të Perëndisë, me kërkesën e atij Që është Urdhëruesi Suprem, i Gjithë¬dijshmi.

-~-

CXXIX. O udhëtar në shtegun e Perëndisë! Merr pjesën tënde të oqeanit të mirësisë së Tij dhe mos ia moho vetes gjërat që fshihen në thellësitë e tij. Ji ndër ata që kanë marrë pjesë në thesaret e tij. Një pikë e vetme e këtij oqeani, po të derdhej mbi të gjithë ata që janë në qiej e mbi tokë, do të mjaftonte për t’i mbushur ata me bujarinë e Perën¬disë, të Gjithëfuqishmit, të Gjithë¬dijshmit, Urtiplotit. Merr me duart e braktisjes nga ujërat e tij jetë¬dhënëse dhe, përveç kësaj, spërkat të gjitha gjërat e krijuara, që ato të pastrohen nga të gjitha kufizimet e krijuara prej njeriut dhe t’i afrohen fronit të fuqishëm të Perëndisë, këtij Vendi të shenjtëruar e të ndritshëm.

Mos u hidhëro nëse duhet ta bësh këtë i vetëm. Perëndia le të jetë i mjaftueshëm për ty. Bisedo në mënyrë intime me Shpirtin e Tij, dhe ji ndër ata që janë mirënjohës. Shpalle Kauzën e Zotit tënd tek të gjithë ata që janë në qiej e mbi tokë. Nëse ndokush i përgjigjet thirrjes sate, shtro para tij margaritarët e urtisë së Zotit, Perëndisë tënd, që të ka sjellë Shpirti i Tij, dhe ji ndër ata që besojnë me të vërtetë. Dhe nëse ndokush e refuzon ofertën tënde, largohu prej tij, dhe mbështete besimin e sigurinë tënde te Zoti i të gjitha botëve.

Për drejtësinë e Perëndisë! Cilido që hap gojën në këtë Ditë dhe përmend emrin e Zotit të tij, aradhat e frymëzimit Hyjnor do të zbresin mbi të nga qielli i emrit Tim, të Gjithëdijshmit, Urtiplotit. Mbi të do të zbresë gjithashtu Tubimi i epërm, duke mbajtur lart secili një kupë drite të kulluar. Kështu ka qenë paracaktuar në mbretërinë e Revelacionit të Perëndisë, me urdhër të Atij Që është Lavdiploti, Më i Fuqishmi.

Atje rri fshehur pas Perdes së Shenjtë, i gatshëm për t’i shërbyer Perëndisë, një grup i të zgjedhurve të Tij, që do të shfaqen para njerëzve, që do të ndihmojnë Kauzën e Tij, që nuk do t’i tremben askujt, edhe sikur tërë raca njerëzore të ngrihej për t’i luftuar. Këta janë ata që, para syve të banorëve të tokës e të atyre të qiellit, do të ngrihen e me zë të lartë do të shpallin emrin e të Fuqiplotit, dhe do t’u bëjnë thirrje bijve të njerëzve të vinë në shtegun e Perëndisë, Lavdiplotit, Më të Lavdëruarit. Ec në rrugën e tyre dhe askush të mos të të ligështojë. Ji ndër ata që rrëmuja e botës, sado t’i trazojë në shtegun e Krijuesit të tyre, kurrë nuk mund t’i trishtojë, dhe qëllimin e të cilëve qortimi i keqdashësit kurrë nuk do ta mposhtë.

Shko përpara me Tabelën e Perëndisë e me shenjat e Tij, bashkohu me ata që kanë besuar tek Unë dhe shpallu atyre lajmet e Parajsës Sonë më të shenjtë. Paralajmëroji pastaj ata që e kanë vënë veten në një radhë me Të. Thuaj: Kam ardhur tek ju, o njerëz, nga Froni i lavdisë dhe ju sjell lajm nga Perëndia, Më i Fuqishmi, Më i Lavdëruari, Më i Madhi. Unë mbaj në dorë dëshminë e Perëndisë, Zotit tuaj dhe Zotit të etërve tuaj të së kalu¬arës. Peshojeni këtë me Peshoren e drejtë që keni, me Peshoren e dëshmisë së Profetëve e të Lajmë¬tarëve të Perëndisë. Në qoftë se shihni që ajo bazohet në të vërte¬tën, në qoftë se besoni që është e Perëndisë, atëherë kini mendjen mos nxirrni yçkla për të, mos lini t’ju shkojnë punët kot e të radhi¬teni me të pabesët. Ajo është me të vërtetë shenja e Perëndisë, që është dërguar nga fuqia e së vërtetës, me të cilën u është provuar krijesave të Tij vlefsh¬mëria e Kauzës së Tij dhe shenjat e dëlirësisë janë ngritur lart midis tokës e qiellit.

Thuaj: Kjo është Perga¬mena e vulosur e mistike, ena që mban Dekretin e pandryshueshëm të Perëndisë, që bart fjalët e shkruara nga Gishti i Shenjtërisë, që është e mbështjellë me vellon e misterit të padepër-tueshëm dhe që tani është dërguar si shenjë e mirësisë së Atij që është Fuqiploti, i Lashti i Kohëve. Në të Ne kemi përcaktuar fatin e të gjithë banorëve të tokës e të atyre të qiellit dhe kemi shkruar dijen e të gjitha gjërave, nga e para tek e fundit. Asgjë nuk mund t’i shpëtojë Atij ose ta pengojë Atë, qoftë e krijuar në të shkuarën ose që do të krijohet në të ardhmen, sikur të mund ta kuptonit këtë.

Thuaj: Revelacioni i dërguar nga Perëndia me siguri është përsëritur, dhe dora e shtrirë e fuqisë Sonë ka mbrojtur të gjithë ata që janë në qiej e mbi tokë. Ne, përmes fuqisë së të vërtetës, të vërtetës së kulluar, kemi manifestuar një shkëndijë të vogël të Misterit Tonë të padepër¬tueshëm, dhe ja: ata që e kanë njohur vezullimin e shkëlqimit të Sinait, vdiqën pasi kishin kapur një vetëtimë të kësaj Drite Kërmëz që mbështjell Sinain e Revelacionit Tonë. Kështu ka zbritur nga retë e dëshmisë së Tij Ai që është Bukuria e Mëshirë¬plotit dhe është përmbushur ajo që ishte dekretuar në saje të Vullnetit të Perëndisë, të Gjithëlavdishmit, Urtiplotit.

Thuaj: Dil nga dhoma jote e shenjtë, O Shërbëtore e Qiellit, banore e Parajsës së Lartë! Stolisu si të të pëlqejë Ty me Veshjen e mëndafshtë të Pavdekësisë dhe vish, në emër të Lavdiplotit, Rrobën e qëndisur prej Drite. Dëgjo, pastaj, tingujt e ëmbël, të mahnitshëm të Zërit që vjen prej Fronit të Zotit tënd, të Paarritsh¬mit, Më të Lartit. Zbuloje fytyrën Tënde dhe shfaqe bukurinë e Zonjushës syzezë, dhe mos u moho shërbëtorëve të Perëndisë dritën e shëmbëlltyrës Sate të shndritshme. Mos u trishto po dëgjove psherëtimat e banorëve të tokës ose vajtimin e banorëve të qiellit. Lëri ata të vdesin në pluhurin e zhdukjes. Le të bëhen hiç, sepse flaka e zemërimit ishte ndezur në gjokset e tyre. Këndo, pastaj, para popujve të tokës e të qiellit me zërin më melodioz himnin e lavdërimit në kujtim të Atij Që është Mbreti i emrave e i atributeve të Perëndisë. Kështu e kemi dekretuar Ne fatin Tënd. Ne jemi në gjendje ta arrijmë qëllimin Tonë.

Ki mendjen të mos zhvi¬shesh, Ti që je Thelbi i Dëlirësisë, prej rrobës Sate të lavdisë së shndritshme. Përkundrazi, shtoje pareshtur pasurinë në mbretërinë e krijimit me veshjet e pashkatë¬rrueshme të Perëndisë Tënd, që pamja e mrekullueshme e të Fuqi¬plotit të pasqyrohet përmes Teje në të gjitha gjërat e krijuara dhe që hiri i Zotit Tënd të përhapet, me tërë fuqinë, në mbarë krijimin.

Nëse ndien nga ndonjëri aromën e dashurisë së Zotit tënd, flijoje veten për Të, sepse Ne të kemi krijuar Ty me këtë synim, dhe kemi bërë një besëlidhje me Ty prej kohësh që s’mbahen mend, në prani të tubimit të të preferuarve Tanë, pikërisht për këtë qëllim. Mos ji e paduruar në qoftë se të verbërit në zemër lëshojnë mbi Ty shigjetat e fantazive të tyre të kota. Lëri ata me vetveten, sepse ata ndjekin nxitjet e të ligjve.

Thirr para syve të banorëve të qiellit e të tokës: Unë jam Shërbëtorja e Qiellit, pinjollja e lindur nga Fryma e Bahá·it. Banesa Ime është Vila e Emrit të Tij, Lavdiplotit. Para Tubimit të epërm Unë jam stolisur me ornamentin e emrave të Tij. Jam mbështjellë me vellon e një sigurie të padhunueshme dhe qëndroj e fshehur nga sytë e njerëzve. M’u duk se dëgjova një Zë me ëmbëlsi hyjnore e të pakraha¬sueshme që dilte nga krahu i djathtë i Perëndisë së Mëshirës, dhe ja, tërë Parajsa lëvizi e u drodh para Meje, në dëshirën e zjarrtë për të dëgjuar tingujt e tij e për të soditur bukurinë e Atij që i kishte shqiptuar ata. Kështu kemi reveluar Ne në këtë Tabelë të shkëlqyer, me më të ëmblën e gjuhëve, vargjet që Gjuha e Përjetësisë u nxit të shqiptonte në Qayyúmu’l-Asmá’.

Thuaj: Ai urdhëron si t’i pëlqejë, në saje të sovranitetit të Tij, dhe bën çfarë të dojë me vetë urdhërin e Tij. Atij nuk i kërkohet llogari për gjërat që i pëlqen të urdhërojë. Ai është, me të vërtetë, i Padetyrueshmi, i Gjithëpushtet¬shmi, Urtiploti.

Ata që nuk i kanë besuar Perëndisë dhe kanë ngritur krye kundër Sovranitetit të Tij janë viktimat e pafuqishme të prirjeve e dëshirave të tyre të shthurura. Ata do të kthehen në banesën e tyre në zjarrin e skëterrës: e mjerueshme është banesa e mohuesve!

-~-

CXXX. Ji bujar në mirëqenie dhe mirënjohës në mjerim. Ji i denjë për besimin e fqinjit tënd dhe shihe atë me fytyrë të qeshur e miqësore. Ji thesar për të varfërin e paralajmërim për të pasurin, për¬gjigjju thirrjes së nevojtarit dhe ruaje si gjë të shenjtë premtimin që jep. Ji i ndershëm në gjykim e i kujdesshëm në fjalë. Mos ji i padrejtë ndaj askujt dhe tregohu i butë me të gjithë njerëzit. Ji si një llambë për të gjithë ata që enden në errësirë, gëzim për të bren¬gosurit, det për të eturit, liman për të vuajturit, mbështetje e mbrojtje për atë që është viktimë e shtypjes. Le të shquajnë ndershmëria e drejtësia të gjitha veprimet e tua. Ji shtëpi për jabanxhiun, balsam për atë që vuan, kullë e sigurt për të arratisurin. Ji sy për të verbërin dhe dritë udhëheqëse në këmbët e atij që endet. Ji stoli në shëmbëlltyrën e së vërtetës, kurorë në ballin e besnikërisë, shtyllë në tempullin e jetës së drejtë, frymë jete për trupin e gjinisë njerëzore, flamur i ushtrive të drejtësisë, yll ndriçues mbi horizontin e virtytit, vesë në tokën e zemrës njerëzore, anije në oqeanin e dijes, diell në qiellin e bujarisë, gur i çmuar në diademën e urtisë, dritë e shkëlqyer në kupën qiellore të brezit tënd, fryt në pemën e përunjësisë.

-~-

CXXXI. Penda e Mbretit të Lashtë kurrë nuk ka pushuar së kujtuari të dashurit e Perëndisë. Dikur, lumenj të mëshirës kanë rrjedhur nga Penda e Tij; në një kohë tjetër, me lëvizjen e saj, Libri i qartë i Perëndisë u revelua. Ai është i Vetmi, me të Cilin askush nuk mund të krahasohet, me fjalën e të Cilit asnjë njeri i vdekshëm kurrë nuk mund të matet. Është ai që në përjetësi është vendosur mbi fronin e epërsisë e të fuqisë, Ai nga buzët e të Cilit kanë dalë këshilla që mund të kënaqin nevojat e mbarë njerëzimit dhe kritika që mund t’u vlejnë atyre.

I Vetmi Perëndi i Vërtetë Më është dëshmitar dhe krijesat e Tij do të dëshmojnë, se për asnjë çast nuk i kam lejuar Vetes të fshi¬hem nga sytë e njerëzve, as kam pranuar ta mbroj personin Tim nga goditjet e tyre. Para syve të të gjithë njerëzve jam ngritur e u kam kërkuar të Ma bëjnë qejfin. Qëllimi Im s’është tjetër veçse përmirësimi i botës dhe qetësia e popujve të saj. Mirëqenia e njerëzimit, paqja dhe siguria e tij janë të paarritshme, po të mos krijohet e përderisa nuk do të jetë vendosur në mënyrë të bindëse uniteti i saj. Ky unitet nuk mund të arrihet kurrë sa kohë do të lejohet që këshillat e reveluara prej Pendës së Më të Lartit të kalojnë pa u vënë re.

Me fuqinë e fjalëve që Ai ka shqiptuar, mbarë raca njerëzore mund të ndriçohet me dritën e unitetit, dhe të kujtuarit e Emrit të Tij është në gjendje të ndezë zjarr zemrat e të gjithë njerëzve, e të djegë perdet që ndërhyjnë ndër¬mjet tyre e lavdisë së Tij. Një akt i vetëm drejtësie ka fuqi të tillë sa mund ta ngrejë pluhurin lart tej qiellit të qiejve. Ai mund të këpusë çdo lidhje dhe ka fuqinë që të përtërijë forcën që është shuar e zhdukur…

Jini të çiltër, o njerëz të Perëndisë, jini të çiltër; jini të drejtë, jini të drejtë… Thuaj: O njerëz të Perëndisë! Ato që mund të sigurojnë fitoren e Atij që është e Vërteta e Përjetshme, ushtritë e ndihmësit e Tij mbi tokë, janë shkruar në Librat e Shkrimet e shenjta dhe janë të qarta e të dukshme si dielli. Këto ushtri janë veprat e drejta, një sjellje e karakter që janë të pranueshme në sytë e Tij. Kush ngrihet, në këtë Ditë, për të ndihmuar Kauzën Tonë dhe thërret në ndihmë ushtritë e një karakteri të denjë e një sjelljeje të drejtë, me një veprim të tillë do të shkaktojë një ndikim që, me siguri, do të përhapet në botën mbarë.

-~-

CXXXII. Qëllimi i të Vetmit Perëndi të Vërtetë, lartësuar qoftë lavdia e Tij, në revelimin e Vetes së Tij para njerëzve është të nxjerrë në dritë ata margaritarë që rrinë të fshehur brenda minierës së qenies së tyre të vërtetë e më të brend¬shme. Që bashkësitë e ndryshme të tokës dhe sistemet e shumta të besimeve fetare kurrë nuk duhen lejuar të ushqejnë midis njerëzve ndjenja armiqësie, kjo është, në këtë ditë, thelbi i besimit të Perëndisë dhe e Fesë së Tij. Këto parime e ligje, këto sisteme të qëndrueshme e të fuqishme kanë ardhur nga një Burim i vetëm dhe janë rrezet e një Drite të vetme. Që ato ndryshojnë nga njëri-tjetri, kjo i duhet atribuar faktit që kanë ndryshuar kërkesat e epokave në të cilat janë shpallur.

Përvishjuni punës, o njerëz të Bahá·it, në mënyrë që rrëmuja e grindjeve dhe e luftërave fetare që trazon popujt e botës ndoshta qetësohet dhe çdo gjurmë e saj fshihet tërësisht. Për hatër të Zotit e të atyre që i shërbejnë Atij, ngrihuni për të ndihmuar këtë Revelacion kaq sublim e të rëndësishëm. Fanatizmi e urrejtja fetare janë një zjarr që gllabëron botën, furinë e të cilit askush s’e shuan dot. Vetëm Dora e fuqisë Hyjnore mund ta shpëtojë njerëzimin nga kjo fatkeqësi e rëndë. ...

Fjala e Perëndisë është një llambë, drita e së cilës janë këto fjalë: Ju jeni frytet e së njëjtës pemë dhe fletët e së njëjtës degë. Silluni me njëri-tjetrin me dashurinë e harmoninë më të madhe, në një frymë miqësore e shoqërore. Ai që është Dielli i së Vërtetës Më është dëshmitar! Kaq e fuqishme është drita e unitetit, sa mund të ndriçojë gjithë botën. I vetmi Perëndi i vërtetë, Ai Që di të gjitha gjërat, dëshmon Vetë të vërtetën e këtyre fjalëve.

Përpiquni të arrini këtë pozitë të lartë e kaq sublime, pozitën që mund t’i sjellë mbrojtje e siguri mbarë njerëzimit. Ky synim kapërcen çdo synim tjetër dhe kjo aspiratë është mbreti i të gjitha aspiratave. Por, sa kohë që retë e dendura të shtypjes, të cilat errësojnë diellin e drejtësisë, të mos shpërndahen, do të jetë e vështirë që lavdia e kësaj pozite të zbulohet para syve të njerëzve…

Shoqërohuni me të gjithë, o njerëz të Bahá·it, në një frymë miqësie e shoqërie. Në qoftë se dini ndonjë të vërtetë, në qoftë se zotëroni një gur të çmuar që të tjerë nuk e kanë, ndajeni atë me ta me fjalët më të sjellshme e me vullnet të mirë. Në qoftë se e pranojnë, qëllimi është për¬mbushur dhe objektivi juaj është arritur. Në qoftë se dikush e refuzon atë, lëreni të qetë dhe lutjuni Perëndisë që ta drejtojë. Kini mendjen të mos silleni në mënyrë të panjerëzishme me të. Një gjuhë e ëmbel është magnet për zemrat e njerëzve. Ajo është buka e shpirtit, ajo i vesh fjalët me kuptim. Ajo është burimi i dritës së urtisë e të mirëkuptimit…

-~-

CXXXIII. Porositë e Perëndisë janë dërguar nga qielli i Revelacionit të Tij më madhështor. Të gjithë duhet t’i zbatojnë me zell ato. Dallimi suprem i njeriut, përparimi i vërtetë i tij, fitorja e tij përfundimtare gjithnjë kanë qenë e do të vazhdojnë të jenë të varura prej tyre. Kush zbaton porositë e Perëndisë do të arrijë lumturi të përjetshme.

Një detyrim i dyfishtë bie mbi atë që ka njohur Agimin e Unitetit të Perëndisë dhe ka pranuar të vërtetën e Atij që është Manifestimi i njëshmërisë së Tij. Detyrimi i parë është vendosmëria në dashurinë për Të, një vendos¬mëri e tillë, që as britma e armikut e as pretendimet e pretenduesit të ngeshëm të mos e pengojnë të mbahet pas Atij Që është e Vërteta e Përjetshme, vendosmëri që nuk i merr fare parasysh ato. I dyti është zbatimi i rreptë i ligjeve që ka urdhëruar Ai – ligje që Ai gjithmonë ka porositur dhe të vazhdojë të porositë për njerëzit, përmes të cilave e vërteta mund të shihet e të ndahet nga mashtrimi.

-~-

CXXXIV. Detyra e parë e kryesore e caktuar për njerëzit, pas njohjes së Atij që është e Vërteta e Përjet¬sh-me, është detyra e vendos¬mërisë në Kauzën e Tij. MBahá pas saj dhe ji ndër ata, mendjet e të cilëve janë ngulitur e rrënjosur fort në Perëndinë. Asnjë veprim, sado i meritueshëm, kurrë nuk ka mundur as mundet të krahasohet me të. Ai është mbreti i të gjitha veprimeve dhe për këtë dëshmon Zoti yt, i Larti, Më i Pushtet¬shmi…

Virtytet e atributet që i përkasin Perëndisë janë të gjitha të qarta e të dukshme, dhe janë përmendur e përshkruar në të gjithë Librat qiellorë. Ndër to janë besnikëria, vërtetësia, zemër¬dëlirë¬sia në komunikimin me Perëndinë, vetpërmbajtja, nënshtrimi ndaj çdo gjëje që urdhëron Fuqiploti, kënaqja me gjërat që jep Vullneti i Tij, durimi, madje falënderimi edhe në kulmin e mjerimit, mbështetja e plotë, në të gjitha rrethanat, tek Ai. Këto renditen, sipas vlerësimit të Perëndisë, ndër veprimet më të larta e më të lavdërueshme. Të gjitha veprimet e tjera janë, dhe do të mbeten gjithmonë, të dorës së dytë e të nënshtruara ndaj këtyre…

Fryma që gjallëron zemrën njerëzore është njohja e Perëndisë dhe stolisja e saj e vërtetë është pranimi i së vërtetës që “Ai bën atë që do dhe urdhëron atë që i pëlqen”. Veshja e tij është frika ndaj Perëndisë dhe përsosuria e tij vendosmëria në Besimin e Tij. Kështu e mëson Perëndia çdo njeri që e kërkon Atë. Ai, me të vërtetë, e do atë që i drejtohet Atij. Nuk ka Perëndi tjetër veç Tij, Përdëlle¬njësit, Më Bujarit. I lavdëruar qoftë Perëndia, Zoti i të gjitha botëve.

-~-

CXXXV. O Shkronjë e të Gjallit! Veshi i Perëndisë e ka dëgjuar thirrjen tënde dhe sytë e Tij e kanë parë lutjen që ke shkruar. Ai po të thërret nga froni i Tij i lavdisë dhe po të revelon vargjet që janë dërguar prej Atij Që është Ndihma në Rrezik, i Vetqenëshmi.

I bekuar qofsh ti që flake krejtësisht idhullin e egos e të imagjinatës së kotë, dhe që grise perden e fantazisë boshe me pushtetin e fuqisë së Zotit tënd, Mbrojtësit Suprem, të Fuqiplotit, të Shumëdashurit të vetëm. Ti, me të vërtetë, duhet të renditesh me ato Shkronja që ia kanë kaluar çdo shkronje tjetër. Prandaj Perëndia të ka zgjedhur ty nëpërmjet gjuhës së Zotit tënd, Báb·it, shkëlqimi i shëmbëlltyrës së të Cilit ka për¬fshirë, dhe do të vazhdojë të për¬fshijë, gjithë krijimin. Falendero të Gjithëfuqishmin dhe lartëso emrin e Tij, sepse Ai të ka ndihmuar të njohësh Kauzën që i ka bërë zemrat e banorëve të qiejve e të tokës të dridhen, që i ka bërë ata që banojnë në mbretëritë e krijimit e të Revelacionit të thërrasin, dhe përmes së cilës sekretet e fshehura të gjokseve njerëzore janë hetuar e provuar.

Zoti Yt, Më i Larti ( Báb·i), të ka drejtuar nga Mbretëria e Tij e lavdisë këto fjalë: I madh është bekimi që të pret ty, o Shkronjë e të Gjallit, sepse ti ke besuar me të vërtetë tek Unë, ke refuzuar të Më turpërosh para Tubimit atje lart, ke përmbushur zotimin tënd, ke flakur perden e imagjinatave të kota dhe e ke mbërthyer shikimin te Zoti, Perëndia yt, Zoti i të padukshmes e i të dukshmes, Zoti i Tempullit të Frekuentuar. Unë jam shumë i kënaqur me ty, sepse e kam parë fytyrën tënde të rrezatonte dritë në Ditën kur fytyrat ishin të ngrysura e të nxira.

Thuaj: O njerëz të Bayán·it! A nuk ju kemi paralajmë¬ruar në të gjitha Tabelat Tona e në të gjitha Shkrimet Tona të fshehura të mos u nënshtroheni pasioneve tuaja të liga dhe prirjeve tuaja të shfrenuara, por t’i mbani sytë nga Skena e lavdisë së përkryer, në Ditën kur Peshorja Më e Fuqishme do të vihet në veprim, në Ditën kur meloditë e ëmbla të Frymës së Perëndisë do të vërshojnë nga Krahu i djathtë i fronit të Zotit tuaj, Mbrojtësit të Gjithfuqishëm, të Gjithëpushtet¬shmit, të Shenjtit të të Shenjtëve? A nuk ju kemi ndaluar Ne t’u përmbaheni gjërave që do t’ju ndanin nga Manifestimi i Bukurisë sonë në Revelacionin e saj të pastajmë, qofshin ato mishërimet e emrave të Perëndisë dhe gjithë lavdia e tyre, ose reveluesit e atributeve të Tij e të sundimit të tyre. Shikoni sesi, sapo Unë e revelova Veten Time, ju e hodhët poshtë të vërtetën Time, u larguat prej Meje dhe ishit ndër ata që i shihnin shenjat e Perëndisë si një lojë e zbavitje.

Për Bukurinë time! Asgjë, në këtë Ditë, nuk do të pranohet nga ju, edhe po të vazhdoni të adhuroni Perëndinë e të bini përmbys para Tij gjatë tërë përjetësisë së sundimit të Tij. Sepse çdo gjë varet prej vullnetit të Tij dhe vlera e të gjitha veprimeve kushtëzohet nga pranimi e pëlqimi i Tij. Mbarë gjithësia s’është veçse një grusht baltë në dorën e Tij. Në qoftë se një njeri nuk njeh Perëndinë e nuk e do Atë, thirrja e tij nuk do të dëgjohet nga Perëndia në këtë Ditë. Ky është thelbi i Besimit të Tij, sikur ta dinit këtë.

A do të kënaqeni ju me atë që është si avulli mbi një luginë dhe do të hiqni dorë nga Oqeani, ujërat e të Cilit freskojnë, me Vullnet të Perëndisë, shpirtrat e njerëzve? Mjerë ju, që e keni shpërblyer bujarinë e Perëndisë me një gjë kaq të kotë e të përçmuar! Ju jeni, me të vërtetë, ndër ata që më keni mohuar Mua në Revela-cionin Tim të mëparshëm. Sikur ta kuptonin këtë zemrat tuaja!

Ngrihuni dhe para syve të Perëndisë shlyjeni fajin që nuk keni kryer detyrimet tuaja ndaj Tij. Kjo është porosia Ime për ju, sikur t’i vinit veshin porosisë Sime. Për Veten Time! As njerëzit e Kuranit, as pasuesit e Torahut ose të Ungjillit, as ata të ndonjë Libri tjetër, nuk kanë bërë atë që kanë kryer duart tuaja. Unë Vetë ia kam kushtuar tërë jetën Time mbrojtjes së të vërtetës së këtij Besimi. Unë Vetë kam shpallur në të gjitha Tabelat e Mia ardhjen e Revela¬cionit të Tij. E pra, sapo Ai manifestoi Vetveten në Revela¬cionin e Tij të pastajmë, i veshur me lavdinë e Bahá·it dhe i zbuku¬ruar me rrobën e madhështisë së Tij, ju u rebeluat kundër Atij që është Mbrojtësi Suprem, i Vet-qenëshmi. Kini mendjen, o njerëz! Të keni turp prej asaj që më ndodhi Mua nga duart tuaja në shtegun e Perëndisë. Kujdes mos jini ndër ata që e kanë hedhur poshtë atë që u është dërguar atyre nga Qielli i lavdisë së përsosur të Perëndisë.

Të tilla, o Shkronjë e të Gjallit, janë fjalët që Zoti yt ka folur dhe t’i ka drejtuar ty nga mbretëritë e epërme. Shpalljua fjalët e Zotit tënd shërbëtorëve të Tij, se mos ndoshta shkunden prej gjumit dhe i kërkojnë ndjesë Perëndisë që i ka krijuar e artuar ata dhe u ka dërguar atyre këtë Revelacion kaq të shndritshëm, kaq të shenjtë e kaq të dukshëm të Bukurisë së Tij.

-~-

CXXXVI. Thuaj: Çlirojini shpirtrat tuaj, o njerëz, nga zgjedha e egoizmit dhe pastrojini nga lidhja me çdo gjë, përveç Meje. Kujtimi për Mua pastron të gjitha gjërat nga kalbëzimi, sikur të mund ta kuptonit këtë. Thuaj: Sikur të gjitha gjërat e krijuara të zhvisheshin tërësisht nga perdja e kotësisë dhe e dëshirave tokësore, Dora e Perëndisë do t’i vishte ato në këtë Ditë, secilën e të gjitha, me rrobën “Ai bën atë që do në mbretërinë e krijimit”, në mënyrë që shenja e sovranitetit të Tij të mundë të shfaqet në të gjitha gjërat. I lavdëruar qoftë, pra, Ai, Zoti Sovran i gjithçkaje, Fuqiploti, Mbrojtësi Suprem, Lavdiploti, Më i Pushtetshmi.

Këndoji, O shërbëtori Im, vargjet e Perëndisë që ti ke marrë, ashtu siç i këndojnë ata që janë avitur pranë Tij, në mënyrë që ëmbëlsia e melodisë sate të ndezë flakë vetë shpirtin tënd dhe të tërheqë zemrat e të gjithë njerëzve. Cilido që reciton, në vetminë e dhomës së vet, vargjet e reveluara nga Perëndia, engjëjt shpërndarës të Fuqiplotit do të përhapin gjithandej aromën e fjalëve të shqiptuara prej gojës së tij, duke e bërë të rrahë fort zemrën e çdo njeriu të drejtë. Edhe pse, në fillim, ai mund të mos e kuptojë efektin e tyre, vetia e favorit që i është dhuruar atij shpejt a vonë do të ushtrojë patjetër ndikimin e vet mbi shpirtin e tij. Kështu misteret e Revelacionit të Perëndisë janë dekretuar falë Vullnetit të Atij Që është Burimi i fuqisë e i urtisë.

O Khalíl! Perëndia Më është dëshmitar. Edhe pse Penda Ime ende lëviz në Tabelën Time, prapë në thellësi të zemrës ajo vajton dhe është shumë e dëshpëruar. Llamba që ndriçon para Fronit, po ashtu qan e rënkon për ato që Bukuria e Lashtë ka vuajtur në duart e atyre që s’janë veçse një krijim i Vullnetit të Tij. Vetë Perëndia e di dhe dëshmon për të vërtetën e fjalëve të Mia. Asnjë njeri që i ka liruar veshët nga zhurma e madhe e të pabesëve dhe i ka kthyer nga gjërat e krijuara nuk mund të mos e dëgjojë zërin e rënkimeve e të dënesës së tyre për shkak të telasheve që na kanë ndodhur Neve në duart e atyre shërbëtorëve Tanë që nuk kanë besuar tek Ne dhe janë rebeluar kundër Nesh. Kështu Ne të kemi zbuluar ty një grimë të brengave që Na kanë rënë mbi kokë, që ti t’i dish vuajtjet Tona dhe të për¬ballosh me durim hidhërimet e tua.

Ngreu për ta ndihmuar Zotin tënd vazhdi-misht e në çdo rrethanë dhe ji një ndër ndihmësit e Tij. Qortoi, pra, njerëzit që t’u vënë vesh fjalëve që Fryma e Perëndisë ka shqiptuar në këtë Tabelë të shkëlqyeshme e të shndritshme. Thuaj: Mos mbillni, o njerëz, farën e mosmarrëveshjes në mes njerëzve dhe mos u grindni me fqinjin tuaj. Jini të duruar në të gjitha kushtet dhe mbështeteni tërësisht besimin e shpresën tuaj te Perëndia. Ndihmojeni Zotin tuaj me shpatën e urtisë e të fjalës. Kjo me të vërtetë i përshtatet pozitës së njeriut. Të largohesh nga kjo do të ishte e padenjë para Perëndisë, Zotit Sovran të gjithçkaje, të Lavdëruarit. Por njerëzit kanë shkuar në rrugë të gabuar dhe janë me të vërtetë moskokëçarës.

Hapini, o njerëz, portat e zemrave të njerëzve me çelësin e kujtimit të Atij që është Kujtimi i Perëndisë dhe Burimi i urtisë në mes jush. Ai ka zgjedhur nga të gjitha gjërat e botës zemrat e shërbëtorëve të Tij dhe e ka bërë secilin prej tyre një fron për revelimin e lavdisë së Tij. Prandaj spastrojini ato nga çdo papastërti, që në to të gdhenden gjërat për të cilat ato janë krijuar. Kjo, me të vërtetë, është shenjë e favorit bujar të Perëndisë.

Zbukuroni gjuhët tuaja, o njerëz, me vërtetësi dhe stolisni shpirtrat tuaj me ornamentin e ndershmërisë. Kini mendjen, o njerëz, të mos silleni pabesisht me cilindo qoftë. Jini të besuarit e Perëndisë midis krijesave të Tij dhe emblemat e bujarisë së Tij në mes njerëzve të Tij. Ata që jepen pas epsheve e prirjeve të shthurura kanë gabuar e i kanë humbur kot përpjekjet e tyre. Ata janë me të vërtetë ndër të humburit. Përpiquni, o njerëz, që sytë tuaj të drejtohen nga mëshira e Perëndisë, që zemrat tuaja të jenë në harmoni me kujtimin mahnitës të Tij, që shpirtat tuaj të prehen me besim tek mirësia e bujaria e Tij, që këmbët tuaja të shkelin shtegun e pëlqimit të Tij. Të tilla janë këshillat që ju jap Unë. Sikur t’i ndiqnit këshillat e Mia!

-~-

CXXXVII. Disa e kanë parë të ligjshme të prekin pasuritë e të afërmëve të tyre dhe e kanë marrë lehtë urdhërin e Perëndisë siç jepet në Librin e Tij. E keqja rëntë mbi ta dhe i zëntë dënimi i Perëndisë, të Gjithëpushtetshmit, të Fuqi-plotit! Për Atë që shkëlqen mbi Agimin e Shenjtërisë! Sikur tërë bota të kthehej në argjend e ar, njeriu, për të cilin mund të thuhet se me të vërtetë është ngjitur në qiellin e besimit e të sigurisë, nuk do të denjonte as t’i hidhte sytë e jo më ta rrëmbente e ta mbante atë. Më parë i jemi referuar kësaj çështjeje në pasazhe të reveluara në arabisht, në një gjuhë me bukuri të hollë. Perëndia Na është dëshmitar! Kushdo që e ka provuar ëmbëlsinë e këtyre fjalëve nuk do të pranojë kurrë të kapërcejë kufijtë e caktuar nga Perëndia, as do ta kthejë shikimin nga ndokush tjetër veç të Shumëdashurit të tij. Një njeri i tillë, me syrin e tij të brendshëm, do ta shohë me lehtësi se gjërat e kësaj bote janë krejt të kota e kalimtare dhe do t’ua kushtojë dashurinë e vet gjërave të epërme.

Thuaj: Turp të kini, o ju që e quani veten dashurues të Bukurisë së Lashtë! Qofshi të qortuar nga fatkeqësia që Ai ka pësuar, nga barra e ankthit që Ai ka mbajtur për hir të Perëndisë. Le të hapen sytë tuaj. Për ç’qëllim është munduar Ai, në qoftë se sprovat e shumta që Ai ka kaluar duhej të çonin, në fund të fundit, në mendime të tilla të përçmuara e në një sjellje të tillë të mjerueshme? Çdo hajdut, çdo keqbërës ka thënë po këto fjalë dhe ka kryer po këto vepra, në ditët para Revelacionit Tim.

Me të vërtetë Unë them: Mbajini vesh zërit Tim të ëmbël dhe spastrojeni veten nga ndotja e pasioneve të liga e të dëshirave tuaja të shthurura. Ata që banojnë në faltoren e Perëndisë e janë ulur në fronet e lavdisë së përjetshme, edhe po të jenë duke vdekur urie do të refuzojnë të zgjatin dorën e të rrëmbejnë në rrugë të paligjshme pronën e të afërmit të tyre, sado i poshtër e pa vlerë të jetë ai.

Duke manifestuar Veten e Tij, qëllimi i të vetmit Perëndi të vërtetë është t’i bëjë thirrje gjithë njerëzimit për vërtetësi e sinqeritet, për mëshirë e besnikëri, për nënshtrim e përulje ndaj Vullnetit të Perëndisë, për durim e shpirtmirësi, për ndershmëri e urti. Synimi i Tij është të veshë çdo njeri me mantelin e një karakteri të padjallëzuar dhe ta stolisë atë me ornamentin e veprave të shenjta e të mëdha.

Thuaj: Kini mëshirë për veten tuaj e për njerëzit e tjerë dhe mos lejoni që Kauza e Perëndisë – një Kauzë e lartësuar pamasë mbi thelbin më të brendshëm të shenj¬tërisë – të ndotet me njollat e fan¬tazive tuaja të kota, të imagjinatave tuaja të pahijshme e të shthurura.

-~-

CXXXVIII. Ti i sheh, O Perëndi i Mëshirës, Ti fuqia e të cilit përshkon të gjitha gjërat e krijuara, këta shërbëtorë të Tu, skllevër të Tu që, në përputhje me pëlqimin e vullnetin Tënd, zbatojnë gjatë ditës agjërimin siç ke porositur Ti, që ngrihen sapo zbardh dita për të përmendur emrin tënd dhe për të të thurur lavde Ty, me shpresë që të marrin pjesën e tyre të gjërave të mira që ruhen në thesaret e mirësisë e të bujarisë Sate. Unë të lutem, O Ti që mban frenat e mbarë krijimit, në dorën e të Cilit është gjithë mbretëria e emrave të Tu dhe e atributeve të Tua, të mos ua mohosh në Ditën Tënde shërbëtorëve të Tu shirat që derdhen nga retë e mëshirës Sate, dhe as të mos i pengosh ata të marrin pjesën e tyre nga oqeani i pëlqimit Tënd.

Të gjitha atomet e tokës dëshmojnë, O Zoti Im, për madhështinë e pushtetit tënd e të sovranitetit Tënd dhe të gjitha shenjat e gjithësisë provojnë lavdinë e madhështisë e të fuqisë Sate. Ki, pra, mëshirë, O Ti Që je Zoti Sovran i gjithçkaje, Që je Mbreti i Ditëve të përjetshme dhe Sundimtari i të gjitha kombe·ve, për këta shërbëtorë të Tu, që mbahen pas Fillit të porosive të Tua, që i kanë përkulur kokat e tyre para revelacioneve të ligjeve të Tua, të dërguara nga qielli i Vullnetit Tënd.

Shiko, O Zoti im, sesi sytë e tyre janë ngritur drejt agimit të dashamirësisë Sate, sesi zemrat e tyre kanë qëndruar mbi oqeanet e favoreve të Tua, sesi zërat e tyre janë ulur para tingujve të zërit Tënd aq të ëmbël, që thërret nga Pozita më sublime, në Emrin Tënd, të Lavdiplotit. Ndihmoji të dashurit e Tu, O Zoti Im, ata që kanë braktisur gjithçka për të fituar gjërat që zotëron Ti, që kanë kaluar sprova e vuajtje për shkak se hoqën dorë nga bota dhe e vendosën dashurinë e tyre në mbretërinë Tënde të lavdisë. Mbroji ata, Të lutem, O Zoti Im, nga sulmet e pasioneve e të dëshirave të tyre të liga, dhe ndihmoji të fitojnë gjërat që do tu sjellin atyre përfitim në këtë botë dhe në atë tjetrën.

Unë të lutem, O Zoti im, për Emrin Tënd të fshehur e të çmuar, që thërret me zë të lartë në mbretërinë e krijimit dhe i fton të gjithë popujt në Pemën tej së cilës nuk ka kalim, në fronin e lavdisë së përkryer, të lëshosh mbi ne e mbi shërbëtorët e Tu shiun e rrëmbyer të mëshirës Sate, që ai të na pastrojë nga kujtimi i çdo gjëje tjetër veç Teje dhe të na afrojë në brigjet e oqeanit të mirësisë Sate. Urdhëro, O Zot, nëpërmjet Pendës Sate më të lavdëruar, atë që do t’i përjetësojë emrat tanë në Mbretërinë e lavdisë, që do t’i ruajë jetët tona në thesaret e mbrojtjes Sate dhe trupat tanë në kështjellën e qëndresës Sate të padhunuesme. Pushteti Yt shtrihet mbi të gjitha gjërat, qofshin të së kaluarës ose të së ardhmes. Nuk ka Perëndi tjetër veç Teje, Mbrojtësit të gjithë¬fuqishëm, të Vetqenëshmit.

Ti i sheh, O Zot, duart tona të ngritura me lutje drejt qiellit të favorit e të bujarisë Sate. Bëj që ato të mbushen me thesaret e zemërgjerësisë Sate e të favoreve Tuaja bujare. Ndjena ne, etërit tanë, nënat tona dhe përmbush çdo gjë që kemi dëshiruar nga oqeani i mirësisë Sate e i bujarisë Hyjnore. Prano, O i Shumëdashuri i zemrave tona, të gjitha veprat tona në shtegun Tënd. Ti je, me të vërtetë, Më i Pushtetshmi, Më i Lavdëruari, i Pakraha¬sueshmi, i Vetmi, Përdëllenjësi, i Miri.

-~-

CXXXIX. Vëri veshin, o Nabíl-i-A‘ẓam, Zërit të të Lashtit të Kohëve, që të thërret nga Mbretëria e Emrit të Tij lavdiplotë. Është Ai Që po shpall tani nga mbretëritë e epërme dhe në thelbin më të brendshëm të të gjitha gjërave të krijuara: “Unë, me të vërtetë, jam Perëndi, nuk ka Perëndi tjetër veç Meje. Unë jam Ai Që në përjetësi ka qenë Burimi i gjithë sovranitetit e fuqisë, Ai Që do të vazhdojë në përjetësi të ushtrojë mbretërimin e Tij dhe ta shtrijë mbrojtjen e Tij mbi të gjitha gjërat e krijuara. Prova Ime është madhështia e fuqisë dhe e sovranitetit Tim, që përfshin mbarë krijimin”…

I bekuar qofsh Ti, o emri Im, sepse ke hyrë në Arkën Time dhe shpejton, në saje të forcës së pushtetit Tim sovran e më të lartësuar, për në oqeanin e madhështisë dhe numërohesh ndër të preferuarit e Mi, emrat e të cilëve janë shkruar nga Gishti i Perëndisë. Ti ke pirë kupën e jetës së vërtetë nga duart e këtij të Riu, rreth të Cilit sillen Mani-festimet e Lavdiplotit dhe shkëlqimi i pranisë së të Cilit i bën ata, që janë Agimet e Mëshirës, ta lëvdojnë Atë ditë e natë.

Lavdia e Tij qoftë me ty, sepse ti ke ardhur nga Perëndia te Perëndi dhe ke hyrë në kufijtë e Oborrit të shkëlqimit të pashuar – të Vendit, të cilin asnjë njeri i vdekshëm kurrë nuk mund ta përshkruajë. Atje flladi i shenjtë¬risë, i mbushur me dashurinë e Zotit tënd, ka nxitur brenda teje shpirtin tënd, dhe ujërat e mirëkuptimit t’i kanë larë njollat e vetmisë e të mosbesimit. Ti ke fituar pranimin në Parajsën e Kujtimit të Perëndisë, sepse ke njohur Atë që është Mishërimi i atij Kujtimi midis njerëzve.

Prandaj i ji mirënjohës Perën¬disë, që të ka dhënë fuqi të ndihmosh Kauzën e Tij, që i ka bërë lulet e dijes e të të kuptuarit të çelin në kopshtin e zemrës sate. Kështu mirësia e Tij të ka rrethuar ty dhe ka rrethuar tërë krijimin. Ki mendjen mos lejo asgjë, çfarëdo qoftë, të të dëshpërojë. Hiq qafe çdo tërheqje prej romuzeve të kota të njerëzve dhe flak pas shpine grindjet e padobishme e dredha¬rake të atyre që janë të ndarë me perde nga Perëndia. Shpall, pra, atë që shpirti Më i Madh do të të frymëzojë të thuash në shërbim të Kauzës së Zotit tënd, që ti të mund të ngresh peshë shpirtrat e të gjithë njerëzve dhe t’i anosh zemrat e tyre nga ky Oborr kaq i bekuar e i gjithëlavdishëm…

Dije se Ne e kemi anuluar sundimin e shpatës, si një ndihmë për kauzën Tonë dhe e kemi zëvendësuar atë me pushtetin që lind nga fjala e njerëzve. Kështu kemi dekretuar Ne në mënyrë të pakthyeshme, në saje të mirësisë Sonë. Thuaj: O njerëz! Mos mbillni farën e mosmarrëveshjes në mes njerëzve dhe përmbahuni e mos u zini me të afërmin tuaj, sepse Zoti juaj i ka lënë botën e qytetet e saj nën kujdesin e mbretërve të tokës dhe i ka bërë ata emblemat e vetë pushtetit të Tij, në saje të sovrani¬tetit që Ai ka vendosur t’u japë atyre. Ai nuk ka dashur të mbajë për Vete asnjë pjesë të sundimit të kësaj bote. Për këtë dëshmon Ai Që është Vetë e Vërteta e Përjet¬sh¬me. Gjërat që Ai ka rezervuar për Veten e Tij janë qytetet e zemrave të njerëzve, për t’i spastruar ato nga çdo ndotje tokësore dhe për t’u dhënë atyre mundësi t’i afrohen Vendit të shenjtë, të cilin duart e të pabesëve kurrë nuk mund ta përdhosin. Hapeni, o njerëz, qytetin e zemrës njerëzore me çelësin e fjalës suaj. Kështu Ne, sipas një mase të paracaktuar, ju kemi treguar detyrën tuaj.

Për drejtësinë e Perëndisë! Bota me kotësitë e saj, me lavdinë e saj e me çfarëdolloj kënaqësish që mund të ofrojë, është në sytë e Perëndisë po aq e pavlerë, madje më e përçmuar sesa pluhuri e hiri. Sikur zemrat e njerëzve të mund ta kuptonin këtë! Spastrojeni veten tërësisht, o njerëz të Bahá·it, nga ndotjet e botës e çdo gjë që i përket asaj. Vetë Perëndia Më është dëshmitar. Gjërat e tokës nuk ju shkojnë juve. Ua hidhni ato atyre që i dëshirojnë dhe mbër¬thejini sytë mbi këtë Pamje më të shenjtë e të shndritshme.

Ajo që ju përshtatet juve është dashuria e Perëndisë dhe dashuria e Atij Që është Mani¬festimi i Thelbit të Tij, dhe zbatimi i çdo gjëje që Ai vendos t’ju porositë juve, sikur ta dinit këtë.

Thuaj: Le të jenë vërtetëria dhe mirësjellja stolia juaj. Mos i lejoni vetes të privoheni nga rroba e durimit dhe e drejtësisë, që shijet e ëmbla të shenjtërisë të përhapen nga zemrat tuaja në të gjitha gjërat e krijuara. Thuaj: Kini mendjen, o njerëz të Bahá·it, të mos ecni në rrugët e atyre që fjalët u ndry¬shojnë nga veprat. Përpiquni të bëheni të aftë për t’u shfaqur popujve të tokës shenjat e Perën¬disë dhe për të pasqyruar porositë e Tij. Le të bëhen veprimet tuaja udhëheqje për mbarë njerëzimin, sepse fjalët e shumicës së njerëzve, qofshin me pozitë të lartë ose të ulët, ndryshojnë nga sjellja e tyre. Pikërisht përmes veprave tuaja ju mund të dalloheni nga të tjerët. Përmes tyre shkëlqimi i dritës suaj mund të përhapet mbi gjithë tokën. Lum njeriu që e dëgjon këshillën Time dhe i zbaton porositë e dhëna prej Atij që është i Gjithëdijshmi, Urtiploti.

-~-

CXL. O Muḥammad-‘Alí! I madh është bekimi që të pret ty, sepse ti e ke stolisur zemrën me stolinë e dashurisë së Zotit tënd, Lavdi¬plotit, të Gjithlëvduarit. Të gjitha të mirat do të jenë të atij që e ka arritur këtë pozitë në këtë ditë.

Mos i vër veshin poshtë¬rimit që i janë nënshtruar në këtë Ditë të dashurit e Perëndisë. Ky poshtërim është krenaria e lavdia e çdo nderimi tokësor dhe e çdo pozite të lartë në këtë botë. A mund të përfytyrohet nder më i madh sesa nderi i dhënë nga Gjuha e të Lashtit të Kohëve, kur Ai përmend të dashurit e Tij në Më të Madhin e Burgjeve? Po afrohet dita kur retë që janë futur ndërmjet do të shpërndahen tërësisht, kur drita e fjalëve “Çdo nderim i takon Perëndisë dhe atyre që e duan” do të shfaqen të qarta si dielli mbi horizontin e Vullnetit të të Fuqiplotit.

Të gjithë njerëzit, qofshin me pozitë të lartë ose të ulët, e kanë kërkuar dhe ende e kërkojnë një nder kaq të madh. Por të gjithë, sapo Dielli i së Vërtetës përhapi rrezet e tij mbi botë, janë privuar nga të mirat e tij dhe janë ndarë si me një perde nga lavdia e tij, me përjashtim të atyre që janë kapur fort pas perit të providencës së pagabueshme të të vetmit Perëndi të vërtetë dhe, me një shkëputje të plotë nga çdo gjë veç Tij, e kanë drejtuar shikimin nga oborri i Tij i shenjtë.

Falëndero Atë Që është Dëshira e të gjitha botëve, që të ka dhuruar një nder kaq të lartë. Së shpejti bota dhe çdo gjë që ndodhet në të do të zhytet në harresë, dhe gjithë nderimi do t’u përkasë të dashurve të Zotit, Lavdiplotit, Më Bujarit.

-~-

CXLI. Me të vërtetë është një Libër i dërguar midis njerëzve mendjemprehtë! Ai i urdhëron njerëzit t’i për-mbahen drejtësisë e të punojnë me ndershmëri, dhe i ndalon ata të jepen pas prirjeve të tyre të shthurura e dëshirave trupore, që ndoshta bijtë e nje¬rëz¬ve të mund të zgjohen nga gjumi.

Thuaj: Ndiqni, o njerëz, atë që ju është urdhëruar në Tabelat Tona dhe mos shkoni pas imagjinatave të trilluara nga ata që mbjellin përçarje, ata që bëjnë të këqija dhe ia ngarkojnë Perëndisë, Më të Shenjtit, Lavdiplotit, Më të Lavdëruarit. Thuaj: Ne kemi pranuar të vuajmë të këqija e vështirësi, që ju të mund të spastroni veten nga ndotjet tokësore. Përse, pra, refuzoni të peshoni në zemrat tuaja qëllimin Tonë? Për drejtësinë e Perëndisë! Shpirti i kujtdo që do të reflektojë mbi fatkeqësitë që kemi hequr Ne, me siguri do të shkrijë nga hidhërimi. Vetë Zoti Yt dëshmon për vërtetësinë e fjalëve të Mia. Ne kemi mbajtur peshën e të gjitha fatkeqësive për t’ju spastruar ju nga çdo shthurje tokësore, dhe ju vazhdoni të jeni indiferentë.

Thuaj: Është detyrë e cilitdo që mbahet fort pas cepit të Rrobës Sonë të mos njolloset nga ndonjë gjë që për Tubimin e epërm mund të jetë e papëlqyeshme. Kështu është dekretuar nga Zoti yt, Lavdiploti, në këtë Tabelë të qartë të Tij. Thoni: Ju leni mënjanë dashurinë Time dhe bëni atë që brengos zemrën Time? Çfarë ju pengon të kuptoni atë që ju është reveluar nga Ai që është i Gjithëdijshmi, Urtiploti?

Ne me të vërtetë i shohim veprimet tuaja. Në qoftë se Ne nuhasim në to aromën e ëmbël të çiltërsisë e të shenjtërisë, me siguri do t’ju bekojmë. Pastaj gjuhët e banorëve të Parajsës do të thonë lavdërime për ju dhe do të lartësojnë emrat tuaj midis atyre që janë afruar pranë Perëndisë.

MBahá pas cepit të Rrobës së Perëndisë dhe kapu fort pas Fillit të Tij, Fill të cilin askush nuk mund ta këpusë. Ki kujdes se mos zhurma e atyre që e kanë mohuar këtë Njoftim Më të Madh të pengon të arrish qëllimin tënd. Shpall atë që të është urdhëruar në këtë Tabelë, edhe sikur të gjithë popujt të ngriheshin për të të kundërshtuar. Zoti yt është, me të vërtetë, Gjithdetyruesi, Mbrojtësi i pa-gabueshëm.

Lavdia ime qoftë me ty dhe me ata prej të dashurve të Mi që shoqërohen me ty. Këta janë, me të vërtetë, ata që do ta kenë mirë.

-~-

CXLII. Betohem për bukurinë e të Shumëdashurit! Kjo është mëshira që ka përfshirë krijimin mbarë, Dita në të cilën mirësia e Perëndisë ka depërtuar e përshkuar të gjitha gjërat. Ujërat jetësore të mëshirës Sime, o ‘Alí , rrjedhin me shpejtësi dhe zemra Ime po shkrihet nga zjarri i dhembshurisë e i dashurisë Sime. Unë kurrë nuk kam qenë në gjendje ta pajtoj Veten Time me fatkeqësitë që u kanë rënë mbi kokë të dashurve të Mi, ose me çdo shqetësim që mund të ketë errësuar gëzimin e zemrave të tyre.

Sa herë që emri Im “Mëshirëploti” ka marrë vesh se një prej të dashurve të Mi kishte thënë një fjalë të kundërt me dëshirën Time, është tërhequr, i hidhëruar e i pangushëlluar në banesën e tij; dhe kurdoherë që emri Im “Fshehësi” ka zbuluar se njëri prej pasuesve të Mi kishte turpëruar apo poshtëruar të afër¬min e tij, është kthyer po kështu i brengosur e i hidhëruar në selinë e tij të lavdisë dhe atje ka vajtuar me ngashërim. Dhe kurdoherë që emri Im “Gjith¬monëfalësi” ka vënë re se ndonjë prej miqve të Mi kishte bërë ndonjë shkelje, ai ka thirrur me pikëllim të madh dhe, i pushtuar nga ankthi, ka rënë në pluhur, është marrë nga një grup engjëjsh të padukshëm e është çuar në banesën e tij në mbretëritë e epërme.

Për Veten Time, të Vërtetin, o ‘Alí ! Zjarri që ka ndezur zemrën e Bahá·it është më i nxehtë se zjarri që flakëron në zemrën tënde dhe vajtimi i Tij më i fortë se vajtimi yt. Sa herë që mëkati i bërë nga ndonjëri prej tyre është përmendur në Oborrin e Pranisë së Tij, Bukuria e Lashtë është mbushur kaq shumë me turp sa do të dëshi-ronte ta fshihte lavdinë e shëmbëlltyrës së Tij nga sytë e të gjithë njerëzve, sepse Ai gjithmonë e ka mbërthyer shikimin te besnikëria e tyre, duke parë kërkesat themelore të saj.

Sapo fjalët që ti ke shkruar u lexuan në Praninë Time, ato bënë që oqeani i besnikërisë Sime të ziejë brenda Meje, flladi i ndjesës Sime të fryjë mbi shpirtin tënd dhe pema e dashamirësisë Sime të hedhë hijen e saj mbi ty, dhe retë e bujarisë Sime të lëshojnë mbi ty shiun e dhuratave të tyre. Betohem për Diellin që shkëlqen mbi horizontin e përjetësisë, se Mua më vjen keq për dhimbjen tënde dhe vajtoj me ty për fatkeqësinë tënde… Unë dëshmoj për shërbimet që ti Më ke bërë dhe vërtetoj se shumë telashe ti i ke vuajtur për hatrin Tim. Të gjitha atomet e tokës shpallin dashurinë Time për ty.

Thirrja që ke bërë ti, o ‘Alí, është shumë e pranueshme në sytë e Mi. Shpall me pendën e me gjuhën tënde Kauzën Time. Thirr e ftoi njerëzit tek Ai Që është Zoti sovran i të gjitha botëve, me aq zell e përkushtim që të gjithë të ndizen zjarr prej teje.

Thuaj: O Zoti im, i Shumëdashuri im, Forca Lëvizëse e veprimeve të mia, Ylli Udhë¬rrëfyes i shpirtit tim, Zëri që thërret në qenien time të brendshme, Objekti i adhurimit të zemrës sime! Lëvduar qofsh Ti që më dhe mundësi ta kthej fytyrën drejt Teje, që ma ndeze shpirtin zjarr me kujtimin Tënd, që më ndihmove të shpall Emrin Tënd dhe të të këndoj lavde Ty.

Perëndia Im! Perëndia Im! Në qoftë se askush nuk do të largohej nga shtegu Yt, atëherë si do të mund të shpalosej mëshira Jote, ose si do të ngrihej flamuri i favorit Tënd bujar? Dhe në qoftë se nuk do të bëheshin padrejtësi, çfarë mund të shpallte se Ti je Fshehësi i mëkateve të njerëzve, Gjithmonë¬falësi, i Gjithëdijshmi, Urtiploti? U flijoftë shpirti im për mëkatet e atyre që bëjnë mëkate ndaj Teje, sepse mbi mëkate të tilla janë përhapur aromat e ëmbla të mëshirës së dhembshur të Emrit Tënd, Zemërmirit, Mëshirëplotit. U flijoftë jeta ime për fajet e atyre që kanë bërë faj kundër Teje, sepse përmes tyre fryma e hirit Tënd dhe aroma e dashamirësisë Sate njihen e përhapen midis njerëzve. U flijoftë qenia ime më e brendshme për mëkatet e atyre që kanë mëkatuar kundër Teje, sepse për shkak të të tilla mëkateve Dielli i favoreve të Tua të shumta e revelon veten mbi horizontin e bujarisë Sate dhe retë e kujdesit Tënd, gjithmonë të pranishëm, derdhin dhuratat e tyre mbi realitetin e të gjitha gjërave të krijuara.

Unë jam ai, O Zoti im, që të ka rrëfyer Ty morinë e bëmave të tij të liga dhe që ka pranuar atë që askush s’e ka pranuar. Unë kam nxituar të arrij oqeanin e ndjesës Sate dhe kam kërkuar strehë nën hijen e favorit Tënd aq të dhemb¬shur. Lejo, Të lutem Ty, Që je Mbreti i Përjetshëm dhe Mbrojtësi sovran i të gjithë njerëzve, që Unë të mund të manifestoj atë që do t’i bëjë shpirtrat e njerëzve të flutu¬rojnë në pafundësinë e pakufishme të dashurisë Sate dhe të bisedojnë me Shpirtin Tënd. Më forco me fuqinë e sovranitetit Tënd, që unë të mund t’i kthej të gjitha gjërat e krijuara nga Agimi i Manifestimit Tënd dhe Burimi i Revelacionit Tënd. Më ndihmo, O Zoti im, t’i dorëzohem tërësisht Vullnetit Tënd dhe të ngrihem për të të shërbyer Ty, sepse Unë e dua këtë jetë tokësore për qëllimin e vetëm që t’i vij rreth Faltorës së Revelacionit Tënd dhe Fronit të lavdisë Sate. Ti më sheh, O Perëndia Im, të shkëputur nga gjithçka veç Teje, dhe të përunjur e të nënshtruar ndaj vullnetit Tënd. Bëj me mua si të të pëlqejë Ty dhe si t’i përshtatet madhërisë e lavdisë Sate të madhe.

O ‘Alí! Bujaria e Atij Që është Zoti i të gjitha botëve të është dhuruar, dhe ende të dhurohet. Armatosu me forcën e fuqinë e tij, dhe ngrihu për të ndihmuar Kauzën e Tij e për të lartësuar emrin e Tij të shenjtë. Le të mos ta thyejë zemrën padituria jote në fushën e dijes njerëzore dhe paaftësia jote për të shkruar ose lexuar. Dyert e mirësisë së Tij të shumëfishtë janë në dorën e fuqishme të të vetmit Perëndi të vërtetë. Ai i ka hapur, dhe do të vazhdojë t’i hapë ato, para të gjithë atyre që i shërbejnë Atij. Dua të shpresoj se ky fllad ëmbëlsie hyjnore do të vazhdojë të përhapet papushim nga lëndina e zemrës sate në mbarë botën në mënyrë të tillë që efektet e tij të mund të manifestohen në çdo vend. Është Ai që ka pushtet mbi të gjitha gjërat. Ai, me të vërtetë, është Më i Pushtetshmi, Lavdiploti, Fuqiploti.

-~-

CXLIII. Qofsh i bekuar, o shërbëtori Im, sepse ti ke njohur të vërtetën dhe je larguar prej atij që ka mohuar Mëshirëplotin e është dënuar si i lig në Tabelën Mëmë. Ec i patundur në dashurinë e Perëndisë, gjithmonë i vendosur në Besimin e Tij, dhe ndihmoje Atë me fuqinë e fjalës sate. Kështu të urdhëron Mëshirëploti, Që po vuan burgimin nga duart e shtypësve të Tij.

Në qoftë se të godasin fatkeqësi për shkakun Tim, sill ndërmend vuajtjet e telashet e Mia, dhe kujto syrgjynosjen e burgimin Tim. Kështu Ne të transmetojmë atë që ka rënë mbi Ne prej Atij Që është Lavdiploti, Urtiploti.

Për Veten Time! Po afrohet dita kur Ne do ta palosim rendin e botës e gjithçka ndodhet në të dhe do të shpalosim në vend të tij një rend të ri. Ai është, me të vërtetë, i pushtetshëm mbi të gjitha gjërat.

Shenjtëroje zemrën tënde, që të mund të më kujtosh Mua; dhe pastroje veshin tënd, që të mund të dëgjosh fjalët e Mia. Ktheje, pastaj, fytyrën nga Vendi ku froni i Zotit tënd, Perëndisë së mëshirës, është vendosur dhe thuaj: Lëvduar qofsh, O Zoti im, që më dhe mundësinë të njoh Manifestimin e Vetes Sate dhe më ndihmove ta mbërthej zemrën time në oborrin e pranisë Sate, objektin e adhurimit të shpirtit tim. Unë të lutem për emrin Tënd, që i ka bërë qiejt të hapen e tokën të çahet, të urdhërosh për mua atë që ke urdhëruar për ata që janë larguar nga çdo gjë tjetër veç Teje, dhe i kanë mbështetur fort zemrat në Ty. Bëj që unë të ulem në Praninë Tënde në fronin e së vërtetës, brenda Faltores së Lavdisë. Ti e ke në dorë të bësh ç’të duash. Nuk ka Perëndi tjetër veç Teje, Lavdiplotit, Urtiplotit.

-~-

CXLIV. Penda e Më të Lartit ka dekretuar dhe i ka vënë secilit për detyrë t’u mësojë të tjerëve këtë Kauzë ... Perëndia, padyshim, do të frymëzojë cilindo që shkëputet nga çdo gjë tjetër veç Tij, dhe do të bëjë që ujërat e kulluara të urtisë e të fjalës të rrjedhin me vrull nga zemra e tij. Me të vërtetë, Zoti yt, Mëshirëploti, e ka në dorë të bëjë si të dojë dhe të urdhërojë çdo gjë që i pëlqen.

Po ta mendoje këtë botë dhe të kuptoje sa kalimtare janë gjërat që i përkasin asaj, ti nuk do të zgjidhje rrugë tjetër veç rrugës së shërbimit të Kauzës së Zotit Tënd. Asnjë nuk do të të ndalonte dot ty t’i thurje lavde Atij, edhe sikur të gjithë njerëzit të ngriheshin e të të kundërviheshin.

Shko përpara dhe ngul këmbë në shërbim të Tij. Thuaj: O njerëz! Dita që ju është premtuar në të gjitha Shkrimet tashmë ka ardhur. Rrini në frikë të Perëndisë dhe mos ngurroni të njihni Atë që është Objekti i krijimit tuaj. Nxitoni drejt Tij. Kjo për ju është më e mirë sesa bota dhe gjithçka përmban ajo. Sikur të mund ta kuptonit këtë!

-~-

CXLV. Po të takoni të mjerët ose të shtypurit, mos u ktheni kurrizin me përbuzje atyre, sepse Mbreti i Lavdisë kujdeset vazhdimisht për ta dhe i rrethon me një dashuri të tillë që askush nuk mund ta matë, veç atyre që i kanë shkrirë aspiratat e dëshirat e tyre në Vullnetin e Zotit tuaj, të Mëshirshmit, Urti¬plotit. O ju të pasur të tokës! Mos ja mbathni para të varfërit të shtrirë në pluhur, përkundrazi miqësohuni me të dhe lejojeni t’ju rrëfejë historinë e mjerimeve që i kanë rënë mbi kokë sipas Dekretit të padepërtueshëm të Perëndisë. Për drejtësinë e Perëndisë! Ndërsa ju shoqëroheni me të, Tubimi i epërm do t’ju vështrojë, do të ndërhyjë për ju, do të lartësojë emrin tuaj dhe do t’i thurë lavde veprimit tuaj. Të bekuar janë të diturit që nuk mburren me arritjet e tyre, dhe lum të drejtët që nuk e tallin mëkatarin, por ia fshehin gabimet e tij, në mënyrë që të metat e veta të mbeten të fshehur për sytë e njerëzve.

-~-

CXLVI. Është dëshira Jonë që secili prej jush të bëhet burim të mirash për njerëzit dhe një shembull sjelljeje të drejtë për njerëzimin. Kini mendjen e mos e vini veten mbi njerëzit e tjerë. Nguliteni vësh¬trimin tek Ai që është Tempulli i Perëndisë në mes njerëzve. Ai, në të vërtetë, e ka ofruar jetën e Tij si peng për shëlbimin e botës. Ai është, me të vërtetë, Bujariploti, i Miri, Më i Larti. Në qoftë se midis jush shfaqen mosmarrëveshje, më shikoni Mua që qëndroj para jush dhe mos shihni të metat e njëri-tjetrit, për hir të emrit Tim dhe si shenjë e dashurisë suaj për Kauzën Time të dukshme e të shndritsh¬me. Ne duam t’ju shohim në çdo kohë të bashkoheni në dashuri e harmoni brenda parajsës së pëlqimit Tim dhe të përhapni me veprimet tuaja aromat e miqësisë e të unitetit, të dashamirësisë e të shoqërisë. Kështu ju këshillon i Gjithëdijshmi, Besniku. Ne do të jemi gjithnjë me ju; në qoftë se Ne thithim parfumin e shoqërisë suaj, zemra Jonë me siguri do të gëzohet, sepse asgjë tjetër nuk mund të Na kënaqë. Për këtë dëshmon çdo njeri që me të vërtetë kupton.

-~-

CXLVII. Emri Më i Madh Më është dëshmitar! Sa e trishtueshme do të ishte në qoftë se ndonjëri në këtë Ditë do të kishte për zemër gjërat kalimtare të kësaj bote! Ngrihuni dhe përmbajuni fort Kauzës së Perëndisë. Duajeni shumë njëri-tjetrin. Digjeni, tërësisht për hir të të Shumëdashurit, perden e egoiz¬mit me flakën e Zjarrit të pashuar dhe, me fytyra të gëzuara e plot dritë, shoqërohuni me fqinjin tuaj. Ju e keni parë mirë, në të gjitha aspektet, sjelljen e Atij Që është Fjala e së Vërtetës në mes jush. Ju e dini fare mirë sa e vështirë është për këtë të Ri të lejojë, qoftë edhe për një natë, zemrën e ndonjërit prej të shumëdashurve të Perën¬disë të brengoset për shkak të Tij.

Fjala e Perëndisë e ka ndezur zjarr zemrën e botës; sa për të ardhur keq është në qoftë se ju nuk merrni zjarr nga kjo flakë! Dashtë Perëndia ta shikoni këtë natë të bekuar si natë të unitetit, t’i lidhni së bashku shpirtrat tuaj dhe të vendosni ta zbukuroni veten me stolinë e një karakteri të mirë e të lavdërueshëm. Le të jetë meraku juaj kryesor të shpëtoni ata që kanë rënë poshtë nga brenga e shuarjes që u kanoset dhe t’i ndihmoni ata të përqafojnë Besimin e lashtë të Perëndisë. Sjellja juaj ndaj tjetrit duhet të jetë e tillë që të shfaqë qartë shenjat e të vetmit Perëndi të vërtetë, sepse ju jeni të parët midis njerëzve që u rikrijuat nga Fryma e Tij, të parët që e adhuruat e u përgjunjët para Tij, të parët që u mblodhët rreth fronit të Tij të lavdisë. Unë betohem për Atë Që Më ka bërë të reveloj ato që i kanë pëlqyer Atij! Ju njohin më mirë banorët e Mbretërisë së epërme nga sa ju njihni veten tuaj. Mendoni se këto janë fjalë të kota e boshe? Sikur të kishit aftësinë të shihnit gjërat që sheh Zoti juaj, Mëshirëploti – gjëra që provojnë përsosurinë e rangut tuaj, që dëshmojnë për madhështinë e vlerës suaj, që tregojnë sa sublime është pozita juaj! Dhëntë Zoti që dëshirat dhe pasionet tuaja të papërmbajtura të mos ju privojnë nga ajo që është paracaktuar për ju.

-~-

CXLVIII. O Salmán! Gjithçka që të diturit e mistikët kanë thënë ose shkruar kurrë nuk i ka kapërcyer, dhe as mund të shpresojë t’i kapërcejë ndonjëherë, kufijtë të cilave u nënshtrohet rreptësisht mendja e kufizuar njerëzore. Në çfarëdo lartësish që të fluturojë mendja e njerëzve më të shquar, sado të mëdha të jenë thellësitë ku mund të depërtojë zemra e shkëputur e që kupton, një mendje e një zemër e tillë kurrë nuk mund të kapër¬cejnë atë që është krijim i vetë konceptimeve të tyre e produkt i vetë mendimeve të tyre. Përsiatjet e mendimtarit më të thellë, devo¬cionet e më të shenjtit të shenjto¬rëve, shprehjet më të larta të lavdë¬rimit që dalin nga penda ose gjuha njerëzore, s’janë veçse reflektim i asaj që është krijuar brenda atyre vetë, përmes revelacionit të Zotit, Perëndisë së tyre. Kushdo që e peshon në zemrën e vet këtë të vërtetë, do ta pranojë lehtë se ka kufij të caktuar, të cilët asnjë qenie njerëzore nuk mund t’i kapërcejë. Çdo përpjekje që është bërë, qysh nga fillimi që nuk ka fillim, për të përfytyruar e për të njohur Perën¬dinë është kufizuar nga kërkesat e vetë krijimit të Tij – krijim të cilin Ai, përmes veprimit të vetë Vull¬ne¬tit të Tij dhe për qëllimet e askujt tjetër veç Vetes së Vet, e ka thirrur në jetë. I lartësuar pamasë është Ai mbi përpjekjet e mendjes njerëzore për të kapur Thelbin e Tij, ose të gjuhës njerëzore për të përshkruar misterin e Tij. Asnjë lidhje a marrë¬dhënie e drejtpërdrejtë nuk mund ta bashkojë Atë me gjërat që Ai ka krijuar, dhe as munden aluzionet më të errëta e më të pakapshme të krijesave të Tij t’i japin hakun qenies së Tij. Me Vullnetin e Tij që përshkon botën Ai ka thirrur në jetë të gjitha gjërat e krijuara. Ai është dhe ka qenë gjithmonë i mbuluar me vellon e përjetësisë së lashtë të vetë Thelbit të Tij të lartësuar e të pandashëm dhe do të vazhdojë të jetë për-jetësisht i fshehur në madhë¬shtinë e lavdinë e Tij të paarritshme. Çdo gjë që është në qiell e në tokë ekziston me urdhër të Tij, dhe me Vullnetin e Tij çdo gjë ka kaluar nga hiçi i plotë në mbretërinë e qenies. Si mundet, pra, krijesa të cilën e ka krijuar fjala e Perëndisë të kuptojë natyrën e Atij Që është i Lashti i Kohëve?

-~-

CXLIX. Çdo njeriu që, në këtë Ditë, do të ngrihej e me shkëputje absolute nga gjithçka ndodhet në qiell e mbi tokë do t’ia përkushtonte dashurinë Atij Që është Agimi i Revelacionit të shenjtë të Perëndisë, me të vërtetë do t’i jepej aftësia për të nënshtruar të gjitha gjërat e krijuara nëpërmjet fuqisë së njërit prej Emrave të Zotit, Perëndisë së Tij, të Gjithëdijshmit, Urtiplotit. Dije me siguri, se Dielli i së Vërtetës, në këtë Ditë, ka përhapur mbi botë një ndriçim të tillë që epokat e kaluara kurrë nuk e kanë parë. Le të shkëlqejë mbi ju, o njerëz, drita e lavdisë së Tij, dhe mos jini neglizhentë.

-~-

CL. Kur të ketë ardhur fitorja, çdo njeri do ta shpallë veten besimtar dhe do të nxitojë të strehohet nën besimin e Perëndisë. Lum ata që në ditët kur sprovat kanë përfshirë botën kanë qëndruar të patundur në Kauzën dhe nuk janë larguar nga e vërteta e saj.

-~-

CLI. Çlirohuni, o bilbila të Perëndisë, nga gjembat e drizat e fatkeqësisë e të mjerimit, dhe shkoni fluturim në kopshtin e trëndafilave të shkëlqimit të pashuar. O miqtë e Mi që jetoni në pluhur! Nxitoni për në banesën tuaj qiellore. Njoftojini vetes suaj lajmin e gëzuar: “Ai Që është i Shumëdashuri ka ardhur! Ai e ka kurorëzuar Veten me Lavdinë e Revelacionit të Perëndisë dhe ka hapur para njerëzve dyert e Parajsës së Tij të lashtë.” Le të gëzohen të gjithë sytë dhe të kënaqet çdo vesh, sepse tani është koha për të soditur bukurinë e Tij, tani është koha e përshtatshme për të dëgjuar zërin e Tij. I shpallni çdo dashuruesi të përgjëruar: “Shikoni, i Shumëdashuri juaj ka ardhur midis njerëzve!” dhe lajmëtarëve të Monarkut të dashu¬risë u njoftoni lajmin e mirë: “Ja, i Adhuruari është shfaqur, i veshur me tërë lavdinë e Tij!” O dashu¬rues të Bukurisë së Tij! Kthejeni ankthin e ndarjes prej Tij në gëzim të një ribashkimi të përjetshëm, dhe le të largojë ëmbëlsia e pranisë së Tij hidhërimin e largësisë suaj nga oborri i Tij.

Shikoni sesi mirësitë e shumta të Perëndisë, që vërshojnë nga retë e lavdisë Hyjnore, kanë përfshirë botën në këtë ditë. Sepse, ndërsa në ditët e shkuara çdo i dashu¬ruar donte e kërkonte të Shumë¬dashurin e tij, tani është Vetë i Shumëdashuri që thërret dashuruesit e Tij dhe i fton ata të vijnë në praninë e Tij. Kini mendjen mos e humbisni një favor kaq të çmuar; bëni kujdes mos e nënvleftësoni një shenjë kaq të dukshme të mirësisë së Tij. Mos hiqni dorë nga përfitimet që kurrë s’kanë fund dhe mos u kënaqni me atë që prishet e vdes. Ngrijeni vellon që errëson shikimin tuaj dhe largojeni errësirën që e mbështjell, që të mund të soditni bukurinë e pambuluar të fytyrës së të Shumë¬dashurit, që të shihni atë që askush s’e ka parë e të dëgjoni atë që asnjë vesh nuk e ka dëgjuar.

Më dëgjoni, o ju zogj të vdekshëm! Në Kopshtin e Trën¬dafilave të shkëlqimit të përher¬shëm ka nisur të lulëzojë një Lule, në krahasim me të cilën çdo lule tjetër s’është veçse një gjemb dhe para shkëlqimit të lavdisë së të Cilës vetë thelbi i bukurisë zbehet e venitet. Ngrihuni, pra, dhe me tërë entuziazmin e zemrave tuaja, me tërë pasionin e shpirtrave tuaj, me tërë zjarrin e vullnetit tuaj, me përpjekjet e përqendruara të gjithë qenies suaj, mundohuni të arrini parajsën e Pranisë së Tij, përpiquni të thithni aromën e Lules që s’vyshket kurrë, të thithni aromat e ëmbla të shenjtërisë dhe të merrni një pjesëz të këtij parfumi të lavdisë qiellore. Kushdo që e ndjek këtë këshillë do t’i këpusë zinxhirët, do të shijojë fuqinë rrëmbenjëse të dashurisë magje¬psëse, do të arrijë dëshirën e zemrës së tij dhe do ta lërë shpirtin e vet në duart e të Shumëdashurit të tij. Duke shpërthyer kafazin e tij, ai do të fluturojë, si zogu i shpirtit, për në çerdhen e tij të shenjtë e të përjetshme.

Netët kanë pasuar ditët dhe ditët kanë pasuar netët, orët e momentet e jetës suaj kanë ardhur e kanë shkuar e, megjithatë, asnjëri prej jush nuk ka pranuar, qoftë edhe për një çast, të shkëputet nga ajo që është e vdekshme. Shkun¬duni, që ato çaste të shkurtëra që ende ju kanë mbetur të mos ikin kot e të humbasin. Me shpejtësinë e vetëtimës do të kalojnë ditët tuaja dhe trupat tuaj do të shtrihen për t’u prehur nën një mbulesë pluhuri. Çfarë mund të arrini ju atëherë? Si mund ta shlyeni atë që nuk keni bërë në të kaluarën?

Qiriri i përjetshëm ndriçon me lavdinë e tij që duket sheshit. Shihni si ka djegur ai çdo perde të vdekshme. O ju që e doni dritën e tij si fluturat e natës! I bëni ballë çdo rreziku dhe ia kushtoni shpirtrat tuaj flakës së tij gllabë¬ruese. O ju që keni etje për Të! Zhvishuni nga çdo dashuri tokësore dhe nxitoni të përqafoni të Shumëdashurin tuaj. Me zell të pashoq nxitoni të arrini pranë Tij. Lulja, deri tani e fshehur nga shikimi i njerëzve, është zbuluar para syve tuaj. Ai qëndron para jush në tërë shkëlqimin e lavdisë së Tij. Zëri i Tij i fton të gjitha qeniet e shenjta e të shenjtëruara të bashkohen me Të. Lum ai që kthehet drejt Tij; lum ai që ka arritur e ka soditur dritën e një shëmbëlltyre kaq të mahnitshme.

-~-

CLII. Syri yt më është besuar Mua, mos lejo që pluhuri i dëshirave të kota të veshë shkëlqimin e tij. Veshi yt është shenjë e bujarisë Sime, mos lër që trazira e synimeve të padenja ta largojë atë nga Fjala Ime që përfshin mbarë krijimin. Zemra jote është thesari Im, mos lejo që dora tradhtare e egos të t’i grabisë margaritarët që kam vendosur Unë atje. Dora jote është simbol i dashamirësisë Sime, mos e pengo atë të mbahet fort pas Tabelave të Mia të ruajtura e të fshehura… Pa Ma kërkuar, Unë kam lëshuar mbi ty mirësinë Time. Pa Ma lypur, Unë kam plotësuar dëshirën tënde. Edhe pse nuk e ke merituar, Unë të kam zgjedhur për të të dhuruar favoret e Mia më të pasura, të pallogaritshme… O shërbëtorë të Mi! Jini të përunjur e të nënshtruar si toka, që nga trualli i qenies suaj të lulëzojnë zymbylat kundërmues, të shenjtë e shumëngjyrësh të dijes Sime. Jini flakërues si zjarri, që të mund të digjni perdet e moskokë¬çarjes dhe të ndizni me energjitë gjallëruese të dashurisë së Perën¬disë zemrën e ngrirë e të zvetë¬nuar. Jini të lehtë e të çpenguar si flladi, që të mund të lejoheni në rrethinat e oborrit Tim, në Tempullin Tim të padhunueshëm.

-~-

CLIII. O mik i mërguar e besnik! Shuaje etjen e shkujdesjes me ujërat e shenjtëruar të mirësisë Sime dhe dëboje errësirën e largësisë me dritën mëngjesore të Pranisë Sime hyjnore. Mos lejo që godina ku jeton dashuria Ime e pashuar për ty të shkatërrohet nga tirania e dëshirave lakmitare, dhe mos e errëso bukurinë e të Riut qiellor me pluhurin e egoizmit e të pasionit. Vishu me thelbin e drejtësisë, dhe le të mos i trembet zemra jote askujt veç Perëndisë. Mos e pengo burimin e ndritshëm të shpirtit tënd me gjemba e driza ndjenjash dashurie të kota e të çrregullta dhe mos e ndalo rrjedhjen e ujërave të gjalla që dalin nga gurra e zemrës sate. Mbështete gjithë shprsën te Perëndia dhe mBahá fort pas mëshirës së Tij që kurrë nuk mungon. Kush tjetër, veç Tij, mund të begatojë të këputurin dhe të shpëtojë të rrëzuarin nga rënia?

O shërbëtorë të Mi! Sikur ju të zbulonit oqeanet e fshehura e të pafund të pasurisë Sime që s’ka prishje, ju me siguri do ta vlerë¬sonit si një hiç botën, madje mbarë krijimin. Le të digjet flaka e kërki¬mit me një zjarr të tillë në zemrat tuaja sa t’ju bëjë të arrini qëllimin tuaj suprem e më të lartësuar – pozitën në të cilën ju mund të afroheni pranë e të bashkoheni me të Shumëdashurin tuaj…

O shërbëtorë të Mi! Mos lini që shpresat tuaja të kota e fantazitë boshe të dobësojnë themelet e besimit tuaj te Perëndia Lavdiplotë, sepse imagjinata të tilla kanë qenë pa asnjë përfitim për njerëzit dhe nuk i kanë drejtuar hapat e tyre në Rrugën e drejtë. Mos vallë mendoni ju, o shërbë¬torë të Mi, se Dora e sovranitetit Tim gjithpërfshirës, të përkryer e që mbulon gjithçka është e lidhur me pranga, se rrjedha e mëshirës Sime të lashtë, të pareshtur e gjith¬për-shkuese ka ndalur, ose se retë e favoreve të Mia sublime e të pashoqe kanë pushuar së lëshuari dhuratat e tyre mbi njerëzit? A mund të imagjinoni ju se veprat e mahnitshme që kanë proklamuar pushtetin Tim hyjnor e të papër-mbajtshëm janë tërhequr, ose se forca e vullnetit dhe e qëllimit Tim është penguar të drejtojë fatet e njerëzimit? Në qoftë se nuk është kështu, përse pra ju jeni përpjekur të ndalonit Bukurinë e pavdek¬shme të Shëmbëlltyrës Sime të shenjtë e të hirshme që të zbulohej në sytë e njerëzve? Përse keni luftuar që ta pengonit Manifes¬timin e Qenies së Gjithë¬fuqishme e Lavdiplotë të përhapte ndriçimin e Revelacionit të Tij mbi tokë? Po të ishit të ndershëm në gjykimin tuaj, ju do ta shihnit lehtë sesi realitetet e të gjitha gjërave të kriju¬ara janë dehur nga gëzimi i këtij Revelacioni të ri e të mahnitshëm, sesi të gjitha atomet e tokës janë ndriçuar nga shkëlqimi i lavdisë së tij. E kotë dhe e mjerë është ajo që ju keni imagjinuar e që ende imagjinoni!

Rikthehuni në hapat tuaj, o shërbëtorë të Mi, dhe i mbështetni zemrat tuaja tek Ai që është Burimi i krijimit tuaj. Çlirohuni nga dëshirat tuaja të liga e të mbrap-shta, dhe nxitoni të për¬qafoni dritën e Zjarrit të pavdek-shëm që kuqëlon mbi Sinain e këtij Revela¬cioni misterioz e të përkryer. Mos e prishni Fjalën e shenjtë, gjithpër¬fshirëse e parësore të Perëndisë dhe mos kërkoni të përdhosni shenjtërinë e saj ose të poshtëroni karakterin e saj të lartësuar. O ju njerëz moskokë¬çarës! Edhe pse mrekullitë e mëshirës Sime kanë përfshirë të gjitha gjërat e krijuara, si të dukshme dhe të padukshme, e nëpërmjet revelimit të dasha¬mirë¬sisë e të bujarisë Sime kanë për¬shkuar çdo atom të universit, shkopi me të cilin Unë mund të dënoj të ligjtë është i pamëshir¬shëm dhe rreptësia e zemërimit Tim kundër tyre është e tmerr¬shme. Me veshët të spastruar nga mendje-madhësia e nga dëshirat tokësore, dëgjoni këshillat që Unë, me mirësinë Time zemërdhemb¬shur, ju kam reveluar dhe me sytë tuaj të brendshëm e të jashtëm shikoni provat e Revelacionit Tim të mahnitshëm…

O shërbëtorë të Mi! Mos ia mohoni vetes Dritën e pashuar e të shndritshme që shkëlqen në Llambën e lavdisë Hyjnore. Lëreni flakën e dashurisë së Perëndisë të digjet me shkëlqim brenda zemra¬ve tuaja të ndritshme. Ushqejeni atë me vajin e udhërrëfimit hyjnor dhe mbrojeni brenda strehës së besnikërisë suaj. Ruajeni atë brenda globit të besimit e të shkëputjes nga gjithçka tjetër veç Perëndisë, në mënyrë që pëshpëritjet e liga të të pafeve të mos e shuajnë dritën e saj. O shërbëtorë të Mi! Revela¬cioni Im i shenjtë dhe i urdhëruar në mënyrë hyjnore mund të krahasohet me një oqean, në thellësitë e të cilit fshihen margari¬tarë të panumërt me vlerë të madhe e me shkëlqim të pakraha¬sueshëm. Është detyrë e çdo kër¬kuesi të mobilizohet e të përpiqet të arrijë brigjet e këtij oqeani, për të mundur që, në përputhje me zellin e kërkimit e me përpjekjet që ka bërë, të ketë ato përfitime që janë caktuar në Tabelat e pa¬kundër¬shtueshme e të fshehta të Perëndisë. Në qoftë se askush nuk do të dëshironte t’i drejtonte hapat nga këto brigje, në qoftë se asnjeri nuk do të ngrihej për ta gjetur Atë, a mund të thuhet se një dështim i tillë ia ka grabitur këtij oqeani fuqinë ose se ia ka pakësuar në njëfarë mënyre thesaret? Sa të kota, sa të përçmuara janë imagji-natat që kanë sajuar dhe ende sajojnë zemrat tuaja! O shërbëtorë të Mi! I vetmi Perëndi i vërtetë Më është dëshmitar! Ky Oqean kaq i madh, i pafund e i valëzuar është pranë, çuditërisht pranë jush. Shikoni, ai është më pranë jush sesa damari i qafës suaj! Veç të dëshironi dhe aq shpejt, sa të hapësh e mbyllësh sytë, ju mund ta arrini atë dhe të merrni nga ky favor i përjetshëm, nga kjo mirësi e dhënë prej Perëndisë, nga kjo dhuratë që s’ka prishje, nga kjo bujari e fuqishme dhe e lavdishme sa s’thuhet.

O shërbëtorë të Mi! Sikur ta kuptonit se çfarë mrekullish të bollëkut e të bujarisë Sime kam dashur t’u besoj shpirtrave tuaj, ju me të vërtetë do ta çlironit veten nga tërheqja pas të gjitha gjërave të krijuara dhe do të fitonit një dije të vërtetë për vetveten – dije që është e njëjtë me kuptimin e vetë Qenies Sime. Ju do ta gjenit veten të pavarur nga çdo gjë veç Meje, dhe do të shihnit, me sytë tuaj të brendshëm e të jashtëm, aq qartë sa revelimi i emrit Tim të shndritshëm, detet e dashamirësisë e të bujarisë Sime të lëvizin brenda jush. Mos i lejoni fantazitë tuaja të kota, pasionet tuaja të mbrapshta, mossinqeritetin tuaj dhe verbërinë e zemrës të errësojë shkëlqimin, ose të njollosë shenjtërinë, e një pozite kaq të lartë. Ju jeni si ai zogu që fluturon lart në pafundë¬sinë e qiejve, me tërë forcën e krahëve të tij të fuqishëm, me besim të plotë e gazmor, derisa i detyruar të kënaqë urinë e tij, kthehet i etur tek uji e balta e tokës poshtë tij dhe, i zënë në grackën e dëshirës së tij, ndihet i pafuqishëm për të rimarrë fluturimin e tij drejt mbretërive nga kishte ardhur. I pafuqishëm të shkundë barrën që peshon mbi krahët e tij të lerosur, ai zog, deri atëherë banor i qiejve, është i detyruar tani të kërkojë një banesë në pluhur. Prandaj, o shërbëtorë të Mi, mos i lerosni krahët tuaj me baltën e kokëfortë¬sisë e të dëshirave të kota dhe mos lejoni që ata t’ju njollosen me pluhurin e cmirës e të urrejtjes, që të mos pengoheni të fluturoni në qiejt e dijes Sime hyjnore.

O shërbëtorë të Mi! Përmes fuqisë së Perëndisë e pushtetit të Tij, kam nxjerrë e ju kam reveluar prej thesarit të dijes e të urtisë së Tij margaritarët e fshehur në thellësitë e oqeanit të Tij të përjetshëm. Unë i kam ftuar Shërbëtoret e Qiellit të heqin vellon e fshehjes dhe i kam veshur ato me këto fjalë të Miat – fjalë fuqie e urtie të përsosur. Unë, për më tepër, kam hapur me dorën e fuqisë hyjnore verën e zgjedhur të Revelacionit Tim dhe kam përhapur aromën e saj të fshehur, të shenjtë e të parfumuar mbi të gjitha gjërat e krijuara. Kush tjetër veçse ju vetë është për t’u qortuar në rast se preferoni të mbeteni të privuar nga një mirësi kaq e madhe, e përkryer e gjithpër-fshirëse e Perëndisë, nga një revelacion kaq i ndritshëm i mëshirës së Tij të shkël¬qyeshme?…

O shërbëtorë të Mi! Në zemrën Time nuk shkëlqen asgjë tjetër veç dritës së pashuar të Mëngjesit të udhërrëfimit Hyjnor, dhe prej gojës Sime nuk del asgjë tjetër veç thelbit të së vërtetës, që Zoti Perëndia juaj ka reveluar. Prandaj mos rendni pas dëshirave tuaja tokësore dhe mos shkelni Besëlidhjen e Perëndisë, e as zotimin tuaj ndaj Tij. Me vendosmëri të patundur, me gjithë dashurinë e zemrës suaj dhe me tërë forcën e fjalëve tuaja, kthehuni drejt Tij dhe mos shkoni në rrugën e të marrëve. Bota s’është veçse një dukje, e kotë e boshe, thjesht një hiç, që vetëm i ngjan realitetit. Mos ia kushtoni asaj dashurinë tuaj. Mos e këputni lidhjen që ju bashkon me Krijuesin tuaj dhe mos jini ndër ata që kanë gabuar e janë larguar nga rruga e Tij. Me të vërtetë Unë ju them: bota është si mirazhi në shkretëtirë, të cilin i eturi e kujton ujë dhe orvatet me të gjitha forcat ta arrijë, derisa kur e arrin e kupton se është vetëm një iluzion. Ajo mund të krahasohet, për më tepër, me imazhin e pajetë të së dashurës, që dashnori e ka kërkuar dhe, më në fund, pas një kërkimi të gjatë e ka gjetur, por me keqardhjen më të madhe të tillë që nuk mund “ta ngopë as të qetësojë urinë e tij”.

O shërbëtorë të Mi! Mos u hidhëroni në qoftë se, në këtë ditë e në këtë tokë, nga Perëndia janë urdhëruar e manifestuar gjëra që janë në kundërshtim me dëshirat tuaja, sepse ditë gëzimi të hareshëm, kënaqësie qiellore janë ruajtur në mënyrë të sigurt për ju. Botë, të shenjta e shpirtërisht të lavdishme, do të zbulohen para syve tuaj. Ju jeni destinuar prej Tij, në këtë botë dhe në atë të ardhme, të jeni pjesëtarë në përfitimet e tyre, të merrni pjesë në gëzimet e tyre dhe të fitoni një pjesë të mirësisë së tyre mbështetëse. Në secilën e te cilado prej tyre ju, padyshim, do të arrini.

-~-

CLIV. Paralajmëroji, o Salmán, të shumëdashurit e të vetmit Perëndi të vërtetë, të mos i shohin me sy shumë kritik thëniet dhe shkrimet e njerëzve. Përkundrazi, t’i shohin thënie e shkrime të tilla në frymën e mirëkuptimit, me simpati e dashamirësi. Por ata njerëz që, në këtë Ditë, janë prirur të sulmojnë, në shkrimet e tyre nxitëse, parimet e Kauzës së Perëndisë, duhet të trajtohen ndryshe. Është detyrë e të gjithë njerëzve që, secili sipas aftësisë së tij, të hedhin poshtë argumentat e atyre që kanë sul¬muar Besimin e Perëndisë. Kështu ka urdhëruar Ai që është Fuqiploti, i Gjithëpushtetshmi. Ai që dëshi¬ron të përhapë Kauzën e të vetmit Perëndi të vërtetë, le ta përhapë atë me pendën dhe gjuhën e tij dhe jo të përdorë shpatën ose dhunën. Në një rast të mëparshëm Ne e kemi reveluar këtë urdhër dhe tani e konfirmojmë atë, në qofshi ndër ata që kuptojnë. Për drejtësinë e Atij që, në këtë Ditë, thërret në zemrën e të gjitha gjërave të krijuara: “Perëndi, nuk ka Perëndi tjetër veç Meje!” Sikur një njeri të ngrihej për të mbrojtur, në shkrimet e tij, Kauzën e Perëndisë, kundër atyre që e sulmojnë, një njeri i tillë, sado e papërfillshme të jetë ndihmesa e tij, do të jetë kaq i nderuar në botën që do të vijë, saqë Tubimi i epërm do ta ketë zili lavdinë e tij. Asnjë pendë nuk mund të përshkruajë sa sublime është pozita e tij, as ndonjë gjuhë nuk mund të tregojë shkëlqimin e saj. Sepse cilitdo që qëndron fort e i patundur në këtë Revelacion të shenjtë, të lavdishëm e të lartë, do t’i jepet një pushtet i tillë që do t’i japë mundësi t’i bëjë ballë e t’i qëndrojë çdo gjëje që është në qiell e mbi tokë. Perëndia është Vetë dëshmitar për këtë.

O ju të shumëdashur të Perëndisë! Mos u prehni në shtretërit tuaj, por çohuni dhe, sapo të njihni Zotin tuaj, Krijuesin, e të dëgjoni gjërat që i kanë ndodhur Atij, nxitoni në ndihmë të Tij. Zgjidhini gjuhët dhe shpallni pareshtur Kauzën e Tij. Kjo do të jetë më mirë për ju se të gjitha thesaret e së shkuarës dhe të së ardhmes, në qofshi ndër ata që e kuptojnë këtë të vërtetë.

-~-

CLV. Detyra e parë që Perëndia u ka caktuar shërbëtorëve të Vet është të njohin Atë Që është Agimi i Revelacionit të Tij dhe Gurra e ligjeve të Tij, që përfaqë¬son Hyjninë si në Mbretërinë e Kauzës së Tij dhe në botën e krijimit. Kushdo që e kryen këtë detyrë ka arritur gjithë të mirat; dhe kushdo që është i privuar nga kjo ka humbur rrugën, edhe sikur të ketë kryer veprat më të denja. Është detyrë e cilitdo që arrin këtë pozitë kaq sublime, këtë majë lavdie të përkryer, të zbatojë çdo porosi të Atij Që është Dëshira e botës. Këto detyra binjake janë të pandara. Asnjëra nuk është e pranueshme pa tjetrën. Kështu ka dekretuar Ai Që është Burimi i frymëzimit Hyjnor.

Ata që Perëndia i ka pajisur me intuitë do ta pranojnë me lehtësi se porositë e dhëna nga Perëndia përbëjnë mjetet supreme për ruajtjen e rendit në botë dhe për sigurinë e popujve të saj. Ai që u kthen shpinën atyre është mjeran e i marrë. Me të vërtetë, Ne ju kemi urdhëruar të flakni diktatin e pasioneve të liga e të dëshirave të mbrapshta dhe të mos i kapërceni caqet që Penda e Më të Lartit ka caktuar, sepse ato janë fryma e jetës për të gjitha gjërat e krijuara. Detet e urtisë Hyjnore e të fjalës Hyjnore janë fryrë nga flladi i Mëshirëplotit. Nxitoni të pini plot kupën, o njerëz me mend! Ata që kanë shkelur Besëlidhjen e Perën¬disë, duke dhunuar porositë e Tij, dhe janë kthyer mprapsht, kanë gabuar rëndë në sytë e Perëndisë, Gjithëzotëruesit, Më të Lartit.

O ju popuj të botës! Dijeni me siguri se porositë e Mia janë llambat e provanisë Sime dasha¬mirëse midis shërbëtorëve të Mi dhe çelësat e mëshirës Sime për krijesat e Mia. Kjo është dërguar nga qielli i Vullnetit të Zotit tuaj, Zotit të Revelacionit. Sikur ndokush të shijonte ëmbëlsinë e fjalëve që buzët e Mëshirëplotit kanë dashur të shqiptojnë, ai, edhe po të zotëronte të gjitha thesaret e tokës, do të hiqte dorë nga të gjitha këto për të provuar vërtetë¬sinë qoftë edhe të njërës prej porosive të Tij, që shkëlqejnë mbi Agimet e kujdesit bujar e të dashamirësisë së Tij.

Thuaj: Nga ligjet e Mia nuhatet aroma e këndshme e rrobës Sime dhe me ndihmën e tyre flamujt e fitores do të ngulen në majat më të larta. Gjuha e pushtetit Tim i ka drejtuar nga qielli i lavdisë Sime fuqiplotë krijimit Tim këto fjalë: “Zbato porositë e Mia, për hir të bukurisë Sime”. Lum dashuruesi që ka thithur aromën hyjnore të të Shumëdashurit të tij prej këtyre fjalëve të mbushura me kundër¬mimin e një mirësie që asnjë gjuhë s’e përshkruan dot. Për jetën Time! Ai që ka pirë verën e zgjedhur të drejtësisë nga duart e mirëdashjes Sime bujare, do të sillet rreth porosive të Mia, që shkëlqejnë përmbi Agimin e krijimit Tim.

Mos mendoni se Ne ju kemi reveluar thjesht një kod ligjesh. Jo, madje me gishtat e fuqisë e të pushtetit, Ne kemi hapur Verën e zgjedhur. Për këtë dëshmon ajo që ka reveluar Penda e Revelacionit. Përsiateni këtë, o njerëz me intuitë! ...

Sa herë që ligjet e Mia dalin si dielli në qiellin e thënieve të Mia, ato duhet të zbatohen besnikërisht nga të gjithë, edhe në qoftë urdhëri Im i tillë që të çajë më dysh qiellin e çdo feje. Ai bën ç’i pëlqen. Ai zgjedh, dhe askush nuk mund ta vërë në pikëpyetje zgjedhjen e Tij. Çdo gjë që Ai, i Shumëdashuri, urdhëron, vetë kjo gjë është, me të vërtetë, e shumë¬dashur. Për këtë Më është dëshmitar Ai që është Zoti i çdo krijimi. Kushdo që ka nuhatur aromën e këndshme të Mëshirë¬plotit dhe ka njohur Burimin e kësaj thënieje, do t’i mirëpresë me vetë sytë e tij shigjetat e armikut, për të përhapur të vërtetën e ligjeve të Perëndisë midis njerëzve. Lum ai që është kthyer ndaj tyre dhe e ka kuptuar domethënien e urdhërit të Tij vendimtar.

-~-

CLVI. Ai Që është e Vërteta e për¬jetshme, prej Agimit të Lavdisë i ka kthyer sytë nga njerëzit e Bahá·it, duke u drejtuar atyre këto fjalë: “Kushtojuni përparimit të mirëqenies e të qetësisë së bijve të njerëzve. Prireni mendjen e vull¬netin nga edukimi i popujve e i fiseve të tokës, dhe ndoshta mos¬marrëveshjet që e përçajnë, me fuqinë e Emrit Më të Madh, do të zhduken nga faqja e saj dhe gjithë njerëzit do të bëhen përkrahës të një rendi të vetëm e banorë të një Qyteti. Ndriçojini e spastrojini zemrat tuaja; mos lejoni që ato të ndoten nga gjembat e urrejtjes ose nga drizat e ligësisë. Ju jetoni në një botë të vetme dhe jeni krijuar nga veprimi i një Vullneti të vetëm. Lum ai që shoqërohet me të gjithë njerëzit në një frymë mirësie e dashurie të thellë.”

-~-

CLVII. Ata që kanë braktisur vendin e tyre për të përhapur mësimin e Kauzës Sonë, ata Shpirti i Besimit do t’i forcojë me fuqinë e tij. Një grup engjëjsh Tanë të zgjedhur do të shkojnë me ta, siç ka urdhëruar Ai që është Fuqiploti, Urtiploti. Ç’bekim i madh e pret atë që ka arritur nderin t’i shërbejë të Fuqiplotit! Për jetën Time! Asnjë vepër, sado e madhe nuk mund të krahasohet me të, veç veprave që janë urdhëruar nga Perëndia, i Gjithëpushtetshmi, Më i Fuqishmi. Një shërbim i tillë është, me të vërtetë, mbreti të gjitha bëmave të mëdha dhe stolia e çdo vepre të madhe. Kështu është urdhëruar prej Atij që është Reveluesi Sovran, i Lashti i Kohëve.

Ai që ngrihet për t’u mësuar njerëzve Kauzën Tonë duhet të shkëputet nga të gjitha gjërat tokësore dhe të konsiderojë në çdo moment triumfin e Besimit Tonë si objektivin e vet më të lartë. Kjo, me të vërtetë, është dekretuar në Tabelën e Ruajtur. Dhe kur Ai vendos të lërë shtëpinë për hir të Kauzës së Zotit të tij, le ta mbështesë tërësisht besimin te Perëndia, si pajisja më e mirë për udhëtimin e tij, dhe të vishet me rrobën e virtytit. Kështu është dekretuar nga Perëndia, Fuqiploti, i Gjithlëvduari.

Në qoftë se ai do të frymëzohet nga zjarri i dashurisë së Tij, në qoftë se do të harrojë të gjitha gjërat e krijuara, fjalët që do të thotë do të ndezin flakë ata që e dëgjojnë. Me të vërtetë, Zoti yt është i Gjithëdijshmi, i Gjithinfor¬muari. Lum njeriu që ka dëgjuar zërin Tonë dhe i është përgjigjur thirrjes Sonë. Ai, me të vërtetë, është ndër ata që do të jenë pranë Nesh.

-~-

CLVIII. Perëndia i ka caktuar secilit detyrën që të shpjegojë Kauzën e Tij. Kushdo që ngrihet për ta kryer këtë detyrë, duhet që, para se të shpallë Mesazhin e Tij, të stoliset me ornamentet e një karakteri të drejtë e të lavdërueshëm, në mënyrë që fjalët e tij të mund të tërheqin zemrat e atyre që i vënë vesh thirrjes së tij. Pa këtë, ai kurrë nuk mund të shpresojë të ndikojë mbi dëgjuesit e tij.

-~-

CLIX. Shikoni meskinitetin e mendjes së njerëzve. Ata kërkojnë atë që i dëmton dhe refuzojnë atë që u sjell përfitim. Ata janë me të vërtetë prej atyre që enden në rrugë të gabuar. Gjejmë njerëz që dëshirojnë lirinë dhe që mburren se e kanë këtë. Njerëz të tillë janë të zhytur në mosdijen më të thellë.

Liria, në fund të fundit, çon medoemos në rebelim, flakët e të cilit askush nuk mund t’i shuajë. Kështu ju paralajmëron Ai Që është Vlerësuesi, i Gjithëdijshmi. Dijeni se mishërimi i lirisë e simboli i saj është kafsha. Ajo që i ka hije njeriut është t’u nënshtrohet kufizimeve të tilla që ta mbrojnë atë nga mosdija e vet dhe ta ruajnë nga kurthet e ngatërrestarëve. Liria e bën njeriun të kalojë kufijtë e mirësjelljes dhe të shkelë dinjitetin e pozitës së tij. Ajo e ul atë deri në nivelin e shthurrjes e të ligësisë së skajshme.

Shikojini njerëzit si një kope dhensh, që kanë nevojë për një bari që t’i mbrojë. Kjo është, në fakt, e vërteta, e vërteta e padis¬kutueshme. Ne e miratojmë lirinë në rrethana të caktuara dhe refu¬zojmë ta mbështesim atë në disa të tjera. Ne jemi, me të vërtetë, i Gjithëdijshmi.

Thuaj: liria e vërtetë qëndron në nënshtrimin e njeriut ndaj urdhërave të Mi, edhe pse ju e kuptoni aq pak këtë. Sikur njerëzit të zbatonin atë që Ne kemi dërguar nga Qielli i revelacionit, ata, me siguri, do të arrinin liri të plotë. Lum kush ka parë Qëllimin e Perëndisë në çdo gjë që ka reveluar Ai nga Qielli i Vullnetit të Tij, që përshkon të gjitha gjërat e krijuara. Thuaj: Liria që ju sjell përfitim nuk gjendet askund, veçse në nënshtrimin e plotë ndaj Perëndisë, të Vërtetës së Përjetshme. Kush ka shijuar ëmbëlsinë e kësaj, nuk do të pranojë ta shkëmbejë atë me tërë sundimin e tokës e të qiellit.

-~-

CLX. Besimtar i vërtetë në unitetin e Perëndisë është ai që, në këtë Ditë, do ta konsiderojë Atë si të lartësuar pamasë mbi të gjitha krahasimet e ngjashmëritë me të cilat njerëzit e kanë krahasuar. Ka gabuar rëndë ai që i ka ngatërruar këto krahasime e ngjashmëri me Vetë Perëndinë. Mendo lidhjen midis artizanit e punës së tij, midis piktorit e pikturës se tij. A mund të thuhet se puna që kanë prodhuar duart e tyre është e njëjta gjë me veten e tyre? Për Atë që është Zoti i Fronit lart e i tokës poshtë! Ato s’mund të konsiderohen veçse si prova që shpallin zotësinë dhe përsosurinë e autorit të tyre.

O Shaykh, o ti që ia ke dorëzuar vullnetin Perëndisë! Dorë¬zim i vetvetes dhe bashkim i përjetshëm me Perëndinë do të thotë që njerëzit ta shkrijnë tërë¬sisht vullnetin e tyre në Vullnetin e Perëndisë dhe t’i shohin dëshirat e veta si një hiç të plotë para Qëllimit të Tij. Çfarëdo që Krijuesi t’i urdhërojë krijesat e Tij të zbatojnë, ato duhet të ngrihen e ta kryejnë me zell e me gëzim të madh. Ato nuk duhet kurrsesi të lejojnë që fantazia t’ua errësojë gjykimin, as duhet t’i konsiderojnë imagjinatat e tyre si zërin e të Përjetshmit. Në Lutjen e Agjërimit Ne kemi reveluar: “Sikur Vullneti Yt të dekretonte që prej gojës Sate të dalin këto fjalë drejtuar atyre: “Zbatoni, për hir të Bukurisë Sime, agjërimin, o njerëz dhe mos i vini kufi zgjatjes së tij”, Unë betohem për madhështinë e lavdisë Sate se të gjithë ata do ta zbatonin bes¬nikërisht atë, do të përmbaheshin nga çdo gjë që do të shkelte ligjin Tënd dhe do të vazhdonin të veprojnë kështu derisa të të japin Ty shpirtrat e tyre.” Në këtë qëndron dorëzimi i plotë i vullnetit të një njeriu te Vullneti i Perëndisë. Mendoni për këtë, që të mund të pini nga ujërat e jetës së përjet¬sh¬me, të cilat rrjedhin përmes fjalëve të Zotit të mbarë njerëzimit, dhe të mund të dëshmoni se i vetmi Perëndi i vërtetë gjithmonë ka qenë pamasë i lartësuar mbi krije¬sat e Tij. Ai është, me të vërtetë, i Pakrahasueshmi, Përherë i Pra-nishmi, i Gjithë¬dijshmi, Urtiploti. Pozita e dorëzimit absolut të vet¬vetes kapërcen dhe do të mbetet gjithmonë e lartësuar mbi çdo pozitë tjetër.

Të takon ty t’ia kushtosh veten Vullnetit të Perëndisë. Çdo gjë e reveluar në Tabelat e Tij s’është veçse pasqyrim i Vullnetit të Tij. Përkushtimi yt duhet të jetë aq i plotë, saqë çdo gjurmë dëshirash tokësore të fshihet nga zemra jote. Ky është kuptimi i bashkimit të vërtetë.

Lutju Perëndisë të të japë mundësi të mbetesh i patundur në këtë shteg dhe të të ndihmojë të udhëheqësh popujt e botës drejt Atij që është Sundimtari i sigurt e sovran, Që e ka reveluar Veten me një veshje të veçantë, që shpreh një Mesazh Hyjnor e specifik. Ky është thelbi i besimit e i sigurisë. Ata që adhurojnë idhullin që kanë gdhendur imagjinatat e tyre dhe që e quajnë atë Realitet i Brendshëm, të tillë njerëz numërohen në të vërtetë ndër paganët. Për këtë dëshmon Mëshirëploti në Tabelat e Tij. Ai është, me të vërtetë, i Gjithëdijshmi, Urtiploti.

-~-

CLXI. Shtoji përpjekjet, që ndoshta të mund të udhë¬he¬qësh të afërmin tënd drejt ligjit të Perëndisë, Më të Mëshirshmit. Një veprim i tillë, me të vërtetë, ua kalon të gjitha veprimeve të tjera në sytë e Perëndisë, Gjith¬zotë-ruesit, Më të Lartit. Qëndru¬esh¬mëria jote në Kauzën e Perëndisë duhet të jetë e tillë që asgjë tokë¬sore, çfarëdo qoftë, të mos të të ndalojë dot të kryesh detyrën tënde. Edhe sikur fuqitë tokësore të bashkohen kundër teje, edhe sikur të gjithë njerëzit të të kundër¬vihen ty, ti duhet të mbetesh i patundur.

Ji i lirshëm si era, ndërsa bart mesazhin e Atij Që ka bërë të zbardhë Agimi i Udhërrëfimit Hyjnor. Shih sesi era, besnike ndaj asaj që ka urdhëruar Perëndia, fryn mbi të gjitha rajonet e tokës, të banuara ose të shkreta qofshin. As pamja e shkretimit, as provat e begatisë nuk mund t’i shkaktojnë asaj dhimbje ose kënaqësi. Ajo fryn nga çdo drejtim, siç e ka urdhëruar Krijuesi i saj. Kështu duhet të jetë cilido që pretendon se është dashurues i të vetmit Perëndi të vërtetë. Ai e ka për detyrë ta ngulë shikimin mbi themelet e Besimit të Tij dhe të punojë me zell për përhapjen e tyre. Krejtësisht për hir të Perëndisë, ai duhet të shpallë Mesazhin e Tij dhe në të njëjtën frymë të pranojë çdo lloj përgjigje që fjalët e tij mund të shkaktojnë te dëgjuesi i tij. Ai që do të pranojë e besojë do të marrë shpërblimin e tij; ai që do të largohet s’do të marrë gjë tjetër veç dënimit të vet.

Në prag të nisjes Sonë nga Iraku, i para¬lajmë-ruam besnikët të prisnin daljen e Zogjve të Errë¬sirës. Nuk ka asnjë dyshim se krokatja e Korbit do të dëgjohet në vende të caktuara, siç është dëgjuar viteve të fundit. Çfarëdo që të ngjasë, kërko strehë tek i vetmi Perëndi i vërtetë, që Ai të të mbrojë nga kurthet e mashtruesit.

Me të vërtetë ju them se në këtë Revelacion kaq të fuqishëm, të gjitha Dispensacionet e së kalu¬arës kanë arritur përsosurinë e tyre më të lartë, përfundimtare. Kështu ju këshillon Zoti juaj, i Gjithë¬dijshmi, Urtiploti. Lavduar qoftë Perëndia, Zoti i të gjitha botëve.

-~-

CLXII. Mëshirëploti i ka dhënë njeriut aftësinë e të parit dhe e ka pajisur atë me fuqinë e të dëgjuarit. Disa e kanë përshkruar atë si “bota e vogël”, ndërsa në të vërtetë ai duhet parë si “bota e madhe”. Mundësitë e brendshme që karak¬terizojnë pozitën e njeriut, tërësia e fatit që i është caktuar atij mbi tokë, përsosuria e lindur e realitetit të tij, të gjitha do të manifestohen në këtë Ditë të premtuar të Perëndisë.

Penda e Më të Lartit gjith¬monë e në të gjitha rrethanat i ka kujtuar me gëzim e dhembshuri të dashurit e Tij, dhe i ka këshilluar ata të ndjekin rrugën e Tij. Lum ai që ndryshimet dhe shanset e kësaj bote nuk e kanë penguar dot të njohë Agimin e Unitetit të Perëndisë, ai që ka shijuar, me vendosmëri të patundur e në emër të të Vetqenëshmit, verën e vulosur të Revelacionit të tij. Një njeri i tillë do të radhitet me banorët e Parajsës në Librin e Perëndisë, Zotit të të gjitha botëve.

-~-

CLXIII. Lëvduar qoftë Perëndia që e ka stolisur botën me një orna¬ment dhe e ka veshur atë me një rrobë, nga të cilat nuk mund ta zhveshë asnjë fuqi tokësore, sado të fuqish¬me të jenë batalionet e saj, sado e madhe të jetë pasuria e saj, sado i thellë të jetë ndikimi i saj. Thuaj: thelbi i çdo fuqie vjen nga Perëndia, më i larti e i fundit Qëllim i gjithë krijimit. Burimi i çdo madhë¬shtie vjen nga Perëndia, Objekti i adhuri¬mit të gjithçkaje është në qiej e mbi tokë. Forcat që e kanë prejardhjen në këtë botë të pluhurit janë, nga vetë natyra e tyre, të padenja për t’u marrë në konsideratë.

Thuaj: Burimet që ush¬qejnë jetën e këtyre zogjve nuk janë të kësaj bote. Burimi i tyre është shumë lart tej arritjes e njohjes së kuptimit njerëzor. Kush mund të shuajë dritën që Dora borë e bardhë e Perëndisë ka ndezur? Ku mund të gjendet ai që ka aq pushtet sa të shuajë zjarrin që është ndezur nga fuqia e Zotit tënd, të Gjithëpushtet-shmit, Gjithë¬detyruesit, të Fuqiplotit? Është Dora e fuqisë Hyjnore që ka shuar flakët e grindjes. Ai ka fuqi të bëjë atë që i pëlqen. Ai thotë: U bëftë dhe bëhet. Thuaj: Stuhitë e ciklonet e egra të botës e të popujve të saj kurrë nuk mund të lëkundin themelet mbi të cilat është bazuar stabiliteti prej graniti i të zgjedhurve të Mi. Perëndi i mëshirshëm! Çfarë i ka shtyrë këta njerëz të skllavërojnë e burgosin të dashurit e Atij që është e Vërteta e Përjetshme?… Por dita po afrohet, kur besnikët do të shohin Diellin e Drejtësisë të ndriçojë me tërë shkëlqimin nga Agimi i lavdisë. Kështu të mëson Zoti i të gjitha qenieve në këtë Burg të vështirë të Tij.

-~-

CLXIV. Pjesëtarë të racës njerëzore! Mbahuni fort pas Fillit që askush nuk mund ta këputë. Ky, me të vërtetë, do t’ju sjellë dobi në të gjitha ditët e jetës suaj, sepse fuqia e tij vjen nga Perëndia, Zoti i të gjitha botëve. Përmbajuni drejtësisë e ndershmë¬risë dhe shmangiuni pëshpëritjeve të të marrëve, të atyre që janë larguar nga Perëndia, që kanë vënë mbi kokë ornamentet e të diturve dhe që kanë dënuar me vdekje Atë Që është Burimi i urtisë. Emri Im i ka ngritur ata në poste të larta, megjithatë, sapo Unë e revelova Veten Time në sytë e tyre, ata, në mënyrë haptazi të padrejtë, shpallën dënimin Tim me vdekje. Kështu ka reveluar të vërtetën Penda Jonë, por përsëri njerëzit janë zhytur në moskokëçarje.

Kushdo që i përmbahet drejtësisë, kurrsesi nuk mund t’i kapërcejë kufijtë e moderimit. Ai e dallon të vërtetën në të gjitha gjërat, përmes udhëheqjes së Atij që është Gjithëshikuesi. Qytetë¬rimi, i lavdëruar aq shpesh nga eksponentët e ditur të arteve e të shkencave, do t’u sjellë njerëzve të këqija të mëdha, po të lejohet të kapërcejë kufijtë e moderimit. Kështu ju paralajmëron Ai Që është i Gjithëdijshmi. Po të çohet në tepri, qytetërimi do të jetë një burim po aq pjellor i së keqes, sa ç’ka qenë burim i së mirës kur është mbajtur brenda kufijve të moderimit. Meditoni për këtë, o njerëz, dhe mos jini ndër ata që enden të hutuar në shkretëtirën e gabimit. Po afrohet dita kur flaka e Tij do të gllabërojë qytetet, kur Gjuha e Madhështisë do të shpallë: “Mbretëria është e Perëndisë, të Fuqiplotit, të Gjith¬lëvduarit!”

Të gjitha gjërat e tjera i nënshtrohen po këtij parimi të moderimit. Falëndero Zotin tënd Që të ka kujtuar ty në këtë Tabelë të mahnitshme. Lëvduar qoftë Perëndia, Zoti i Fronit të lavdi¬shëm.

Sikur çdo njeri të peshonte në zemrën e tij atë që ka reveluar Penda e Më të Lartit dhe të pro¬vonte ëmbëlsinë e saj, ai, me siguri, do ta shihte veten të zbrazur e të çliruar nga dëshirat e veta, dhe do t’i nënshtrohej tërësisht Vullnetit të të Fuqiplotit. Lum njeriu që ka arritur një pozitë kaq të lartë dhe nuk ia ka mohuar vetes një mirësi kaq bujare.

Në këtë Ditë, Ne as nuk miratojmë sjelljen e frikacakut që kërkon të fshehë besimin e tij, as nuk aprovojmë sjelljen e besimtarit të hapur, që pohon me zhurmë besnikërinë e tij për këtë Kauzë. Që të dy duhet të zbatojnë atë që dikton urtia dhe të përpiqen t’u shërbejnë me zell interesave të larta të Besimit.

Secili le të vrojtojë e të meditojë për sjelljen e këtij të Munduari. Ne, që nga agimi i këtij Revelacioni deri në kohën e tanishme, kemi refuzuar qoftë që të fshehim Veten Tonë nga armiqtë Tanë, qoftë që të tërhi¬qemi nga shoqëria e miqve Tanë. Megjithëse Na kanë rënë mbi kokë mijëra halle e telashe, Ne, me besim të patundur, u kemi bërë thirrje popujve të tokës në këtë Agim të Lavdisë. Penda e Më të Lartit nuk ka dëshirë të tregojë lidhur me këtë të këqijat që ka vuajtur. Zbulimi i tyre, padyshim, do të zhyste në hidhërim të zgjedhurit midis besnikëve, ata që me të vërtetë mbështesin unitetin e Perëndisë dhe i janë përkushtuar tërësisht Kauzës së Tij. Ai, me të vërtetë, flet të vërtetën dhe është Gjithdëgjuesi, i Gjithëdijshmi. Jeta Jonë ka kaluar, në pjesën më të madhe, midis armiqve Tanë. Shihni sesi Ne jetojmë tani në një çerdhe gjarpërinjsh.

Kjo Tokë e Shenjtë është përmendur e lavdëruar në të gjitha Shkrimet e shenjta. Në të janë shfaqur Profetët e Perëndisë dhe të Zgjedhurit e Tij. Kjo është shkretëtira, në të cilën janë endur të gjithë Lajmëtarët e Perëndisë dhe nga e cila është ngritur thirrja e tyre: “Këtu jam, këtu jam, O Perëndia Im.” Kjo është Toka e premtuar, në të cilën Ai Që është Revelacioni i Perëndisë u destinua të manifestohej. Kjo është Lugina e dekretit të padepërtueshëm të Perëndisë, Vendi borë i bardhë, Toka e shkëlqimit të pashuar. Çfarëdo që ka ndodhur në këtë Ditë është parathënë në Shkrimet e vjetra. Por po këto Shkrime dënojnë njëzëri njerëzit që banojnë në këtë tokë. Ata, në një kohë, janë stigmatizuar si “gjeneratë e nepërkave”. Shikoni sesi ky i Munduar duke qenë tani i rrethuar nga një “gjeneratë nepërkash”, thërret me zë të lartë dhe i fton të gjithë njerëzit tek Ai Që është Dëshira Përfundimtare e botës, Maja dhe Agimi i Lavdisë. Lum njeriu që ka dëgjuar zërin e Atij që është Zoti i Mbretërisë së Fjalës dhe mjerë moskokëçarësit, ata që janë larguar nga e vërteta e Tij.

-~-

CLXV. Dije se çdo vesh që dëgjon, po të mbahet i pastër e i pandotur, duhet që, vazhdimisht e nga çdo drejtim, të dëgjojë zërin e atij që thotë këto fjalë të shenjta: “Me të vërtetë, ne jemi të Perëndisë dhe tek Ai do të kthehemi.” Misteret e vdekjes fizike të njeriut e të kthimit të tij ende nuk janë përhapur dhe deri më sot mbeten të panjohura. Për drejtësinë e Perëndisë! Sikur të reveloheshin, ato do të shkaktonin një frikë e një brengosje të tillë saqë disa do të vdisnin, ndërsa të tjerë do të mbusheshin me aq gëzim sa do të dëshironin vdekjen dhe do t’i luteshin pareshtur me zjarr të vetmit Perëndi të vërtetë – lartësuar qoftë lavdia e Tij – të shpejtonte fundin e tyre.

Vdekja i ofron çdo besim¬tari besnik kupën që është jeta e vërtetë. Ajo jep gëzim dhe sjell kënaqësi. Ajo dhuron dhuntinë e jetës së përjetshme.

Sa për ata që kanë shijuar frytin e ekzistencës tokësore të njeriut, që është njohja e të vetmit Perëndi të vërtetë, lartësuar qoftë lavdia e Tij, jeta e mëtejshme e tyre do të jetë e tillë, që Ne nuk jemi në gjendje ta përshkruajmë. Për këtë ka dije vetëm Perëndia, Zoti i të gjitha botëve.

-~-

CLXVI. Kushdo që del me pretendimin për një Revelacion të drejtpërdrejtë nga Perëndia para se të kenë kaluar plot njëmijë vjet, një njeri i tillë është mashtrues e gënjeshtar. Ne i lutemi Perëndisë ta ndihmojë me dasha-mirësi atë që ta tërheqë e ta hedhë poshtë një pretendim të tillë. Po qe se pendohet, Perëndia, padyshim, do ta falë. Por po qe se ai ngul këmbë në gabimin e tij, Perëndia, me siguri, do të dërgojë dikë që do të sillet pa mëshirë me të. I tmerr¬shëm, me të vërtetë, është Perëndia kur ndëshkon! Kushdo që e inter¬preton këtë varg ndryshe nga dome¬thënia e tij e qartë, atij do t’i mohohet Fryma e Perëndisë dhe mëshira e Tij, që përfshin të gjitha gjërat e krijuara. Rrini në frikë të Perëndisë dhe mos shkoni pas fantazive tuaja të kota. Përkundrazi, ndiqni porosinë e Zotit tuaj, të Gjithëfuqishmit, Urtiplotit.

-~-
Bahá'u'lláh

Table of Contents: Albanian :Arabic :Belarusian :Bulgarian :Chinese_Simplified :Chinese_Traditional :Danish :Dutch :English :French :German :Hungarian :Íslenska :Italian :Japanese :Korean :Latvian :Norwegian :Persian :Polish :Portuguese :Romanian :Russian :Spanish :Swedish :Turkish :Ukrainian :